ARS LONGA, VITA BREVIS

Aktorin Rexhep K., që kishte luajtur me aq sukses rolin e udhëheqësit komunist Radovan Kallogjeri (i njohur me pseudonimin Kondaku) në filmin “Kushtrimi i flakëve” me regji të Kostaq X., aq sa të meritonte Shqiponjën e Artë të Aktrimit në Festivalin e 2-të të Filmit Artistik Shqiptar, e ftuan të merrte pjesë në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të krijimit të Divizionit të Jugut në Pollozheg.

Në mesazhin kaligrafik që shoqëronte ftesën, thuhej se veteranët e shumtë që kishin luftuar në radhët e atij divizioni, dëshironin ta shihnin komandantin e tyre heroik, të paharruarin Kondak, edhe një herë në krye të kolonës, me shallin e kuq partizan në qafë, gjerdanët me fishekë të kryqëzuar mbi gjoks dhe xhaketën e vjetër ushtarake të hedhur krahëve, njëlloj si te “Kushtrimi i flakëve”.

I veshur njëlloj si Radovan Kallogjeri në pikat kulminante të filmit, Rexhep K. u ngjit hijerëndë në tribunën e mitingut, dhe zuri vend i rrethuar nga funksionarë të lartë të Partisë dhe të shtetit, mes të cilëve vetë Kryeministri, i cili e përshëndoshi me lot në sy dhe i kujtoi se Kondaku kishte dhënë frymën e fundit në krahët e tij, i goditur nga plumbi vrastar vetëm dy javë para se të çlirohej vendi.

Të ftuarit e festës i shpërndanë atë natë nëpër baza; Kondakun e strehuan, siç e kishte kërkuar me këmbëngulja gjithë zona, në po atë shtëpi përdhese ku e kishte kaluar natën Radovan Kallogjeri, pas ceremonisë së krijimit të divizionit. Teto Varvara, që dikur ia kishte shtruar udhëheqësit shtratin për të fjetur ishte akoma gjallë, ndonëse tashmë e plakur dhe e rrënuar nga vitet; por kur u shfaq aktori Rexhep K. te pragu i derës, i shndritën sytë nga mallëngjimi, dhe u ngrit në këmbët e holla si kleçka, për t’iu hedhur në qafë, e për t’i thënë se e kishte pritur gjithë këto vite, meqë kurrë nuk e kishte besuar se Kondakun do ta zinte ndonjëherë plumbi.

Pastaj të gjithë ranë për të fjetur, të lodhur nga një ditë sa e gjatë, aq e ngjeshur me kujtime dhe entuziazëm. Nata ishte e thellë, si pus. Askush nuk e vuri re armikun që u afrua tinëz; asnjë nga rojet nuk pati kohë të lëshonte kushtrimin, para se t’i thernin në grykë, si berrat. Kondaku, të cilin e kishte zënë gjumi mbi shtratin e paprekur, ende të veshur si për festë, me çizmet engleze e me bustinën partizane në kokë, e ndjeu si nëpër jerm që baza ishte komprometuar; pati kohë vetëm të nxjerrë nagantin nga brezi dhe t’ia shprazë në ballë të parit që ia behu në dhomë. I mbushur me fishekë manovre, naganti butaforik i heroit vetëm sa e ndau heshtjen më dysh pa ia ndryshuar dot rrjedhën historisë; pastaj ishte radha e tjetrit t’ia derdhte heroit karikatorin në gjoks, për t’u zhdukur sakaq si vegim, andej nga kishte ardhur.

Ndërkohë luftëtarët ishin zgjuar, ca nga të shtënat, ca nga makthi, ca nga të lehurat frenetike të qenve; lajmi që Kondakun e kishin goditur për vdekje u përhap më shpejt se drita e zbehtë e agimit. Në bazën e nënë Varvarës mbërriti, duke dihatur nga lodhja, vetë Kryeministri, me fytyrë të çakërritur dhe pallton e vjetër ushtarake të hedhur drejt e mbi fanellën me lesh të dhirtë, që vishte zakonisht për të fjetur. Kërkoi ta shpinin te Radovan Kallogjeri, që po jepte shpirt i tretur në një pellg gjaku; e mori në krahë, teksa lotët i rridhnin çurg; iu lut të mos i shuhej kështu në duar përsëri. Tepër vonë; përjashta ishte zbardhur tashmë dhe regjisori Kostaq X. e pa të udhës të mjaftohej me aq.

 

5 Komente

  1. Me pelqeu shume filmi i regjizorit Kostaq X. Ndonese i shkurter po te krahasohet me nje film te ngjashem “Caché” nga Michael Haneke, po aspak inferior.

  2. Isha bërë gati, i armatosur me gjithë guximin që kanë gjithmonë të paditurit, të korrigjoja Maksin (!) për frazën ”para se t’i thernin në grykë, si berrat”. E sakta sipas meje do ishte ”para se t’i thernin në grykë, si derrat”. Por duke hapur fjalorin shikoj se ekzistojnë berrat si bagëti e imët.

    Lectio difficilior, tha.

  3. Ploti

    Qe tmerri i tij te ishte perfekt, i rrethuar tek kembet e nje statuje nga thikat e paduruara te miqve te tij, Cezari zbulon midis fytyrave dhe thikave fytyren e Markus Junius Brutus, mbrojtesin e tij, ndoshta vete i biri – keshtu Cezari ndalon se mbrojturi veten dhe therret Et tu, Brute? Kete thirrje patetike e regjistrojne Shekspiri dhe Kuevedo.

    Fati mban anen e perseritjeve, variacioneve, simetrive. Nentembedhjete shekuj me vone, ne pjesen jugore te provinces se Buenos Aires, nje gaucho sulmohet nga te tjere gaucho, dhe duke rene dallon nje nip te tij, dhe ne nje surprize te avashte dhe ankese te lehte i thote (keto fjale duhen degjuar, jo lexuar): Pero, !che! Vdes, por nuk e di qe ka vdekur qe nje skene te mund te luhet perseri.

    JLB

  4. Faleminderit, Maks Gjerazi, mendje eluzive e letrave shqipe.

    Lulian, më duket se Jul Cezari ia thotë fjalët e fundit Brutusit në greqisht. Miqësisht, se mos të hidhen për koke këtu në blog.
    Me shaka, BD

  5. Vallaj Ben, une nga Borges e kam te lexuar, e Borgesi e paska te lexuar nga Shekspiri, e Shekspiri nje zot e di nga e ka te lexuar, se edhe ai nuk paskesh rrojtur ne kohen e Cezarit, keshtu qe cfare nuk ben vaki. Dikur kam shkruar nje fjali per nje kohe te shkuar dhe te lumtur, dhe kam thene, “atehere kur te gjithe flisnim frengjisht.” Mund fare mire edhe te kisha thene “atehere kur te gjithe flisnim greqisht,” madje edhe Cezari. E pse jo. Ars longa, thote Gjerazi, Vita brevis, dhe nuk ka kohe, thone Beatles, for fussing and fighting my friend…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: