PËRRUA 1983

Vend arketipal nga ku nuk dal dot as dua të dal: plazh (Durrës) korrik pas mesnate lokal me pistë vallzimi i vjetër i drunjtë i zvetënuar për nga ata që e frekuentojnë duke mos na lënë jashtë as ne; natë e ngrohtë me shije si bajame e kripur e pjekur në pllakë balte dëgjohet deti që i lëpin nga pak shtyllat e errëta të kalbura të veshura me midhje dhe gjithfarë leshterikë parazitarë të kohës së Italisë; menu fikse qofte të skarës me sallatë domate birrë me kriklla kasata parfé; sallata vjen me dy-tre ullinj Berati me bërthama qepë të grira trashë domate pa lëng ngjyrë rrushi të bardhë pak majhosh; orkestra tanimë luan avaze “lentissimo” për çifte të porsamartuar nga Kampi i Punëtorëve ose marksistë-leninistë nga hotel “Apollonia”; për t’i lënë kohë këtij apo atij instrumentisti të hajë pak nga pjata që ia lënë vënë mbi një karrike përbri ndonjë kamerier i kujdesshëm; që këtej edhe ky eksplorim kolonash zanore filmash noir ende bardhezi me aktorë trashëguar nga kinemaja pa zë dhe limousines të zeza që u shkëlqen qimja natën në shi ndërsa marrin ndonjë kthesë të ashpër në rrethinat e Chicago-s; si çdo mbrëmje tjetër në orkestër luan një saksofonist i ngjallur me një këmishë që i ka humbur dy a tri kopsa të rëndësishme; të gjithë e thërresin Titi edhe pse e ka emrin Mitat; një kitarist kokëqethur që duhet të ketë dezertuar nga ushtria ose liruar me kusht nga ndonjë seancë hetimore paraprake; një xhezbandist që dihet se është rrahur një herë me Panajot Panon; një fizarmonicist i verbër me emrin Vangjush ose Beqo ose Lazër me syze të errëta me xhama të krisur; në këtë orë të vonë plazhin ka kohë që e ka zënë gjumi me përjashtim të atyre që nuk i zë gjumi dhe atyre që kanë fjetur ditën dhe atyre që nuk duan të flenë dhe atyre që nuk mund të flenë dhe atyre që nuk i lënë të flenë dhe më në fund atyre që janë këtu në pistë tanimë tepër të ngadalësuar nga birrakia muzarmonika dhe ritmi subliminacional i dallgëve të buta nën dysheme për të marrë vendime aq të pakthyeshme sa ç’mund të ishte ikja; Titi që e ka emrin Mitat herë pas here i bie edhe trompës ose siç quhet ndryshe flügelhorn-it me një teknikë që e shpjegon ta ketë huazuar nga Miles Davis edhe pse askush nuk e di se kur dhe si e shumëkush Miles Davis-in nuk e ka dëgjuar kurrë ose e ngatërron me ndonjë hero të peshës së rëndë në boks a me astronautin e parë që dërguan amerikanët në Hënë; përkundrazi kitaristi kokëqethur ka një parapëlqim idiosinkratik për ritme të tipit bossa nova politikisht më të pranuara dhe korrekte sadoqë as me Brazilin nuk kemi lidhur ndonjëherë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh (pa përmendur atashetë kulturorë); bossa nova nga João Gilberto dhe Antonio Carlos Jobim ose edhe marrë hua nga një 33-xhirosh krejt i habitshëm të vitit 1963 “The Girl From Ipanema” fejuar me saksofonistin Stan Getz të cilin meqë ra fjala Titi-Mitat mëton ta ketë studiuar më shumë për nga teknika sesa nga timbri; sado që edhe në këtë rast shumëkush nga publiku Stan Getz-in do ta kishte marrë sakaq për ndonjë futbollist të Bundesligës gjermane; një nga ata që e vizituan Tiranën në dimrin e vitit 1967 për t’u trembur nga mugëtia e një stadiumi që kishte gjithsej dymbëdhjetë radhë të mbushura dingas me amatorë të spiunazhit artistik dhe shahistë të Klubit të Ministrisë së Brendshme; vetëm se ky institucion i fundit nuk do përmendur në prani të kitaristit të keqtrajtuar kokërrugje i cili në vetvete është një kontradiktë e papranueshme për natyrën proletare të dëfrimit që u këshillohet turmave pushimtare në plazhin e Durrësit; me përjashtim të orëve të vona të natës kur proletariati është përgjumur përfundimisht çka nënkupton se klasat e tjera duke përfshirë edhe të përmbysurat gjejnë pak hapësirë për të hedhur drojtur hapat e sinkopuara të tangove rumbave bolerove mambove dhe ritmeve të tjera latine qoftë edhe thjesht me pretekstin se vijnë drejtpërdrejt nga plazhet heroike antiimperialiste të Kubës revolucionare (si plazhi Girón i dalë boje në stendën e pluhurosur të ambasadës përkatëse); lokal i qetë i vonë ideologjikisht i miratuar ndoshta vetëm i toleruar edhe pse lehtësisht i zbrazur por në mënyrë të tillë që të mbeturit ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre ose strehën e vetme ndaj tmerrit ekzistencial; oaz i vogël i brishtë i rrezikuar në mes të një shkretëtire të fjetur; momente intime shkaktuar më tepër nga relaksimi që sjell me vete inercia e muzikës ose remineshenca kinemash gjysmë të shkatërruara të viteve pesëdhjetë ku luhen flickers amerikanë plaçkë lufte që u janë kapur nazifashistëve Greta Garbo e dubluar italisht nga aktorë shpesh anonimë e tanimë gjithsesi të vdekur ose të komprometuar por një noir tek e fundit vdekjen e presupozon gjithnjë; prandaj edhe intimiteti do marrë si shenjë e një ankthi në kufi të dëshpërimit ose të një dëshire aq të vetvetishme për të pasur dikë afër në çastet e fundit ose ndoshta nga vështrimet që në ato orë të vona gjithnjë e më tepër kthehen drejt vijës së padukshme të horizontit në Adriatik me shpresë se do të mund të pikasin ndonjë dritë “tjetër” çfarëdo që nuk i përket këtij rruzullimi; njëlloj siç nuk i përket këtij rruzullimi soloja e saksit ngadalësuar deri në një pëshpërimë hipnotike pa llogaritur dihatjet e kitarës barngrënëse që kërcënon të luajë kokëfortësisht linjën e basit; ekzibicione të kota të tepërta vanitoze por të pazhurmshme për më tepër ekzekutuar me dorë të pasigurt nga lodhja alkoholi shpërqendrimi ankthi për një ditë të re që po përgatitet të vijë që nga brenda shtetit si imazh i pamirëpritur i diellit aq djegës përmes plepave; në të vërtetë pjesa e luajtur tanimë është kthyer në substancë të natës ashtu siç perceptohet nga ne që i kemi mbijetuar ditës së mëparshme; edhe kur turbullohet një çast nga fishkëllima e shpenguar e një lokomotive në sheshin hekurudhor përtej; përkujtesë e klasës punëtore ende sypafjetur ose ndoshta e nevojës për të nisur udhëtimin ose edhe e Orient Express; pa çka se pakkush nga ne ia vë veshin të hutuar siç jemi pas ndonjë bisede të pikësuar më tepër me heshtje sesa me ndonjë fjalë të kuptimshme; lumturi kaq e çuditshme e të qenit varur pezull mbi kufirin midis gjumit dhe ekzistencës.

7 Komente

  1. …stream of comfortlessness. Hilarious! Tango me impersonalen. Ke me te tjera?

  2. Bukur, bukur fare! Sinqerisht u kënaqa.

    Tek “kopsat e rëndësishme” pata flutura në stomak…

    Përshëndetje!

  3. Eeeh… Sa kujtime! Sa nostalgji! Sidomos tani, gjate ketij pesembedhjetditeshi (15-31 korrik): isha gjithmone aty afer, mbasi mbaronim xhiron dhe uleshim te varkat duke e degjuar muziken nga larg.

  4. Unë që nuk jam dhe shumë nostalgjik (sa fjalë e bukur, nostos = kthimi, algos = dhimbje) nga teksti vura re kryesisht se përbëhet nga një fjali e vetme. Maksi kaloi rekordin e Thuqididit.

  5. E sigurt qe nuk eshte rekordi i Xhojsit, sic e sugjeron edhe titulli?

  6. nuk e kish lexuar kete

    pak nga pak zbulova se kur shtyp tag-un “nostalgji”, ajo cka clirohet ne ajer eshte vertete nostalgji

    sot qe e zbulova susten, kam per ta bo telef deri ne darke

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin