PROFILE NË MJEGULL

mjegull

Përkufizimi i intelektualit ka qenë gjithnjë problematik. Ndoshta më shumë në Shqipëri, meqë figura e intelektualit, e përvijuar kryesisht në vitet e Rilindjes, është pikturuar në vitet totalitare me bojëra ideologjike, për të hyrë më pas në fazën e krizës, që vazhdon edhe në ditët e sotme; ndërkohë që opinioni publik e ka gjithnjë e më të vështirë ta përthithë konceptin dhe rolin e intelektualit.

Është afërmendsh që koncepti i intelektualit, si personi që punon me intelekt, nuk mund të birësohet për t’ia shpjeguar rolin e veçantë në shoqëritë moderne. Bymimi i këtij koncepti deri në deformim total, sipas gjasës, i ka rrënjët në egalitarizmin totalitar. Nuk mund të harrojmë se në Shqipërinë diktatoriale arritën të quheshin intelektualë të gjithë ata që kishin marrë diplomën e shkollës së lartë.

Në këtë medium ne kemi folur prej kohësh për rolin e intelektualit, madje duke i kundërvënë atë të teknicienit, ose më dashamirësisht të ekspertit. Kjo kundërvënie ia ka theksuar edhe më shumë tiparet e intelektualit, i cili e shpreh ekspertizën e vet në shumë fusha përgjithësisht nga pozitat e publikut. Ekspertiza e intelektualit vlen në atë masë që e përcjell zërin e qytetarëve duke e kontekstualizuar atë në kohë e në hapësirë. Nga kjo pikëpamje fjala e intelektualit merr jetë më shumë në trajtë pyetjesh se sa përgjigjesh.

Koncepti i intelektualit si zëdhënës i publikut vjen nga tradita iluministe, kur shkrimtarët dhe njerëzit e letrave përçonin (nën)vetëdijen publike të vendeve të tyre. Është e qartë se roli i intelektualëve ka edhe ndërlikime kulturore kombëtare, sikurse ka ndërthurje me regjimet në të cilën ai është ushtruar. Nga ana tjetër, vetë globalizmi ka hedhur në lojë rregulla të reja, çka kërkon një ripërkufizim të rolit të intelektualit tradicionalisht të njohur si më lart. Gjithsesi, e vetmja nevojë që nuk ndihet, sidomos në kushtet e një krize të pashoq për këtë figurë shoqërore, është ajo e pështjellimit konceptual lidhur me rolin e intelektualit në Shqipëri.

Shkrimi “Intelektuali shqiptar, ky dështak recidivist” (Shekulli, 05/10/2009) me autor Bledar H. Priftin, nuk ndihmon aspak në ndriçimin e problematikës, për ta thënë me një eufemizëm të edukuar. Nuk kam ndërmend të hetoj inkoherencat tekstuale të autorit, siç bëra gjatë verës me të tjerë, por do merrem me thelbin e problemit, duke ua lënë kolegëve të blogut detyrën tjetër.

Kam ndjesinë se disa autorë shqiptarë i përdorin përkufizimet e kopjuara nga libra të tjerë paksa në mënyrë shabllone, gjithsesi pa ndonjë filtër kulturor që ka të bëjë me shqiptarinë. Gjithsesi, përcaktimi i intelektualit si

person, profesioni i të cilit konsiston në punimin dhe përhapjen e ideve në dhe për një shoqëri apo grupim shoqëror të caktuar.

nuk më bind asfare, për të vetmen arsye se në këtë mënyrë do të duhet t’i fusnim detyrimisht të gjithë arsimtarët nga Konispoli në Vermosh dhe anasjelltas. A nuk punojnë dhe përhapin ide në shoqëri mësuesit? Po politikanët a nuk e bëjnë një gjë të tillë, sidomos në raste fushatash elektorale? Pra në ç’pikë dallohet veprimtaria e intelektualit? Si karakterizohet nga intelektuali përpunimi dhe përçimi i ideve? Këtë, përkufizimi gjysmak i autorit nuk e thotë.

Në paragrafin që po citoj më poshtë, nuk më intereson aq shumë shikimi klasist i Priftit se sa mënyra e kategorizimit të intelektualëve. Të them të vërtetën, nuk arrij të pikas ndonjë kriter koherent nga i cili përftohet më pas klasifikimi i intelektualëve në tre nëngrupe. Kam ndjesinë se ndarja është kopjuar keq nga ndonjë libër që flet për klasën drejtuese, elitën, ndoshta elitizmin, ose për vetë intelektualët. Gjithsesi, ndarja lë shteg për shumë vërejtje.

Për arsye të këtij shkrimi, unë do ta klasifikoja klasën intelektuale Shqiptare dhe elementin intelektual në tre nëngrupe kryesore: (1) Intelektuali teknokrat, (2) Intelektuali akademik, dhe (3) Intelektuali social. Unë besoj se janë këto tre kompartamente të klasës intelektuale që bëjnë të mundur funksionimin normal dhe progresist të shoqërisë dhe adoptimin e saj me ndryshimet.

Në qoftë se teknokrat do të quanim atë që ushtron pushtet në sajë të njohjeve të tij teknike, atëherë nuk ka kuptim që fjala “teknokrat” t’i qëndrojë afër intelektualit. Ky i fundit është antagonist i thellë i teknokracisë, si të thuash konceptet përjashtojnë njëra tjetrën. Shpjegimi i “intelektualit teknokrat” nga ana e autorit, nënndarja e tyre në tre grupe të tjera, nuk është se m’i kthjellon idetë. Nuk kuptoj gjithashtu cilësimin “shqiptar” të figurës së “intelektualit teknokrat”. Mos vallë intelektualët e këtij lloji në Gjeorgji, Francë e Singapor ndahen ndryshe? Nuk po e prek çështjen delikate të të qenit “vizionar” ose “strateg”. Lexoni:

Cili është intelektuali teknokrat Shqiptar? Ky grupim mund të konsiderohet si ajo pjesë e intelektualëve që ka aftësinë ideologjike dhe teknike për të përmbushur një detyrë të caktuar më parë. Këtu hyjnë edhe ata individë detyra funksionale e të cilit është të prodhojë ide që kanë të bëjnë direkt me drejtimin politik të shoqërisë. Këta janë ata të cilët ne i quajmë “vizionarët” apo “strategët”. Normalisht, ky grupim karakterizohet nga intelektualë teknokratë të tre niveleve: operacionalë (nëpunësit) , menaxherialë (drejtues institucionesh), dhe strategjikë (politikanët).

Duhet të kuptojmë gjithashtu se cili është intelektuali akademik. Pyetjen ia bëmë vetes pa na e bërë autori. Madje bëmë edhe një pyetje tjetër. Akademik do të thotë që punon në Akademi, që pason doktrinën e Platonit, që jep mësim në Universitet, që është shumë teorik, apo tejet tradicional?

Po intelektuali akademik ky hyn do të thoni ju? Intelektuali akademik është ajo pjesë e klasës intelektuale roli i së cilës është të evidentojë anomalitë në çdo nyje të shoqërisë, të propozojë zgjidhje adekuate, dhe të shërbejë si databaz e veprimtarisë shoqërore nga ku idetë mund të lindin. Intelektuali akademik nuk i lejon vetes të manipulohet nga apo të manipulojë realitetin social dhe politik të një vendi.

Nuk kuptoj përse intelektualit akademik nuk iu lejoka të manipulohet, kurse intelektualit teknokrat “po“. A nuk presupozohet pastërtia morale e intelektualit që në përkufizim? Nga ana tjetër, detyra që i ngarkohet kësaj figure më duket titanike. Jo vetëm duhet të gjejnë anomalitë e shoqërisë por duhet të propozojnë edhe zgjidhje të përshtatshme. Përse nuk mund ta luajnë këtë rol intelektualët teknokratë? A nuk janë këta të fundit ekspertë të zotë për zgjidhje problemesh?

Dhe erdhëm tek intelektuali i fundit, intelektuali social. Intelektuali social është intelektuali më i lidhur me grupet sociale apo me shoqërinë në tërësi. Unë e konsideroj intelektualin social si një individ qëllimi i të cilit është që përmes ideve të tij të kontribuojë në mbrojtjen e interesave të shoqërisë apo grupimeve të caktuara sociale. Ky intelektual udhehiqet nga virtuti për drejtësi sociale dhe kurajoja morale.

Profili i tretë dhe i fundit është më pak i përcaktuar se të tjerët. Kuptojmë që intelektuali social është i lidhur me shoqërinë civile, por edhe kjo lidhje nuk mund të konsiderohet prerogativë vetëm e tyre. Sindikalistit mund t’i shkonte fare mirë për shtat ky përkufizim: mbron interesat e një grupi të caktuar, mund të udhëhiqet nga virtyti për drejtësi sociale, mund të ketë kurajë, e kështu me radhë. Madje edhe prifti ose hoxha mund t’i kenë këto cilësi. Apo i dallon diploma universitare?

Autori i shkrimit pyet sërish nëse Shqipëria ka të tillë intelektualë. Përgjigjja merret me mend. Autori shkruan: “Fatkeqësisht, përsëri, unë do të thoja shumë pak për të mos thënë aspak”. Arsyet e mungesës së intelektualëve Bledar H. Prifti nuk i zhbiron thellë. Mjaftohet të paraqesë dy të tilla. Sipas tij, intelektualit i mungojnë besimi dhe vlerat e qëndrueshme, si dhe përgatitja e mjaftueshme. Në fund akuza e rëndë e denjë për një gjykatë inkuizicioni: “Intelektuali Shqiptar ka dëshmuar se ka qënë dhe vazhdon të jetë një dështak–një dështak recidivist”.

Është fare e qartë se në Shqipëri mbizotëron pasaktësia në përcaktimin e figurës dhe rolit të intelektualit, çka e kushtëzon detyrimisht ekzistencën e tij. Por fakti më shqetësues është se as ekspertët e fushës nuk i vërejnë lidhjet e intelektualit me publikun, marrëdhëniet e tij me pushtetin dhe, më e rëndësishmja, peshën etike që përmban kjo figurë.

20 Comments

  1. A e konsideron veten intelektual shkruesi i artikullit ne fjale ? Nese po, kete perfundim e nxjerr mbi baze perjashtimore, nuk jam klase puntore, as fshataresi, e meqe quartum non datur, i bie te jem intelektual ?

    Ndoshta eshte vertet intelektual dhe po nxit autokritiken brenda kategorise ? Atehere perse nuk na tregon si e qysh ndodhi qe ai deshtoi ne menyre te perseritur ne permbushjen e misionit madhor me te cilin e ka ngarkuar historia? Se ne kete rast do te kishte vetem nje rrethane lehtesuese: ka pasur probleme mbijetese kete dhjetevjecarin e fundit, i eshte dashur te behet murator, kamarier apo shites per te mbajtur veten apo gruan dhe femijet. Rrethane kjo qe ne rastin konkret me duket se duhet perjashtuar, duke pare karshillekun me te cilin i drejtohet publikut.

    Mos eshte infektuar edhe ky nga moda e te zgjuarit ne mengjes dhe e te ndjerit papritur e pakujtuar ” ANALIST”

  2. Jo, moj eVonuara, artikullshkruesi nuk e konsideron veten intelektual (shqiptar) dhe ketë e provon me përdorimin pik-pik-pik (për ta thënë me edukatë) të fjalës recidivist.
    Pishak,
    po sjell si shembull intelektualët që vërtisin paranë për të sqaruar sa ka dashur të thotë autori me të cilin gjithsesi nuk puqem në mendime.
    Intelektuali tekonokrat – bankier i bankave tregtare
    Intelektuali akademik – bankier i bankave qëndrore
    Intelektuali social – i angazhuar me problemet jashtë institucioneve.
    Me ketë ndarje manipulimi mund të shpjegohet: teknokratit i lejohet të bëjë pazar me normën e interesit një çerek më shumë një çerek më pak; akademiku ka pak ose aspak ç’të manipulojë; sociali punon gjithmonë nën varësi të efektit ose mosefektit të punës së dy të tjerëve, si dhe asaj si ai e shikon të ardhmen.
    E kam të qartë se është vështirë të ndash për çdo fushë, e se ndarjet ndërthuren aq sa dhe mund të mos i ndash dot.

    Pasaktësia në përcaktimin e intelektualit më shumë se ekzistencën e intelektualit (ai është gjithsesi) kushtëzon përftimin apo dobinë shoqërore që puna e tij do ti jepte shoqërisë në kohën e duhur.
    Kam rezerva ndaj përdorimit masiv që po i japim fjalës dështak. Gabimisht, po quajmë kështu edhe nënën e pjellave të këqia, apo të gjymtuara. Apo, si Dritëroi me romanin Dështaku, (që fundja ja lejon letërsia) po quajmë dështakë ata që nuk pjellin dot ëndrrat dhe ëndrrat me sy hapur të njerëzve, që pastaj ti marrin e ti shëtisin të lumtur bulevardeve.

  3. Nje teme shume interesante. Une kam gjetur disa perkufizime interesante te Wikipedia per intelektualin dhe sigurisht edhe per inteligjencen qe eshte sigurisht, si te thuash, mjeti teknik i punes se tij si dhe per tekniken e punes se tij. Jane te perkthyera ne anglisht ne google.

    “Latin INTELLECT (intellectus to perception: perception, cognition) refers to the ability to obtain, by means of thinking about knowledge and insights”

    http://de.wikipedia.org/wiki/Intellektuell

    The term INTELLECTUAL (lat intellegere understand -) generally referred to a person – usually because of their education and activity – is formed scientific or artistic. Frequently, the term, provided the training referred erroneously used synonymously with academics.
    The term intellectual (lat intellegere understand -) generally referred to a person – usually because of their education and activity – is formed scientific or artistic. Frequently, the term, provided the training referred erroneously used synonymously with academics.

    Une mendoj se kjo eshte vetem ana teknike e percaktimit te tij. Sartre (po te wikipedia) ka nje percaktim interesant te nje ane tjeter te Intelektualit qe eshte ana e tij sociale, ose me thjesht qellimi i perdorimit te intelektit.

    „The intellectual analysis, questioned and criticized, according to Sartre, in public debates and discourses of social processes, in order to influence their development. Here, the intellectual is not tied to a political or moral location. This often leads to conflicts with the political rulers.“

    Pra me fjale te tjera, intelektuali eshte nje pjestar i shoqerise njerzore e cila nuk eshte gje tjeter vetem se nje grup njerzish qe duke perdorur inteligjencen perpiqen te organizojne jeten e tyre (sipas mendimit te tyre) ne menyre sa me optimale per ta. Intelektualet kane rrolin e tyre ne fushen teorike ne kete mes. Ky rrol mund te jete pozitiv ose negativ dhe kjo varet nga drejtimi qe ata i ofrojne shoqerise ku jetojne. Roli dhe influenca e tyre varet jo vetem nga aftesia e tyre por edhe nga kushtet historike, niveli i pergjithshem kulturor i shoqerise dhe, sic thash me siper, edhe nga fakti se si deshirojne ta organizojne jeten e tyre njerzit e kesaj shoqerie.
    Pra ne qofte se dikush eshte i mendimit se intelektuali shqiptare eshte „dështak recidivist“ duhet te sqaroje se cfar ben shoqeria shqiptare sot, cfar do ajo dhe cfar nuk ben e duhet te bente intelektuali shqiptar sot. Aty do te thosh duhet te sqaronte edhe se cfar ben ai vete ne rradhe te pare qe nuk bejne te tjeret.

    Cfar mendoj se eshte me e rendesishme eshte qendrimi i pergjithshem qaraman, ankues, kritikues i pa kompromis i te tjereve. Ne nje atmosfere te tille, dikur do te thoshte edhe intelektuali me i duruar, se me mire shkon e punon diku tjeter qofte si mesues ose punetor krahu, se sa te caj koken me keta njerez qe jane vetem destruktiv.
    Jo intelektualet qe perpiqen me deshiren e mire per te ushtruar “zanatin” e tyre, por atmosfera armiqesore ndaj tyre, eshte problemi me i madh i shoqerise shqiptare. Me kete nuk nenkuptoj kritika konstruktive per aspekte te ndryshme, pro paragjykimin kadegorik se Intelektualet tane jane te pa afte e nuk bejne etj… pra negativizmin paranoik duke mendura se po te kritikojne nje tjeter e ta bejne cope, tregojne se jane vete shume te mencur. Jo vetem nga ana llogjike qe nuk eshte ne rregul, pra se nje percaktim i pergjithshem dhe paragykues nuk eshte kurre i sakte, por edhe nga ana praktike eshte jo produktive. Studimet e fundit ne fushem e efektivitetit te te mesuarit ne shkolle dhe te motivimit te njerzve ne pergjithesi, kane treguar se kritika (jo mendimi i kundert ose debati konstruktiv) pergjithesisht luan nje rrol negativ ne kete fushe. Sigurisht qe ne nuk jemi as te paret e as te fundit me keto probleme.
    Eshte interesant se shume „semundje intelektuale“ nuk jane vetem tonat. Edhe vendet me te zhvilluara i kane kaluar keto me pare bile kane rudimente te tyre edhe sot.
    Para vitesh ne Paris, i lavderova ndertimet ne pjesen moderne qytetit, nje miku qe jetonte atje. Ai me shpjegoi se nuk jane gje fare dhe se parizianet i urrejne ato. Une ja ktheva se pse nuk i pelqenje parizianet ato ndertime nuk do te thote se ato vertete nuk jane gje fare. Edhe per kullen e Eifelit, nuk lane gje pa thene parizianet, por sot eshte simboli dallues i parisit ne bote. Pyetjes sime se a jane pariziasnet pergjithesisht te kenaqur ju pergjigj negativisht se ata ankohen gjithe kohes e per cdo gje dhe shtoi se mbase kjo i ka nxitur te zhvillohen. Une nuk e besoj kete dhe mendoj se eshte vetem justifikim per nje ves qe mund ta kete nje pjese e mire e parizianeve dhe se ankimi nuk sjell perparim.

    Do me pelqente qe edhe intelektualet tane te shikoheshin pozitivisht, se une mendoj qe e meritojne te respektohen dhe kjo eshte ne interes te te gjitheve.

  4. i nderuar Pishak. Pa dashur aspak te te fyej, eshte shkrimi me i panevojshem qe kam lexuar ne Peizazhe. Jo per trajtimin i cili eshte mjeshteror, por per kotesine e perpjekjes per te korrigjuar dicka nga traplleqet e shtypit shqiptar.
    Ju duhet te kuptoni qe autori i shkrimit, nuk e ka shkruar per te na qartesuar ne se c’eshte intelektuali, por per te kenaqur nje ego “intelektuale”.
    Kriter i botimit nuk eshte vlera (nuk besoj se e ka lexuar ndokush ne gazete), por te qenit i autorit nip i dikujt dhe bir i dikujt tjeter.
    Dhe kaq…
    Sa per intelektualet, kam parasysh faktin se nuk kam pare asnje titull dr para emrit te shume personaliteteve shkencore te botes, qe sigurisht jane te tille.
    Psh Ferid Murat merr cmimin Nobel ne mjekesi.
    Ndersa tek ne: Deputeti i zones dr Filan Fisteku piu kafe me tre te papune dhe qau hallet me ta, a thua se doktoratura ( t’a zeme e merituar) ne gjeologji eshte shume percaktuese ne politikat sociale qe ai do te perkrahe.
    Kurse per konceptin ” intelektual ” mendoj se eshte term francez i prejardhur nga qarqe masone-libertine per te percaktuar veten si elite kulturore e shoqerise.
    Psh..
    Nje poet mesatar, qe lufton per te drejtat e homoseksualeve quhet intelektual.
    Nje kardinal me 4 diploma, 3 doktoratura dhe 25 botime nuk quhet kurre i tille.

    1. Në këtë shkrim, më interesonte të nënvizoja se përkufizimi i intelektualit, dhe si rrjedhim roli i tij, janë rrethuar në Shqipëri nga një mjegullnajë keqkuptimesh. Kjo e fundit rreket të depozitohet formalisht në vetëdijen e publikut, nëpërmjet shkrimeve si i lartcituari, por edhe nëpërmjet ekzibicionizmit të gradave shkencore dhe të titullit intelektual. Kjo rrëmujë nuk i bën mirë as publikut, as intelektualëve vetë.

      Nga ana tjetër, në përgjithësi, më shqetëson fakti që po mësohemi me çdo gjë dhe shumë pak gjëra po na habisin ose tërheqin vëmendjen. Dyshimi im, po e them vetëm tani, është se ky anestetizim i vetëdijes qytetare nuk është i rastit, por i menduar mirë. Prandaj edhe nuk i pranoj ftesat për të mos u marrë me “trapllëqet e shtypit shqiptar”. Sepse kjo ftesë mund t’i shtrihet fare mirë çdo dukurie që jetësohet në Shqipëri. Ndoshta pikërisht këtë, pra indiferencën, po na kërkojnë ”forcat e errëta“ të shoqërisë…

    2. Cilat jane traplleqet e Shtypit Shqiptar ? Mund te ma thoni ju lutem shume ? Sepse do te ishte me shume interes qe dikush te shtjellonte mire dhe me pergjegjesi dukurine e trapllekut ne shtyp, ne menyre qe dikush tjeter, qe ka sy, veshe, ndjenja dhe pergjegjesi, por edhe nje kerkese te brendshme per vetekorrigjim, te gjeje nje vend ku te kontaktoje me te verteten e Madhe qe na mungon prej kohesh. E them kete, sepse e has shpesh kete sulmin verbal ndaj gazetarise- jo vetem nga komentues te ketij blogu, por edhe nga shumekush tjeter qe me shume sesa kritika me duket se keput ca te forta verdalle.
      Nuk dua te personalizoj debatin ketu, por jam shume i interesuar te lexoj pak fjale te renditura shqip, qe te shprehin nje mendim, nje kritike te formuluar qarte dhe me ide konkrete per nevojen dhe destinacionin e ndryshimit.
      Shtypi shqiptar pa asnje dyshim qe eshte ne krizen me te madhe morale dhe intelektuale, por rasti i z. Prifti qe eshte lenda e z. Pishak, kurrsesi nuk mund te faturohet si pergjegjesi apo gabim i gazetarise per te ndertuar mandej karikaturizime te sterholluara si e si t’i mbushim mendjen vetes se “ja sa lart qendrojme, nuk ia vlen te merresh me keta”. Sepse ai thjesht eshte nje ze ne nje dritare informacioni dhe kaq.
      Se dyti: shtypi shqiptar eshte pasqyre e shoqerise sone – me majat apo Kunjat intelektuale te saj por edhe me vulgun qe se fundmi ka marre nje vernik urbanizimi. Por me keq akoma – SHTYPI e perjeton kete krize, sepse e la veten te behet skllav i nje tregu qe pasi e lodhi me frymen luftarake politike po e qeteson me terapine e Dossierit Byroist. Arsyeja e kesaj kthese te pakthyeshme: Lexuesi – bleres qe si per cdo mall tjeter e konsideron gazeten si buletin per informacione utilitare. Nga shtetasi militant kaluam pra te shtetasi qe sheh te dera e brenda. Mungon qytetari qe mungon edhe Gazetaria e mirefillte.

      PS: Ju lutem – jo me mire – Amani, vetem kritika morale mos beni. Pa moral… tha Braushi.

      1. Një sqarim të vogël. Unë nuk u mora me autorin e artikullit, por me idetë që shprehte artikulli vetë. Nuk e kam shkelur kurrë parimin themelor të këtij blogu. U ndala tek ky shkrim, sepse e shembëllzon më së miri mjegullnajën konceptuale që rrethon sot intelektualin dhe rolin e tij, anipse shfaqet me petkat e ekspertit. Sa për gabimet e shtypit me “G” dhe me “SH” të madhe, mjafton të shfletosh gazetat përditë.

        1. Z. Pishak !

          Ne fakt nuk e kam nisur si reply per juve komentin tim. Por, nuk e di pse me ndodhi edhe dy dite me pare nje anomali gjate nisjes se komenteve ne blog.

          “Sa për gabimet e shtypit me “G” dhe me “SH” të madhe, mjafton të shfletosh gazetat përditë”.

          Meqe jemi ketu. Mjafton te klikosh mbi blogosferen shqiptare per te kuptuar edhe me shume se kaq.

          1. Theollogos, nuk e kuptova mirë këtë punën e blogosferës.

            Nuk besoj se ka njeri që të jetë neveritur me teprimet dhe pisllëqet e Internetit shqiptar aq shumë sa unë; por nuk besoj as se mund të krahasohet blogosfera me median profesioniste.

            Të kujtoj një batutë nga një këngë e Paolo Conte:

            Era un mondo adulto, si sbagliava da professionisti.

            Punonjësit e shtypit dhe të mediave në Shqipëri paguhen. Shkrimet redaktohen dhe miratohen në instancat përkatëse.

            Blogosfera, përkundrazi, në përgjithësi nuk i kapërcen kufijtë e folklorit; me autorë që mund të identifikohen vetëm nëpërmjet atyre që shkruajnë.

            Shtypi i Tiranës ende nuk arrin dot të integrohet në Internet; në një kohë që shumë media që duan të mbeten serioze, së paku në SHBA, i kanë integruar blogjet në faqet e tyre.

            Përkundrazi, marrëdhëniet e disa mediave të Tiranës me Internetin, përtej kopjimit të zellshëm të lajmeve dhe në përgjithësi plagjiaturës, kufizohen me faqet e komenteve, të cilat qëndrojnë ku e ku më poshtë blogjeve.

            Ka hierarki edhe mes gjirizeve.

            1. Une nuk kam asnje merak per vendin e pare, nuk me intereson hierarkia. Por shoh se paska kompeticion.

              Ajo qe doja te nenvizoja eshte se prej blogosferes mund te nxjerresh nje statistike te atij qe mund ta quajme individi aktiv ne perdorimin e informacionit por edhe reagent ndaj ngjarjes.

              Neveria juaj – une po e marr me gabim statistikor afer 0 – deshmon pra se cilet jane dhe nga kush percaktohet hierarkia e gjirizit, pra standardi. E zbritur kjo ne basifondin mediatik lexues-gazetar te Tiranes, jep Tregun.

            2. theollogos,

              nuk e di se sa i ndjek dhe kë ndjek në internet. Por të them me bindje se ka shumë vënde të mira, pa smog, pa mbeturina organike, pa racizëm, pa… pa… dhe nuk mbarojnë.
              Problemi është tek sistemi i sotëm ku kushdo mund të lëshojë bajgat apo gjëra me mend. Interneti ta lejon të përdorësh dhe gjëndjen emocionale, ta katranosësh edhe më shumë historinë.
              Prandaj, duhet pak respekt për ku shkel dhe për ata që të ndjekin (të detyruar? aspak! kuriozë sepse i besojnë këtij blogu dhe prurjeve të autorëve).

  5. Për mendimin tim, nuk ka ndonjë lidhje midis gradave shkencore (ose titujve) dhe intelektualit; megjithëse prej këtij të fundit pritet që të ketë mbaruar, së paku, shkollën e lartë; si dhe të dijë t’i nyjëtojë mirë mendimet e veta, me shkrim ose me gojë.

    Gradat shkencore janë një sistem formal për organizimin e ekspertizës; nuk thonë asgjë për shkallën e angazhimit qytetar të dikujt, as për aftësinë e tij për të përfaqësuar interesat e publikut në debatet.

    Në Shqipëri gradat shkencore prej kohësh janë burokratizuar deri në atë shkallë, sa sot ta kenë humbur një pjesë të madhe të vlerës që duhej të kishin, për shkak të atyre që i kanë marrë në mënyrë të pamerituar, shpesh të detyruar nga vetë procesi burokratik i kualifikimit.

    Kjo bën që shpesh, e vetmja mënyrë për një doktor shkencash të merituar që të dallohet nga një koleg i veti, po ashtu doktor shkencash, por i pamerituar, është të marrë pjesë në jetën publike; qoftë edhe me sforcim.

    Me pjesëmarrje në jetën publike kam parasysh jo vetëm daljen në TV dhe angazhimin në debate për çështje me interes të përgjithshëm; por edhe angazhimin politik, botimin e librave me natyrë jo ngushtësisht shkencore, dhe në përgjithësi një gatishmëri për t’u përfshirë në zhvillimin e dijes brenda fushës përkatëse.

    Kështu, po përmend dr. Harxhin, i cili prej muajsh mban një rubrikë te “Shekulli” për çështje të seksualitetit; ose dikur dr. Sulçebeun, dhe rubrikën e tij të paharruar në radio, për sëmundjet e fëmijëve. Të dy këta mjekë, që kanë pasur edhe gradat shkencore përkatëse, nuk ka nevojë të quhen “intelektualë” për t’ua njohur meritat; meqë intelektual nuk të bën aftësia për të popullarizuar idetë e fushës ku je specializuar.

    E kam fjalën që edhe mes ekspertëve ka dallime; dikush është më i zoti, më i hedhur, më kureshtar, më i përditësuar me zhvillimet e fundit se dikush tjetër; por kjo nuk e bën të parin intelektual.

    Për fat të keq, ky shtrembërim tashmë ka ndodhur; dhe kemi prirje të quajmë intelektualë ata ekspertë që vetëm sa angazhohen publikisht për çështje ku kanë ekspertizën kryesore; ashtu një historian do të quhet intelektual sa kohë që shkruan në shtyp për çështje të historisë, edhe pse ky është specialiteti i tij.

    Keqkuptimi lidhet edhe me një prirje të vjetër për të quajtur intelektualë njerëz me formim në shkencat sociale ose në të ashtuquajtura arte liberale – letërsi, filozofi, etj. Mirëpo, në të vërtetë, të jesh intelektual nuk mund të reduktohet në profesion; sepse do të ishte sikur ta quaje, në kontekste të tjera, edhe patriotizmin profesion; edhe pse të tillë patriotë profesionistë nuk kanë munguar kurrë.

    Të ishte intelektuali profesion, atëherë duhej të përfshihej edhe ai në sistemin e gradave shkencore; çka nuk mund të ndodhë, sepse intelektuali, në një farë mënyre, i kundërvihet vetë këtij sistemi; i cili vetvetiu priret ta formalizojë kontributin e dikujt në lëmin e dijes, duke ia nënshtruar disa parametrave mekanike (provime të specialitetit, disertacion me një numër faqesh të caktuar, etj.).

    Ironikisht, para se të hynte në fuqi në Shqipëri sistemi i kualifikimit shkencor (me kandidatë shkencash, bashkëpunëtorë të vjetër shkencorë, docentë, doktorë e profesorë), disa personalitete të fushave të ndryshme morën titullin “profesor” me dekret – edhe pse këta ishin ndoshta nga më të merituarit ekspertë në fushat e tyre, që ka nxjerrë ndonjëherë kultura shqiptare.

    Në dallim nga një Eqrem Çabej ose një Aleks Buda, shumë doktorëve dhe profesorëve të sotëm, për fat të keq të tyre dhe të kulturës shqiptare, u vjen ndot nga disertacionet që kanë bërë, për të marrë gradat përkatëse; dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ata që i fituan këto grada gjatë periudhës 1960-1990, kur shkenca shqiptare ishte tërësisht e izoluar dhe arritjeve, ose më mirë “arritjeve” u mungonte ballafaqimi me botën dhe vlerësimi përkatës.

    Ngaqë e kam përjetuar vetë sistemin e gradimit shkencor të asaj kohe, mund të them, pa m’u dridhur zëri, se produkti i tij kryesor ishte njohja formale (recognition) madje nxitja e mediokritetit, në çdo nivel. Nuk them dot nëse kjo sot ka ndryshuar për mirë, por jam pesimist; sidomos ngaqë vazhdoj të shoh se ekspertët më të mirë përpiqen të dallohen prej anonimëve që mbajnë të njëjtat spaleta, duke u veshur tepdil si intelektualë.

    Këtu ka diçka që nuk shkon, dhe diçka të madhe dhe serioze; sepse nga njëra anë mjegullohen dallimet e rëndësishme midis angazhimit ekspert dhe angazhimit intelektual; dhe më anë tjetër ulen automatikisht standardet e përfaqësimit të intelektualit në publik, sepse shumë nga këta ekspertë nuk janë në gjendje të nyjëtohen mirë, as e kanë atë vizion të domosdoshëm të gjërave në global, i cili i shquan intelektualët e mirëfilltë.

    Megjithatë, edhe më negative se kjo tepdilosje është fshehja pas gradave shkencore, ose këmbëngulja për t’i ekspozuar, si të ishin tatuazhe të rëndësishme, shenja klanesh ose leje kalimi për post-blloqet e logjikës ose, edhe më keq akoma, të shpërblimit.

    E kam fjalën për njerëz që disertacioneve u janë qasur si të ishin Trimëritë e Herkulit; dhe tani shpresojnë se do të jetojnë mirë e bukur me “të ardhurat” morale, materiale dhe intelektuale që do t’u vinë prej tyre; konfirmim i asaj dukurie tipike, e cila i ka rrënjët në atë zakonin e çuditshëm shqiptar i cili formulohet kështu: “ta bëjmë ç’kemi për të bërë, që pastaj të rrimë.”

    Ashtu, sa herë që dëgjoj emra të paraprirë nga tituj e grada, të tipit prof. doktor Kiçok Karruklla, nuk di pse gjithnjë më vjen ndërmend njeriu që rri.

  6. Mua me duket se ne Shqiperi jemi shume te fiksuar pas fjales intelektual, se ne fund te fundit, ne te gjithe literaturen sociologjike, antropologjike apo filozofike qe me ka rene per pjese te lexoj keto vitet e fundit per te dale nga izolimi qe me te drejte Xha Xhai konstaton, nuk kam hasur ndonjehere p. sh. intelektuali Pierre Bourdieu, intelektuali Zygmund Bauman, intelektuali Clifford Geertz, apo intelektuali Eric Wolf; por sociologu e antropologu P. Bourdieu, filozofi e sociologu Z. Bauman, e antropologet Geertz e Wolf. Tani sipas konceptit qe kemi ne per intelektualet, o jane keta te tille, o nuk eshte kush, por ja qe kjo fjale nuk duket se perdoret si[ e perdorim ne. Une mendoj se tek ne ky fiksim me intelektualet ka te beje me shume me trashegimine e socializmit, kur shoqeria propagandohej se ishte “pa klasa”, por e ndare ne grupe shoqerore. Te gjithe ishin klase puntore, por dikush ishte punetor prodhimi industrial, dikush punetor bujqesie, e dikush punetor edukimi. Ky i fundit ishte i ashtuquajturi intelektual, qe per detyre kishte “te edukonte shoqerine, por edhe te edukohej ne vazhdimesi, me frymen e praktikes revolucionare marksiste-leniniste” (sipas interpretimit te tezes se peste te Marksit tek “Tezat mbi Feuerbachun”).

  7. Doja te shtoja edhe dicka ne lidhej me shkrimin tim te meparshem per kete teme se kam frike qe ai ndonjerit i krijon pershtypjes se une kam dale jasht temes.
    Ceshtja eshte se pse i shkruajne autoret keto tema ne blog, thjesht per intelektualizem, se nuk kane me se te merren, se i eshte bere ves te shkruajne, pra si qellim ne vetevete. Une mendoj qe jo.
    Eshte vertete kaq e rendesishme per tu trajtuar kaq me hollesi se kush eshte intelektual, sic ben ai „autori“ te „Shekulli“ qe ndan gjerat ne kategori e nenkategori derisa me siguri qe me ne fund te na mbeten ne shqiperi e shumta vetem tre ose kater kandidate per intelektuale, te cilet sigurisht qe per autorin jane edhe deshtake…..

    Bota perendimore e ka pare kete problem para nesh dhe ne thelb e ka permbledhur me faktin qe:
    Kendveshtrimi intelektual tregon aftësinë për të njohurit e drejtpërdrejtë të parimeve të njohurive tona dhe realitetit. http://de.wikipedia.org/wiki/Intellektuelle_Anschauung
    Percaktimi Intelektual nenkupton ne pergjithesi nje person te formuar nga ana shkencore ose artistike. http://de.wikipedia.org/wiki/Intellektuell
    …qe ne thelb ato percaktime perputhen me trajimin me te gjere qe i beri edhe xha xhai per kete teme.

    Studimi i hollesishem, qe fillojne bile qe ne faktin me ceshtjen se a e zoteron njeriu aftesine e nje gjykimi intelektual, ne me te shumten e rasteve sjell vecse corodi se ka edhe fillozofe te medhenj si Fichte und Schelling qe mendojne ndryshe nga Kanti.
    Ketu edhe linku: http://de.wikipedia.org/wiki/Intellektuelle_Anschauung

    Pra se pari keto diskutime i ka bere bota njehere dhe se dyti nuk besoj qe ne te sjellim ndonje gje te re. Cfar na mbetet pastaj ne? Me mire te pyesim cfar duam ne? Kush eshte arsyeja qe na shtyn ti kthejme syte nga intelektualet? Nje hap me mbrapa, kush eshte interesi yne themelor ne kete mes?
    Mendoj qe ne duam qe Shqiperia te zhvillohet e te perparoje qe shqiptaret te krijojne ndertojne e realizojne nje shoqeri me te perparuar (… që shqiptarët të krenohen me veprat e tyre, me kulturën e tyre, me artin e tyre, me frytet e punës së tyre – sic shkruan xha xhai te PATERICAT)
    Por une ve re qe shume prej atyre qe shkruajne neper mediat vetem kritikojne e shkaterrojne, nuk japin zgjidhje dhe vetem sa perhapin pesimizem (nuk eshte fjala ketu apsolutisht as per autorin e PROFILE NË MJEGULL e as per xha xhain por per te tille si ai i shkrimit te „Shekulli“)

    Vura re nje paralele interesante ne qendrimin ne thelbi si te Nene Terezes dhe te xha xhait dhe pikerisht te shkrimi PATERICAT.

    Thenia e xha xhait: „Unë dua që shqiptarët të krenohen me veprat e tyre, me kulturën e tyre, me artin e tyre, me frytet e punës së tyre“ shpreh deshiten e tij, qe shqiptaret ti kthehen punes, ndertimit te vepres se tyre njerzore, shtetrore etj, pra te ndertojne jeten e tyre dhe te mos ta drejtojne gjithe vemendjen dhe energjine e tyre nga lufta kunder ideve antishqiptare te fqinjeve. Panvaresisht nga shkrimi ne pergjithesi, ky konstatim dhe konkluzion i tij, mendoj se eshte mesim themelor per gjithe kombin.

    Paralelja te Nene Tereza qendron ne faktin se edhe ajo kete qendrim e kishte moto te jetes se saj prandaj nuk perqendrohej te luftonte padrejtesine pro ndihmonte ne menyre pozitive (sipas mundesive te saj) per permiresimin e kushteve te renda te te varferve.
    Kur e ftuan ate njehere te merte pjese ne nje demostrate kunder luftes ajo u pergjegj: Ne nje demostrate kunder luftes nuk vij, po te me ftoni ne nje demostrate per paqen atehere vij.

    Ky lloj qendrimi eshte edhe nje nga mesimet themelore te fillozofise se lashte te Indise qe buron nga Vedat e lashta, e cila eshte shprehur ne menyre plastike nga nje perfaqesues i madh i saj: „Mos lufto erresiren, sill driten dhe erresira largohet vetvetiu“.

    Si perfundim dua te them, se menyra me e mire per te ecur perpara eshte qe vemendjen tone me te madhe ta drejtojme te forcimi dhe mbeshtetja e te perparuares me te gjitha format e mjetet, dhe jo te lufta kunder injoranteve. Kjo e fundit kur behet motori kryesor i jetes eshte vetem humbje kohe dhe energjie, humbje te cilesese se jetes. Edhe shkrimet jane me produktive kur japin ide dhe mendime si te permirsohet dicka, sesa shkrime qe perpiqen vetem verem te nxijne nje realitet.
    Mbeshtetja e forcave konstruktive vetem motivon dhe frymezon per me shume ne kete drejtim. Ne kete rast dua te falenderoj kete blog per mundesine qe me dha per tu shprehur.

  8. B.H.Prifti – Ky është smog vdekjeprurës.
    Pishaku – Mos doje të thoje mjegull?
    Armanda – Ty Pishak s’të ka dalë gjumi prej natës sociale; këtu s’ka kurrfare mjegulle por vetëm ujë, ajër…

    Intelektuali – Partia nuk bën dot pa intelektualin, intelektuali bën pa partinë.
    Partiaku – Aha, si puna e makinës, makina nuk ecën dot pa rrotën, rrota ecën pa partinë.

    Humori jo gjithmonë të bën të qeshësh.
    Mos vallë, këto tezat ultrakonservatore të këtij djaloshit, janë pararoja e ndonjë ofensive tjetër asgjesuese ndaj intelektualeve?

  9. Artikulli qe diskutohet nga Pishaku eshte padyshim i dobet, titulli eshte provokator pa dashka ndoshta, edhe mund te jete keq perkthyer-kopjuar. Pas nje hyrje te bukur shpresova per nje cast se do te lexoja ne shqip dicka pak a shume te ngjashme me « Fenomenologja di Mike Bongiorno ». Pershendes kurajon e impenjimin e Pishakut per te denoncuar mediokritetin, por do te doja vertet te shikoja dicka me te thelle per t’u indinjuar me cektesine e shtypit te perditshem shqiptar. Titull i bukur profile ne mjegull, por shkrimi i Pishakut vazhdon te lere ne mjegull intelektualin si koncept, e me pas intelektualin shqiptar, nqs nje percaktimi tille do te ishte kaq i ndryshem nga ai evropiani. Ndoshta per mungese te njohurive te mija te thella te shqipes, me duket se perkufizimi i Priftit (nqs mund te quhet vertet i tij !) nuk te shpie aspak ne perfundimin se cdo mesues eshte intelektual. Mesuesi shperndan dije, as punon (prodhon) ide as i perhap ato. Cila do te ishte kjo ide e re e sapoprodhuar qe perhap mesuesi i anglishtes, gjuhes shqipe, apo algjebres ?
    Shume interesante nderhyrja e Xhaxhait. Une do te shtoja vetem qe gradat shkencore vertet lidhje direkte s’kane me intelektualin, por nje lidhje indirekte deri diku po. Fjala e dikujt me grada shkencore dhe njekohesisht te mirenjohur si studiues te nje lloj disipline, ne nje debat shoqeror ka vlere. Intelektuali eshte dikush qe gezon nje lloj autoriteti.

    1. Ndoshta jo në trajtë enciklopedike – se dihet si shkojnë këto punët e Enciklopedisë – por një farë përkufizimi të intelektualit edhe mund ta gjesh në shkrimin tim. Sidomos po ta integrosh me artikullin tjetër “Roli i ekspertit” të Xha Xhait dhe komentet përkatëse të të dy shkrimeve.
      Mjegulla mund të davaritet edhe duke folur për mjegullën, tha.

  10. Komunizmi ka qene pro apo kundra intelektualeve? Te pakten para revolucionit kulturor.. Ne qofte se kundra, atehere pse inkurajonte lidhje e shoqata artistike/ shkrimtare/ kulturore/, shperndante grada e tituj shkencore me shumice (madje edhe Nexhimija kishte nje pasion per grada, si Elena e Causheshkut)?

    Ne qofte se ka qene pro, atehere pse i pushkatoi dhe i terrorizoi kaq shume intelektualet?

  11. “Mjegulla mund të davaritet edhe duke folur për mjegullën, tha. ”

    Pse jo? Nje mundesi eshte edhe kjo, zgjedhur nga autori per me teper qe ka te drejten e vetvendosjes ne kete rast. Por duke folur , mua m’u hap me shume oreksi se sa pashe mjegullen te davaritej. Mund te kishe derguar thjesht nje rreze drite te forte gjithashtu per te davaritur mjegullen, do te me kishte ngrohur pak me shume. Mbase dhe disa te tjere qe morren drejtime te mjegullta ne diskutimet e tyre.

  12. Kur komentet dalin fare nga perimetri tematik jemi të detyruar të mos i miratojmë. Për këtë arsye, disa komente nuk u kaluan për botim në blog. Lutemi të na kuptoni. Rregullat na shërbejnë të gjithëve, sepse përbëjnë kushtin e parë të diskutimit.

Comments are closed.