SHQIPJA E DRUNJTE (VIII)

 

Shpesh shqipen e drunjtë e ndiejmë para edhe se të mund të tregojmë me gisht se çfarë pikërisht në thënie na e ka shkaktuar ndjesinë.

Natyrisht, këtu nuk kemi të bëjmë aq me një faktor të vetëm për t’u identifikuar dhe mënjanuar nëpërmjet një formule të lehtë, sesa me një mendësi shprehëse e cila trupëzohet në mënyra të ndryshme.

Tiparet kryesore gjuhësore të shqipes së drunjtë janë ndoshta emërzimi i foljeve dhe i mbiemrave, togfjalëzimi i ndajfoljeve, pleonazma, togjet e parafabrikuara dhe fjalët parazitare; por megjithatë mekanizmat përftuese të këtyre tipareve ndryshojnë sipas kontekstit.

Të marrim një fjali të rëndomtë nga një tekst i rëndomtë, i hartuar ndoshta pa shumë pasion, e njëlloj me i ndjekur me indiferencë nga lexuesit:

Burimet potenciale për të mbështetur këtë siguri të ekonomisë shqiptare duhet të vijnë nga shkurtimet e shpenzimeve operative dhe rritje e shpenzimeve për investime.

Çfarë vihet re në këtë fjali? Para së gjithash, moria e emrave prejfoljorë të veprimit: burimet, shkurtimet, shpenzimet, rritje, investime.

Po ashtu, foljet e dobëta ose me lidhje të dobëta logjike me kryefjalën: burimet mbështetin sigurinë e ekonomisë, burimet vijnë nga shkurtimet

Këto folje të dobëta shfaqen në thënie ngaqë veprimet e mirëfillta që ka folësi në mendje shprehen me anë të emrave prejfoljorë. Në fakt, konceptet kryesore të fjalisë janë:

shpenzimet operative duhet të shkurtohen

dhe

shpenzimet për investime duhet të rriten

Po ashtu, togfjalëshat shkurtimet e shpenzimeve dhe rritja e shpenzimeve nuk janë veçse emërzime të togfjalëshave foljorë shpenzoj më pak dhe shpenzoj më shumë.

Shembulli dëshmon se thënia  drunjëzohet duke i shndërruar foljet e forta, si shpenzoj, shkurtoj, rrit, investoj në emra prejfoljorë të veprimit, dhe duke i shtuar fjalisë folje të dobëta: mbështetin, vijnë nga

Shembull tjetër:

Për të garantuar një mirëfunksionim të sistemit të drejtësisë në tërësi, është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disa vjeçar duke arritur deri edhe në përcaktimin e një niveli financiar si një përqindje e caktuar e PPB.

Edhe këtu emrat prejfoljorë mbizotërojnë: mirëfunksionim, mbështetje, veprimi, përcaktimi

Megjithatë, ndeshim edhe një dukuri të re – folja zbërthehet në një strukturë të tipit FOLJE E DOBËT + EMËR VEPRIMI:

mbështet sistemin financiarisht – realizoj një mbështetje financiare të sistemit

Folësi në këtë rast duket se ka vendosur ta ruajë togfjalëshin mbështetja financiare të paprekur; që këtej, ndihet i detyruar ta përdorë foljen e dobët realizoj mbështetjen financiare.

Njëlloj edhe më poshtë:

përcaktoj nivelin financiar

shndërrohet në

arrij përcaktimin e nivelit financiar

Meqë edhe këtu, përcaktimi i nivelit financiar funksionon si togfjalësh i ngrirë, për t’u ruajtur i pandryshuar.

Më në fund, gjatësia përbën problem më vete:

është e domosdoshme që shteti të realizojë një mbështetje financiare të këtij sistemi sipas një plani veprimi të shtrirë në një hark kohor disa vjeçar

mund të rishkruhej si

shteti duhet ta mbështetë financiarisht sistemin sipas një plani veprimi disavjeçar

duke e reduktuar gati 50%.

Shembull tjetër:

Shqetësimi qytetar dhe reagimet e ashpra institucionale për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ushtrimin e dhunës në mjediset e Policisë së Shtetit dhe prej policëve të shtetit, janë shqetësimi serioz që Partia Socialiste paraqet sot para publikut.

Kjo fjali është tautologjike:

Shqetësimi… dhe reagimet… janë shqetësimi…

Si ndodh që një folës me inteligjencë normale të prodhojë thënie të tilla absurde? Faji këtu i mbetet, besoj unë, emërzimit; sepse emërzimi u heq fjalive zemrën, ose motorin që i mban në lëvizje: foljen. Folje me kuptim të fortë, si shqetësohem, shkel (të drejtat), reagoj dhe dhunoj, zëvendësohen me emrat përkatës shqetësimi, reagimet, ushtrimi i dhunës, shkelja e të drejtave, të cilat lidhen pastaj mes tyre me një pseudo-folje, ose këpujën janë.

Megjithatë, thënia më lart duket se përmbledh, në një fjali të vetme, thëniet e mëposhtme:

Policia ka shkelur të drejtat e njeriut

Policia ka ushtruar dhunë në mjediset e veta

Qytetarët janë shqetësuar (për këtë)

Institucionet kanë reaguar ashpër (për këtë)

Partia Socialiste është shqetësuar (për këtë)

Partia Socialiste njofton publikun (për këtë)

Dhe dihet se emërzimi ndihmon për t’i paketuar fjalitë në togfjalësha kompaktë. Mirëpo vetë mekanizmi i emërzimit nuk mund të ndriçohet deri në fund, po të mos mbajmë parasysh se togje të tilla si shqetësimi qytetar, reagimet institucionale, shkelja e të drejtave të njeriut, ushtrimi i dhunës etj. janë klishe, ose togje të parafabrikuara, të cilat vetëm sa përdoren për të ndërtuar thënie më të ndërlikuara, por nuk përftohen gjatë të folurit.

Më në fund, unë fjalinë do ta kisha rishkruar kështu:

Partia Socialiste njofton publikun se solidarizohet me institucionet dhe qytetarët, që janë shqetësuar me dhunën që ka ushtruar policia e shtetit në mjediset e veta.

Shembull tjetër:

Qeveria shqiptare duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit të dixhitalizuar të gjendjes civile, të pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta me të dhëna biometrike të qytetarëve shqiptarë.

Edhe kjo thënie është e përmbytur nga emra prejfoljorë të veprimit: përfundimi, krijimi, pajisja… së bashku me një varg prej tri gjinoresh të njëpasnjëshme:

përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit

Këtu fjala proces mund të mënjanohet krejt, si pleonastike (nuk ka dyshim që krijimi i regjistrit është proces); ndërsa pjesa duhet të veprojë me shpejtësi për përfundimin e procesit të krijimit të regjistrit mund të thjeshtohet në duhet të nxitohet për ta përfunduar krijimin e regjistrit. Njëlloj mund të vërehet se folja e dobët veproj shfaqet në fjali ngaqë folja e fortë përfundoj ka përfunduar në emër.

Shembull tjetër:

Ka rënie të ritmeve ekonomike, pranuar nga gjithë institucionet financiare ndërkombëtare.

Thënia nis me foljen e dobët ka; e cila përligjet vetëm ngaqë ligjëruesi ka vendosur të përdorë me çdo kusht parafabrikatin rënie e ritmeve ekonomike.

Përndryshe thënia mund të rishkruhej:

Që ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë, këtë e pranojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.

ose

Ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë, çka e pranojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.

ose

Të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare e pranojnë se ritmet [e rritjes] ekonomike kanë rënë.

Shembull tjetër:

Nevojitet adoptimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për reformën në drejtësi, për përmbushjen e kuadrit ligjor dhe sigurimi i burimeve njerëzore dhe financiare për implementimin e saj.

Ku emrat prejfoljorë përsëri bëjnë ligjin: adoptimi, përmbushja, sigurimi, implementimi.

Këtu nevojitet adoptimi s’është veçse emërzim i togfjalëshit foljor duhet adoptuar dhe e tërë thënia mund të rishkruhej kështu:

Duhet të adoptojmë një strategji gjithëpërfshirëse për të reformuar drejtësinë dhe për të përmbushur kuadrin ligjor, si dhe të sigurojmë  burimet njerëzore dhe financiare për ta vënë në jetë atë strategji.

Përsëri, duhet vërejtur se emrat prejfoljorë në thënie nuk janë rezultat i ndonjë emërzimi që ndodh gjatë prodhimit të vetë thënies; por vijnë të parafabrikuara, ose duke mishëruar koncepte të drunjëzuara që në mendjen e folësve: adoptimi i një strategjie gjithëpërfshirëse, përmbushja e kuadrit ligjor, sigurimi i burimeve njerëzore dhe financiare… kur i dëgjon këta togfjalësha të renditur kështu, pothuajse të dalin parasysh faqet e një parashtrimi në PowerPoint.

E kotë të shtoj që kalimi nga foljet në emra nuk është pa pasoja edhe në mënyrën si do të kalohet më pas nga fjalët në vepra; sepse folje të tilla si përmbush, adoptoj, siguroj u përgjigjen veprimeve konkrete, për të cilat mban përgjegjësi veta; ndërsa emrat shkëputen nga lidhja me vetën e foljes. Kur dikush thotë do të përmbushim, njëkohësisht edhe e merr përsipër veprimin – jemi ne që do të përmbushim; ndërsa përmbushja nuk e sjell me vete një specifikim të tillë.

Edhe një shembull i fundit si emrat prejfoljorë i çankorojnë foljet nga vetat përkatëse:

Përmirësimi i infrastrukturës duhet të synojë shtimin e sipërfaqeve ndërtimore të godinave ekzistuese të institucioneve të drejtësisë ku në mënyrë më specifike godinat e gjykatave duhet të sigurojnë ambientet e nevojshme për zhvillimin e të gjitha gjykimeve në mënyrë publike, duke i dhënë fund zhvillimit të gjykimeve në zyrat e mbyllura të gjyqtarëve larg kontrollit të publikut, mediave dhe gjithë subjekteve të interesuara.

Këtu jo vetëm që nuk specifikohet më se kush do ta përmirësojë infrastrukturën, por vetë përmirësimi i infrastrukturës përdoret si kryefjalë për foljen synoj; e cila merr pastaj si kundrinë një tjetër emër prejfoljor – shtimin. Edhe folja tjetër në fjali, duhet të sigurojnë, ka një kryefjalë të çuditshme: godinat e gjykatave, të cilat jo vetëm duhet të sigurojnë ambientet e nevojshme për gjykimet publike, por edhe t’i japin fund zhvillimit të gjykimeve në zyra të mbyllura.

Marrëdhënieve midis emërzimit dhe shkëputjes së kryefjalëve nga kallzuesit do t’i kthehem, megjithatë, përsëri.

 

8 Comments

  1. Gjuha shqip është vërtet e çuditshme! Marrim për shembull fjalën rrodhe. Ajo është e lidhur etimologjikisht me fjalën rosa/trëndafil. Po si? Rosa latine është marrë nga greqishtja rhodion (trëndafil, që vjen nga ishulli Rodos) me anë të gjuhës etruske. Si të thuash, nga ana gjuhësore nga trëndafili del ferra.
    Ose marrim fjalën tangërllëk. Ajo vjen nga turqishtja tanrılık/perëndishmëri/perëndillëk, por te ne ka marrë kuptimin e fodullëkut, një tjetër llëku. Pa lënë mënjanë fjalën garip që shqip ka kuptimin “cool”. Ajo vjen nga arabishtja me anë të turqishtes gharib/i huaj, i vetëm, pa miq e pa shokë, etj, etj, etj.

  2. O baba, fjala tangerllëk ekziston per bukuri ne turqisht, me te njejtin kuptim me “tonin”. Mos i fut kot perenditë ne kete mes, ate fjale e ka sjelle nga Turqia ndonje shofer mauneje i viteve ’70-’80 🙂

  3. Më vjen mirë që edhe kamionistët e viteve ’70 – ’80 kanë pasur mundësi ta pasurojnë me hyrje të reja leksikun zhargonal të shqipes, e që mes tyre ka pasur çabenj të dhënë pas gjuhës. Po me sa di unë, turçe, Tanri i thonë Zotit. Edhe Sulejman Temani nga Berati në shek. 18, ka shkruar një bejte për imam Aliun, ku i thotë: Ti je nur-i Tengri që në ezel… Po të duash, shih edhe http://en.wikipedia.org/wiki/Tengri. Siç e di ti, që nuk di asgjë, turqishtja me osmanishten janë dy gjëra kryekëput të ndryshme. Tani fjala tangërllëk ka ardhur ose nga turqishtja qemaliste ose nga osmanishtja. Kjo është një pikë që kërkon sqarim të mëtejshëm. Po me sa mbaj mend unë, fjalën e kam hasur edhe në shkrimet e një humoristi që e mbante veten si “Rrem Vogli, katnar pri Rrashbulli” (emrin nuk e kam shumë të qartë, mund edhe ta kem gabim) dhe shkruante në dialektin tiranas para Luftës së Dytë Botërore në revistën Illyria.
    Kosovarçe i thonë “tangërllyki”. Kaq për sot, se s’kam më lekë të paguaj për Internetin.

    1. Per informacion mbas personazhit te Rrem Voglit ka qene Mit’hat Araniti, shkrimtar, poet, perkthyes dhe publiçist me vlera te rralla intelektuale…i burgosur dhe interrnuar deri ne fund te jetes nga regjimi komunist

  4. Për fjalinë e marrë nga ekonomia, Xha Xha, po shkruaj dy-trembëdhjetë radhë.
    Në bilancet, etj, etj, dokumenta të financave, ka një zë që titullohet “shpenzime”, me nënzëra (sipas shembullit e pa u hapur me tej): “shpenzime operative” dhe “shpenzime për investime”.
    Kur merret në analizë, “shpenzime për investime”, në vetvete numër, nxirret dhe “rritja e shpenzimeve për investime” – po numër, %, diçka që kërkon një emër.
    Kush e ka shkruar atë fjali, e ka bërë për tre arsye:
    – të shkruajë me gjuhën e financave
    – sepse “rritja e shpenzimeve për investimeve” është njësi më vete, numur, %, i llogaritshem
    – terminologjia nuk e lë shkruesin të përdorë “shpenzoj më pak” ashtu si nuk e lë të përdorë sinonime; “shkurtimet e shpenzimeve operative”, janë ndryshe nga “pakësimi i shpenzimeve operative”, ndryshe nga “ulja e shpenzimeve operative”. Gjëra të ndryshme janë dhe “rritja e shpenzimeve për investime” me “rritja e investimeve”.
    Kështu, nuk është se emërzimet i ka bërë shkruesi i një shqipeje të drunjtë, emërzimet i kanë bërë gjuhëtarët e ekonomistët këtu e sa dekada. Them se shkruesi ka vepruar drejt, sado shtrembër që ka shkruar.
    Shqiptarët duhet të mësohet me termat e veçanta të fushave përkatëse. Të mos përdorin fjala vjen, “kartë” apo “kartë banke” por “kartë krediti”, “ kartë debiti” në varësi të asaj që kanë. Se ju ndodh pastaj të mos blenë dot pulla në automatin e postës sepse “automati nuk pranon karta”, kur ai nuk pranan karta krediti por pranon karta debiti.
    Vihet re se shqiptarët në gjuhën e shkruar përdorin një shqipe teleferike ndërsa në atë të folur një shqipe telegrafike.

  5. CD, shembujt që sjell në shkrime unë i marr rigorozisht nga ligjërimi publik, jo nga tekste teknike ose për qarkullim të brendshëm. Edhe fjalinë për të cilën komenton ti e kam nxjerrë nga fjala e një deputeti në parlament.
    Nuk ka asnjë arsye që deputeti në parlament të flasë me gjuhën e dokumenteve të financave; sepse të zotërosh shqipen do të thotë edhe të zotërosh regjistrat e përdorimit të saj. Gjuha e dokumenteve të financave përdoret në dokumentet e financave; në parlament përdoret forma publike e ligjërimit.
    Nuk është e vërtetë që numri ose përqindja kërkojnë një emër: fare mirë mund të thuash: do të rriten 20% (me folje).
    Përkundrazi, është shumë e vërtetë që zgjidhjet terminologjike ndonjëherë imponohen dhe kalojnë nga një regjistër në tjetrin; por kjo është simptomë sëmundjeje ose drunjëzimi, prandaj duhet mjekuar, jo përligjur.
    Jam shumë kureshtar të di se ku ndryshon “pakësimi i shpenzimeve operative” nga “ulja e shpenzimeve operative”; po ashtu “rritja e shpenzimeve për investime” nga “rritja e investimeve”. Vetëm të lutem mos më thuaj se në rastin e parë është fjala për shpenzime anësore që lidhen njëfarësoj me investimet (p.sh. tarifat për shërbime bankare, përqindja e interesit të huave, policat e sigurimeve etj.), sepse folësi më lart nuk e ka fjalën për ato lloj shpenzimesh.
    Për foltoren e përdorur, nuk ka asnjë pengesë terminologjike që të thuash “shpenzoj më pak”, sepse shembullin unë s’e kam nxjerrë nga ndonjë mbledhje e aksionistëve të bankës ose simpozium i financave. Edhe mjeku, ndryshe shkruan në një artikull që e boton në revistën shkencore, ndryshe në një artikull në gazetë. Siç e thashë më lart, paaftësia për të ndërruar regjistrat sipas kuvendit është pjesë e problemit, nuk përligj asgjë.

  6. Them se mjeku ka thënë “zmadhim mëlçie” dhe ne do ti qëndrojmë bësnikë kësaj, e të mos përdorim “rritje mëlçie”. Mjeku bën mirë që në shqipe, si për studentët si për popullin, përdor të njëjtin regjistër (më lejo të të huazoj, e më fal për shëmbullin e dobët).
    Po sqaroj disi një nga shembujt për të parë ndryshimin që kanë:
    1) rritja e shpenzimeve për investime
    2) rritja e investimeve
    Një gjë që ndryshon është burimi. Ndërmarrja me rrugën e parë, planifikon në shpenzime dhe i bën pjesë të kostos ato para që përdor për investime …në teknologji. Kjo ndikon në xhepin e konsumatorit sa herë ai ble. Ndërmarrja i rrit investimet edhe kështu por edhe duke përdorur (nga të ardhurat) paratë e dividentëve që pronarët (pasi kanë paguar taksat) rifutin në kompani, duke rritur kapitalin. Dallimi është thelbësor e duhet bërë dhe në gjuhë. Nëse shkruhet për shtetin, ky mund ti rrisë investimet nga paratë e dhuruesve. Një pajisje mjekësore që na dhurojnë, rrit investimet x-lek, por nuk rrit shpenzimet…
    Për të mos vazhduar me gjuhë ekonomike, ky shëmbull mund të përafrohet me një të tillë:
    1) ç’na tregon kurba e grafikut në fig.1.1
    2) ç’na tregon grafiku në fig.1.1
    ku 1) rrëfen më shumë se 2).
    Fjala “shkurtimet” më bën të mendoj se folësi ynë i kuvendit, e ka huazuar nga gjuha popullore. Në një sitvë me dru, shkurtohen drutë më të gjata, për të krijuar uniformitet. Ai mendon, se gomaçka jonë buxhetore, mund ti mbajë të gjithë drunjtë, po të shkurtojmë një apo disa; ai nuk është për të pakësuar ndonjë dru nga barra. Kush është ky që përball “burime potenciale” me “shpenzime operative”?

    Të falenderoj për përpjekjet. Jam për ti hequr drunjtë e tepërt nga barra, por aty ku më duket se mban do ta them.

  7. Gjeta origjinalin e fjalise (paksa me ndryshe nga ketu) ne nje nderfaqe fundi i se ciles lajmeronte “prova teknike”. Lexova paragrafin mbi fjali per te marre vesh se behet fjale per “fonde shtese per investime” ose, ose, shtese ne fonde per investime; pyetja ime (per sa qendron) gjeti pergjigje.

    Eshte “shpenzoj me pak” pleonazme, drunjezim i “kursej”?

Comments are closed.