SI PËRHAPET NAMI I KEQ

nga Veli Shkoza

Gjatë këtyre javëve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm artikujsh publikuar nga mediat shqiptare mbi emigracionin shqiptar në Britani. Veçanërisht, Top Channel-i, një nga mediat kryesore – i vetëdeklaruar si “burimi kryesor i informacionit për të gjithë shqiptarët” – ka publikuar përkthime të paktën shtatë apo tetë artikujve të marra nga mediat britanike. Që mediat shqiptare interesohen për zhvillime që kanë të bëjnë me shqiptarët që ndodhen jashtë Shqipërisë, mund të konsiderohet si diçka normale. Por çfarë të bën përshtypje mbi këto “reportazhe” është mënyra se si ato janë marrë dhe përkthyer nga mediat britanike – pothuajse “verbazi”, pa asnjë sy kritik apo përpjekje për të analizuar këta artikuj dhe kuptuar kontekstin e medias dhe atë të politikës britanike ku këta artikuj po “shfaqen” me shumicë në këtë moment. Në pamundësi për të ofruar një analizë dhe reportazh kritik, unë sugjeroj se media shqiptare, nëpërmjet këtyre përkthimeve, nuk “raporton” thjesht jetën dhe vështirësitë e shqiptarëve jashtë atdheut, por kontribuon për përhapjen dhe riprodhimin e stigmës apo namit të keq, që shqiptarët vuajnë gjithandej në Evropë.

Artikujt mbi emigracionin shqiptar në Angli, që përmendëm më lart, janë marrë nga katër gazeta britanike: The Mail on Sunday, The Sun, The Daily Express, The Telegraph. Tri të parat nga këto gazeta janë “tabloid” – d.m.th. populiste, që e bazojnë raportimin e tyre në publikime sensacionaliste – dhe e fundit është “broadsheet” – d.m.th. më pak sensacionaliste. Por çfarë kanë të përbashkëta këto gazeta është fakti që ato janë të njohura në shtypin britanik si “rightwing newspapers”, d.m.th. gazeta të së “djathtës”. Është e rëndësishme të shpjegojmë këtu se ç’do të thotë gazetë e “djathtë” në Britani: në kontekstin e emigracionit, do të thotë gazetë me një agjendë raciste dhe antiimigrante. Në Britani, sidomos në Angli, The Mail on Sunday, The Daily Express dhe The Sun janë më se të njohura për sulmet e tyre dhe shpërndarjen e imazheve negative ndaj imigrantëve, si p.sh. imigrantët nuk janë të “integruar”, marrin punësimin e “vendësve”, “mashtrojnë sistemin”, jetojnë jetë “paralele”, janë “terroristë” etj. Një nga grupet që është bërë një “shënjestër” e zakonshme e këtyre gazetave janë vetë shqiptarët. Shqiptarët janë si një “bogeyman” për këto gazeta, një grup imigrantësh që sjellin vetëm “probleme”, “kriminelë” që fusin “frikë” te shoqëria britanike.

Në një nga artikujt e publikuar në The Mail on Sunday, që u raportua nga Top Channel po në të njëjtën ditë – 7 gusht – flitet për numrin e shqiptarëve që kalojnë kufirin midis Francës dhe Anglisë me gomone. Artikulli ishte një lajm kryesor – “frontpage headline” – për gazetën dhe kishte si qëllim të përforcojë një ide dhe imazh që mediat e djathta në Angli kanë kohë që e kanë të fiksuar, ideja që azilkërkuesit që vijnë në Angli nuk janë “të vërtetë”, por “imigrantë ekonomikë”. Rasti i shqiptarëve, sipas kësaj gazete, e “provon” këtë, pasi Shqipëria është në paqe dhe jo në luftë. Krah për krah me artikullin botuar mbi numrin e azilkërkuesve që kalojnë Kanalin e La Manshit për në Angli – dhe numrin e lartë të shqiptarëve, 4 nga 10 që kalojnë kufirin – është dhe një opinion nga Richard Tice, kryetari i Partisë Reformë në Britani. Në të, ky i fundit bëri lidhjen e drejtpërdrejtë midis emigracionit shqiptar dhe kriminalitetit, duke thënë se “ekziston mundësia se shumë prej atyre që mbërrijnë me gomone, kthehen në ushtarë të grupeve kriminale, duke zëvendësuar ata që janë dënuar e janë pas hekurave.”

Në raportimin e këtij artikulli, Top Channel-i përfshiu dhe kuotën më lart të Richard Tice-t, i cili e lidh imigracionin shqiptar me kriminalitetin, pa ofruar asnjë fakt, po thjesht bazuar në spekulim. Asnjë kritikë apo analizë nuk u ofrua nga media shqiptare për këtë përkthim. Fakti është p.sh. që Richard Tice është kryetar i një partie ekstremiste të së djathtës, që s’ka pjesëmarrje në parlament, por është e njohur për programet dhe opinione raciste dhe antiimigrante në Angli. Artikulli është përkthyer sikur nga “Google translate” dhe jo nga gazetarë shqiptarë, pa asnjë reflektim mbi agjendën e këtyre gazetave dhe kontekstin politik në Angli. Kalimi me gomone i emigrantëve në kufirin e La Manshit nuk është një fenomen i ri; një nga arsyet kryesore që ky Kanal është gjithandej nëpër mediat dhe televizionet britanike është se këtë muaj do të zgjidhet kryeministri britanik pas dorëheqjes së Boris Jonhson-it, dhe çështja e kalimit të La Manshit, ose siç i thonë anglezët “English Crossing”, është bërë një nga prioritet më të mëdha të qeverisë së “djathtë” britanike këto kohët e fundit, dhe kandidatët për kryeministër premtojnë dita-ditës që do t’i ndalojnë këtë kalime “ilegale”. (Një zhvillim edhe më shqetësues në këto ditët e fundit në lidhje me emigracionin shqiptar është pjesëmarrja e qeverisë shqiptare, apo më saktë policisë shqiptare, në përpjekjet e Anglisë për të ndaluar shqiptarët që të aplikojnë për azil në Britani. Se sa e ligjshme dhe dëmtuese për emigrantët shqiptarë dhe imazhin e shqiptarëve është ky “bashkëpunim”, kjo është temë për një shkrim tjetër.)

Artikuj të tjerë publikuar kohët e fundit në Top Channel janë marrë dhe nga gazetat The Sun dhe The Daily Telegraph. Edhe këta të fundit bazuar në emigracionin shqiptar në Angli, dhe pikërisht kalimin me gomone në Kanalin Anglez. Në këta artikuj, sidomos ai tek The Sun, shqiptarët portretizohen jo vetëm si pjesëtarë të bandave kriminale, që kalojnë emigrantë të paligjshëm në Angli, po dhe si “azilkërkues të rremë”, si “mashtrues” dhe “shfrytëzues” të sistemit të azilkërkimit në Britani. Përsëri, asnjë nga këto deklarata të gazetarëve dhe gazetave britanike nuk është analizuar dhe kritikuar nga media shqiptare, por marrë si fakte të vërteta. Le të marrim për shembull mënyrën se si artikulli i The Sun ishte prodhuar. Në artikullin në fjalë thuhet që investigimi u bë nëpërmjet një reporteri të gazetës, që pretendoi se ishte “emigrant shqiptar” dhe u mundua të futet në “TikTok chats” dhe të bisedonte me trafikantët shqiptarë. Por t’i hedhësh një sy më afër këtij artikulli, shumë gjëra janë të paqarta dhe jo bindëse: p.sh., si u krye ky investigim? Çfarë roli luajti “reporteri shqiptar”? Me sa “TikTok grupe” u lidh ky “reporter”? Sa të vërteta ishin këto grupe? Çdo njeri mund të krijojë një “TikTok group” dhe t’i vërë çfarëdolloj emri në botën digjitale. Por gazetat, si The Sun, The Mail on Sunday, The Daily Telegraph, nuk duan shumë “investime” gazetarie të prodhojnë dhe riprodhojnë artikuj mbi shqiptarët. Mjafton një thashethem, një spekulim, ose të gjesh një njeri që flet shqip e bëji ca pyetje ose ktheje në reporter investigativ – dhe një artikull mbi shqiptarët prodhohet në majë të gishtave.

Po cilat janë faktet që nuk u interesojnë mediave të së djathtës britanike dhe humbasin tek mediat shqiptare? Le të marrim deklaratën se shqiptarët nuk janë azilkërkues të vërtetë, po thjesht “imigrantë ekonomikë”. Po gjatë këtyre javëve të fundit, gazetat The Guardian dhe The Independent, gazeta të së majtës britanike kanë raportuar se nga kërkesat për azil të shqiptarëve në Britani, 55% janë të suksesshme, një përqindje jo e vogël, sidomos kur krahasohet me përqindjen mesatare në vend. Kur vjen puna mbi legjitimitetin e azilkërkuesve, cilës duhet t’i japim më shumë besueshmëri, sistemit ligjor në Angli apo medias së djathtë britanike? Më tej, ideja – që artikujt e The Sun, The Daily Express e The Mail on Sunday promovojnë dhe që mediat shqiptare e riprodhojnë – se shqiptarët nuk mund të kërkojnë azil, se Shqipëria s‘është në luftë, nuk bazohet në ligjet ndërkombëtare të azilkërkimit dhe Konventën e Refugjatëve të OKB-së: ligji nuk është se vetëm ata që përjetojnë luftë duhet të kërkojnë azil, por thotë se çdo njëri ka të drejtë të aplikojë për azil nëse nuk ndihet i sigurt, pavarësisht nga vendi i origjinës. Për aq kohë sa ky ligj ekziston, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë azil në Angli apo çfarëdo vendi tjetër në botë.

Së fundmi, dy fjalë mbi statistikat e shqiptarëve. Siç e përmenda edhe më lart, si një grup “bogeyman”, numrat e lartë të shqiptarëve gjithmonë tërheqin vëmendjen e shtypit e të mediave, qoftë në Shqipëri apo Britani: “4 nga 10 persona që kalojnë kufirin anglez janë shqiptarë”; “numri i azilkërkuesve shqiptarë në Evropë nga më të lartët”; “shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve në burg”, “shqiptarët në krye të listës për martesat e rreme” etj. Këto janë disa nga statistikat e dhimbshme të shqiptarëve, që mediat nuk përtojnë t’i vënë si tituj kryesorë dhe t’i tundin si këmborë turpi sa herë të munden. Është e vërtetë se këta numra dhe tregues janë të jashtëzakonshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një vend të vogël si Shqipëria. Por emigracioni shqiptar është i jashtëzakonshëm të paktën për dy gjëra: në Evropë nuk ka asnjë vend që ka humbur më shumë se një të tretën e popullsisë së tij. (Në fakt ky rast është ekzemplar dhe në botë për shkallën e emigracionin në lidhje me popullsinë e tij.) Së dyti, në një farë mënyre, Shqipëria përjetoi izolim jo vetëm gjatë komunizmit, por edhe pas viteve ’90: ky ishte në formë të kufijve të pakapërcyeshëm, mureve burokratike dhe kalave të pakalueshme të emigracionit evropian. Megjithëse gjërat kanë evoluuar e kanë ndryshuar këta 30 vjetët e fundit, sidomos nëpërmjet Schengen-it, këto mure vazhdojnë të ekzistojnë dhe të krijojnë vështirësi të mëdha dhe mjerim për shqiptarët: këto mure janë arsyeja që shqiptarët vuajnë nga ajo që shkrimtari i njohur Gazmend Kapllani e quan “sindroma e kufirit”. Që shqiptarët kanë mundur të emigrojnë en mass dhe vazhdojnë kështu dhe sot e kësaj dite, megjithëse “dyert i gjejnë të mbyllura”, është me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme. Emigracioni është tani pjesë e identitetit shqiptar dhe historia e shqiptarëve në këto dekadat e fundit është një histori e betejës me kufijtë, që meriton vëmendje serioze nga mediat, politikanët dhe shoqëria shqiptare.

© 2022 Veli Shkoza. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin