RENDEZ-VOUS ME VETVETEN

Në mars të vitit 199…, tek prisnim në aeroportin e Barit për të marrë avionin e kompanisë ADA, takuam Pirro L., një shokun tonë të fëminisë, që kishte vuajtur shumë në jetë, meqë pas arrestimit të të jatit në 197…, me grupin e ashtuquajtur të “puçistëve”, kishte kaluar vite në internim, para se ta arrestonin edhe atë vetë e ta dënonin me 12 vjet burg, për diçka politikisht subversive, që nuk u mor vesh kurrë.

E dinim që ky ishte larguar nga Shqipëria gjatë krizës së ambasadave në korrik të vitit 1990, së bashku me gruan që kish njohur në internim dhe një fëmijë që mund të mos ishte i tiji, për t’u vendosur diku në Campania të Italisë, prandaj e pyetëm çfarë e shpinte në Shqipëri, meqë në atë periudhë vendi po përjetonte trazira dhe nuk ishte koha për udhëtime turistike ose nostalgjie.

Na tha se po shkonte të rekuperonte të shkuarën – një mënyrë shprehjeje pak bizarre, sidomos për dikë që të kaluarën pritej të përpiqej ta harronte, sidomos pas çfarë duhej të kishte hequr në internim dhe në burg. Pirro L. e kuptoi edhe vetë që duhej të shpjegohej disi, dhe na kallëzoi sesi në vitin 1988, vetëm dy javë para se të lirohej nga burgu, kish ndërhyrë të ndante dy të burgosur të tjerë që po kacafyteshin, por njëri prej tyre e kishte goditur në kokë, ndoshta pa dashje, me lopatë. I plasur në tokë pa ndjenja, kishte ndenjur në komë për tre muaj para se të vinte në vete mrekullisht dhe të shërohej e të ngrihej në këmbë për një kohë të shkurtër.

Për fat të keq, pasi kishte dalë nga koma, Pirro L. kishte vënë re, i tmerruar, se nuk po mbante mend asgjë nga e shkuara, pak a shumë qëkur ia kishin “demaskuar” të jatin në Plenum. Dy motrat që ishin kujdesur për të pas burgut, s’ishin kursyer ta ndihmonin, secila me kujtimet e veta, por ai veç mbante mend më pas çfarë i kishin thënë të motrat, dhe jetën e vet e sillte në përfytyrim si të ishte film ose roman, diçka e futur nga jashtë dhe e rrëfyer nga dikush tjetër. Nuk kujtonte dot as të shoqen, të cilën megjithatë e kishte pranuar krahëhapur, sepse njëlloj i kishte hyrë në zemër, si qëkur.

Përkundrazi, vitet e fëminisë, shkolla fillore në mëhallë; fusha e aviacionit ku shkonim për të parë nga afër avionët cacciatori-t italianë dhe karkasën e kalbur të një helikopteri të rrëzuar skiç e të kallur në dhe përgjysmë, si kërcu; netët e verës që i kalonim duke luajtur shtyllash; madje edhe një fishekzjarr kinez shumëngjyrësh e bombastik, që e kishim hedhur dikur nga oborri i shkollës drejt e në dritaren e hapur të kabinetit të gjeografisë, ku desh u kishim vënë zjarrin hartave të profesor Petraqit – të gjitha këto i vinin para sysh me gjallëri të pazakontë, si t’i kishin ndodhur dje.

I thamë se mos ishte më mirë ashtu, meqë kujtimet që ia kishte fshirë trauma ndoshta i lidheshin me momente të hidhura të jetës, ankthe që ia kishin zënë frymën, poshtërime, zhgënjime, marrje në pyetje hetuesive, rrahje; ndoshta edhe ndonjë gjë tjetër, edhe më e keqe. Pirro L. buzëqeshi, dhe na u përgjigj se jeta kish qenë e tij dhe e tij do të mbetej; prandaj po shkonte ta kërkonte, si ish-pronarët pronat e tyre, anembanë vendit.

Shtoi pastaj edhe se kjo do t’i kushtonte rreth 10 milion lireta, një shumë goxha e madhe për dikë që punonte në një fabrikë dysheqesh, në Torregaveta të Napolit, e që duhej të mbante me bukë tre veta në familje. Pse 10 milion lireta, e pyetëm. Udhëtimi me një avion të ADA-s nuk mund t’i kishte kushtuar aq. Na sqaroi se këto para i duheshin për të paguar një nëpunës të lartë të SHIK-ut, i cili i kishte premtuar se do t’i siguronte një kopje të plotë të dosjes së tij, të ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

I kishin thënë se në atë dosje ruheshin me mijëra faqe dokumente – raportet e hollësishme të informatorëve të sigurimit, për atë dhe familjen e tij para se të internohej; të dhëna për bisedat që kishte bërë, rrugët ku dilte shëtitje, njerëzit me të cilët shoqërohej, të dashurat dhe çfarë kishte bërë me to, librat që kishte marrë për të lexuar nga Bibliotekën Kombëtare, mënyrën si vishej, muzikën që i pëlqente, vendet ku i kalonte pushimet në Durrës, filmat që kishte parë, dehjet epike me uzo, ndeshjet e futbollit që kishte parë dhe ato që kishte luajtur, gjuhët e huaja që kishte studiuar privatisht;  më pas relacione e raporte të tjera, për ditët e tij në internim në Çermë të Lushnjës, punën në arë, punën në stallë, punën në kanal; proces-verbalet e hollësishme të marrjes në pyetje pas arrestimit; deklaratat që kishte nënshkruar dhe të tjerat që ia kishin nënshkruar; dorëshkrimet që ia kishin sekuestruar në burg; fotografitë e gruas së vet të re; të tjera raporte për sjelljen e tij në birucë, bisedat me bashkëvuajtësit, lutjet për rishikim të vendimit, letrat udhëheqjes; më në fund, dokumentin që raportonte për humbjen e kujtesës.

Pirro L. e kujtonte veten fatlum; besonte se të paktë ishin ata njerëz, me përjashtim të mbretërve dhe yjeve të kinemasë, që ua mbanin të tjerët shënim çdo minutë domethënëse të jetës, çdo rastësi, çdo kapriçio të tyren ose të atyre përreth. Më pas e vumë re që u tremb shumë kur po ngrihej avioni dhe më pas, në momente turbulence gjatë udhëtimit; me siguri nuk dëshironte që t’i ndodhte gjë, para se të merrte në dorë proces-verbalin e vetvetes.

2 Comments

  1. Ky shkrimtar, Maksi Gjerazi, i kodifikuar ne mendimin e shkruar, ne freski detajesh, faktesh vezhguar si nje natyre e pa ngaterruar humori.

  2. Nganjehere me pelqen te koleksionoj piketa, ‘gure kilometrike’ jetesh njerezore. ne mendjen time me shume se sa ne leter. P.sh. kur dikush rrefen per dike tjeter, apo per veten, bej nje nenvizim imagjinar nganjehere ne frazen qe ndjek menjehere pas ndajfoljes “qekur” — sidomos kur kjo i referohet kohesh te largeta. Ajo cka ndjek “qekur” tradheton dicka nga jetet njerezore, dicka qe i ben ato automatikisht te trishta, te merzitshme, te zakonshme, te cuditshme…
    “Qekur mbaroi universitetin…”, “Qekur doli ne pension…”, “Qekur e nxoren ne fleterrufe…”, , “Qe ne vitet 80-te, kur jeta i hyri me shpulla …”, “Qekur i vuri flaken furgonit te tij te vetem ngaqe Kombetarja humbi ndeshjen me Hollanden…”, etc,. etc.
    Gjerazi, a mundem te lutem te pertyp ca kohe neper dhembe e pastaj rradhis ne listen e Qekur-eve favorite kete tenden: “Qëkur ia demaskuan të jatin në Plenum…”? S’di te te them pse me pelqen kaq shume ne kete moment.

Comments are closed.