ANEJA

Kam pasur fatin e mirë ta kaloj fëmininë me stërgjyshen time, një grua plakë që, në thelb, kish mbijetuar nga një epokë tjetër. Lindur nënshtetase e Perandorisë Otomane, kish njohur me radhë Sulltan Hamidin, xhonturqit, Ismail Qemalin, Princ Vidin, Esad Pashën, Sulejman Delvinën, Avni Rustemin, Kongresin e Lushnjes, Fan Nolin, Ahmed Zogun, Mussolini-n, Metaksanë, Hitler-in, Titon, Hrushovin, Maon dhe Enver Hoxhën. Para se të vdiste, përjetoi edhe momentin epokal të zbritjes së LEM-it amerikan në Hënë, të cilin e ndoqi jo nëpërmjet televizorit, por drejtpërdrejt nga veranda e shtëpisë. Debatet më të mëdha me mua i kishte për punë të Turqisë – sepse unë i shpjegoja sesi turku na kish “pushtuar” e na kish “vrarë” e na kish “rrafshuar”, ndërsa ajo ma kthente: “jo, jo, turqit janë të mirë.” Ishte koha kur Shqipëria përkujtonte me solemnitet të madh 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Aneja vishej gjithnjë me të zeza dhe flokët i mbante të lidhura gërsheta dhe të mbuluara me shami; por unë ia shihja ndonjëherë, kur i lante; dhe i kishte të bukura, të gjata dhe të bardha. Vinte e imët nga trupi dhe pak e kërrusur nga skolioza, por shtëpinë e administronte me dorë të hekurt. Aneja, sepse kështu e quanin të gjithë, nuk dinte shkrim e këndim, por dinte këngë për Çerçiz Topullin, Ali Pashanë dhe të tjerë heronj të kohës së vet. Njihte lulet, erëzat, barërat dhe jeshillëqet; gatuante me mjeshtëri të madhe gjellë të cilave tani edhe emrat u janë harruar; në të hyrë të pranverës lyente me gëlqere të bardhë shkallët përjashta shtëpisë; paratë dhe gjëra të tjera të çmuara (si pendelironin, që do të ketë qenë besoj një monedhë floriri greke) i ruante në një nyje të shamisë; shpjegonte që milingonat sjellin mbarësi dhe në dimër i linte lëkurat e mollëve të përzhiteshin mbi sobë, sepse, thoshte, me erën e tyre “rron një zog në hava”. Kur unë sëmuresha, pasi dilnin doktorët, profesorët dhe ekspertët qeveritarë nga dhoma, merrte një thëngjill ende xixëllues nga soba, e hidhte në një gotë me ujë, pastaj më vinte te krevati dhe më yshtte duke më spërkatur nga koka te këmbët. Megjithë mosbesimin ndaj mjekësisë moderne, nuk e kundërshtonte tim atë kur ky ia përvishte mëngën për t’i bërë ndonjë injeksion profesional me shtonte tim atw kur ky i bwntw to 20/56 (adjacent to the work site, according to what is established rations. THe uch as carbovitaminë B ose glukozë; dhe zbavitej pa masë kur i matnin tensionin e gjakut.

Të gjithë ata që vinin darkave për vizitë, do të shkonin t’i puthnin Anesë dorën; ndonjëherë më shtynin edhe mua t’ia puthja, nuk di për ç’arsye; por e mbaj mend sepse e kishte të mbuluar shpinën e dorës me ca njolla të murrme që në anglishte i quajnë “liver spots”. Autoriteti i saj matriarkal ngjante me atë të plakave të jetës te “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë; por pa damarin dramatik pothuajse apokaliptik të këtyre të dytave. Ishte shpirt shumë i ndritshëm. Një prej dhëndurëve të saj, leksikograf sqimatar e pak i deklasuar, e kish bërë zakon të mblidhte prej saj receta për qebape dhe gatesa të tjera; ose ëmbëlsira të lehta me bajame dhe ujë trëndafili që tani edhe shijen ua kam harruar. Aneja dinte edhe të tirrte lesh deleje me furkë, të qëndiste, të bënte dantella, të thurte triko, të përgatiste trahaná, qifqí, kokodashe dhe disa lloje makaronash me brumë të thartuar; si dhe të kontrollonte pulën për vezë por edhe ta therte në rast nevoje dhe të kryente gjithfarë punësh të tjera shtëpiake të vogla dhe jashtëzakonisht të dobishme.

Pas Anesë kanë rrjedhur edhe katër breza të tjerë femrash në familjen time: gjyshja ime, e cila tani edhe ajo ka vdekur; ime më; ime motër dhe ime bijë. Historia e tyre është edhe historia intime e Shqipërisë, larg skenave të mëdha të politikës dhe protagonizmit mashkullor, vringëllimit të armëve dhe dhunës publike. Nuk dua të futem në hollësira, por vetëm të përmend se e kam të vështirë të them nëse progresi i pashmangshëm është shoqëruar edhe me më shumë lumturi. Në disa rrethana, gratë i kanë kërkuar shoqërisë më shumë liri; në rrethana të tjera shoqëria ua ka imponuar. Rruzullimi i Anesë nuk ekziston më, madje edhe në rrëfenjat interpretohet gjithnjë ndryshe, në pajtim me fazat e Hënës; vajzave e sotme nuk u duhet të dinë asnjë nga mjeshtëritë me të cilat mburrej atëherë Aneja – sepse furkën, leshin dhe qëndismat i ka zëvendësuar Lord & Taylor, Bloomingdales dhe Banana Republic; artin e të gatuarit mjeshtëria e të zgjedhurit të restorantit ose e programimit të furrës me mikrovalë; dhe sa për të therurit e pulës, kam frikë se disa prej të tanishmeve as që e dinë se mishi në raftet e super-tregtores nxirret e shqyhet nga qenie të gjalla, që u gufmon gjaku curril nga dejet e qafës, kur ua presin kokën hanxharët e sharrat mekanike.

Aneja nuk punoi kurrë jashtë shtëpisë, përveçse kur e thërrisnin të bënte bakllavanë në ndonjë dasmë, kafenë në ndonjë kësoll, ose në misione të tjera të posaçme e gjysmë sekrete; ndërsa ime motër punon nga mëngjesi në mbrëmje, dhe ime bijë njëlloj studion nga mëngjesi deri në mbrëmje. Është thënë se midis gruas që punon për familjen e vet dhe gruas që punon për korporatën, e para është më e lumtur, e dyta më e realizuar. Nga ana tjetër, ime më, tanimë në moshë të thyer, nuk shpreson dot se një ditë do të ulet në krye të dhomës dhe vizitorët do t’ia puthin dorën me “liver spots” që i ka njëlloj si e gjyshja dikur. Aneja merrte vetëm një pension simbolik nga shteti, sepse nuk kish punuar kurrë; ime bijë, që sa ka mbaruar shkollën e mesme, ka llogari rrjedhëse në bankë. Brezat e rinj të femrave në familjen time kanë shëtitur botën dhe e kanë marrë jetën në duart e tyre; por Anenë e zinte gjumi më shpejt natën e ndoshta edhe ëndrrat i shihte më të qeta.

Dhe mua që më mundon gjithnjë ideja se historinë e Anesë nuk e rrëfej dot kurrë ashtu siç duhet e ashtu siç dua; edhe pse unë vetë jam atje mes personazheve, periferik dhe vëzhgues, sa krijues aq edhe i krijuar…

39 Komente

  1. Më bëre t’i shijoj më shumë castet e fundit me gjyshen time…

    Me këto fjalë i drejtohej Hënës për të më hequr ekzemën, por do t’i them para se të niset të më bekojë me thëngjill sic bënte kur isha e vogël.

    Hanë e re , Hanë e re
    e paemra nëpër dhe
    Hanë e vjetër, Hanë e vjetër
    E paemra n’ji ven tjetër
    Hana 15 ditë
    E paemra ikt.

  2. uuufffff………….me çthure fare,

    gjyshen time e therrasin gjithashtu Ane edhe pse nuk eshte emri i saj i vertete….
    dhe kur lexoja pershkrimin qe ti i ke bere, me dukej sikur shihja imazhin e saje….e vogel, gjithmon e veshur me te zeza, floket gersheta te bardha qe nuk ja shihje dot ndonjehere perveçse kur dilte nga banja….
    Dhe duart e vogla te rrudhosura….

  3. Me pelqen sesi e ke nderthurur se pari pershkrimin e stergjyshes me tere brezat e femrave ne familjen tuaj.Ka nje shtjellim te rrjedhshem te ndryshimeve sociale neper kohe.Ndihet nostalgjia per te vjetren qe paraqitet si diçka me e sakte , me e mire , me e paprishur , me origjinale dhe ndihet mbase dhe lodhje dhe po ashtu pasiguri nga jeta e tanishme ne te cilen perveç koklavitjes egziston dhe nje atmosfere e shqetesuar.E megjithate me pelqen se nuk e ke shprehur me te madh kete , nuk e ke bere buall ndryshimin por ritmin e duhur te shoqeruar lezetshem dhe me fakte sociale.E lexova me kenaqesi.

  4. Aneja Juaj,pershkruar mes nostalgjise dhe mallit,del si nje monument i gjalle qe perciell nje mesazh.Ky mesazh eshte kaq njerezor sa nuk ka me sot nje demension mates.Aneja eshte ne te njejten kohe edhe”kapedania e shtepise”-ne mund ta quaja keshtu-,edhekryekuzhinierja(kush me mire se ajo di te gatuaje ate mori gjellesh qe vetem ne te mocmit-une jam nje nga ata-ua dime shijen),edhe mjeku popullor,edhe astrologu i shtepise(apo krejt lagjes),edhe kajmekami apo kadiu(per t’u shprehur pak me gjuhen e kohes se saj).Nga ana tjeter,sado e pashkolle,ajo te imponohej me diturine e saj dhe shfaqet madheshtore.Te vjen keq,qe gra te tilla:made in Ane nuk i gjen dot me.Le te bredhin Europen apo dhe deri ne Amerike,por grate e sotme-ndoshta gaboj-nuk u vine deri tek thonjte e kembeve atyre Aneve qe,sado pa shkolle,por qene erudite.Shkrimi juaj me ka lene mbresa se ka kapur nje teme sa te thjeshte,aq dhe njerezore.Po ku eshte njeriu,xhenem?E sa per Anete,atyre pa perjashtim vrapoj dhe u puth duaret.
    Perparim Hysi,11 gusht 2007

  5. Më nxorre mallin e gjysheve.
    Çupat kur uleshin në prehërin e tyre, më shikonin me habi kur ju puthja duart (unë kujtoja se vetëm gjyshet e mija i kishin duart me ato njollat e murrme 🙂 )

    Vërtet që ishin analfabete, por dinin të bënin thesar të tyre ç’do përvojë të të tjerëve, dhe atëhere kur qe nevoja, në ç’do rast ishin ‘gati’ me një recetë nga ato të tyret.

    Përsa i përket lumturisë dhe realizimit (për çupat tona), e para mvaret nga sa jemi ne në gjëndje që t’ju përçojmë përvojën e jetës në familje, ndërsa realizimi (me sakrificat tona deri sa të mbarojnë studimet) mvaret vetëm prej tyre.

  6. NENOJA IME.

    I dashur XhaXha,

    Me fute ne mendime shume te hershme dhe te bukura sot. Me nje mjeshteri te rralle bere qe te zgjosh kujtimet e mija qe vinin nepermjet Anese tende ashtu te vogel e kerrusur te cilen edhe une e mbaj mend kur shkonim dhe e vizitonim rralle te shtepia e saj ne Rrugen e Kavajes.

    Po ashtu si Aneja edhe Nenoja ime, gjyshja nga ana e nenes, ishte shpirt madhe dhe e bardhe si bora, me foket gersheta te cilat ja shikoja qe ti krehte me kujdes pas banjes. Edhe ajo e thyer ne moshe kishte kaluar po aq rregjime, mbreter, princa dhe lidere si Aneja por Turqine si zor se ja hiqja dot nga mendja per te cilen debatoja shpesh me te. Ishe myslimane ne besim dhe pa asnje dije ne shkrim e kendim. Merak te madh kishte te shihte xhamine Selimiye te Edernese. Kishte mesuar disa sura turqisht te cilat i thoshte vetem kur shkonte tespiet ose ne mermeritjet e saj kur me shuante kongjij (se keshtu i thoshte thengjijve) pasi cdo gripi qe me kapte mua ajo e quante se me kishin mare me sysh. Lindur dhe rritur ne Kuc dhe me pas martuar ne Tragjas me siguri qe ka patur shume pak te ngjare qe te kishte pare pamjen apo degjuar emrin e mjekut. Kontaktin e pare me mjekun e pati kur familja zbriti ne Vlore aty nga fundi i viteve ’40 per tu njohur me Doktor Nashon nga Narta (xhaxhane e Dr. Spiro Qirkos) qe ime me me thoshte qe ishte mjeku i familjes. Mjekime nuk merte asnjehere edhe pse ne moshe shume te thyer me perjashtim te nje melhemi (tubet thare e te skaduar prej vitesh) per syte pasi vuante nga nje blefaritis kronik. Per cdo lloj pamundesie (keshtu i quante ajo semundjet) ajo ruante ne disa kuti llamarine te kohes se Italise se Dyte barera dhe erza qe niperit e saj ja binin nga Kuci sa here qe i mbaronin.

    Mbaj mend ne detaje cdo gje dhe veprim te saj sikur te kene ndodhur dje. Furken, gjergjefin, qendizmen, gatimin, bacen me perime dhe misrat e pjekur, pulat, vezet, nyjen e shamise me dy-tre napolone florinj, unaza te vjetra pa vlere e te tjere sende qe perbenin shume per te. Sa here qe shkoja ne Vlore me vinte te flija ne krevatin e saj dhe vete shtronte ne shesh. Cdo pasdite dilte dhe me priste te pragu u deres kur une kthehesha nga plazhi me gjellen gati. Kishte shume merak detin dhe shkembinjte. Kujtoj dashurine e saj per mua qe besoj se e kishte me te madhe se per femijet qe kishte nxjere nga barku.

    Ashtu si e pershkruan edhe ti aq bukur, shume vite dhe ndryshime kane rrjedhur ne tre-kater breza dhe kane bere qe nga nje jete e thjeshte pa fije telash, byte, bits, inshuranca, over-time, lay offs, takime mjekesh dhe aplikime te peshtjellojne gjumin e njerzise me gjithfarlloj endrrash aq sa ne mengjez nuk jemi ne gjendje ti riprodhojme me.

    Me mire? Me keq? Nuk jam ne gjendje te krahasoj apo te jap nje pergjigje te prere por me siguri Aneja dhe Nenoja e dinin shume mire se c’fare do benin te nesermen e dites dhe me saktesi kishin programuar rrjedhen e detyrave qe mbartin ne jeten e tyre dhe rolin qe ato luanin ne jeten e familjes. Thua valle kjo te jete arsyeja pse ato benin gjume te qete dhe te pa trazuar?

    Sidoqofte kujtime te bukura dhe qe ja vlejti ti hidhnim nje sy perpara se te fillojme te mendojme se cila do jete kokcarja parsore e javes qe presim qe te filloj pasneser.

    MB

  7. Te falenderoj nga shpirti per kete tregim mbi Anene tende te dashur sepse me solli me prane imazhin e gjyses sime ose me sakte Nose sic e therrasim ne ate, dhe qe kam rreth 3 vjet qe se kam pare:( Tek lexoja me endje pershkrimin e kesaj gruaje me karakteristika kaq te vecante, s’mund te le pa permendur qe me sjelle kujtimin e gjyses sime, a thua se keto do kene qene motra. Kam pershtypjen qe brezi i ketyre femrave qe s’dinin shkrim e kendim por qe s’ua kalonte njeri per mencuri, qe dinin te mbanin shtepi e avlli, qe dinin te prisnin e te gostinin mikun ne cdo rast, e shume e shume gjera si keto qe ju i keni radhitur aq bukur ne shkrimin tuaj, nuk besoj lindin me. Keto femra kaq te vecanta kane lindur per ate kohe dhe me duket sado qe ne brezi i sotem te mundohemi te bejme sa te zezen e thojit, perseri s’do ja dilnim mbane si ato.

    Rrofsh se me mallengjeve!

  8. Fantastike Xha Xha.
    Dikur njerezit kane qene me shume “yndyre” sot tentojne te jene me me pak.

  9. Më mallëngjyet përsëri e përsëri me të gjitha ç’shkruat për Anetë tuaja – këto gra magjike që e bënë Shqipërinë njëlloj si burrat, të cilëve u ngrihen rregullisht monumente shesheve e u vihen fotografitë në librat e trashë të historisë kombëtare. Ka qenë fati ynë i madh që i kemi pasur pranë, perëndi të vogla të pragut të shtëpisë, sjellëse të lumturisë të përditshme, shenjtore mbrojtëse të fëminisë…

  10. me nxorre mallin e stergjyshes, Nene Dorovise, qe kendonte e yshtte sterniperit e stermbesat, dhe kur pinte me djemte, i bente te flinin poshte tavolines ndersa vete e kishte syrin filxhan.
    kishte dhe ajo nje gershet te gjate e gri deri ne mes, dhe rrobat e zeza te plakave labe me shami ne koke. mbante nje shami poshte jastekut me karamele e m’i jepte sa here qe me conin per vizite.
    ne fillimet e nentedhjetes, kur u bene shume sulme ndaj shtepive private, nene Dorovia dilte naten me shkop ne dore dhe patrullonte oborrin. Mjere ai/ajo qe guxonte te kapercente murin.
    kur ika, me pyeti perse nuk kisha vajtur te merrja uraten e saj. e penduar, doja ta takoja kur te kthehesha, por vdiq para se te ndodhte kjo gje. me doli ne enderr e ma dha uraten gjithesesi.
    faleminderit xha xha

  11. VDEKJA E GJYSHES
    Fatos Arapi

    Ja, edhe gjyshja në arkëz,
    kukull e vogël në kartëz,
    Eshtë… dhe prapë s’është e tëra,
    sikur nuk është si përhera.
    Gjithë karfica, gjilpera
    kapur satenet në kokë,
    lidhur këpuckat përposh,
    shami e lule në gjoks.
    Mbyllur kapakët e syve
    c’ndjej u shua brenda tyre?).

    E sheh… dhe të duket heshtja
    pe gjasme e pe gjasme vdekja.

    Gjyshja e vogël, e bukur,
    e pastër…
    Në arkëz, kukull.
    Gjithë karfica, gjilpëra,
    qepur vite të tëra,
    lidhur kujtime e malle,
    dhembje, që duken si përrallë.

    E sheh… dhe të duket heshtja
    pe gjasme e pe gjasme vdekja.

  12. Ah Xha xha c’na kujtove Anene, edhe ne keshtu i therrisnim strergjyshes, edhe ajo nga Gjirokastra, me rrobat e zeza dhe gershetat e bardha, e imet po e forte si kokerr thane. Nuk e di c’eshte me plakat e Gjirokastres qe rrojne e rrojne e nuk duan t’ia dine. Aneja ime kur e kam njohur une banonte ne Tirane, por ne kohen e saj i kishte bredhur me Izmir, Stamboll, Selanik, Napoli. E fliste dhe e lexonte Turqishten dhe Greqishten (kishte jetuar ne te dyja vendet).

    Urime per blogun

  13. Mua diskutimi ne kete teme me behet paksa i veshtire, per respekt te Anese. E, megjithate, nuk mund te rrija pa diskutuar me veteveten, dhe tani edhe me kete blog, pikat e meposhtme.

    “Është thënë se midis gruas që punon për familjen e vet dhe gruas që punon për korporatën, e para është më e lumtur, e dyta më e realizuar.”

    1. Perse realizimi nuk ben pjese tek lumturia dhe lumturia nuk mund te jete pjese e realizimit?
    2. Perse nuk mund te themi qe nje grua qe punon per shtepine e vet e gjen realizimin pikerisht ne kete lloj okupimi, ndersa nje tjeter teksa punon edhe per koorporaten?
    3. Nje grua qe punon per shtepine mund te jete po kaq e palumtur sa nje qe punon per koorporaten. Lumturia nuk eshte e lidhur me nje koorporate apo shtepine, por me zgjedhjet qe ben njeriu ne jete, me raportin qe njeriu ka krijuar me veteveten, me te tjeret. Lumturia eshte per mua, per me teper, edhe nje ceshtje einstellung (nuk di ta them ne shqip). Ka njerez qe mund t’ua falesh gjithe boten e prape te mos jene te lumtur.
    4. Masivizimi i lumturise si koncept eshte relativisht i ri. Brezat e anese tende dhe time nuk e njohnin nje koncept te tille. Per kete brez jeta kalonte neper rruge te percaktuara mire, ku keto gra nuk kishin shume per te thene, per te ndjere, per te ndryshuar. Ishte keshtu. Dhe nese kishte ndonje gje te pershkrueshme si lumturi kjo ishte fakti qe ato martoheshin, benin femije dhe, kur kishin fat, nuk vuanin shume per buken e gojes dhe nuk rriheshin nga burra e tyre.
    5. Si femije nuk me ka interesuar kurre koncepti i lumturise (neurologet do te buzeqeshnin sepse e dine pse) as i imi, as i prinderve dhe i gjysherve. Sigurisht qe ne kujtesen time te trasheguar nga femijeria gjyshja duhet te kete qene e lumtur sepse une nuk dija dhe nuk shihja gje. Tani, truri (neurologet perseri do buzeqeshnin) ka seleksionuar romantiken e atyre koherave ku lumturia nuk ka fillim dhe fund per te gjitha palet e involvuar. Por, une kam guxuar, si e rritur, te mesoj se sa e lumtur ka qene brezi i gjyshes sime.

    6. Nuk dua ta personalizoj komentin tend, por nuk mund te rri pa thene se kur ve koken ne jastek, me ze gjumi menjehere.

  14. SMD, Ideali i njeriut (post) modern është ta bëjë jetën e tij atë gjë që ai do atë të jetë. Në të vërtetë kjo është ajo që dikush bën kur nuk ka më asnjë zgjidhje tjetër. Vjen pra nga dëshpërimi metafizik.

  15. sot e zbulova kete vend mes frengjive tek blogu i nje shoqje dhe u be nja nje ore qe po lexoj (ato qe nuk i kisha lexuar ne shtypin prej letre) dhe falemnderit

    kam vetem nje nyje te vockel per anene: thjesht ka njerez qe nuk e dijne qe ne turqishtet kjo do te thote “nene”. kur kam qene i vogel mendoja, mbase si shume te tjere, se mos eshte ndonje variacion i fjales nene. ne nje nivel tjeter, sigurisht qe kam pas te drejte, per sa kohe qe ghjithe fjalet qe di sot per nenen o i sillen perrreth nje n-je o nje m-je.

    keshtu pra, edhe “ane” pervech “teze”, “daje” dhe “axhe” (“amxha” turqisht)(nuk di ch’te thom per xh te tjera tek xhaxha e mixhe) (ne te njejten kohe nuk jam i sigurte per ‘halle’ ne vjen nga arabishtja ku ‘hal’ i thone dajes dhe ‘halah’ tezes).

    ne ka ndonjeri te shpjegoje sesi ndodhi, ne ishte download apo trojan, si ndodh qe ne gjirokastren e fortifikuar u parashutua aneja si term dhe si pelhura jeshile mbuloi si duvak nenat nje nga nje.

    vras mendjen, ne gjithe gjirokastren eshte therritur “ane!”(per Palortone e dijme te gjithe qe kemi bere shkollat para ’90-tes). per Kadarene e kam fjalen, te kete rendur valle edhe ai neper sokaqe e kalldreme qe jane pervete turqisht, duke therritur turqisht NENE! NENE! ?

  16. Vërtet fjala ane vjen nga turqishtja; por edhe më kurioz është specializimi që ka bërë në shqipen, duke u përdorur vetëm për gra të njëfarë moshe, ndoshta edhe të njëfarë statusi të caktuar brenda familjes. Unë nuk jam i sigurt nëse diçka e tillë ndodh edhe në turqishte apo jo. Nëse ndryshimi ka ndodhur brenda shqipes, kjo mund të lidhet me atë që shqipja e kishte një fjalë për “mother”, dhe pikërisht nënë/mëmë; madje unë kam dëgjuar gjirokastritë që ta quajnë rregullisht nënën e tyre mëma (ose moma, që thonë durrësakët). Nuk di nëse një familje lejonte vetëm një “ane”, prandaj gratë e tjera do të quheshin “mëma”… Ime më gjyshen e vet e quante gjithnjë “ane”, ndërsa të jëmën e quante me emër; njëlloj edhe im atë, në krahun e vet. Po këtyre aneve që kam njohur unë gjithnjë u kish vdekur edhe burri (burrat vdisnin herët aso kohe; dhe meqë jemi në temë, burrit të anesë së këtij shkrimi, sa ishte gjallë, i drejtoheshin të gjithë si “babazoti”; dhe pasi ky vdiq, aneja refuzonte t’ia përmendte emrin e vërtetë). Të ketë statusi i gruas së ve lidhje me emërtimin gjithashtu?

    Nga ana tjetër, shqipja ka marrë nga turqishtja shumë fjalë të sferës së marrëdhënieve familjare: teze, hallë e dajë/dajo patjetër; ndoshta edhe baba; por unë kam dyshim edhe xha, axhë, xhajë, xhaxhi e xhaxha (nuk jam i sigurt, sado ironik të tingëllojë ky pohim në blog). Përkundrazi, tetë/teto më duken sllave; ndërsa emërtime më të vjetra, si emta, ungji, nipi, shoqi, shoqja, kunati, kushëriri janë huazime prej latinishtes; më në fund, bir, bijë, nuse, vjehërr, dhëndër, motër e vëlla, e ndoshta gjysh e mbesë, janë fjalë të fondit indoevropian. Nomenklatura e familjes shqiptare, si hologram, i përmban të gjitha pjesët e historisë së shqiptarëve, që nga lashtësia. Mbetet pak enigmatike arsyeja pse janë marrë këto fjalë kaq elementare nga turqishtja, meqë struktura e familjes ndër shqiptarë nuk është se ndryshoi shumë edhe me përfshirjen e trojeve shqiptare në Perandorinë Osmane, dhe përhapjen e fesë islame. Ndoshta një sistem emërtimi që dallonte midis teze dhe hallë, ose xhaxha dhe dajo ishte më preciz sesa sistemi tjetër, që këtë dallim nuk bënte dot (italishtja detyrohet të thotë: zio materno e zio paterno, për shembull). Ndoshta dallime të tilla kishin vlerë juridike brenda sheriatit – ndokush mund të na e shpjegojë.

  17. Xha xha,
    rrofsh e qofsh, me kenaqe.
    Edhe une kam nje Ane, qe e ka lene kete bote ketu e vite me pare por mua s’me ka lene akoma. :-)Me jep gjithnje keshilla brenda meje per shqeto me bame apo pasha qofte.
    Me sa kam degjuar me veshet e mi turqit sot therrasin thjesht nenen “ane”, nena te reja apo me te moshuara qofshin.
    Shume e drejte pyetja kush eshte me e lumtur nena qe i kushtohet familjes apo korporates, nje pyetje qe shume e shtrojne e per mendimin tim asnjehere nuk do t’ia gjejme anen. Une besoj se “do gjeja gjene”. Ajo kohe e gjysheve e stergjysheve tona ishte shume me ndryshe, ne nuk e kthejme dot me, vec ne u degdisshim ne ndonje zone amishesh. Ne kohen tone s’mund te jemi aq te lumtur ne shtepi se edhe per pjestaret e tjere te familjes nocioni i vatres ka nderruar. Femijet e baballaret kalojne shume me pak kohe ne shtepi se 100 vjet me pare. Pavaresisht nga kjo, korporaten une e shikoj si dicka qe me ploteson shume deshira intelektuale e materiale, por… “zemra me mbetet ne malet e Skocise” thoshte titulli i nje tregimi, une mund te them se shpirti me mbetet ne familje. Ka femra qe jane intelektuale, ka qe jane romantike e nostalgjike e sentimentale, ku di une secili duhet te gjeje veten, s’ka formule kjo pune.

  18. ne fakt, meqe kemi lexuar religjiozisht ne shkolla hagjografite autobiografike te Hoxhes, ky i referohet nenes si ane (nje nga strategjite e mija per hapjen e oreksit ka qene rileximi i menuse mesdhetare qe aneja i mbeshtillte ne shami hoxhes ende te voghel (qofte me rigon, domatka e djathe opinge) kur ky ndermerrte ekskursionin historik tek perroi i Cullos ne Cfake) ok, i vetmi ngaterrim ne tekst ishte se babai, turqisht apo jo (PO!) ishte xhaxhai dhe anasqetllas.

    RIP baba chen

  19. parcelizimi i punes, e ka thare brumin jetesor te njeriut tue e kthye ate ne nji bateri te sistemit. zhdukja e botes se vjeter te artizanateve, shoqerohet me humbjen tjeter, katastrofale ne rendin antropologjik, humbjen e aftesise dhe zakonit per te rrefyer, treguar histori, pra per te perçuar vlerat.

  20. u vura ca ne mendime nga mundesia qe e huazuara nga turqishtja- teze/halle apo daje/xhaxha (amxha?), te jene ngulitur prej imperativave administrative te jurisprudences osmane. kapitujt e sheriatit per limitet e gjakut/tamlit ne martese a per pjesetimin piramidal te trashegimise, sigurisht bejne te nevojshme emertesa te sakta per chdo degezim te mundshem familjar a fisnor. ne aspektin teorik, me keto cheshtje i bie te jene marre disa pak myftilere a myderrize, gjate dhenies se opinioneve juridike (te paret) dhe mesimeve fetare (te dytet). por nuk duhet harruar se mesimet e fikhut (aplikimit te sheriatit) jane dhene vetem ne gjuhen kanonike, pra arabisht e jo turq-osmanisht, ndonese opinionet dhe komentaret kryesisht do jene dhene ne kete te fundit, plus gjuhes se vendit. kurse praktikisht, me ndarje pronash e kuroresh i bie te jene marre kadileret, dhe gjate gjygjeve sigurisht qe do jene cilesuar gjithe pjesemarresit e ngjarje me termat e gjuhes se administrates.
    prape, ne mosnjohje te ndonje studimi qe verteton rrugen ‘juridike’ te hyrjes se dajave e tezeve ne shqip, mbetem me shume se medyshes.

    nderkohe, ende si jospecialist, kam mendimin se nje kulture, mu ashtu si nje individ, nuk i reziston dot gravitetit te funksionalitetit. ne momentin hipotetik kur parashqiptaret do kene pasur, si edhe kulturat e tjera te zones, emertesa te njekohesishme per byrazeret e prinderve, ekspozimi ndaj nje kulture qe i klasifikon ata me tej do te kete ofruar lehtesira identifikuese (mos harrojme qe edhe atehere, si tani, s’ka pasur drita te mjaftueshme naten) lehtesira qe jane adaptuar natyrshem.

    interesante te themi se turqishtja eshte gjuhe pa binar gjinor: per te dalluar seksin e sendeve, nevojitet kontekst, tog fjalesh. imagjinoj se ne gjuhen e nje populli fillimisht nomad, tensioni qe krijon mungesa e kararit dhe zhvendosja e perhershme mbi shpina kuajsh, ben qe te anashkalohen hollesi te tilla luksoze si psh perkatesia gjinore e kodres apo kopses, nderkaq qe lokalizimi i sakte i njerezve behet jetik. imagjino turko-uigurin antik mbi kale, ne mes te karavanit, duke i thene shokut te vet: ‘please Oguz, go and give to my uncle the other half of the sheep!’ askush nuk eshte kail te harxhoje fryme e tagji kot me kot neper stepe ne kerkim te nje ungji te paspecifikuar, kur fare mire mbaron pune nje here e mire duke i ndare ne ca te nenes e ca te babes, me t’iu vene keta emrat qe kemi edhe sot e kesaj dite.

  21. …anglofilët e mundshëm, por të ndjeshëm, nuk besoj do i mirëpresin aludimet që bëhen hapur këtu për pasaktësitë bjerrëse (kohës, frymës, tagjisë, mendimit) – të gjuhës angleze, për më tepër, ata mund të shohin tek kjo dashakeqësi, prapamendim dhe paragjykime që ata i konsiderojnë tipike të njerëzve me njohuri të tilla që kalojnë përmatanë pasionit të tyre jodimensional; dhe që të cilëve, nuk ua tolerojnë sensin e humorit…dhe për të qetësuar gjakun hipotetik unë do sugjeroja që ta përkëthenin me mendje lutjen e shokut të Oguzit xhyrmetlli në shqip dhe fjalën “uncle” ta përkthenin në “ungj” – fjalë kjo që mesiguri duhet të gjendet në fjalorin më të ri të M. Elezit – dhe nëse janë të pakënaqur sepse do mungojë buzëqeshja që nuk ia durojnë vetes: mund prapë të përdorin stilin e “prurësit shumëfarësh” duke zëvendësuar fjalën “uncle” me “hallo” (fjalë e prerë nga autori që konceptoi Oguzin e sakrificës më lart) – ku hallo, është çfarë ju dëshiron e bardha e zemrës, por e tillë që nuk e kupton Oguzi ynë i gjendur.

  22. Etimologu i mirënjohur arumun Qomski Derridash ka mbrojtur tani së fundi hipotezën se hallo do të ishte në këtë rast forma mashkullore dhe hallë forma femërore, dhe të dyja bashkë do të rridhnin nga fjala tjetër turke hallate (hallo si term i shenjuar, “që ka hallate”, dhe hallë si term i pashenjuar, “që nuk ka hallate”). Këtë hipotezë e ka hedhur poshtë, por pa argumente, rrethi i linguisteve feministe të Pargës.

  23. shume e bukur kjo e anese. une kam qene shume i vogel kur ka vdekur aneja ime, dhe nuk mbaj mend gje pervec imazhin e saj. aq me teper, nga qe nuk kam jetuar me te, e kam pasur pak frike, dhe nuk e kam pasur aq te lehte t’i puthja doren.

    ky etimologu i mirenjohur arumun, sepse me duket pak i cuditshem, edhe pse vertetesine e asaj qe thote nuk kam njohurine e duhur t’a gjykoj. megjithate jam i interesuar te di se c’lidhje ka halla me hallin. nje shprehje qe une e kam mesuar kur shkoja nga halla, ishte “merre me leng, se mishi eshte mbaruar”. kjo ishte shprehje qe ka qene ne gojet e cdo shqiptari ne vitet ’80, kam pershtypjen, po hallin e lengut pa mish, une e kam mesuar tek halla.

  24. kesaj here me duhet t’i kundershtoj linguistet e Parges, te cilat me sa shoh, duke kombi-nuar feminizmin me nacionalizmin, nuk munden te pranojne valle sesi te ketilla fjale rrjedhin nga hallate turqish meshkuj. (kujto zhurmen qe u be rreth pretendimit te tyre feminacionalist, se emri “bilë” i te folmes chamerishte, duke qene sipas tyre midis fjales “bile” dhe “bijë”, argumentoka me thekshem se ne “asnje gjuhe tjeter” tekniken parafeministe te uzurpimit te fallusit, te cilen ato kembengulin ta shohin si faze parake te revolucionit, e assesi si nje “hallatneps”(perkthim i tyre perkeqesues i “penis envy”, ne taktin barbarizues nolian)

    qasja e tyre ideologjike me argumenta te parapaguar per arketipin e halles si babai ideal e dengla te tjera te kesaj natyre, nuk mund te provohen me lexime homofobike te perlave te tilla te kulture sone orale si “te puthin hallat ne dy faqet” ose “po te kishte halla halle-s’do hidhej pupthi ne valle”

    “Ay qué dolor, ay qué dolor, ay qué dolor”.

    in memoriam Martina Navratilova

  25. Xha Xha, falemnderit qe na mblodhet ne kete feste te embel te tradites sone te perbashket. Me ende konstatoj qe anete e abllate tona gjirokastrite nuk i perngjakan njera-tjetres vetem ne shtat, veshje e ngjyre, stil, fjalor e ironi, kuzhine e alkimi, gjilpere, gjishteze, grep e shtize, por sidomos ne dashurine per te bukuren dhe ne krenarine e dinjtetin per traditen me te cilat e ushqyen dhe e pasuruan femijerine, vajzerine e djelmurine tone.

    Nderkaq ju falenderoj ne veçanti per Kullen e Sahatit, vend ne te cilin larmia dhe bukuria rrenqethese e gjuhes sone celebron me dinjtet e respekt traditen e historine tone krenare.

    M’u lipsen vite te tera te kuptoj realisht rendesine e vlerat e tradites sone, ndaj dhe deshirova te nenvizoj sot respektin per te dhe te salutoj me po aq respekt nja nga celebruesit e saj me te denje…

  26. nje shtojce te vogel per prurjet e osmaneve mbi shqipen: shqipja (e sotme) nuk ka fjale “shqipe” per prindin mashkull. dy fjalet respektive qe ne perdorim sot rendom a) baba (persisht), b) at (ata-turqisht) jane prurje te osmanishtes.

    nuk eshte pra aspak per t’u çuditur qe shqipja e gjirokastres perdor rendom fjalen ane (anne-turqisht) apo ablla (abla-turqisht = moter e madhe). çudia ne kete rast eshte pikerisht rezistenca ndaj perdorimit te fjales “ane” per nenen, e cila nuk eshte gjeneralizuar si ne rastin e prindit mashkull, per te cilin shqipja moderne nuk ka ruajtuar asnje sinonim “shqip”.

  27. Kam frikë se disa konsiderata të natyrës thjesht gramatikore e përjashtojnë që fjala atë të jetë huazuar nga turqishtja.
    Një nga funksionet e nyjes së përparme në gramatikën e shqipes është i ashtuquajturi funksion pronor:
    i biri do të thotë biri i tij/i saj
    i gjyshi do të thotë gjyshi i tij/i saj
    Nyja me funksion pronor përdoret vetëm me disa emra të farefisnisë: ati, ëma, biri, bija, vëllai, motra, nipi, mbesa, kunati, kunata, vjehrri, vjehrra, gjyshi, gjyshja, shoqi, shoqja, ungji, emta.
    Mund të themi lirisht, p.sh. e jëma, i ati, e motra, i shoqi, i vëllai, i ungji.
    Nuk mund të themi: i daja, e tetoja, e nëna, i babai.
    Mund të themi Sanija u zu me të kunatën.
    Nuk themi dot Sanija u zu me të tezen.
    Me të drejtë është supozuar se përdorimi i nyjes së përparme me funksion pronor është ndalur si proces para se shqipja të hynte në kontakt me gjuhët sllave; prandaj nyjen nuk e ndeshim me huazime më të vona të emrave të farefisnisë.
    E njëjta dukuri ndeshet edhe në përdorimin e pronorëve të paravendosur, të cilët janë të barasvlershëm me nyjen pronore:
    Ndërsa themi im bir, yt atë, jot motër, ime gjyshe, yt vëlla, im kunat, im nip, ime shoqe etj., nuk themi dot ime nënë, im baba, im xhaxha.
    Fjalët e grupit të dytë i përkasin një periudhe më të re të gjuhës.
    Tani, meqë fjala atë rregullisht paranyjëzohet, ose pranon pronorë të paravendosur, vështirë të ketë lidhje të drejtpërdrejta me turqishten ata; edhe pse etimologët kanë parë te kjo fjalë një krijim elementar (Lallwort), më shumë sesa një fjalë indo-evropiane të mirëfilltë në shqipen.
    Megjithatë, përdorimi gramatikor i fjalës atë e bën pak të mundshëm huazimin nga turqishtja; meqë kur hyri shqipja në kontakt me turqishten, dukuria e nyjes pronore, ose e paravendosjes së pronorëve nuk ishte më vepruese; prandaj shqipja do ta ketë pasur në përdorim fjalën që të paktën para se të zbrisnin sllavët në Ballkan.

  28. Pyetje. U bera sinqerisht kuroze. Nqs ndjekim logjiken qe ju elaboruat sa me poshte vijon: “Me të drejtë është supozuar se përdorimi i nyjes së përparme me funksion pronor është ndalur si proces para se shqipja të hynte në kontakt me gjuhët sllave; prandaj nyjen nuk e ndeshim me huazime më të vona të emrave të farefisnisë. E njëjta dukuri ndeshet edhe në përdorimin e pronorëve të paravendosur, të cilët janë të barasvlershëm me nyjen pronore:
    Ndërsa themi im bir, yt atë, jot motër, ime gjyshe, yt vëlla, im kunat, im nip, ime shoqe etj., nuk themi dot ime nënë, im baba, im xhaxha.”, atehere fjala nënë eshte valle prurje e re ne shqipe? Apo perben thjesht perjashtim gramatikor ?

  29. Fjala nënë, edhe ajo formim elementar, patjetër është prurje e re, po të nisesh nga kriteri i nyjeve pronore, që mua më duket i mbështetur mirë; njëlloj si edhe tatë, ose mëmë. Khs. në italishte madre (si vazhdim i latinishtes mater) dhe mamma, që është fjalë elementare (ose padre dhe babbo ose ‘papà). Këto i kanë quajtur “fjalë fëmijësh” (Lallwoerter), sepse gjenden pak a shumë me këtë formë në gjuhë që përndryshe nuk kanë lidhje gjenetike mes tyre. Ndoshta edhe ama/ëma janë fjalë elementare, por kanë qenë përdorur në shqipe që në kohën kur paravendosja e pronorit (ose e nyjës pronore) ende ishte aktive. Mua ky shpjegim më duket bindës, edhe pse është i natyrës gramatikore-historike, jo drejtpërdrejt etimologjike.

  30. Edhe mua ky spjegim me duket bindes per rastin e nënës. Por ne fakt eshte fjala « atë » ajo qe me shqeteson. Ndoshta shpjegimi qe i dhashe kesaj fjale mund te jete i percipte, i nisur nga logjika se nje pjese e mire e fjalorit te shqipes merr automatikisht kuptim kur njeh disa nocione baze te osmanishtes apo qofte edhe te turqishtes moderne. Siç dhe nje tjeter pjese e mire e fjalorit te saj merr kuptim po aq automatik kur njeh disa nocione te latinishtes, apo te greqishteve (te lashte, katharevousa apo dimotiki), etj..

    Shkurt, me duket e habitshme rastesia e ngjashmerise siameze e fjales « atë » me « ata » dhe mendova qe ndoshta rasti i saj perben perjashtim gramatikor brenda familjes se nyjeve pronore, nqs i qendrojme besnike teorise se mesiperme. Kjo duke u nisur nga fakti qe fjala « at/atë » ka thjesht karakter jo-indoevropian.

    Per hir te argumentit, gjithe duke u munduar t’i qendroj besnike supozimit « se përdorimi i nyjes së përparme me funksion pronor është ndalur si proces para se shqipja të hynte në kontakt me gjuhët sllave », mund t’i lejome vetes e te supozojme qe shqipja mund ta kete huazuar kete fjale nga nje tjeter gjuhe Turkike e familjes Altai, e kete ndoshta pikerisht nga bullgarishtja, kur kjo gjuhe i perkiste ende familjes se siperpermendur. Apo ndoshta nga hordhite po aq Turkike qe u vendosen ne Dalmaci rreth IV-V e.s., te cilat te sllavizuara me shpejtesi te frikshme njihen sot si popullatat sllave kroate, po ashtu si edhe popullata e tyre simoter bullgare.

  31. interesante. pyetje 1) ne cfare forme gjendet tek meshari i gjon buzukut, apo tek ndonje shkrim tjeter i vjeter ne shqip fjala AT, se s’e kam idene fare? edhe pse ndoshta nuk do kishte nje vlere reale etimologjike, do ishte gjithmone nje dokumentim i rendesishem historik. qe te jete prurje turke e hershme para-islamike, edhe ben vaki, por osmanishte nuk e besoj, pasi nuk mund te konceptohet qe nje fjale e prure nga feja myslimane te hyje ne formulen e trinitetit? pyetje 2) a eshte shume larg mendsh te kerkohet origjina e kesaj fjale tek greqishtja e vjeter? nuk i di rregullat e bashketingulloreve te heshtura ne fillim te fjales, si puna e P, por ne qofte se eshte pare nje renie e meparshme, ndoshta mund te kemi nje renie nga PATER. gjithashtu, nqs fjalet ndryshojne jo vetem ne varesi te thekseve, por edhe ne varesi te perftimit te koncepteve te caktuara, atehere edhe ETER, qielli i lartem, personifikimi i ajrit ku merrnin fryme zotat e olimpit, mund te bjeri nen te njejtin koncept me PATER, te dy si koncepte te kundert te MATER. fakti qe Zoti eshte AT qiellor e perforcon kete ide, madje edhe me teper po te konsiderohet elementi i trete i formules se trinitetit, shpirti i shenjte, apo fryma e shenjte.

  32. Lulian, fjala atë gjendet rëndom që te Buzuku, madje edhe në një pasazh që e pata cituar dikur këtu në blog:

    Ecë ti tash tek dhentë e merr dy edha të mirë, e u ti banj gjellë të shishime tit et por-si ai dëshëron [Meshari, Genesi XXVIII, 6-40, fol. XLIVV.-L, 10-11].

    Jo vetëm del, por del me a-në e temës të shndërruar në e (dukuri që e quajnë metafoni ose Umlaut, dhe që është tipike për shqipen e hershme).

    Sa për p-në nistore, kjo bashkëtingëllore është shumë e qëndrueshme në shqipen; prandaj hipoteza etimologjike më e besueshme për prejardhjen e atë mbetet ajo e fjalës elementare.

  33. Meshari i Gjon Buzukut eshte shkruar ne gjysmen e syte te XVI ndaj, nuk na ndihmon dot. Por, edhe sikur t’i perkiste nje date shume me anteriore, serish nuk do te kish mundesi te na ndihmonte. Pse ?
    Sepse popullatat albanofolese se trevave ku ne banojme sot, ne rastin me te mire, kane filluar te kristianizohen masivisht pas gjysmes se dyte te shekullit te IV. Dhe kristianizimi i tyre eshte bere jo ne shqip, por sipas te gjithe gjasave ne greqisht. Pra, ne gjuhen e elaboruar liturgjike dhe kanonike te Perandorise se Bizantit, brenda te ciles ndodheshin edhe trevat albanofolese. Shkurt, gjuha e liturgjise se albanofolesve te krishtere te kohes nuk ka qene asnjehere shqipja dhe si rrjedhim trinine shqiptaret e kane « shqiptuar » ekskluzivisht ne greqishten bizantine.
    Kete te pakten deri ne mesin e dyte te shekullit te XII, date kur nje pjese shume e vogel e tyre filluan te « shqiptonin » trinine ne latinisht, ne gjuhen liturgjike e kanonike te Vatikanit tashme katolik qe prej mesit te shekullit te XI, i cili me ndihmen e nje grushti serbesh hapi kishen e pare katolike ne Ballkan diku rreth Tërnovës. Akt i rendesishem politik nga ana e serbeve per t’i bere karshillek perandorit bizantin ne Konstandinopol.
    Me pak fjale, Meshari i Gjon Buzukut eshte thjesht nje perkthim i liturgjise meshare katiloke ne shqipen e messhekullit te XVI. Kjo per ta sjelle gjuhen e fese katolike sa me afer popullit ne kohera kur Perandoria Osmane kishte me shume se dy shekuj qe ishte rahatuar jo vetem ne Evropen Ballkanike por, tashme edhe ne ate Lindore e Qendrore, dhe rrezikonte, me superfuqine e saj te pakrahasueshme, te bente per vete popullatat vendase.
    Po i lejoj vetes edhe nje shenim te fundit per hir te ideje te gabuar qe krijohet ndonjehere ne lidhje me gjuhet. Gjuhet jane nje nga mjetet me te persosura te komunikimit, nje mrekulli qe Zoti i ka dhuruar njerezimit te qe merret vesh. Gjuhet, ashtu si dhe imazhet , kthehen ne arme tmerresisht te fuqishme per cilindo qe di apo deshiron ta kete kete vokacion. Xha Xhai dhe te tjere kane shkruar dendur dhe mençur per keto pune, ndaj nuk kam ndermend ta zgjas shume ne kete pike.
    Nderkaq, ajo çka dua te them eshte pra se gjuhet nuk kane vokacion te paracaktuar fetar. Fjala « ata » e turqishtes nuk eshte fjale islame, eshte Fjala me te cilen popullat Turkike i kane thirrur atit te tyre edhte perpara se nje pjese e mire e tyre te kristianizoheshin edhe perpara se te islamizoheshin dhe sipas gjasave keshtu do te vazhdojne t’i therrasin cilado te jete feja e tyre.
    Eshte si puna e popullatave arabe te krishtera qe nuk u islamizuan kurre. Edhe ata te gjore Allah i thone Zotit sepse nuk kane emer tjeter per Të. Zoti nje eshte.

  34. ne nje kerkim te shpejte qe bera ne internet, me del qe shumica e gjuheve evropiane kane si fillim PATER. turqishtja i thote baba, sipas dictionary-reference.com, nderkothe qe e vetmja gjuhe ku mund te gjehet AT, eshte ne hungarisht, ku kreut te klerit katolik i thone atya, por jo prindit mashkullor. hungarishtja po ashtu njeh edhe ANYA per nenen. ka nje shkurtim qe nuk jam ne gjendje te deshifroj. Olr, ku duket se i thokan :athir. jam kurioz te di se cfare eshte Olr, pasi nuk mund te gjej nje seksion shkurtimesh qe te me sqaroje.

  35. Lulian, ajo fjalë (athir) është e irlandishtes së vjetër (Old Irish).

  36. interesante qe AT del perseri ne nje shoqeri me tendenca katolike te fuqishme. mbase eshte thjesht koincidence e paqene.

  37. na falni per shprehjen, po hungarezet pranohet se kane ndikime shume te rendesishme nga turqishtja. deri para pak kohe une dija, ashtu si me kane mesuar ne shkolle, se si turqishtja edhe hungarishtja(gjuhet fino-ugare) benin pjese ne familjen Uralo-Altaike te gjuheve. Mirepo shoh se kjo hipoteze nuk potencohet me nga gjuhesia e sotme. Per te shpjeguar fjale te rendesishme te hungarishtes te perbashketa me familjen turkike, pranohet vetem teoria e ndikimit^huazimit nga kjo e fundit.
    ja arsyeja e mundshme pse te dy palet kane te njejtat variante te rrenjes ATA dhe ANE.

    sepse vertet sot turqit i thone babes baba, por ama Ataturkut i thone Ataturk (baba i turqve).
    (e pata harruar edhe vete kete shembull te mirenjohur, deri sa ma kujtoi nje prej te pranishmeve ketu.)
    dhe une qe mendoja se AT turkisht i thone vetem kalit (si edhe ne, ne sinonim tashme letraresk)
    mu aty shkova me vrap e fantazova se nje popull nomad kaloresish luftetare, kane fjale te perbasketa per baben dhe kalin.sa bukur, po ama krejt pa baze besoj.
    ama ajo qe dihet mire eshte se sot arkeologet zbulojne varre monumentale kuajsh te turqve te pare, te cilet si centaure te vertete, i nderonin atllaret e tyre gati njelloj si edhe eterit.

  38. Nderkaq per pjesen me serioze te historianeve dhe gjuhetareve (latinistet dhe bizantinistet por jo vetem) hungarishtja mbetet gjuhe me prevalenca shume te forta Fino-Ugare e kjo sidomos per nga struktura gramatikore. Per sa i perket ndikimeve te tjera ne kete gjuhe ato i atribuohen gjuheve Turkiko-Hun-Ogure dhe Perse.

    Te mos harrojme se latinishtja i quajti Hungarezet “Hungarus”, thene ndryshe “Hun-Ogur”ose “Hungur”, jo sepse i desh qejfi por, sepse e asocionte kete popull me ata te Turkiko-Hun-Ogurve. Ndersa vete Hungarezet e quajne veten Magjare (Magyar), fjaleformim Ugaro-Turkik.

    Pra, aspak per t’u habitur qe At dhe Anya/Ana/Ane perdoren si fjale elementare ne keto gjuhe per cilesimet perkatese.

  39. Mendimi i pare qe me erdhi per ‘festen’ e 8 Marsit ishte pikerisht Aneja sepse me simbolizon frymen e protestes disa here me shume se festimet turbofolk qe organizohen sot. Gjithsesi, nje urim per te gjitha lexueset e blogut.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin