ME VALË TË SHKURTRA

Kam një radio me valë të shkurtra, por s’më bëhet ta ndez.

Jetoj në NYC, një qytet që shndrit kaq shumë, sa edhe yjet natën në qiell mezi duken, dhe fare lehtë mund ta ngatërrosh Jupiterin me ndonjë aeroplan të vonë të American Airlines, që rreket t’i afrohet aeroportit në La Guardia.

Radioja ime me valë të shkurtra është nga më të mirat – markë e rekomanduar, vjen me një manual përdorimi që është më i rëndë se radioja vetë.

Mirëpo nuk më bëhet ta ndez.

Radion e kisha menduar si një nga ato pak objekte që do të më mbanin të lidhur disi me të shkuarën time tiranase; netët e gjata të dimrit, kur televizori nuk i kish uzurpuar ende jetët private.

Aso kohe e përdornin si dritare, ose baxho për ajrosje.

Radioja e parë që mbaj mend nga fëminia ka qenë një “Stassfurt” gjermanolindore, prej bakeliti mavi, me emra të panumërt stacionesh të shkruara ngjeshur në kadran: Hilversum, Timisoara, Bayreuth, Bratislava, Lubljana, qytete të tjera të çuditshme të panjohura të pamundshme për të ekzistuar.

Kishte edhe një sy magjik të gjelbër, prej qiklopi të ftohtë shtëpiak e me shapka.

Ishte radio e vjetër, e rreshkur me avuj të kuzhinës tradicionale shqiptare e me tym duhani “Diamant”; ime më dëgjonte RAI-n gjithë ditën me shpresë të Adriano Celentano-s; deri në mbrëmje, kur i vinte radha “Revistës Radiofonike”, ose “Universitetit Popullor të Radios”.

Sa për valët e shkurtra, këto nuk t’i rekomandonte kush; si të ishin dhoma të një hoteli province, ku ishte kryer ndonjë krim veçanërisht i përbindshëm. Mund të hyje e të dilje, por shpejt e pa bujë; sa për të hequr kunjën, e për t’u bindur se atje s’kish gjë as për ty, as për njeri tjetër.

Ishin një e keqe ndoshta e pashmangshme, mbeturinë e botës së vjetër; me strukturë si rrathët e ferrit dantesk, ku ulërinin labçe ulkonjat e borgjezisë, revizionizmit dhe reaksionit ndërkombëtar.

Kur isha ende i vogël, më tërhiqnin shumë impulset magnetike, shkarkesat, transmetimet në Mors, siglat e mprehta elektronike që paralajmëronin emisione me propagandë të fuqishme.

Ishte koha kur njeriu po e pushtonte kozmosin, dhe të gjithë shpresonin në kontaktin e parë me qytetërimin jashtëtokësor.

Ishte koha kur rivelacioni thuhej se do të na zbriste nëpërmjet antenave.

Lëvizja rrotullën e sintonizimit me mollëza të gishtave, dhe zërat armiqësorë në gjuhë të huaja nuk më linin t’i dëgjoja mirë mesazhet e dërguara nga Beta Cygni, apo Alpha Aurigae…

Derisa një ditë prej ditësh ndesha në një zë që më foli shqip, por në një shqipe tjetër, të harrueme; pa shkëlqimin e bronztë të Radio Tiranës e pa koret revolucionare në sfond; ndoshta ka qenë Radio Moska, ndoshta Vatikani.

Nuk e mbaj mend. Mbaj mend vetëm që më urdhëruan t’i rrija radios larg.

Aso kohe kishim marrë edhe televizor. TVSH-ja transmetonte pak e sak, sa për të na kujtuar se ekzistonte; sinjalin e RAI-t e kapnim me një antenë kaba e të shtrembër, sinjali i televizionit jugosllav rridhte vetvetiu, si uji që pikonte ndonjëherë prej vendit ku ishte thyer tjegulla në çati.

Televizori ynë të lejonte t’i kërkoje kanalet në mënyrë graduale, me rrotull; si në radio.

Ndonjëherë, paraditeve, të qëllonte të kapje ndonjë sinjal të përtejmë; televizionin suedez e ndoshta lituanez ose bjellorus.

Magji e mrekullueshme, botë alternative, kontakt me jashtëtokësorët.

Kujtoj edhe një radio tjetër sovjetike, me kasë hijerëndë prej druri panje: e markës prestigjioze “Riga”, e ruante madhështinë prej paradash në Sheshin e Kuq, madje po t’i merrje erë, kutërbonte si llulla e Stalinit.

Atë radio të predispozuar për propagandë antishqiptare, e përdornim më shumë për të dëgjuar “Radiopostën” të dielave në mëngjes kur pastrohej shtëpia, ose futbollin që përcillte Anton Mazreku ose “Teatrin në Mikrofon” mbrëmjeve; derisa dikush më mësoi si ta zëvendësoja “Heroizmin e popullit tonë në shekuj” me Hit Parade-n e RAI-t italian, por kjo është histori tjetër.

Valët e shkurtra më pranuan si dëgjues kur nisa të marr vesh gjuhë të huaja: anglishten, italishten. Thoshin që anglishten perfekte e fliste BBC-ja.

Për çudi, sigla e BBC-së menjëherë m’u dëgjua e njohur; e kisha ndeshur në kolonën zanore të filmit të fëminisë “Pitkini Ushtar”. Ngushëllim që nuk paskëshim qenë aq të izoluar, pavarësisht nga rrethimi imperialisto-revizionist. Me Pitkinin e kishim çarë bllokadën.

Në kërkimet e mia fillestare radiofonike herë pas here do të më përplasej shqipja në fytyrë: radio Sofja; radio Athina me një shqipe të çalë e kërcënuese; radioja turke që përdorte të njëjtët folës si edhe radioja greke; më pas edhe radio Pekini, gramatikisht e paqortueshme. Zërin e Amerikës në shqip thuhej se e zhurmonin; sikurse radion Evropa e Lirë, e cila më bashkëlidhej gjithnjë me diversantët e parashutuar, e që nuk di pse ma kapte gjithnjë rrotulla në rumanishte.

Përndryshe, transmetimet e VOA në “anglishte të thjeshtë” më përfytyroheshin si të shqiptuara nga një spiker i shëndoshë e i mufatur, që nuk arrinte dot t’i zbathte çizmet e rënda.

Stacionet më të forta e shpuese flisnin arabishte; ku fjala ndërpritej herë-herë nga muzika, ose muzika nga fjala, në një garë që i mbahej fryma; sikur po transmetohej drejtpërdrejt mbytja në Nil e një lundre të plogët, mbushur dingas me orkestrën simfonike të Kajros…

Më pas blemë një radio bardhezi të markës “Mimoza”, prodhuar në Çeki, por me kadranin në shqipe. Përsëri të njëjtat emra qytetesh të panjohura: Hilversum, Timisoara… që më tundonin për t’i vizituar, turist atipik në kërkim antenash e radiostacionesh kontinentale ose llixhash elektromagnetike; lakuriq nate trullosur e rrokullisur nga lartësitë e jonosferës.

Radioja “Mimoza” vinte me dy banda valësh të shkurtra, ose dy vija horizontale të zeza ku ishin shënuar, mirë e shkoqur, valët 49 m, 41 m, 31 m, 25 m, 21 m, 19 m, 16 m.

Thuhej se diku një grupi pensionistësh nuk i kishte shpëtuar koincidenca që pikërisht në këto valë transmetonte në shqip edhe Radio Moska; prandaj ua kishin qëndisur letrën organeve përkatëse.

Televizori i kish pushtuar vërtet vatrat, por radioja mbetej armë për ditë të vështira, njëlloj si dikur gjatë luftës ose edhe më herët; sepse valët e radios mbërrijnë nga qielli njëlloj si drita e yjeve; nuk ke si t’i ndalësh, as si t’i kontrollosh me mënyra të tjera, përveçse po të futesh në dhé si urithi.

Mbaj mend që kur e denoncoi “Zëri i Popullit” teorinë maoiste të tri botëve (në 1976), artikullin e kam dëgjuar të lexuar, pjesë-pjesë, nga Radio Moska; nga një spiker që e fliste shqipen korrekte, por me diksion kaq të ndryshëm nga Radio Tirana, sa çdo fjale kuptimi i tingëllonte ndryshe.

Përndryshe emisionet shqipe të Lindjes ishin të mërzitshme e pa kripë; të mbushura me shifra arritjesh dhe analiza të arsyeshme ose me biografi shkrimtarësh të afirmuar të traditës dhe receta ëmbëlsirash sllave me brumë të thartuar. Mua më pëlqente më tepër të kuturisesha në gjuhë të Perëndimit, sepse ashtu ëndërrohej më mirë… Ose të dëgjoja raporte të trafikut për Mynihun ose Kopenhagenin ose Stockholm-in; parashikimin e motit për Barcelonën ose Hilversumin ose Helsinkin; oraret e muzeumeve në Paris ose në Gjenevë; madje edhe ndonjë këngë pop qoftë norvegjeze qoftë austriake, që zgjatej si çamçakizi e këputej përgjysmë nga distorsioni, ose shpërthimi i paparashikuar i ndonjë ylli supernova në konstelacionin e Shigjetarit.

Radioja me valë të shkurtra ishte një nga ato makina që prodhonin liri, duke të bërë të vibroje në të njëjtat frekuenca me universin mbarë.

Liria, për mua shqiptarin, merrte trajta të pagjasa: cricket i transmetuar live nga BBC-ja; një dramë e Euripidit e vënë në skenë gjermanisht; një këngë e rrallë e Beatles -ve në një stacion hungarez ose bask; një poemë e Pablo Neruda-s e lexuar në esperanto nga Radio Hanoi; historia e rishikuar e Madagaskarit në valët e RFI; lajmet e Swiss Radio International në portugalishte, ose më të rrallë edhe në spanjishte.

Pa përmendur transmetimet e palodhura të satelitëve spiunë, raportet e rrufeshme të ambasadave, stuhitë diellore, shtyllat e tensionit të lartë, zhurmuesit dhe kundërzhurmuesit, pulsacionet e Saturnit, radarët e fuqishëm të Flotës së Gjashtë, zilja difektoze e shkollës 8-vjeçare “Avni Rustemi”, radiolojërat e zbulimit “tonë”, një saldatriçe e rastit, sinjalet që i drejtoheshin periodikisht agjenturës polake në Tiranë, interferenca prej lavatrices që centrifugonte në banjë ose kandelave të një ZIS-i kinez në rrugën përbri.

Ngaqë shumica e stacioneve gjallëroheshin natën, të dukej sikur Shqipëria jote kish mbetur në errësirë. Një vals i Çajkovskit, ose saksofoni i një Sony Rollins e i një Charlie Parker, ose koha e parë e një simfonie të ndritshme të Haydn-it, ose edhe vetëm një trumpetë e largët e largët e largët e një fanfare baroke të Giovanni Gabrieli-t ishin prova të një jete tjetër, paralele, e cila mund të kish qenë e jotja, por nuk ishte.

Aso kohe radion e kisha zhvendosur te komodina në kokë të krevatit, për ta dëgjuar në dimër, kur në dhomën time bënte aq ftohtë sa as duart nuk i nxirrja dot prej jorganit, për të mbajtur librin ose cigaren.

Ishte portali im për në universin tjetër që nuk ma kontrollonte dot kush. Ishte një hartë gjeografike e vizitueshme, ose formula për ta ëndërruar botën symbyllur.

Ishte materializimi i dëshirës totale për t’u arratisur, ose mohimi njëlloj total i konceptit të murit, mbi të cilin ishte themeluar krejt totalitarizmi.

Në fund të vitit 1990 u largova nga Shqipëria për t’u vendosur në Napoli.

Rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës, në Tiranë, e kam dëgjuar të transmetuar drejtpërdrejt nga Napoleon Roshi, në valët e shkurtra të Tiranës – mohim i mohimit, ose ironi e fatit!

Prandaj e kam radion me valë të shkurtra edhe në NYC; prandaj edhe nuk më bëhet ta ndez.

Sepse portali ende më hapet, por bota përtej ka pësuar katastrofë; gjallërinë e ka zëvendësuar heshtja, lirinë e fluturimit pylli katërqind-kanalesh i kabllit televiziv dhe milionat e adresave në Internet.

Tek-tuk më pikas, që nga altoparlanti, ndonjë predikues i marrosur i megakishave, për të më kallur tmerrin e ndëshkimit. Apokalipsi po troket në derë: REPENT!

Më rrallë është përsëri VOA, që i flet spanjisht Fidel Castro-s; event i ngecur në kohë, thuase ritransmetimi i historisë në radio e paska një vlerë, gati-gati, artistike. Edhe pak durim, e mund të kap ndonjë mbrëmje fjalimet e J.F. Kennedy-t live.

Ich bin ein Radiophoniker.

Më merr malli për kaosin e djeshëm, Luftën e Ftohtë, propagandën kundërrevolucionare, radio-pelengimin, transmetimet në Mors, shpresat për komunikim me qeniet e arsyeshme në Aldebaran.

Nuk pendohem.

Radios me valë të shkurtra ia ruaj bateritë të freskëta; por nuk më bëhet ta ndez. Edhe pse tashmë jam arratisur, ëndrra për t’u arratisur më ka mbetur e paprekur.

Në 49 m, në 31 m, ku të jetë. Sapo të erret.

 

9 Komente

  1. Xha xhai

    Rrefimi eshte fantastik. Me ke kthyer 20 e ca vjet mbrapa dhe po perjetoja kohet kur dija permendesh cdo orar te programeve te italianit, BBC e te te tjera. Njesoj si ty kam harxhuar 180$ per nje radio SONY World Reciver qe e kam ndezur vetem dy tre here, por qe me beso ashtu si edhe ti e mbaj gjithmone gati te vajisur.

    “Edhe pse tashmë jam arratisur, ëndrra për t’u arratisur më ka mbetur e paprekur.”

    Unbelievable. Me ler te mbushem me fryme e te mendohem prape

  2. “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet” 🙂 .
    Shënomëni dhe mua, që megjithëse asnjëherë se mora vesh korrespondencën ndërmjet frkuencave që thoshin spikerat dhe numrave mbi xhamin e radios, dëshira për ta ngritur antenën deri në fund dhe për të ‘eksploruar’ stacione të tjera ka qënë paraprijëse e ‘sëmundjes’ së zapping-ut .
    Kënaqësia më e madhe: pasi e linim përherë me bateritë e shkarkuara (ato të rejat ja lidhnim nga jashtë), kur vinte nëndrejtori i konviktit, e shikonte gjithmonë të sintonizuar shigjetën e stacioneve tek RadioTirana, dhe nuk e dinte i shkreti se filli i shigjetës ishte sfazuar në mën. të atillë që në atë pozicion të dëgjohej radioja e preferuar….

  3. Vallë si tingëllojnë në veshët e të rinjve të sotëm, e kam fjalën për djemtë e post-murit, kujtimet tona, shkruar aq bukur nga Xha Xhai? Të çuditshme, mendoj. Të tjetërplanetshme, them. Sepse mungojnë premisat: ndalimi, përgjimi, shtypja. Por edhe diçka tjetër. Dëshira për të jetuar plotësisht, realisht, pa ndjenja surrogato.
    Kështu e kuptoj unë mallin e Xha Xhait, por edhe tonën, për atë kohë të frikshme; kështu e lexoj ëndrrën për t’u arratisur, që na mundon të gjithëve. Dikush mund ta ngatërrojë mallin (ndoshta pa mirëbesim) me nostalgjinë “totalitare”, por këtu nuk hyn diktatura: është njohja e vlerës së jetës.

  4. Si nga pas murit na vjen zeri, si tinguj te shkeputur te nje valsi, qe po te perpiqemi pak me teper, t’a mbeshtetim koken me fort pas murit, ndoshta do t’i kapnim finalen.

    Nuk di te them a kam mall per nje mungese totalitare te lirise, por per as edhe nje arsye, jo. Nuk kam mall dhe nuk me mungojne as ndjenjat surrogato e te shtypura, as krenaria qe do mund te shtrydhja nga dhimbja, as solidariteti bashkevuajtes i koduar brenda rratheve te zinj te syve qe shprehen ndryshe, as miti i te perjashtuarit, as mistika gnostike e te persekutuarit te ri, qe lind sa here vjen rradha e hakmarrjes e te persekutuarit te djeshem, as arratisja nga iluzioni i lumturise dhe as pervetesimi i perjetshem i revolucionit nga shtypesi.

    Nuk kam mall dhe nuk me mungojne sepse keto gjera, qe personalisht nuk i kam pare dje, i shoh sot.

    Arratisja nuk ka brenda vetem nostalgjine per injorancen e djeshme, sic e ka interpretuar Pishaku radion e xhaxhait, sic edhe duhet interpretuar, por edhe iluzionin e ri qe gjen tek lumturia e azildhenesit e kishte brenda qe para se ajo te kryhej.

    Nuk di te them nese arratisja nga arratisja, pra arratisja e perjetshme eshte zgjidhja, pasi vjen nje moment qe edhe kjo e humbet kuptimin, atehere kur iluzionin e perjetesise e shkaterron vdekja, e vetmja ajo se ciles nuk i arratisemi dot. Por ideja eshte te vazhdojme arratisjen sa te mundemi, pasi te arratisesh do te thote te perpiqesh te jetosh si do e te vdesesh si di.

    Perndryshe, kjo radio duhej treguar, qe ne te mesojme se si dhe sa brezi juaj u arratis, dhe si dhe sa ne mund te arratisemi me larg. Deri ne Aldebaran thote xhaxhai, ky arratises i madh.

  5. Nje tjeter bukuri na vjen perseri nga Xhaxhai. Qesh me vete dhe me vijne para syve kujtime te vjetra dhe te bukura te radios. Si ajo e frengjia e e qeles se Edmond Dantes ne Iff i cili kacavirrej cdo mengjez dhe darke per te mare ajer dhe per te pare agimet dhe qiejt e nates, edhe ne i rrinim prane asaj ne kerkim te misteriozes dhe per te kuptuar se vertet kishte edhe te tjere vec nesh qe rronin ne kete rruzull.

    Trainimin per valet e shkutra e kam mare ne Vlore te dajua im i cili ishte antikomunist i betuar dhe priste me pa durim qe te vdiste Enver Hoxha e qe te zbarkonin anglo-amerikanet. Ai kishte nje Soneberg me gjashte banda dhe te kushtueshme ne ate kohe. Nuk kishte gje qe nuk kapte me nje pasterti zeri ku e ku me te tjera qe kisha pare une. I degjonte te gjitha me rradhe deri sa ne fund e mbyllte me Emisionin e Fundit te Lajmeve te Radio Tiranes sepse sipas tij ishte i vetmi edicion lajmesh ku thuheshin lajme te verteta. Arsyeja ishte qe askush nuk i degjonte ato aq vone. Nejse; nuk eshte e veshtire qe te kuptosh qe ishte i cbilancuar i gjori.

    “Syri Magjik” i Latvija-s time, qe nuk ishte tjeter vec nje pentode e ferkuences se ulet me katode floreshente, me hapjen e bebes horizontalisht te tregonte fortesine e sinjalit te stacionit. Une ate ruaja me shprese qe te mos levizte gjate edicioneve te VOA. Andej nga fundi i 80-ve edhe ajo u dogj bashke me te edhe une u ndava perfundimisht nga valet e shkurtra dhe nga ajo radio.

    Sepse kemi shume nevoje per keto lloj shkrimesh qe na bien kujtime te koherave kur ishim ne kerkim te panjohures.

    Perseri te lumte Xhaxha.

  6. Nuk ja mbaj mend emrin radios time (“Sonra” me vjen ne mendje, po s’jam e sigurt) E madhe, me dru mobilje, e llustruar, me sy, me numra e emra pa fund. Pastaj kishim nje radio te vogel, si plastike, as asaj s’ja mbaj mend emrin. Tani s’kam radio, degjoj vetem radion e makines.

    Tek ai “Teatri ne Mikrofon” mbaj mend qe kishte ca drama te huaja, fillimisht, pastaj u bene te gjitha me partizane, ose merreshim me televizorin dhe nuk i degjonim me. Di qe radioja ishte e vendosur tek RAI, dhe nderrohej vetem ne oren 6 ne darke per te degjuar Zerin e Amerikes (nuk e mbaj mend kete punen e zhurmimit te VOA-se) Mbaj mend zerin e Elez Biberajt, qe kur e kam takuar per here te pare, isha gati ti hidhesha ne qafe, se me dukej sikur e kisha patur te aferm gjithe jeten.

    Nostalgjia mua gjithnje me duket e lidhur jo aq me kujtimet ne vetvete, qe shume shpesh jane kujtime mungesash e endrrash, se sa me vleren e femijerise dhe rinise ne vetvete. Tani qe kemi mundesite per ti realizuar ato qe me pare i kishim endrra fantastike, me ngjan se nuk kemi me endrra, as te zakonshme, pale fantastike qe jo e jo.

  7. pershkrim i papare! pergezimet e mia..keto shkrimet nostalgjike i keni shume shume te bukura dhe ndihet sinqeriteti dhe malli teksa i lexon!
    pershendetje!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin