MIDIS DUKJES DHE TEJDUKJES (I)

Sot ndërkohë që po udhëtoja me tren e po shfletoja “Njeriun e Padukshëm” nga R. W. Ellison, u ndërpreva harbutçe nga një bisedë e vrazhdë telefonike.

Në fillim mendova se telefonuesja, një vajzë ndoshta tek të tridhjetat, po fliste me vete, sic mund të bëjë vaki ndonjëherë me çdokënd, por jo, ajo vetëm kishte vendosur kufjet dhe mikrofonin pranë e bërtiste me sa kishte në kokë: – “Alo! Po moj po, jam Angelika. Do vish ti në koncert apo jo? Mos e merr Veronën me vete, është një palo femër. [Këtu telefonuesja i lejon vetes një sharje të rëndë për personin në fjalë, që nuk do të ishtë e hijshmë të përsëritej nga autori. Dhe me të njëjten intonacion të bezdisshëm vazhdoi bisedën e saj, çfarë më detyroi të përgjoj akoma copëza të tjera të bisedës …]. Po më kanë ardhur ato. Do të takohemi në shkollë? Po tek mbrëmja, pasnesër kam ditëlindjen? Eh jo, jam ndarë me Tomasin, tani jam me Markusin. Tomasi tani është me Evën.” Pak përpara se të zbrisja, vajza, si për lehtësinë time, e mbaroi bisedën e saj prej gjysëm oreje ku i tregoi dhe ritregoi të gjitha historitë e dashurive të mundshme; të shoqëruara kuptohet me shfryrje, sharje e frazeologji banale. Pjesën tjetër të biografisë së vajzës u mundova t’a plotësoja me imagjinatën time dhe nuk mendoj se është shumë interesante për kërshërinë e lexuesit tonë të çmuar. U rreka më kot ta kategorizoj këtë qënie në një nga kategoritë e menduara mirë të miat, në “Njerëz të Padukshëm” ose në “Njerëz të Dukshëm”, kështu që m’u desh të teorizoja mbi një kategori tjetër: “Njeriun e Tejdukshëm”. Karakter ky, i cili nuk mbart asnjë sekret e intimitet, por që në banalitetin dhe lehtësinë e qënies si tij si “Njeri i Padukshëm” ai shndërrohet në një qënie transparente, të tejdukshme, pra në “Njeri të Tejdukshëm”.

Por dua t’i tërheq vëmendjen lexuesit për një fenomen shumë interesant, që pa përjashtuar veten time besoj se mund t’u ketë ndodhur të gjithëve. A e keni kapur ndonjëherë veten gafil në një moment kur kërkoni t’i bëni të ditur botës lumturinë tuaj, e ndonjë moment tjetër mbase ngashërimin, mërzinë, pse jo edhe zgjuarsinë, … dhe shpresoj që lexuesit tonë nuk i ka ndodhur, por autorit i ka ndodhur që të shfryj edhe dufin e inatin? Kjo ndodh ngase njeriu është një qënie sociale, dhe si e tillë kërkon të pasqyroj emocionet e tij në personin ose kolektivin përballë, për t’i konfirmuar këto emocione në vertetësine e tyre sociale.

Individi mirëpritet nga një grup kur ai identifikohet me dëshirat dhe aspiratat e këtij grupi. Dhe në këtë moment lind edhe dëshira e individit për të qëne protagonist në realizimin (ose në krijimin e iluzioneve) të aspiratave të grupit. Dëshirën për të qënë protagonist e ndeshim të skajshëm jo vetëm në veprimtaritë e politikanëve, që u duhet të kryejne vepra simbolike për të qënë në qendër të vëmendjes publike, porse edhe në botën virtuale (psh. Youtube.com) dhe në mediat private (psh. në programet “Big Brother”, ‘Kafazi i Artë”, ose në kanalet muzikore MTV dhe BBF). Ky fenomen edhe pse nuk mund të quhet i “ri” për njerëzimin, është i ri për kontekstin kohor dhe politikë në të cilën jetojmë. Demokratizimi, zhvillimi teknologjik dhe evolucioni psikologjiko-shoqëror i botës perëndimore mundësojnë sot realizimin e ketyre deshirave elementare njerëzore: të komunikimit të emocioneve dhe të kënaqësisë për të qënë në qënder të vëmendjes. Dëshira këto që kanë motivuar njerëz të civilizimeve më të hershme (egjyptiane, perse, greke e romake etj.) të lënë gjurmë (buste, piramida, mbishkrime etj.) edhe për ne (një tjetër audiencë). Dhe këtë njeri, njeriun protagonist le ta quajmë “Njeriu i Dukshëm”.

Këtë krijesë e hasim përditaz nëpër rrugët e Tiranës, dhe në bëmat e mbresat (makinat, shtëpitë, madje edhe nuset e tyre) e grupit të të ashtuquajturëve “pasanikë të rinj” dhe në elitat e sapokrijuara shqiptare (shih trajtimin e E. Dushës mbi konsumin për dukje, po tek ky Blog). Ky karakter, “Njeriu i Dukshëm”, ndeshet gjithashtu edhe në majat më të larta të administratës shqiptare, por sidoqoftë jo vetëm në grupet e politikanëve dhe gazetarëve. Kryeministri Sali Berisha, për shembull, e ka vizituar Gjermaninë dy-herë brenda dy vjetëve, ndërkohë që ambasada jonë në Berlin ka dy vjet që është pa ambasador. Dëshira për t’u dukur mbizotëron nevojën për të kryer funksionin diplomatik, funksion ky që kryhet shumë më mirë nga një trup profesionistësh diplomatikë, dhe jo nga një Kryeministër që i pëlqen të dalë fotografi me “Njerëzit e Dukshëm”.

Po ashtu Kryeministri Sali Berisha është dukur e pritur me brohoritje në Kosovë, por që nga dita e pavarësisë së Kosovës, autori nuk di të jetë çelur ndonjë “zyrë përfaqësimi” (country representative) apo “interest section” e Republikës së Kosovës pranë ambasadave tona në Perëndim, çfarë do t’u jepte përpjekjeve për njohjeje të shtetit të ri një shtysë duke treguar prezencë, dhe jo vetëm institucionale, në arenën ndërkombëtare.

Në 1952 Ralph W. Ellison – i quajtur kështu sipas një “Njeriu të Dukshëm” të filozofisë individualiste amerikane Ralph Waldo Emerson – botoi romanin e tij të vetëm, “Njeriu i Padukshëm”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte koha kur sapo kishin filluan lëvizjet për të drejtat civile të Njerëzve me Ngjyrë. Ishte pra koha kur “të Padukshmit”, që deri në atë moment as nuk kishin pipëtirë nën hijen dhe zhurmën mbytëse të “Njerëzve të Dukshëm”, filluan të dukeshin, të binin në sy. Ishte koha kur shurdhët dhe memecët filluan të flisnin dhe të dëgjoheshin.

Kur autori e kishte lexuar këtë roman në fëmijëri, kishte menduar se ishte një fantazi për fëmijë, një ëndër për të qënë “i padukshëm”, për t’i shpëtuar përgjegjësisë shoqërore, por që papritmas kthehet në një makth, në një ndëshkim nga shoqëria, jo me dhunë direkte, porse me shpërfillje (çmimi i dhimbshëm i ëndërrimtarit). Narrativa mbizotëruese e romanit është ajo e “Kërkimit” (Quest), si edhe tek Odiseja, Don Kishoti, Moby-Dick etj. pra e kërkimit të indentitetit njerëzor në një shoqëri armiqësore (në libër “Kur të zbuloj se kush jam, do të jem i lirë”).

Ellison ka përfshirë në këtë roman një gamë të gjerë tematike. Ai ka cekur psh. tematika të tilla si “kërkimi për një identitet në një botë shoqërore konfuze”, “konfliktin midis hipokrizisë dhe moralit”; “abuzimin me pushtetin politik dhe ekonomik” etj. Por e vendosur në kontekstin e një fenomeni tjetër, që ndeshet paralel me fenomenin e të qenit protagonist (“Njeriu i Dukshëm”), libri mund të shërbejë si një ilustrim për gjendjen psikologjike të grupeve shoqërore të margjinalizuara dhe të tëhuajzuara (Entfremdung, alienation). Një temë kjo e ilustruar shumë bukur së fundi edhe nga M. Gjerazi (po në këtë Blog), ku një kolektiv, që gjendet në një stagnacion kulturor (tren të palëvizshëm), duhet t’u bindet udhëzimeve në “gjuhë të huaj”, jashtë çdo konteksti kulturor dhe politiko-shoqëror.

Përgjatë gjithë librit “Njeriu i Padukshëm”, pra që nga faqet e hapjes e deri në përfundimin e lemerishëm të romanit, Ellison duket sikur analizon kuptimin e padukshmërisë së ngjyrës së zezë (black invisibility) në shoqërinë e bardhë amerikane, dhe në kontrapunkt ai duket të na tregojë se kjo kulturë mund të jetë e nënshtruar dhe e fshehur nga përplasja dhe ndarja me kulturën e të bardhëve, por kurrsesi e zhdukur (mbështetur në E. J. Sandquist, 1995, “Cultural Contexts for Ralph Ellison’s INVISIBLE MAN”).

Në fakt është kjo ndarje (segregation) që i ka mundësuar kulturës së zezë mbijetesën. Vetë Ellison (shih. Sundquist) citohet të jetë shprehur se “Njeriu me Ngjyrë” është bërë pjesë e krizave të rënda në psiqikën amerikane dhe ai është përfshirë vendosmërisht në vetëdijen, pavetedijën dhe në ndergjegjen amerikane.” Njeriu me ngjyrë pra, “Njeriu i Padukshëm” është i dukshëm, por ai nuk shihet nga të gjithë. Ellison tek “Njeriu i Padukshëm” përmend vazhdimisht një fakt jo të vënë re, “të padukshëm” për shoqërinë amerikane e atijmoti, që kultura e zezë ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e kulturës amerikane, pavarësisht pse nuk është bërë e njohur (e dukshme).

Në Shqipëri ka disa segmente të caktuara shoqërore “të padukshme”. Le ti quajmë këta “Njerëz të Padukshëm”. Sipas një studimi të UNICEF-it “Breaking the Cycle of Exlusion: Roma Children in South East Europe” (2007) (Të ndërpresim ciklin e përjashtimit: Fëmijët Roma në Europën Juglindore) në Shqipëri 90-100 persona në 1000 shqiptarë janë Romë, pra 2.9 deri në 3.2% e popullsisë (në Kosovë ~1.7%). Po sipas këtij studimi këta “Njerëz të Padukshëm” janë pothuajse të përjashtuar nga përfshirja politike, zhvillimi arsimor dhe ekonomik i shoqërisë sonë: 4 herë më të varfër materialisht se jo-Romët në një lagje; 50% e Romëve janë të prekur nga varfëria e skajshme; vuajnë gati 3 herë më shumë se mesatarja në vend nga papunësia (48% ndaj 15% në rang kombëtar); dhe që nga vitet 90’ rritet numri i Romëve të pashkolluar dhe analfabetëve (65% e Romëve në moshën 15-24 vjeç dijnë të shkruajnë e të lexojnë, 100% e jo-Romëve). E të mendosh që opinioni publik i yni është shumë i ndjeshëm ndaj diskriminimit tonë në shoqëritë perëndimore (autori ju kujton qindra kundërartikujt ndaj “propagandës keqadashëse” të mediave italiane dhe angleze). Nuk është llogaritur ndonjëherë p.sh. dëmi ekonomik që i sjell Shqipërisë përjashtimi i këtyre “Njerëzve të Padukshëm” nga sistemi ekonomik.

Të njëjtën situatë paraqesin edhe një grup tjetër i diskriminuar, jetimët, sidomos përsa i përket problemit të strehimit. Sipas një raporti të Amnesty International “Albania – ‘No place to call home’ – adult orphans and the right to housing.” (Shqipëria: ‘Asnjë vend që të mund të quhet shtëpi’ – Jetimët e rritur dhe e drejta për strehim.) Përveç kësaj jetimët, po sipas ketij studimi, janë pre e vlerësimeve përçmuese në shoqërinë shqiptare, edhe pse diskriminimi është i ndaluar me ligj. Kështu disa jetimë të intervistuar nga Amnesty International, të cilët karakterizohen si të vetëdijshëm për problemet e tyre, ndihen të stigmatizuar si “jetim”, pra të paragjykuar dhe të karakterizuar negativisht (stereotype negative). 

(vijon)

3 Komente

  1. Interesante: “Në fakt është kjo ndarje (segregation) që i ka mundësuar kulturës së zezë mbijetesën.”

    P.s: “në Shqipëri 90-100 persona në 1000 shqiptarë janë Romë, pra 2.9 deri në 3.2% e popullsisë”, ka diçka që s’shkon tek shifrat.

  2. E vèrtetè vèrejtja e bèrè mè sipèr. S’e besoj qè ndarja dhe pèrçarja èshtè njè motiv pèr mbijetesè.
    Edhe pèr komentin tjetèr mbi numrin e romève , kur e lexova fillova tè mbledh me mend tè gjithè popullsinè rome qè jeton nè periferi tè vendit tim , duke bèrè njè pèrafrim pèr tè nxjerrè njè numèr qè t’i shkonte sa mè afèr pèrqindjes sè shkruar. Nè fund u çudita , mendova; ‘ Me tè vèrtetè paska kaq shumè popullsi rome nè Shqipèri dhe unè tani po e marr vesh? Ndoshta.’
    Dhe diçka tjetèr qè nuk e kuptoj, éshtè kjo fjali;'(65% e Romëve në moshën 15-24 vjeç dijnë të shkruajnë e të lexojnë, 100% e jo-Romëve) ‘, ose mè saktè pjesèn e fundit tè kèsaj fjalie nuk e kuptoj, duke menduar qè mund tè jetè vetèm njè gabim ortografik.
    Sa pèr kontekstin jam plotèsisht dakort. Nè Shqipèri ,pjesa mè shumè e padukshme e popullsisè janè jetimèt dhe romèt. Dhe tè mendosh qè janè njerèzit mè pak tè rrezikshèm dhe mè paqèsor tè popullsisè duke pasè parasysh kushtet e jetesès sè tyre.
    Jetimèt , qè kanè tè sigurtè njè fèmijèri tè palumtur dhe diskriminim tè dhimbshèm, romèt qè megjithè varfèrinè e tejskajshme nuk shquhen pèr krime tè tipit dhunè,vjedhje , vrasje etj. nè krahasim me ‘tè dukshmit’.
    Them se duhet tè ketè mè shumè pèrkujdesje tè paktèn nè arsimimin e tyre.

  3. Me fene e shqiptareve qe eshte shqiptaria kushedi kerdina do te behet me te padukshem ,pra kush nuk pranon te konvertohet ne kete fe idiote rrrezikon damkosjen si anti kombetar. Pale kush guxon e thote ndonje fjale per majka terezen,skenderbeun apo kadarene se ne sketerre do perfundoni. A eshte e mundur qe ne shekullin e 21 te llogjikohet si ne shekulline 18???????!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin