KOHA PËR MENÇURI

Lexoj sot se Dick Marty, një senator zviceran që përfaqëson këshillin e Europës, ka nisur një vizitë hetimore që do ta çojë në fillim në Beograd dhe më pas në Tiranë, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të gjyqësorit dhe përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pas këtyre vizitave, Marty do të përgatitë një raport për “trajtimin çnjerëzor të popullsisë dhe trafikun e paligjshëm të organeve të trupit në Kosovë”.

Burime zyrtare serbe po e paraqitin këtë vizitë si vijim të hetimeve të nisur prej tyre, për fatin e atyre “300-500 serbëve etnikë të humbur pa lënë gjurmë gjatë luftës së viteve 1998-1999”. Hetuesit në Beograd thonë se paskan prova “konkrete” se të paktën 10 vetë kanë rënë viktima të një operacioni ndërkombëtar për trafik organesh.

Si do të veprojnë institucionet shqiptare këtë herë?

Askush nuk e di, edhe pse zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi tha se autoritetet e atjeshme i mirëpresin “të gjitha hetimet në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë” – një deklaratë e mirë për nga qëllimi, por që nuk qëllon në shenjë, sa kohë që krimi i trafikut të organeve, nëse është kryer vërtet, është konsumuar në territorin e Shqipërisë.

Megjithatë, është momenti që institucionet në Tiranë të deklarojnë haptazi mbështetje pa rezervë të misionit të Dick Marty-t, në mënyrë që kjo çështje e shumëpërfolur e trafikut të organeve mes Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të treta të gjejë zgjidhje përfundimtare, brenda kufijve të arsyes.

Do të ishte krejt e papërshtatshme, madje kundërprodhuese, që të dëgjonim përsëri litanitë për krimet e luftës që kanë kryer serbët kundër shqiptarëve dhe për preferencën që po tregon Europa për serbët dhe Serbinë, në dëm të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Do të ishte dritëshkurtër që të fillonim përsëri të luanim viktimën, në një kohë që duhej të luanim partnerin, bashkëpunëtorin dhe palën e interesuar për vendosje të drejtësisë, madje edhe sikur krimi i pagjasë i vjeljes së organeve serbe të jetë konsumuar vërtet në territorin e Shqipërisë.

Nuk ka dyshim se krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë ende nuk janë zbardhur, as janë gjetur të gjithë shqiptarët e humbur pa lënë gjurmë, në periudhën e luftës dhe në përgjithësi gjatë viteve 1990.

Këto krime janë për t’u përndjekur me rreptësi të madhe nga organet e drejtësisë në Kosovë, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e organizmave ndërkombëtare madje edhe të Beogradit.

Por nuk ka asnjë kuptim që përndjekja e këtyre krimeve serbe të bashkëlidhet me hetimin e Këshillit të Europës ndaj trafikut të supozuar të organeve; sepse çdo krim meriton të përndiqet veçmas, jo në kontekst të një krimi tjetër.

Institucionet shqiptare – qeveria dhe organet e drejtësisë – bëjnë mirë të tregojnë pjekuri në trajtimin e kësaj çështjeje, dhe veçanërisht t’i dërgojnë Europës mesazhin se janë në gjendje të sillen si të rritur, pas kaq e kaq vjetësh kur kryesisht kanë dhënë prova se kjo pjekuri u ka munguar.

Retorika e evidentimit të krimit serb në kontekstin e tanishëm nuk mund të funksionojë; meqë dashur pa dashur i vë krimet serbe të luftës në të njëjtin plan me krimet e trafikut të organeve – edhe pse të parat nuk kanë nevojë për vizita hetimore senatorësh serbë për t’u zbardhur, por vetëm për zellin, këmbënguljen dhe zotësinë e juristëve dhe të diplomatëve shqiptarë të Kosovës.

Paaftësia për t’i përgatitur në kohën dhe në mënyrën e duhur dosjet e krimeve serbe të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk mund të mbulohet me argumente të tipit sentimental. Për fat të keq, na duhet përsëri të marrim shembull prej serbëve, të cilëve iu desh vetëm një vit për ta shndërruar një hipotezë të Carla del Ponte-s lëshuar në një libër kujtimesh në hetim zyrtar të organizmave europiane të të drejtave të njeriut.

Për të vendosur marrëdhënie normale me institucionet europiane, ose për t’i bërë këto institucione të të trajtojnë seriozisht, lypet edhe përvetësimi i tërësisë së gjuhës, formave dhe teknikave burokratike dhe juridike, të tilla që t’u provojnë të tjerëve se kanë përpara tyre profesionistë, jo poetë të sapodalë nga shpellat.

Prandaj gabimi më trashaman që mund të bëjë Tirana në këtë moment, është ta denoncojë misionin e Dick Marty-t si të paguar nga serbët ose të frymëzuar nga politikat anti-shqiptare ose pro-serbe të qarqeve të caktuara në kontinent; dhe të mos ia krijojë lehtësitë që kërkon, as të mos ia hapë dyert që i duhen hapur.

Nëse Tirana vërtet dëshiron ta ndihmojë Kosovën, por edhe të përmirësojë imazhin e vet ndërkombëtar, tani është rasti për të ndryshuar kurs dhe për t’u ofruar prokurorëve dhe hetuesve ndihmën dhe gatishmërinë që këta kanë nevojë.

Aq më tepër që kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet në mënyrë “demokratike” ose me vullnetin e popullit, duke tundur flamujt kombëtarë e duke u rënë lahutave; por vetëm çështje e natyrës juridike, e cila duhet ndjekur në pajtim me procedurat e pranuara nga të gjitha palët.

Natyrisht, Europa ka aq skelete në dollap, sa të mos e marrë dot pozën e epërsisë morale automatikisht, sidomos kur vjen puna për krimet e luftës në Ballkan. Edhe Bosnja, edhe Kosova janë prova të gjalla se Europës i ka munguar, pikërisht në momentet më kritike, dëshira për të vendosur drejtësi dhe për të mbrojtur viktimat nga krime të luftës të kryera ditën për diell, ndonjëherë nën sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë (Srebrenica).

Megjithatë, lojëtarëve të vegjël si Shqipëria nuk u lejohet të blofojnë; por vetëm të përpiqen t’i arrijnë objektivat e tyre nëpërmjet kultivimit të virtytit politik, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Duke komentuar vizitën e Dick Marty-t, Krasniqi shtoi edhe se autorët e vërtetë të krimeve të luftës duhen kërkuar në Serbi. “Të gjithë e dinë se ishte Serbia ajo që kreu krime kundër njerëzimit dhe genocid në Kosovë,” tha Krasniqi, dhe pastaj shtoi se “akuzat për trafik organesh janë krijim i imagjinatës së Del Ponte-s, të frymëzuar nga kriminelët e Serbisë.”

Për fat të keq, pohime si ky i fundit i bindin institucionet europiane se elitave politike shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, u duhet ende shumë punë për të mësuar mënyrën si komunikohet në nivel ndërkombëtar; dhe se lajmëtarët tashmë ka kohë që nuk i vrasin më, së paku në botën e qytetëruar.

16 Komente

  1. “Askush nuk e di, edhe pse zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi tha se autoritetet e atjeshme i mirëpresin “të gjitha hetimet në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë” – një deklaratë e mirë për nga qëllimi, por që nuk qëllon në shenjë, sa kohë që krimi i trafikut të organeve, nëse është kryer vërtet, është konsumuar në territorin e Shqipërisë.”

    Besoj se kjo deklarate e Memli Krasniqit eshte bere duke u nisur nga tejbindja se nje trafik i tille nuk ka ndodhur. Te njejtin qendrim duhet te mbajne dhe autoritetet shqiptare, madje do ishte mire qe te ishte kerkuar ky hetim nderkombetar menjehere pas daljes se akuzave nga autoritetet shqiptare, pa vonese dhe madje ne te njejten kohe te insistonte per perndjekje te serbise apo Madame Ponte, per <> (do me falni per perdorimin anglisht te ketij termi por shqip do me duhej te perdorja nja dhjete fjale per ta kuptimeplote dhe thjesht tani nuk kam kohe)
    Karta e injorimit dhe minimizit te kesaj ceshtje deri me sot nga pala shqiptare ka qene naive.

  2. Taktika mbrojtese e serbise: sulm i eger dhe i paskrupullt. Ua ka marre erzin shqiptareve dhe rendom i quan edhe terroriste.

    Sa per shqiptaret deri tani nuk kam arritur te identifikoj ndonje strategji pervecse nje profili shume te ulet.

  3. mmmm, meqenese nuk qenka publikar termi anglisht qe kisha shkruar ne mesazhin tim te pare, po perpiqem sipas meje ta formuloj shqip: Raportime fallco te keq qellimta dhe demtim i rende i reputacionit te nje vendi

  4. Parlamentarët e Kuvendit të ri shqiptar që janë edhe mjekë (përfshi edhe Kryeministrin Berisha) mundet, për shembull, t’i shkruajnë një letër Zotit Dick Marty. Unë, për shembull, do t’i kisha shkruar kështu (por unë jam kurrkushi):

    (Letër e paredaktuar)
    I nderuar Z. Senator Dick Marty,

    Mësojmë nga shtypi që tash së fundi, si përfaqësues i Këshillit të Europës, ju keni ndërmarrë një vizitë hetimore që do t’ju çojë edhe në Tiranë, në përfundim të së cilës do të përgatisni raportin ku do të shpreheni midis të tjerave mbi “trafikun e paligjshëm të organeve” në Shqipëri gjatë luftës së viteve 1998-1999.
    Letërshkruesi, për një sërë koinçidensash jetësore, ka punuar fillimisht si mjek në zonën verilindore të Shqipërisë (zona e indikuar si vendkryerja e krimit në fjalë në një libër kujtimesh të vetëm një viti më parë të Znj. Carla del Ponte); më vonë, përfshi edhe periudhën e luftës (1998-1999), ka punuar si kirurg në Spitalin Qendror të Tiranës krahas specialistëve më të mirë të vendit; ndërsa aktualisht gjendet në Departamentin xxx të Universitetit YYY (një nga qendrat kryesore në Itali për transplantin e organeve), duke kryer studime pikërisht në fushën e transplanteve (shih artikujt në PubMed).
    I bazuar tek njohja e jetës në zonën verilindore, e nivelit të mjekësisë shqiptare në periudhën në fjalë dhe e problematikave të ndërlikuara të vjeljes së organeve (organ harvesting) dhe transportimit adeguat të tyre për të pasur qoftë edhe një shans të vogël që të funksionojnë në një organizëm të dytë, mund t’ju deklaroj me ndërgjegje dhe gojën plot që në atë kohë (dhe, ndoshta, edhe sot) në Shqipëri ishte krejtësisht i pamundur konsumimi i krimit monstuoz të trafikimit të organeve, sepse mungonin strukturat, infrastrukturat, siedhe know how i nevojshëm.

    Besoj, dhe jam i sigurt, që në punën tuaj do të konsultoni ekspertë të transplanteve që mund t’jua shpjegojnë imtësisht përvojën mbi shpatulla dhe delikatesën ndër gishta që duhet të zotërosh që organi të ketë një minimum vlere qoftë edhe “komerciale”…

    Mbetem me shpresën etj. etj.

    Duke ju uruar sukses në punën tuaj,

    Me nderime Dr. …

  5. Dihet qe Europa krijon shume shpejt idologjite,nje nder to edh e ate te “trafikut te organeve”.
    Si cdo ideologjia qe ka bazat e saj edhe ideologjia e trafikut te organeve eshte ndertuar mbi keto;
    1.Cdo gje shitet blihet.
    2.Ata qe blejne organe dhe i rishesin me cmime brenda aktivitetit spitalor perndimore marramendese jane vendet e pasur.jane vendet e pasura.
    2.Njerezit qe i shesin te detyruar nga moskamja jane ne vendet e varfera.
    Faktet:
    Ndersa Kina perdor programimin e ekzekutimeve me vdekje te te burgosurve per kete qellim,India perdor “fshatrat e shpreses”.

    Ndersa per Shqiperine,ideologjia traficante thote qe nen qellim te kesaj mungojne 2000 femije,per te cilet supozhet se organet e tyre jane per me shit ne Itali dhe Greqi.
    M

  6. “Për fat të keq, pohime si ky i fundit i bindin institucionet europiane se elitave politike shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, u duhet ende shumë punë për të mësuar mënyrën si komunikohet në nivel ndërkombëtar; dhe se lajmëtarët tashmë ka kohë që nuk i vrasin më, së paku në botën e qytetëruar. ”

    XhaXha , me ler te them se lajmetaret qe leshojne akuza qe pas nje hetimi dalin jo te bazuara por fallco sigurisht qe askush nuk i vret ne boten e qyteteruar persa kohe qe keta lajmetare i raportojne “krimet e tjetrit” duke u nisur nga nje besim i mire (allegations made in good faith) dhe jo nga djallezia dhe vullneti i keq per te demtuar tjetrin.
    Nuk eshte detyra e lajmetarit te hetoje vertesine e fakteve apo te sigurohet mire per vertesine e raportimeve qe do beje (prandaj behen hetimet), por eshte detyra dhe e drejta e cdo qytetari ne bote qe te raportoje krime apo fakte te trajtimeve cnjerezore, veprime keto qe udhehiqen nga nje vullnet i mire dhe jo nga sajesa te vullnetshme per ti bere keq dikujt.
    Ligji dhe qyteterimi e denon nje lajmetar te rreme qe djallezisht dhe me vullnet te plote sajon gjera te keqija ne menyre qe te demtoje dike tjejer. Sa me e keqe dhe e rende eshte sajesa aq me i madh eshte intimidacioni, demi dhe turbullimi qe i shkaktohet tjetrit, aq me e madhe eshte zhurma perreth kesaj “ngjarje” gje qe edhe drejtesise i le pak vemendje per momentin te merret me origjinen e bonna fide te ketij te ketij lajmi d.m.th me “lajmetarin”.

    Prandaj eshte mire qe lajmetaret vullnetarisht te rreme , te perballohen, demaskohen dhe denohen sepse ligji nderkombetar i parashikon te gjitha keto situata dhe qenia njerezore me te gjitha anet e saj nuk eshte me surprize per njerezimin…
    Mendoj se duhet reaguar per te mbijetuar e ne momente te caktuara duhet reaguar fuqishem!!!

    1. Rea, jam dakord me sa thua – në parim. Megjithatë, në kontekstin për të cilin po flasim, këto që thua mund të lexohen si akuza për Dick Marty, misionin e tij dhe institucionin që ai përfaqëson. Nëse është kështu – e përsëris, vetëm nëse është kështu – atëherë më duhet të them se janë qëndrime si këto të tuat, që na mbajnë në bisht të Europës, si vend që përfaqësohet nga një turli bombastikësh primitivë, korruptimi i të cilëve është në përpjesëtim të drejtë me sipërfaqen në metra katrorë të flamujve që tundin – shqiptarë, kosovarë dhe të NATO-s dhe të EU-së dhe të SHBA-së. Jo çdo i huaj që nuk i fillon shqiptimet e veta për shqiptarët me lavdinë e Skënderbeut është vetvetiu i paguar prej serbit.

      1. Xhaxha , ate qe shkrova me siper ishte para fillimit te ardhjes se Dicky Martin pra ne kutpimin tim nuk i referohet atij dhe institucionit qe perfaqson. Ne kuptimin tim ai nuk eshte lajmetari por Hetuesi i “paanshem” dhe qe ne rastin konkret meriton tjeter shkrim.

        Une jam kunder deklaratave te politikaneve tane te cilat ne thelb, mjaftohen te mohojne ne menyre kategorike dhe emocionale duke mbajtur riskun te duken Patetike, primitive dhe thjesht nacionaliste. E perseris , jam kunder kesaj sepse kjo eshte menyra me instiktive dhe primare per tu mbrojtur ne nje situate kaq komplekse.

        Une jam per nje perndjekje juridike te kesaj ceshtje , e cila duhej te ishte kerkuar me shume seriozitet dhe instistim nga vete PALA SHQIPTARE shume me perpara dmth ne momentin qe kjo histori doli nga erresirrat dhe pa driten e diellit. Ne mesazhin tim te pare e thashe se ka qene naive nga ana jone pozicioni pasiv ne aspektin Ligjor te ceshtjes.

        Tani, cdo lloj deklarate poetikopatetike persa kohe nuk eshte e perkthyer ne gjuhe ligjore vetem i shton salce gjelles, te cilen vetem lajmetari ka eksluzivitetin per ta shijuar.
        Mendoj se aktualisht lajmetari i kesaj historie eshte i kenaqur me gjellen e tij.

  7. Nese sistemi nderton qellimisht gabimin dhe pas kesaj qellimisht e kerkon fajtorin tek te tjeret,kemi te bejme me demogagji e propagande te politikes se “demokracive perendimore”.
    Dihet qe ne spitalet perendimore jane me mijera qe presin nderrimin e nje organi.Koha mesatare e pritjes eshte reth 3 vjet.Numri i pacienteve qe presin rritet nga viti ne vit sic po rritet gradualisht dhe koha mesatare e prijes.Gjate kohes pritjes,po rritet gjithashtu dhe numri i pacienteve qe vdesin per arsye te mosgjetjes se organit ne kohe.
    Dihet qe keto spitale kane nje kontroll shteto-policor mbi organet dhe origjinen e ardhjes se tyre.
    Nga ana tjeter shtetet(politikanet e parlamenteve) kane pranuar unanimisht ndalimin e zhvillimit shkencor mjekesor ne fushen e klonimit,e cila ndoshta do te ishte zgjidhja e vetem e ketij problimi njerezor,ne mos per te tashmen,te pakten per te ardhmen e afert.
    Dihet ideologjia e Shtetit Serb,ne drejtim te poshterimit,perhapjes se opinioneve te rreme ne drejtim te Kososves dhe shqiptareve ne pergjithesi.
    Flitet me ane te mjeteve te tyre politike dhe propagandive visive dhe gazetave per terroriste islamike shqiptare ne Kosove(sa frike i ka Europa ata),per trafike droge nepermejt territorit te kosoves,per trafike organesh.
    Europa sensibile ne siperfaqen mediatike dhe opinionin publik te presuar vetem nga opcionet e politikaneve,jehonizon menjere keto burime.
    Hidhen tymra propagande per femije te humbur ne shqiperi,reth dy mije.Nuk tregohet asnje fakt i kapur ose i ndodhur qe keta femije te “humbur” argument,kane humbur vertet.Sa nga keta qe kane humbur,me fakte,jane perdorur per trafik organesh.
    Dihet shume me rrena poltike,por ne fakt nuk dihet asgje me fakte gjyqesore,policore,hetimore.
    Normale eshte qe Shqiperia,me ane te sistemit te saj ligjor dhe policor te bejen punen e saj normale si gjithe te tjeret.
    Dhe keta te tjere,ta ndihmojne finaciarisht ne menyre te drejtperdrejte per kete rast dhe pergjithesi per te ulur varferine si shkak dytsore i mundshem i ndodhjes se kesaj.Njekohesisht te punojne ne vendet e tyre,ku eshte tregu dhe kerkesa per keto organe qe te gjene nje zgjidhe kryesore te tyre ,qe semundjen e tyre te mos ta percjellin tek vendet e varfera dhe pa pervoje administrative.Nese ata i mbyllin kufirin kesaj te keqeje seriozisht atehere dhe “domatet organe” injoranti kriminel i varfer shqiptar,serb,bullgar,rumun,rus,moldav,ukrahinas nuk do te kete mundesi ku ti shesi.

  8. Darkort, Xha xha, në princip me shumëçka thoni. Sakaq, mua më shqetësoi shumë kjo frazë:

    Pas këtyre vizitave, Marty do të përgatitë një raport për “trajtimin çnjerëzor të popullsisë dhe trafikun e paligjshëm të organeve të trupit në Kosovë”.

    E pashë edhe në origjinal dhe e konstatova për herë të dytë shqetësimin e thellë që ngre formulimi i saj.

    “After his fact-finding visits, Marty will issue a report on “inhuman treatment of people and illicit trafficking in human organs in Kosovo,” the statement said.”

    Vura re se ju, sikurse origjinali, e kishit ndër thonjëza, çka do të thotë se ky xhevahir që ka dalë nga goja e ndonjë bilbili gjyzar të Këshillit të Evropës, në mos të vetë billbilit shtegëtues.

    Nëse Marty është kaq i sigurtë që provat e “trajtimit çnjerëzor të popullsisë dhe trafikun e paligjshëm të organeve të trupit në Kosovë” ekzistojnë, atëherë nuk e kuptoj fare pse po shkon në Kosovë.

    Për të shkruar raportin? I kanë kushtet klimatike më të mira në Prishtinë se në Bruksel?

    Më seriozisht, sepse çështja është shumë serioze:

    Marty, nëse po niset në Kosovë për të gjetur provat për një çështje të cilën ai dhe Këshilli i Evropës e kanë paragjykuar pa nisur hetimet, askush të mos habitet nesë Marty do t’i gjejë këto prova në Kosovë, bile edhe në Japoni.

    Problemi është se serbët këto xhevahire ruajnë dhe kapen pas tyre shumë fort për të ndërtuar strategji sulmi dhe mbrojtjeje. Dhe këto pune dinë t’i bëjnë mirë se kanë edhe shtet, edhe burime, por sidomos kohezion social të pashembullt që u mundëson optimizimin e gjithë faktorëve.

    Për shqiptarët, konceptet shtet serioz, kohezion social, apo optimizim burimesh, mbeten te panjohura, në dëm të interesave të gjithkujt.

    As di dhe as i intereson kujt të dijë në rrethin e pushtetit shqiptar se si mund të përdoret kjo deklaratë skandaloze paragjykuese.

    Presim ndërkaq, nga çasti në çast ndonjë deklaratë patetike të tipit “Amerika është me ne. Rroftë Amerika”.

  9. Epiriot, edhe unë e verifikova tekstin për “trafikun e organeve në Kosovë”, i cili vjen drejtpërdrejt nga komunikata e Këshillit të Europës, jo nga lajmi i AP.

    Nuk e kuptoj se ç’hyn Kosova këtu. Nëse ka pasur trafik çfarëdo, ky është konsumuar në Shqipëri ose në Jugosllavi; sepse në atë kohë Kosova ekzistonte vetëm si entitet gjeografik dhe si provincë e Serbisë (de jure).

    Që në akuzë përmenden persona me origjinë nga Kosova ose me vendbanim aty si fajtorë për këtë “trafik”, kjo nuk mjafton për ta quajtur Kosovën si vend të krimit; as mjafton prejardhja e viktimave të supozuara.

    Ndoshta mediat e Tiranës mund ta kishin sqaruar këtë sot, në vend që të merreshin me minutat që ka notuar Berisha në Dhërmi.

    Gjithsesi, ngatërresa në atë tekst mua s’më duket hiç e pafajshme. Aq më tepër që vjet në nëntor, u arrestuan dy mjekë shqiptarë dhe Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Recaj, si dhe u fol për një klinikë në Prishtinë (“Medikus”) të përzier në trafik të paligjshëm organesh.

    Atëherë u tha se organet e rendit në Kosovë, gjithnjë në lidhje me operacionin më lart, po kërkonin edhe një kirurg të tretë transplantesh, shtetasin turk Erçin Sönmez, të cilit i ishte pezulluar licensa e mjekut në Turqi.

    Po ky dr. Sönmez ishte arrestuar dy vjet më parë (në maj 2007), së bashku me një koleg të vetin turk, dhe një kirurg të njohur transplantesh nga Izraeli (Zaki Shapira), në një spital në lagjen Kadiköy të Stambollit, pas një operacioni të policisë gjatë të cilit kish pasur edhe shkëmbim zjarri me rojet private të klinikës.

    Këtu është lajmi në Jerusalem Post.

    Më pas të gjithë këta u liruan.

  10. Shumë vrima të zeza ka në këtë çështje.

    Njëra prej tyre është edhe dëshmia që gazetarja, njëherësh ish zënëdhënse e prokurores Carla Del Ponte, zonja Florence Hartmann, ka ofruar rreth hetimeve paraprake që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka kryer rreth kësaj çështjeje.

    Në librin e saj të botuar më 2007, përpos denoncimeve që ajo i bën politikave të ndjekura nga Gjykata për çëshjen e Millosheviçit, zhvillimet e të cilës ajo i cilëson si marrëveshje politike dhe jo si vullnet i sinqertë për të bërë drejtësi, Hartmann ofron gjithastu një dëshmi interesante pikërisht për hetimet që janë kryer edhe rreth çështjes së tafikut të organeve.

    Hartmann pretendon se hetimet e kryera nga Gjykata më 2003 nuk mundën të gjenin asnjë provë përkundrejt thashethemnajës që ekzistonte, e cila që kish provokuar edhe nisjen hetimeve. Fakt ky, i cili u konfirmua edhe prej zëdhënëses aktuale të Gjykatës, zonjës Olga Kavran.

    Pas daljes së librit të prokurores Carla Del Ponte, Hartmann nuk ngurroi t’i cilësonte pretendetimet e prokurores si “të papërgjegjëshme” dhe “të padenja” pikërisht sepse në gjykimin e Hartmann-it, Del Ponte e dinte mirë që hetimet, edhe pse serioze, nuk kishin mundur të provonin asnjë nga akuzat.

    Sakaq, Harmann nuk mungoi të reagonte edhe ndaj heshtjes së Del Ponte, fill pasi Hartmann i cilësoi pretendimet e prokurores si të “të papërgjegjëshme” dhe “të padenja”.

    Unë nuk pretendoj të kem dijeni të holla rreth kësaj çështjeje, por në një kohë që hetimet kanë nisur fill pas ndjeshmërisë dhe jo provave të Del Pontes, të ofruara në një libër kujtimesh, ndjeshmëri të denoncuara sakaq nga anëtarë të rëndësishëm të kësaj gjykate, nuk mundem të mos dyshoj në sinqeritetin e trajtimit të kësaj çështje.

    Nuk mundem sidomos të dyshoj në një kohë kur organi i Këshillit të Evropës, i cili nuk është organ drejtësie, merr përsipër ta hetojë këtë çështje, gjithë duke lëshuar deklarata të papërgjegjëshme dhe të paragjykuara për “fajtorët dhe fajin” ende pa nisur hetimet.

    Qofsha i gabuar, por për sa më takon, kjo punë vjen erë shumë të keqe nga të gjitha anët. Përfshi edhe anën shqiptare, e cila edhe në rast se nuk e ka kryer krimin për të cilin akuzohet, po zhytet gjithnjë e më thellë në krimin e injorancës.

    Le të mos kemi iluzione, injoranca, në çdo nivel është krim, por injoranca institucionale dhe shtetërore është genocid pikërisht sepse pasojat e saj përshijnë gjithkënd në shoqëri.

  11. Po, shënjestra e vendit ku PRETENDOHET (!?) se “është kryer krimi” nuk është Kosova, por më saktë zona verilindore brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
    Në këtë kontekst – për aq sa asgjë nuk është e vërtetuar me prova juridike (gjer më tash) – jam dakort me mendimin që shpreh Rea se, kundërpërgjigja e palës shqiptare (lexo: palës zyrtare të përdhosur) duhet të ishte juridikisht më aktive! Po.

    Nga çasti kur je në shënjestër të një akuze të pabazuar, për më tepër kur gjithshka është e ngritur fantazmagorikisht mbi baza (vetëm) hipotetike, si mund të vazhdosh ta lësh në gjumë gjuhën tënde zyrtare të kundërpërgjigjes? T’i thuash tjetrit “bujrum” në shtëpinë time dhe ekzamino çdo qoshk të saj për krimin që më akuzon se mund të ketë ndodhur këtu, që nga çasti kur ai tjetri del kokëvarur nga porta ime pa as më të voglën provë juridike, kalimi eskilian i të drejtës është në anën tënde dhe kokëlart ke të drejtën legjitime të reagosh (madje edhe me një gjuhë të prerë) në mbrojtje të dinjitetit të nëpërkëmbur për aq sa të drejtën e ke me vete.

    “Bëhet fjalë për një fshat totalisht të humbur pranë kufirit ku nuk mund të ngjitesh as me makinë por të duhet ti avitesh një copë të mirë rruge në këmbë përmes baltrave dhe gurrëve. Një zonë e vobektë ku kanë ngelur kryesisht pleq. Zona dhe kulla e vënë nën shënjestër u ekzaminua nga ndërkombëtarët dhe përfaqsues të Hagës të shoqeruar madje edhe nga jurist shqiptarë, një gazetar i huaj ishte i pranishëm. Në fshat nuk ka as ambulancë, as mjek, as farmaci, për spital as që bëhet llaf. “Salla” ku pretendohet se është kryer transplanti nuk është gjë tjetër veçse një ahurr i qelbur që vjen era bajga. U ekzaminuan murret. Bregoret dhe gropa ku fshati hidhte plehrat. U shkua gjer aty sa u hapën edhe disa nga varret e fshatit. Asnjë provë! Në ikje e sipër, dëshmon një nga të pranishmit, plaku i shtëpisë i vështron me sy të përlotur “çfarë borxh ju kena ba për kët’ turp që na latë n’derë të kullës”. (Sipas rëfimit të një gazetari)

    Pyetja ime për sa vijon këtu në forum, është:
    Në qoftëse ka pasur një transplant, ku është kryer transplanti?, në çfarë kushtesh higjenike?, si janë transportuar organet?, nëpërmjet kujt rruge?, me ç’mjete?, nga cilët mjekë?, ku janë provat?, trupat e zhdukur?, a ka dëshmitarë okularë?, etj, etj, etj…

  12. Për vizitën e Dick Marty-t në Tiranë nuk gjeta dot asgjë në mediat shqip – një heshtje, së paku në Internet, që më duket po aq e sinkronizuar sa edhe histeritë e përditshme, që i ndesh të pasqyruara njëlloj, në të gjitha faqet e gazetave, të majta e të djathta, të holla e të trasha, të larta e të ulëta.

    Përkundrazi, mediat e tjera bënë detyrën e tyre.

    Për shembull, në faqen e B92, lexoj se ministri i Drejtësisë Alibeaj i paska thënë Dick Marty-t se “asnjë qytetar i huaj nuk mund të kryejë hetime procedurale në territorin e Shqipërisë… një hetim mund të nisë vetëm nga prokuroria shqiptare, pas kërkesave që vijnë nga vende të tjera. Në raste të tilla, prokuroria ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar çështjen.”

    Sipas B92, e cila i referohej RTV 21, zyrtarët shqiptarë Alibeaj dhe Nishani paskan thënë se nuk do të ketë asnjë hetim të mëtejshëm të bazuar në akuzat e lëshuara nga Carla del Ponte në librin e saj.

    Balkan Insight e çon edhe më tutje këtë interpretim, duke e titulluar lajmin e vet kështu: Shqipëria refuzon të bashkëpunojë për hetimin e trafikut të organeve, duke iu referuar agjencisë serbe të lajmeve Beta.

    Burimi i këtyre interpretimeve duket të jetë lajmi i agjencisë italiane ADNKronos (por edhe e kundërta ka gjasë).

    Çuditërisht, tjetër lajm e tjetër interpretim lexoj në faqen e EU Business: dhe pikërisht se ministri Alibeaj i paska thënë agjencisë AFP se autoritetet në Shqipëri mbeten të hapura ndaj çdo kërkese për hetime në pajtim me kriteret e konventës së Këshillit të Europës për gjyqësorin.

    Natyrisht, lajmin nga AFP-ja e kanë marrë edhe faqe të tjera online, por nuk po arrij dot ta gjej si lajm të AFP-së drejtpërdrejt.

    Për çështjen ka pasur interes të madh anembanë botës, po të gjykosh nga hit-et në Google; për fat të keq, si edhe herë të tjera, të vjen keq që mediat shqiptare, nga Shqipëria dhe nga Kosova, nuk e kanë parë të arsyeshme ta informojnë publikun e tyre, as të japin interpretimin e tyre të ngjarjes. Ku fle lepuri?

  13. Pyetje me vend , ku fle lepuri?

    Si shume kollaj t’ia faturojme edhe kesaj here kostot dramatike te kesaj historie, Injorances dhe Pertacise ekstreme te klases politike per ti sherbyer ne prioritet kombit.
    Te mos presin te na kuptojne, duan, vleresojne e repsektojne se kjo ngjarje eshte nje tregues rrenqethes se sa nuk na dhimbset vetvetja, se sa nuk kemi nje fije respekti per veten tone.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin