DETYRA APO OFIQE?

Kriza tani së fundi e rrëzimit të dekreteve presidenciale për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë tregon se, kur mungon vullneti për mirëkuptim, nuk ka procedurë, dispozitë kushtetuese dhe standard që të mundësojë funksionimin normal të pushteteve.

Unë nuk e kam të qartë se çfarë ka shkuar pikërisht keq me këto dekrete, dhe as dua të lodhem për ta kuptuar duke u përpjekur të interpretoj propagandën që gjej në gazetat e Tiranës. Dua të shkruaj, përkundrazi, për reagimin e njërit prej gjykatësve të propozuar, Medi Bicit, ndaj rrëzimit që i bëri Kuvendi.

Natyrisht, askush nuk mund të pajtohet me rrëzimin që ia bëjnë kandidaturës dhe aq më pak kur kjo mund të ishte shmangur, nëse do të kish pasur më shumë mirëkuptim dhe mirëbesim mes palëve. Mirëpo mënyra si ankohet Medi Bici, raportuar nga “Gazeta Shqiptare” më lë gojëhapur.

Shkruan Tedi Blushi:

Rrëzimi i kandidaturës së Medi Bicit për anëtar të Gjykatës së Lartë pritet t’i kushtojë shtrenjtë mazhorancës. Ish të-përndjekurit politikë kërcënuan dje Partinë Demokratike se në zgjedhjet e ardhshme ata nuk do të qëndrojnë pa u kundërpërgjigjur. E përkthyer ndryshe ata paralajmërojnë votën kundër saj. Lajmin e ka konfirmuar për mediat vetë Bici, i cili iu propozua kreut të shtetit si anëtar për në Gjykatën e Lartë pikërisht nga shtresa e ish të përndjekurve politike. I dekretuar nga Presidenti, por i rrëzuar nga mazhoranca, ai tregoi dje se mbeti i zhgënjyer nga votimi kundër tij. Gjyqtari i Apelit për Krimet e Rënda mendon se vota kundër tij është një qëndrim i hapur kundër ish-të përndjekurve politikë, të cilët sipas tij në zgjedhjet e ardhshme do të reagojnë në të njëjtën mënyrë ndaj PD-së. “Për herë të parë që një përfaqësues i kësaj shtrese kandidohej ai u rrëzua. Kjo shtresë nuk do të rrijë pa u kundërpërgjigjur. Unë isha i vetmi kandidat që megjithëse i kisha kaluar të gjitha shkallët e gjykimit mora 40 vota pro në Parlament që do të thotë se jo vetëm opozita por në veçanti mazhoranca më ka votuar kundër”, shprehet Bici, i cili thekson mandej se të drejtat e tij janë dhunuar dyfish. Në periudhën e diktaturës komuniste ai ka vuajtur persekutimet, pasi familja e tij ishte cilësuar si kulake, ndërsa tani ai e konsideron sërish veten të persekutuar pa të drejtë. “Prisja një shumicë votash pro sepse unë vij nga një shtresë ndryshe nga të tjerët nga ish të persekutuarit politikë e cila pas viteve ‘90 kërkoi që të integrohet në shoqëri me të gjitha të drejtat e saj, por politika jonë vazhdon ti lerë një dritare shumë të ngushtë kësaj shtrese, ndihem i zhgënjyer”, përfundon Bici duke mos harruar të shtojë “drejtësia jonë vijon të jetë e dëmtuar”.

Me fjalë të tjera, Medi Bici, i cili ka qenë përndjekur në kohë të totalitarizmit, dhe që, sipas Mero Bazes, qenka futur në drejtësi nga porta e kurseve famëkeqe gjashtëmujore, mendon se “të drejtat e tij” janë dhunuar njëlloj si në periudhën e diktaturës, dhe se vota kundër në kuvend është edhe ajo një lloj persekutimi; meqë ai vjen “nga një shtresë ndryshe nga të tjerët: nga ish të persekutuarit politikë”.

Normalisht, një kandidat që rrëzohet e kundërshton këtë duke sjellë argumente në të mirë të aftësive të veta profesionale – dhe unë s’kam arsye të mendoj se Medi Bici nuk e meritonte të emërohej në atë organ të lartë të drejtësisë ku e kishte kandiduar Presidenti Topi. Prandaj, nuk do të habitesha sikur Bici të kishte përmendur meritat e tij si gjykatës ose si jurist, përvojën e tij, sukseset e tij profesionale, veprat që ka shkruar ose të tjera fakte që janë pjesë e kurrikulumit të një dinjitari suprem të drejtësisë. Kur të nëpërkëmbin, nuk ka vend për modesti.

Mirëpo, në të vërtetë, Bici ankohet kryesisht se pse kandidatura e tij nuk është privilegjiuar; ose pse Kuvendi nuk ia ka ndezur dritën e gjelbër karrierës së tij, sidoqë ai është pjesë e një shtrese “ndryshe nga të tjerët”.

A është e drejtë kjo? A mund të përdoret e kaluara si i përndjekur, për të mbështetur një emërim në një organ suprem të drejtësisë?

Unë mendoj se kurrsesi nuk mund të përdoret.

Të përndjekurve politikë shteti shqiptar u ka një borxh të madh moral, të cilin mund e duhet t’ua lajë me mënyra të ndryshme e të njohura: dëmshpërblime, pensione, bursa studimi për ata vetë dhe të afërmit e tyre, dhe të tjera mënyra dhe procedura të cilat njihen e me siguri janë të përcaktuara me dekrete dhe rregullore.

Por unë mendoj se nuk mund të përligjet zgjedhja e dikujt anëtar i Gjykatës së Lartë, me argumentin se ka qenë i përndjekur politik. Një anëtar i Gjykatës së Lartë duhet të ketë jo vetëm profil të lartë moral, por edhe njohuri të gjera juridike dhe aftësi të shquara për interpretimin e ligjit dhe në përgjithësi të mënyrave si funksionon shoqëria shqiptare.

Nëse është e mundshme të vendoset një lidhje sado virtuale midis së kaluarës si i përndjekur dhe profilit të lartë moral, kjo nuk mjafton për t’ia hapur dikujt dyert e një institucioni aq të rëndësishëm sa Gjykata e Lartë. Anëtarësia në këtë institucion nuk bëhet honoris causa, as mund të mendohet e të trajtohet si dekoratë që ta varin në gjoks për merita të shkuara.

Pse kërkon atëherë “affirmative action” Medi Bici?

Mos vallë ngaqë në Shqipëri të gjitha emërimet në poste të larta konsiderohen si honorifike, ose si shpërblime për shërbime të kryera ndaj palës emëruese?

Apo mos vallë ngaqë Medi Bici, edhe pse i përndjekur, ka mbetur rob i një mënyre në thelb autoritariste, të emërimit të kuadrit, e cila ka qenë tipike për regjimin komunist, ku një gjykatës i lartë, ose një ministër mund të emëroheshin në poste ngaqë ishin “familje dëshmori”, “shtresa të varfra” ose për motive të tjera të ngjashme?

Ndoshta të dyja arsyet qëndrojnë ndoshta jo – edhe pse gjithsesi nuk mjaftojnë për ta ndriçuar çështjen.

Prandaj ia vlen të merret parasysh edhe që kandidatura e Bicit për Gjykatën e Lartë iu propozua Presidentit Topi nga “shtresa e ish të përndjekurve politikë”, çka shpjegon edhe kërcënimin e ish të përndjekurve, gjithnjë sipas Tedi Blushit në GSH, dhe Bicit vetë po aty, se për këtë colpo basso do ta ndëshkojnë Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme.

Po çfarë do të thotë, pikërisht, që kandidatura Bici erdhi nga “shtresa e ish të përndjekurve politikë”? Këtu të dhënat më mungojnë – dhe nuk di nëse kjo kandidaturë u propozua nga ndonjë organ përfaqësimtar i shtresës, apo erdhi nga ndonjë grup nismëtarësh, apo u sugjerua me ndonjë rrugë tjetër.

Nesër mund të ndodhë që anëtarë të Gjykatës së Lartë të propozohen nga KOASH-i, malësia, të dëmtuarit e Gërdecit, ish pronarët, Shoqata e Gjuetarëve, Kryegjyshata e Bektashinjve, Besëlidhja e Homoseksualëve, emigrantët shqiptarë në Itali, banorët e zonave verilindore, gratë, Akademia e Shkencave… Mirëpo shteti shqiptar nuk funksionon në këtë mënyrë, ose duke u dhënë përfaqësi segmenteve dhe grupimeve sociale sipas identitetit. Vetë shtresa e të përndjekurve politikë, e cila paska propozuar kandidaturën Bici, nuk besoj se mban qëndrime unike në çështje politikash, duke përfshirë edhe politikën e emërimeve; sepse e kaluara e përbashkët si të përndjekur nuk mjafton për t’i përcaktuar qëndrimet.

Prandaj, unë besoj se Medi Bici gabon, kur thotë se mënyra si e trajtoi Kuvendi kandidaturën e tij përfaqëson edhe një sulm sado të maskuar ndaj ish të përndjekurve; sepse ish të përndjekurit nuk është se janë të titulluar me ligj që të kenë përfaqësuesin e tyre në Gjykatën e Lartë; sepse interesat e ish të përndjekurve nuk është e thënë se mund të mbrohen, as të shprehen, vetëm nga një ish i përndjekur; dhe sepse ish të përndjekurve nuk është e thënë se u koincidojnë interesat.

Më në fund, vetë reagimi i Medi Bicit ndaj rrëzimit që ia bëri kandidaturës së tij Kuvendi nuk më duket prej juristi potencialisht anëtar të institucionit më të lartë gjyqësor të shtetit shqiptar, por më tepër prej një viktime të politikave të shëmtuara partiake në Shqipërinë e pas 1990-ës; çka do të mjaftonte, në vetvete, për ta përligjur a posteriori vendimin e Kuvendit.

3 Komente

  1. Ka pasur nje reagim shume te hapur nga ambasadori i SHBA-se per kete ceshtje ne nje interviste te dhene nje te perditeshmeje shqiptare. Argumenti i tij, duke e perifrazuar, ishte se rrezimi i kandidaturave nuk reflekton aspak nje proces demokratik, por venie interesash te tjera mbi vete interesat e ceshtjes. Per ta ilustruar me tej i vazhdoi duke thene se nuk eshte e mundur qe te gjitha kandidaturat te kene qene te papershtatshme, duke sjell si shembull kandidaturen e dikujt qe ka punuar per 9-te vjet ne Gjykaten Europiane te te Drejtave te Njeriut ne Strasburg.
    Ashtu si e lexoj une kete deklarate, qe perputhet mendoj dhe me thelbin e ceshtjes dhe ate qe ka shkruar Xha Xhai me siper eshte kjo; a do ta ulin bythen te punojne parlamentaret dhe politikanet tane per ato gjera qe jane zgjedhur dhe ua ka caktuar ligji, ne vend qe te merren me lloj lloj interesash dytesore dhe konfliktesh meskine pa buke, qe ndonjehere edhe i kane vene flaken ketij vendi?
    Kurse sa per kriteret e perzgjedhjes, heren e fundit qe ndoqa me vemendje nje procedure te tille per poste te ketij niveli, sigurisht nga pozicioni i jashtem i nje qytetari, ishte ai i perzgjedhjes se prokurorit te pergjithshem, dhe me duket e tepert te them qe kam ngelur i shokuar; kandidatura u propozua dhe u miratua per pese ore.
    Cfare kontarsti me procedurat e vendit ku jetoj, Amerikes, ku miratimet per te tilla poste shoqerohen nga seanca pa fund degjimore, ne te cilat shpalosen edhe qendrimet e kandidateve per shumicen e ceshtjeve, por edhe pervoja e tyre jtesore dhe profesionale!
    Thjeshte desha te theksoja ate qe mendoj ka dashur te thote ambasadori, se nje demokraci nuk mund te fuksionoje nese perfaqsuesit e vet nuk mendojne dhe veprojne ne menyre te hapur per interesat e shoqerise, por mbrapa skenave per interesa private apo te grupit.

  2. Xhaxhai ketu apo edhe ne albclub ka kritikuar shpesh teknokratet, ne kendveshtrimin qe disa prej tyre jane njerez pa personalitet dhe tentojne permes “profesionalizmit” te tyre te justifikojne zullumet e politikes. Kujtoj shembullin e perdorur prej tij (xhaxhait) ne lidhje me 2 raportet teknike qe dolen pro/kundra nenkalimit te Zogut te Zi…

    Per ta lidhur me “Detyra apo Ofiqe” – natyrisht xhaxha i dashur qe zoteria ne fjale ishte habia me e madhe nder juristet (qe une njoh, dhe njoh ca :)…). Nje 6-mujor pa asnje merite ne drejtesi vec te ardhurit nga shtresa e te persekutuarve, nuk e kishte vendin ne GjL. Kjo sidoqofte nuk do te thote se nuk ka ne kete gjykate gjyqtare te tjere te nivelit te Bicit…
    Personalisht pres me tmerr emerimet e ardhshme ne Gjykaten Kushtetuese (ne te Larten, mire a keq, gjyqtari i te drejtes se aplikuar do arrije te qullose dicka, edhe ne mos qofte me i miri i civiles a i penales, por kontrolli kushtetues eshte teper elitar dhe i sofistikuar, cdo vendim nenkupton filozofi dhe doktrine, Hegel, Kant, Savinji, Dworkin, republikanizmi, barazia…- gjera qe ne veshet e shumices apsolute te juristeve shqiptare duken si “meselera me Xhixhilera”)

    Per ta lidhur me paragrafin e pare – xhaxha, e vertete ajo qe teknokrate pa shtylle kurrizore i behen qilim dhe jorgan politikes, por, pyes une, e mendon se c’mund ti behen te paaftet??? Sepse ai profesionisti i afte dhe me emer, do shkoje deri ne nje pike dhe aty do qendroje, per seder te profesionit, por keta te tjeret nuk kane asnje lloj skrupulli…

    Sepse pa dyshim qe e konsiderojne veten ofiqare dhe dinjitare…

  3. Të kuptoj aq mirë sa s’bëhet, PNH.
    Kur punoja në Akademi të Shkencave, kisha kolegë të të gjitha kategorive: mes të cilëve edhe teknokratë mendjengushtë, edhe nga ata të paaftët e katapultuar në poste e detyra për të cilat nuk kishin kurrfarë kompetence.
    Teknokratët dhe specialistët, me pak përjashtime të lumtura, janë frikacakë të mëdhenj, konformohen shpejt, dhe kujtojnë se me anë të mençurisë së tyre mund të kompensojnë për mungesat karakteriale ose të shtyllës kurrizore. Edhe teknokratët e mi ashtu vepronin: të mefshtë, pak dinakë, me këmishat të hekurosura mirë.
    Megjithatë, ishin të paaftët që i bënin punët çorap, sipas orekseve të ‘protektorëve’ të tyre; dhe që, tek e fundit, e çuan Akademinë e Shkencave drejt shpërbërjes; sepse të paaftët janë të detyruar të bëjnë zhurmë të madhe për t’u treguar të tjerëve se ekzistojnë; madje jetojnë nëpërmjet intrigës.
    Në analizë të fundit, të paaftët gjithnjë fitojnë, por zakonisht pirgu i plehut ku arrijnë më në fund të ngjiten është gati për t’u shembur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin