KONFEKSIONIM MENDJESH (IV)

 

Duke iu kthyer raportit midis mediave dhe teknologjisë së regjistrimit dhe të përpunimit të informacionit, Manjoo vëren se sot, si kurrë ndonjëherë, teknologjia lejon regjistrimin pothuajse total të fakteve; e megjithatë, sa më shumë shtohet numri dhe përdorimi i fotokamerave, videokamerave dhe regjistruesve zanorë, aq më shumë shtohet pasiguria e publikut dhe ndonjëherë e ekspertëve vetë, për çfarë ka ndodhur.

Për të ilustruar këtë dukuri, Manjoo përmend përplasjen e avionit të dytë me kullat e Qendrës së Tregtisë Botërore, shembjen e kullave vetë dhe shembjen, po atë pasdite, të kullës së identifikuar si WT7; ngjarje të cilat u filmuan dhe u transmetuan drejtpërsëdrejti nga një numër maksimal televizionesh dhe amatorësh, por që megjithatë janë interpretuar dhe vijojnë të interpretohen në mënyra nga më të ndryshmet (avioni mbante nën krah një “pod”, që mund të ketë qenë raketahedhëse, ose radiomarrëse e sistemit radar; avioni nuk ekzistonte; kullat u rrëzuan me shpërthim të kontrolluar, etj.). Ideja e autorit, në këtë rast, është se shtimi i informacionit nuk e ndihmon njohjen, por më tepër e pengon.

Problemi këtu vjen e ndërlikohet, ngaqë nuk janë vetëm teknologjitë për kapjen dhe regjistrimin e imazhit dhe të zërit që janë përmirësuar, por edhe teknologjitë e tjera, që bëjnë të mundur përpunimin e informacionit të kapur. Sot të gjitha mediat përdorin programe kompjuterike për të përpunuar imazhin dhe zërin; për t’i përmirësuar nga pikëpamja estetike, për të korrigjuar defekte të vogla, për t’i censuruar duke larguar që andej pjesë të gjykuara si të papërshtatshme, ose edhe thjesht për të mashtruar. Që këtej, publiku nuk ka më arsye të besojë se fotografia, ose videoklipi pasqyrojnë realitetin më mirë se, të themi, rrëfimi i një dëshmitari.

Rreziku i këtij efekti Photoshop, vëren Manjoo, nuk lidhet aq me mundësinë për t’i gënjyer njerëzit, duke u ofruar imazhe të falsifikuara (p.sh. fotografitë nudo të një aktoreje të njohur), por me zhvlerësimin e vlerës dëshmuese të fotos ose të videos, që deri dje u jepte përparësi ndaj fjalës.

Por nëse as fotove dhe videove, ose imazheve të riprodhuara, nuk mund t’u besojmë më, atëherë kujt?

Dilema vjen e rëndohet, edhe ngaqë segmentimi i publikut nuk varet vetëm nga segmentimi i burimeve të informacionit. Manjoo thotë se, edhe kur njerëz që u përkasin grupeve ose ideologjive të ndryshme e mposhtin prirjen për ekspozim selektiv dhe vendosin t’u ekspozohen të njëjtave burime të informacionit, përsëri këta do të shohin gjëra të ndryshme në çka, me përkufizim, do të ishte i njëjti komunikim burimor. Këtë efekt Manjoo e quan perceptim selektiv.

Perceptimi selektiv nuk është veçse një formë tendencioze e asimilimit të informacionit, ku njerëzit priren ta interpretojnë informacionin e ri në mënyrë të tillë, që ky të pajtohet me pikëpamjet e tyre ekzistuese. U besojnë, me fjalë të tjera, atyre të dhënave që ua mbështetin pikëpamjet.

Dukuria mund të kuptohet si shfaqje e çka Lee Ross e ka quajtur gabim të atribuimit themelor (fundamental attribution error), i cili ndodh sa herë që sjelljen e njerëzve dhe veçanërisht të figurave publike do ta shpjegojmë si pasojë të çka ata janë, jo të rrethanave specifike. Shumë prej nesh priren të besojmë se veprimet tona përcaktohen nga një esencë e qenies sonë individuale.

Kështu, të ndodhur përballë një artikulli çfarëdo, ka njerëz që nuk janë në gjendje as ta lexojnë e as ta interpretojnë, pa marrë më parë të dhëna se kush është ky autor, çfarë përfaqëson, ku qëndron politikisht dhe ideologjikisht, etj. Nëse një autor i njohur për pozicionime të majta del të mbrojë një tezë e cila zakonisht i bashkëlidhet së djathtës, atëherë një pjesë e publikut do të mendojë se ky përpiqet t’u hedhë hi syve, ose gjithsesi t’i mashtrojë. Kjo dukuri i ngjan atij gabimi logjik të quajtur pigeonholing – ku informacioni interpretohet në bazë të pak kategorish stereotipike; është zakonisht shprehje e pafuqisë për t’u orientuar në kaosin informacional, por mund edhe të shprehë ngurtësimin e mekanizmave të interpretimit, si pasojë e mendësisë autoritare; dhe në ndonjë rast edhe të jetë pasojë e prapambetjes mendore ose padijes.

Secili prej nesh, vijon Manjoo, kujton se, për çdo temë të dhënë, ka pikëpamje në thelb objektive, që vijnë si rezultat i interpretimit të shpasionuar dhe realist të botës. Ky farë realizmi naiv, vjen ngaqë ne e kemi praktikisht të pamundur të dallojmë paragjykimet mbi të cilat na themelohet interpretimi.

Prandaj edhe fyhemi, thotë autori, kur ndeshim në njerëz që mendojnë ndryshe, meqë këta na duken tendenciozë në atë masë që nuk pajtohen me ne.

Si pasojë e këtij përçudnimi psikologjik, shpesh publiku do të besojë se mediat gjithnjë i japin më shumë hapësirë palës tjetër, ose kundërshtare. Kjo është quajtur edhe dukuria e mediave armiqësore (hostile media phenomenon); dhe shprehet veçanërisht qartë në atë masë që mediat përpiqen të ruajnë pozicione centriste, për t’u lënë palëve përshtypjen se mbeten të përfshira në publikun shënjestër.

Për shembull, kryeministri Berisha mban një fjalim në Parlament, dhe gazeta “Shekulli” boton një përmbledhje të këtij fjalimi. Në këtë rast, publiku i majtë mund të mendojë që “Shekulli” nuk kishte pse të merrej kaq gjatë me një fjalim rutinë, as ta përcillte pa ia vënë në dukje të metat madhore; ndërsa publiku i djathtë mund të mendojë se “Shekulli” nuk ka dhënë fjalimit hapësirën e nevojshme, meqë kërkon ta minimizojë punën e qeverisë.

Me fjalë të tjera, publiku do të priret gjithnjë që t’i interpretojë raportet e mediave si tendencioze.

Manjoo vijon pastaj të analizojë besimin, si faktor të kohezionit dhe të vetë kapitalit social; dhe marrëdhëniet midis mediave dhe publikut, të para nga ky këndvështrim. Roli i besimit të ndërsjelltë në proceset sociale njihet dhe është analizuar mirë gjetiu (unë do të rekomandoja Trust, të Fukuyama-s, për një trajtim të plotë të kësaj teme). Megjithatë, Manjoo ka meritën se prek disa aspekte të besimit, në kontekstin e segmentimit të publikut. Nëse besimi është pa dyshim vaji që mirëmban lëvizjen e ingranazheve të kohezionit social, kjo nuk do të thotë se besimi midis pjesëtarëve të një grupi të ngushtë luan medoemos të njëjtin rol pozitiv për shoqërinë në tërësi. Edhe grupet kriminale mafioze, thotë Manjoo, funksionojnë vetëm e vetëm sa kohë që pjesëtarët i besojnë njëri-tjetrit pa kushte; por ky lloj besimi u shërben ndoshta interesave të atyre grupeve, ndërsa e dëmton shoqërinë në tërësi.

Manjoo i referohet një studimi klasik të sociologut Banfield, për mënyrën si funksiononte komuniteti i varfër dhe i prapambetur i Montegrano-s në Italinë e jugut; edhe pse fare mirë mund t’i referohej mënyrës si funksionojnë klanet e ndryshme, mafioze dhe paramafioze, në Shqipërinë e sotme. Besimin që i mban këto klane kompakte dhe eficiente, tutkallin që i lidh mes tyre pjesëtarët e klaneve, Manjoo e quan besim të veçanësuar (particularized trust); dhe mendon se ky lloj besimi, në të vërtetë, e shkatërron besimin e përgjithshëm; në kuptimin që një shoqëri e dominuar nga klanet është një shoqëri ku kapitali social, në përgjithësi, ka firuar.

Këtë dukuri kam pasur fatin ta përjetoj vetë drejtpërdrejt në një lagje popullore të Napoli-t, të kontrolluar dhe të dominuar nga kamorra. Gjatë atyre gjashtë vjetëve që ndenja atje, kamorra nuk më dha kurrfarë shqetësimi, përkundrazi; prania e kamorristëve në rrugët, në baret dhe në sheshet ishte garanci që asgjë e keqe nuk do të ndodhte, meqë kamorra ishte para së gjithash e interesuar të mos tërhiqte vëmendjen e policisë dhe të karabinierëve ndaj veprimtarive të saj (tregti e drogës dhe e cigareve kontrabandë, kryesisht). Megjithatë, kamorra kontrollonte edhe shumë aspekte të tjera të jetës së komunitetit, duke përfshirë edhe mënyrën si investohej në këtë lagje, ndërtimet që bëheshin, dyqanet që hapeshin, tregjet “rionale”, parkimet, e kështu me radhë. Si rezultat, lagjja mbetej e varfër dhe e prapambetur, e paralizuar nga ndërtimet abuzive dhe nga frika e biznesit të vogël përkundrejt krimit të organizuar – meqë kamorra i mbronte dyqanet nga vjedhjet dhe keqbërësit, por edhe u kërkonte haraçin e majmë…

Po ç’lidhje ka besimi i veçanësuar me funksionimin e mediave moderne?

Manjoo mendon se teknikat moderne të komunikimit pjellin besim të veçanësuar; dhe nuk mund të mos i jap të drejtë, sidomos duke pasur parasysh çfarë ndodh në forumet e ndryshme të shqiptarëve në Internet. Është e vështirë të mos dallosh ngjashmëri dhe paralelizëm midis mënyrës si organizohen dhe funksionojnë këto forume, dhe mënyrës si organizohen dhe funksionojnë grupet parakriminale; jo vetëm në kuptimin që aty kultivimi i marrëdhënieve ndërpersonale ka përparësi ndaj raportit me të vërtetën, por edhe në kuptimin që përkatësia në këto grupe nënkupton edhe autorizimin për të përdorur dhunë verbale ndaj çdo outsider-i, ose çdo pikëpamjeje që vë në pikëpyetje paragjykimet e grupit…

 

7 Komente

  1. Xha xha,

    Besimi i vecanesuar, sic e quan ti, konsiderohet si i demshem per shoqerine sepse ai tenton t’i kundervihet rregullave te saj duke krijuar sisteme paralele, i cili nuk duhet ngaterruar me konkurrencen e cila e njeh pjesmarrjen ne sistem.

    Sic e thashe edhe ne nje koment me pare, ve re nje lloj paranoje ne arsyetimin e Manjoos qe duket se vjen nga pozicionimi i tij ne favor te “mainstream”, llogjike tipike e pasigurise se establishmentit ne pozicionin e vet qe ne vend se ti integroj grupet perpiqet t’i klasifikoj ato te paligjshe per arsyen e vetme se do kerkonin modifikimn e sistemit. Por harron qe kjo e kthen sistemin qellim ne vetvete.

    Me futjen e internetit si burim informacioni, eshte zhdukkur nocioni i konkurrences se deri djeshme midis nje media kryesore dhe nje tjetre. Mediat kryesore po rrezikojne te falimentojne sepse i duhet te konkuroje me “terroristin” internet, i cili, nese do flasim ne termat e luftes kunder terrorit, eshte armik qe nuk shfaqet, pra eshte anonim. Por kjo me shume se arsye per te inkriminuar shkaktaret e falimentimit te mediave kryesore kerkon nje rishikim te modelit te medias ne teresi, le te themi pershembull ne menyren se si promovohet profesionalizmi kundrejt amatorizmit, apo lajmi i besuar kundrejt spekullimeve. Dhe kjo nuk behet nepermjet inkriminimit te cdokujt qe mendon ndryshe.

  2. Jam dakord me ty, Ujk, që Manjoo i kritikon mediat e reja nga pozitat e mediave mainstream, ose tradicionale; edhe pse ai vetë ka shkruar shpesh në Salon dhe Slate, që mund të konsiderohen edhe si mainstream i mediave në Internet. Megjithatë, disa prej dukurive që vëren Manjoo i kam vërejtur edhe unë, prandaj kritikat e tij më duket se duhen pasur parasysh, sepse Interneti vërtet përpiqet të ndreqë ekuilibrin e prishur prej kohësh nga mediat mainstream, por duke e bërë këtë, gjithnjë rrezikon t’i qaset ekstremit tjetër (siç ndodh me çdo revolucion). Në libër, Manjoo analizon gjerë e gjatë disa ndodhi serioze të politikës amerikane të vitit të fundit, p.sh. dëmi që i solli fushatës së John Kerry-t, në 2004, veprimtaria e të ashtuquajturve Swift Boat Veterans; ose të gjitha teoritë alternative të mekanikës së 11 shtatorit 2001, tek të cilat kanë gjetur faktikisht strehë shumë të neveritur nga politika dhe propaganda e Bush-it. Përndryshe, unë vetë edhe kur ia bëj ndonjë kritikë Internetit si medium, ia bëj nga brenda, meqë edhe vetë aty notoj.

  3. Xha xha,

    E kuptoj dhe jam dakort me problematiken qe shtron Manjoo por nuk jam dakort me perqasjen apo interpretimin.

    Economist ka nje artikull per kete punen e mainstream medias kesaj jave: Well in the red but still well read
    Desperate newspapers are turning to foreign sugar-daddies. But readers remain hungry for news

    Mainstream media po perfundon ne preherin e sugar-daddies ne perendim (ne Shqiperi ka qene qe ne krye te heres) si pasoj e revolucionit informativ. Cfare ka te na thote Manjoo per kete? Nderkohe po t’i hedhesh nje sy komentuesve gjithandej ne internet, jo vetem ne forumet shqiptare, dhe sheh “armiqesine” qe shfaqin zakonisht njerzit me mainstream media. Nderkohe sa e lehte eshte t’i besosh nje shtypi qe ndryshon politikat editoriale sa here ndryshon pronarin? Po kur shume media fillojne te kene te njejtin pronar?

    Megjithate keto jane problemet e perendimit dhe jo te Shqiperise, sepse te pasurit e nje “sugar-dady” ne perendim do te thote edhe garantim i disa standarteve minimale te profesionalizmit pavaresisht nga politikat qe ndjek redaksia, por ne Shqiperi “sugar-dady” as kete nuk e siguron. Standarti minimal thjesht nuk njihet. E vetmja gje qe “media kryesore” ka arritur jane lejimi i disa zerave te pavarur intelektual, te cilet thone pak gjera ashtu si mundin.
    Nderkohe nuk me duket se interneti perdoret nga shqiptaret ne ate mase qe te paraqese te njejten problematike per shtypin sic paraqet ne perendim. Per kete boll te shihet se ku perqendrohet lufta politike per te dominuar mediat. Politikanet akoma tersellijne nga televizori. Fenomene si ato qe fundosen Kerrin dhe ngriten Obamen as qe mendohen ne ambientin Shqiptar… akoma tha. Per sa kohe do kemi kete lloj fukaralleku ne ambientin mediatik, do vazhdojme t’i biem fyellit ne vrimen e pasheqerosur te blogjeve forumiste (apo forumeve blogiste?).

    1. Ujk, mua më duket se mediat në Internet nuk mbijetojnë dot pa prurjet e mediave tradicionale; edhe forumet edhe blogjet ushqehen në masë të madhe nga prurjet e gazetave, edhe pse në formë elektronike. Edhe interaktiviteti, që shpesh vlerësohet si përparësi e Internetit, ndoshta kushtëzohet nga numri ende i vogël i pjesëmarrësve në debate. Për shembull, eksperimentet që po bëjnë gazetat e Tiranës duke i lënë të lira komentet e lexuesve më duket se kanë dështuar, meqë ato gjithnjë e më shpesh u ngjajnë mureve të nevojtoreve – me respekt për nevojtoret, gjithsesi.
      Megjithatë, disa prej nocioneve kyçe të librit të Manjoo, si p.sh. ekspozimi selektiv, perceptimi selektiv, gabimi i atribuimit themelor, dukuria e armiqësisë së mediave, konfuzioni për shkak të informacionit të tepruar, besimi i veçanësuar dhe, në fund të fundit, edhe vetë segmentimi, nuk ndeshen vetëm në mediat e reja, përkundrazi; më duket se i shoqërohen gjithnjë pluralizmit, të paktën si rreziqe. Në vende si Shqipëria, ku traditat pluraliste nuk ekzistojnë, ndërsa traditat klanore dhe parakriminale janë tepër të forta, kuptohet sa e lehtë është për parimet pluraliste të prodhojnë segmentime dhe politika të klanit, pavarësisht nga mediat. Lexuesi i “Gazetës 55”, sot, nuk ka nevojë të ketë Internet, për ta shpërfillur krejt diskursin e së majtës në Shqipëri; ndërsa një enverist nuk do t’i qaset “Temës” edhe sikur ta paguash.
      Nga ana tjetër, Interneti në Shqipëri vërtet është i papërfillshëm për momentin, por prirja është që të vijë duke u përhapur. Dukuritë e shëmtuara që shohim ne sot, do t’i shohim edhe më të amplifikuara e të radikalizuara, kur të zgjerohet edhe më baza e përdoruesve. Prandaj Amerika e sotme mund të shërbejë si model për Shqipërinë e nesërme.

  4. “Kështu, të ndodhur përballë një artikulli çfarëdo, ka njerëz që nuk janë në gjendje as ta lexojnë e as ta interpretojnë, pa marrë më parë të dhëna se kush është ky autor, çfarë përfaqëson, ku qëndron politikisht dhe ideologjikisht, etj.”

    Sa me selektiv aq me eficiente koha ne dispozicion e perdorur per cdo gje.
    Por, problemi shume serioz, mendoj, as nji here nuk eshte i izoluar nga te tjera nderlidhje dhe, Manjoo edhe pa e njohur, por vetem nga shembujt e interpretuar prej Xha, me krijon pershtypjen e nje vezhguesi analist-realist.

    Kohet e fundit ne nje nga qendrat Metropolitane te Amerikes, nje nga me virtuozet Violinist, do jepte koncert dhe, te gjitha biletat e koncertit ne fjale ishin shitur kohe me pare nga dita e koncertit. Violinisti mendoj te bente nje prove; ne stacionin e metros se zones se teatrit ku do te jepej koncerti, vendosi te luante nje nga pjeset me te spikatura te repertorit dhe ashtu beri. Vuri kutin e violines per tok me demek per te hollat e kalimtareve dhe interpretoj pjesen per violin. Kalimtaret jepnin sekonda te kursyera per interpretimin dhe jo me shume, me perjashtim te nji femije pesvjecar qe i kushtoj pes minuta. Kjo pasqyron robotizmin ne te cilin qarkullon popullariteti sot.

    P.S. Ve re deshtimi per spiritualizem te kthehet ne religjion dhe, te deshtuarit shperftyrojne spiritualitetin-Kjo eshte analogji edhe per dijen, individin, shoqerin. Duket se as nji nuk ka kohe/vend te pikas padijen, duke shmangur realitetin si faktor mbartes i gjitheckaje. Krahmbajtja eshte gjymtim i perceptimit te se teres dhe fenomenit cfaredo vec.

  5. Problemi qe paraqet interneti ne vetvete per momentin jane te tilla qe sfidojne realitetin sepse ende perceptohet si i vecuar nga ai (sa me shpejt te biem dakort ose bindemi qe interneti eshte pjese e realitetit aq me mire, sepse na jep mundesine te hidhemi tek problematika e radhes). Keshtu p.sh. nje nga keto sfida mund te jete rasti kur platformat ideologjike, apo kombetariste, mund te fromulohen prej gjithkujt, pa pritur miratimin e Akademise se Shkencave, duke i shperbere hierakite qe te imponon realiteti akdemik apo politik, i mundesuar nderkohe nga fakti qe Akademia apo politika nuk e ka angazhimin e vet ne internet duke e lene keshtu veten zbuluar perball realitetit virtual. Pra si te thuash realiteti shoqeror ne intrenet nuk e njeh ende autoritetin e akademise sepse ajo nuk eshte e angazhuar ne internet dhe anasjelltas, gje qe sjell rrjedhimisht vecanesimin dhe copetimin.

    E megjithate kur mendon se ne Shqiperi edhe shtypi tradicional qe supozohet te kete redaktore leshon “Parabuzuqe” si ai qe ke sjelle tek tema tjeter, duke i bere sfide edhe akademise Austriake, me konfirmon ate shrpehjen angleze se “Reality is better than fiction”, therefore better than internet… per sa u perket budallalleqeve.

  6. Te pakten ne boten e zhvilluar mediat mainstream do te zhvendosen brenda disa vitesh ne internet. Gazeta si psh Financial Times apo New York Times nuk do te zhduken por do te transferohen pothuaj krejtesisht ne internet. Kjo sepse perparimet ne teknologji si ekranet e perthyeshme, ekranet me prekje dhe E-paper do te mundesojne shpejt aparate dixhitale qe nderthurin prakticitetin e librit apo gazetes prej letre (te lehte, shume mobil, nuk kerkojne energji per te punuar) me bashkeveprimin e dinamizmin e teknologjise dixhitale (text, video, fotografi etj). I njejti proces zhvendosje do te ndodhe mbase pak me vone dhe per televizionet.

    Sidoqofte transferimi i mediave mainstream ne internet nuk do te thote qe modeli i tyre i prodhimit te informacionit do te vdese. Ne fakt procese si redaktimi apo kontrolli i mirefillte i burimeve mund te mos ndryshojne per nje kohe te gjate. Mediat mainstream pra do te bashkejetojne me blogjet apo trendet e reja si Twitter & co ne internet duke krijuar nje ekosistem veterregullues.

    ujku i zi ka shume te drejte kur thote:

    Problemi qe paraqet interneti ne vetvete per momentin jane te tilla qe sfidojne realitetin sepse ende perceptohet si i vecuar nga ai (sa me shpejt te biem dakort ose bindemi qe interneti eshte pjese e realitetit aq me mire, sepse na jep mundesine te hidhemi tek problematika e radhes).

    Interneti duhet kuptuar si media plotesuese e realitetit dhe jo si dicka e shkeputur. Fenomenet apo trendet e lindura ne internet qe mbeten ekskluzivisht virtuale nuk mbijetojne gjate. Kjo con dhe ne zgjidhjen graduale te segmentimit si problem. Psh. forumet apo rrjetet sociale ne internet qe arrijne ne nje stad zhvillimi ku te gjithe anetaret mendojne njelloj -pra jane aq te segmentuara sa nuk ka me shume diversitet apo perplasje mendimesh- kane dy mundesi zhvillimi:

    1)Ose kalojne ne stadin qe kerkojne te ndryshojne dicka realisht pra bejne nje kapercim mediatik nga virtualiteti ne realitet duke u perballur e ju pershtatur te gjitha fenomeneve te reja te mediumit tjeter (realitetit), dmth. duke u reformuar.

    2)Ose veteshkaterrohen, shthuren qetesisht ne pasivitet pasi askush nuk ka me deshire te diskutoje apo te shprehet me njerez qe dihet qe mendojne njelloj e me te cilet nuk te lidh asgje ne boten reale.

    Nje dinamike e tille con vetem ne nje rezultat. Keshtu mbijetojne vetem grupet online qe bashkeveprojne rregullisht me realitetin duke u diversifikuar e zgjeruar si dhe platformat qe lejojne krijimin e segregimeve sociale dhe qe njekohesisht mundesojne mekanizma komunikimi midis ketyre segregimeve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin