ARSIMIMI I TRUPIT

Më futi në mendime një pasazh te Illness as Metaphor, i Susan Sontag, ku autorja vëren se, ndryshe nga sëmundjet e rëndomta ngjitëse, që vijnë e ikin në trajta epidemish, tuberkulozi i veçon të prekurit nga bota; atje ku një grip, një tifo, madje edhe një murtajë të bën të ndihesh pjesë e një komuniteti, qoftë ky edhe një komunitet njerëzish në buzë të varrit, tuberkulozi përkundrazi, të ndan veç, të mbyll brenda katër mureve, të dërgon në qendra kurative dhe sanatoriume; si rregull në male ose në mes të pyjeve, të larguara nga rrëmuja dhe rrëmeti. Deri edhe karantina ndryshon: pothuajse ushtarake në rastin e parë; më e njerëzishme, por me fatalitet të nënkuptuar, në rastin e dytë.

Dhe aty m’u kujtuan epidemitë dhe sëmundjet ngjitëse të fëminisë sime, që vinin valë-valë, vit pas viti, zakonisht në dimër; dhe që, si të ishin agresion i armikut, i përballonim jo vetëm, as me ndihmën e mjekëve dhe të familjes; por në aleancë me krejt makinën e shtetit.

Nuk mbaj mend të ketë vdekur a të jetë gjymtuar kush, nga brezi im, prej ndonjë sëmundjeje të tillë – kalonim me radhë fruthin, linë e dhenve, skarlatinën, rubeolën, shytat, gripin; çdo vit ia behte nga një sëmundje e re, me simptoma të reja, ndonjëherë mahnitëse. I përjetonim të gjitha këto episode si të ishin faza të rritjes, por edhe rite iniciatike, që na afronin me njëri-tjetrin.

E dinim mirë, bie fjala, se kush e kish kaluar një sëmundje, dhe kush ende jo; edhe vetë imuniteti që linte pas një sëmundje konfirmonte epërsinë që të jepte një sëmundje e kapërcyer; jo tamam të llojit çfarë nuk më vret, më bën më të fortë (Nietzsche), por aty afër. Ishte një mundësi e rrallë që na jepej për eksperiencën e paprekshmërisë, që përndryshe u përkiste përrallave.

Këto sëmundje dalloheshin zakonisht me sy; dhe nuk ishte e thënë që të ishe mjek, për t’i diagnostikuar. Skarlatina të skuqte lëkurën flakë, rubeola gjithashtu, por më tepër si me spërkatje; shytat të frynin gushën, duke të shndërruar në një lloj foke; lija e dhenve të mbushte me puçrra që nuk duheshin prekur (sepse po t’i kruaje të mbeteshin shenja); fruthi me pika të kuqe. Kush kishte grip teshtinte dhe kollej; kush ishte prekur nga disenteria, vraponte për në banjë çdo dhjetë minuta. Jeta ishte interesante!

Në dimër mbeteshin gjithnjë banka bosh në klasë – si në betejat e kamotshme, disa do të plagoseshin dhe do të kërkonin regjim shtrati, për t’u shëruar. Edhe pse e dinim që sëmundjet ngjiteshin, ose kërcenin nga njëri tek tjetri si të ishin pleshta, nuk bënim përpjekje për të shmangur të sëmurët mes nesh; a shmanget dot e pashmangshmja?

Nëpërmjet organizmave shëndetësorë dhe të arsimit, shteti përfshihej me të madhe në këtë proces socializimi; jo aq në kurat, që për shumë nga këto të hequra nuk ekzistonin, sa në parandalimin nëpërmjet vaksinave.

Nuk mbaj mend ç’vaksina do të më kenë bërë kur kam qenë foshnjë; por kujtoj mirë, përkundrazi, seancat e frikshme të vaksinimit në shkollë; me ekipet shëndetësore që shfaqeshin papritur, duke vringëllirë shiringat dhe ampulat shkëlqyese, në korridoret; teksa mësuesit bllokonin të zellshëm çdo dalje, për të dekurajuar defektorët.

Kushedi pse, vaksinën e refuzonim me dëshpërim dhe forcë, ndoshta edhe më me forcë se sëmundjen vetë; kushedi ngaqë na dhimbte e çpuara, ose nuk na pëlqente që po na trajtonin si bagëtinë. Disa prej nesh ishin vetvetiu “të përjashtuar” nga rituali, ngaqë vaksina u bënte reaksion ose për arsye të tjera të paqarta (kishin “raport”); të tjerë qëllonte edhe që arratiseshin ndonjëherë nga dritarja, kur bënim mësim në katin e parë.

Se për çfarë na vaksinonin pikërisht, nuk e them dot me saktësi. Një herë na çpuan lart në krah, dhe pastaj na porositën që të mos bënim banjë për 3-4 javë (kjo do të ketë qenë vaksina kundër lisë; shumë e dhimbshme, ama licencën për të ndenjur pa larë, sidomos në pikë të dimrit, do ta mirëprisnim). Një herë tjetër, na bënë “mantunë” (testin Mantoux), një pickim i keq në pjesën e brendshme të parakrahut; për të na testuar për TBC; disa prej nesh, më pas, do të merrnin nikotibina – që i ofronte shteti falas – dhe do të shëndosheshin; të tjerë do të vaksinoheshin kundër tuberkulozit. Mua nuk më dhanë nikotibina, por as vaksinën nuk ma bënë – edhe pse vendi i mantusë m’u fry disi, por jo si disa të tjerëve, që iu mufat si tollumbace. Mbaj mend edhe një vaksinim me urgjencë të madhe, jo në shkollë por te një kopsht i lagjes; ku na bënë dy gërvishtje të holla në krah, dhe aty pastaj na fërkuan lëngun magjik (risi teknologjike). Kjo do të ketë qenë vaksina kundër fruthit, por nuk e them dot me siguri…

Sikundër sëmundjet ngjitëse, edhe vaksinat do të na ndanin më dysh: ata që ishin vaksinuar, dhe ata që vaksinën nuk e kishin bërë; këta të dytët më të paktë, më të izoluar, madje më pak të shëndetshëm. Sado që e refuzonim, ndonjëherë edhe pro forma, vaksina shërbente edhe ajo si fazë e nevojshme e integrimit social, ose një shkallare më tej drejt rritjes; meqë na konfirmonte si të shëndetshëm (jo në vetvete, por për këtë apo atë synim; tauglich, ka qenë fjala te Shvejku; “i aftë për shërbim ushtarak”; ose në rastin tonë, i aftë për të ndërtuar socializmin dhe mbrojtur atdheun, etj.).

Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë; meqë kur na vaksinojnë na futin në trup baktere ose viruse të dobësuara, ose të ngordhura, ose të neutralizuara; për të zgjuar mekanizmat mbrojtës dhe për të nxitur prodhimin e antitrupave.

Dhe e ka gjithnjë një aspekt fyes e brutal kjo “sëmundje” që ta kall shteti me pahir në mish, duke të çpuar me gjilpërë; e që shkon krah për krah me arrogancën e një burokracie shëndetësore që vegjeton mbi trupat e qytetarëve. Nuk është vaksina vetë, sesa detyrimi për ta pranuar; ose pamundësia për t’i thënë JO këtij spermimi “nga lart”, nëpërmjet përdhunimit të lëkurës.

Ka një skenë të jashtëzakonshme, në filmin “Invasion of the Body Snatchers” të Philip Kaufmann (1978), kur doktorin e luajtur nga Donald Sutherland e bllokojnë kolegët e vet dhe duan t’i bëjnë forcërisht një injeksion qetësues, teksa ky lufton me thonj e me dhëmbë, që t’i shmanget. Në fakt, siç do ta mbajnë mend ata që e kanë parë filmin, Tokën po e pushton një specie aliene, e zbritur nga qielli në trajta sporesh a fshikash (pods) që riprodhohen duke kopjuar trupat e njerëzve, kur këta janë në gjumë. Sutherland e di se pas atij injeksioni, nuk do të zgjohet dot më; dhe vendin në botë do t’ia zërë një kopje identike e tij, por pa shpirt (soulless).

Filmi mund të interpretohet, dhe në fakt është interpretuar, si alegori (p.sh. për komunizmin ose kulturën masive); por skena kur Sutherland përleshet me mjekët, për të mos u injektuar, më ka kujtuar çuditërisht dyshimet, ankthin, frikën dhe refuzimin tonë, ndaj vaksinimit koerciv.

Ka qenë irracional, ai refuzim; vaksinimi vërtet do të na ketë mbrojtur në mos nga vdekja dhe ndërlikimet e rënda, të paktën nga pasojat afatgjata të disa sëmundjeve që e kanë sakatuar historikisht njerëzimin; dhe ata prej nesh që i janë vjedhur vaksinimit, me arsye ose me dredhi, në fakt thjesht kanë përfituar si free riders, sa kohë që një sëmundje ngjitëse kërkon një masë “viktimash”, për t’u përhapur ashtu siç duhet. Ne kemi pranuar, si ta thuash, ta humbim virgjërinë tonë imunitare edhe për ata të tjerët, rebelët.

Sëmundjet e fëminisë kanë ardhur e kanë ikur; të shumtat pa lënë gjurmë. Nga lija e dhenve më ka mbetur një vrimë e cekët, midis vetullave; si përkujtesë e porosisë së sime mëje që të mos “i kruaja” puçrrat; por jo më tepër. E megjithatë, ky krater tashmë i ftohtë prej shekujsh as mund të krahasohet me shenjën që më ka mbetur nga vaksina e lisë; e që ngjall jo pak kureshtje në ata që ma shohin.

Në serialin televiziv të viteve 1990 “The X-Files”, protagonistët Mulder dhe Scully dyshojnë se Programi për Çrrënjosjen e Lisë, nëpërmjet vaksinimit, ka qenë në fakt një program sekret për të krijuar një databazë me DNA-në e çdo burri, gruaje dhe fëmije të vaksinuar.

Më pas, mësojmë se vetë vaksinimi masiv është përdorur për t’i etiketuar ose markuar (tagging) të vaksinuarit.

Një hipotezë e tretë, që do të shfaqet në vijim të serialit, është se vaksina kundër lisë paska shërbyer për të futur, në njerëzit, fragmente të një kodi gjenetik alien (alien DNA), me synimin për të krijuar një hibrid alien-njeri (më shumë këtu).

Seriali The X-Files mund të shijohet edhe si një enciklopedi e paranojave në shoqëritë Perëndimore, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë; në fakt, në ShBA, programet e vaksinimit të detyruar vazhdojnë të kundërshtohen me forcë nga segmente të caktuara të popullsisë. Megjithatë, linja e vaksinës kundër lisë, në serial, të bën ta shohësh shenjën e vaksinës si një lloj etikete ose më mirë tatuazhi në lëkurë; ose si provë se të kanë shënjuar (marked); dhe se trupi yt tash e tutje u përket atyre që të kanë shënjuar.

Në një nivel visceral, pothuajse instinktiv, këtë e kemi ndier të gjithë, si fëmijë, kur e kemi përjetuar ceremoninë e vaksinimit kolektiv si një lloj dhunimi të dhimbshëm.

E shoh shpesh shenjën e vaksinës së lisë në pasqyrë; më kujton bakterin e parë në mikroskop, ose edhe vetë virusin e lisë, Variola, me formën e saj ovale, disi të parregullt, me buzë të shtrembëruara e të prishura nga koha. Them me vete se kjo shenjë do të mbetet gjithnjë me mua, edhe pse tani kushedi efekti i vaksinës vetë do të jetë venitur; dhe sistemi im imunitar do të ketë harruar çfarë dinte për virusin e lisë. Është si drita e atyre yjeve që vazhdon të bjerë mbi ne, edhe pse yjet nga vjen drita “tani” mund të jenë shuar… E çuditshme kjo, që shenja t’i mbijetojë efektit; pa çka se shenja vetë nuk bën asgjë për të luftuar sëmundjen, përveçse të konfirmojë, pak a shumë me siguri, se ti ke qenë në gjendje ta luftosh. Dhe patjetër që më kujton, ajo shenjë, tatuazhet që u bënin të burgosurve në kampet e përqendrimit; ose atje ku shndërrimi i njeriut në bagëti përsosej me metoda shkencore.

Më në fund, e gjithë kjo histori me vaksina, vaksinime, dhe kalamaj të trembur, të mbyllur në një klasë shkolle, teksa përjashta bie muzgu dimëror, e gjen kuptimin te pedagogjia – e mendjes dhe e trupit. Në fakt, vaksina gjithnjë synon t’i mësojë trupit si ta luftojë sëmundjen e ardhshme, duke ia edukuar sistemin imunitar; prandaj, ku do të gjendej vend më i mirë për ta konsumuar ritualin, se shkolla; ose vendi ku të gjithë shkonim për të mësuar?

Nuk ka komente

  1. Një herë tjetër, na bënë “mantunë” (testin Mantoux), një pickim i keq në pjesën e brendshme të parakrahut; për të na testuar për TBC; disa prej nesh, më pas, do të merrnin nikotibina – që i ofronte shteti falas – dhe do të shëndosheshin; të tjerë do të vaksinoheshin kundër tuberkulozit. Mua nuk më dhanë nikotibina, por as vaksinën nuk ma bënë – edhe pse vendi i mantusë m’u fry disi, por jo si disa të tjerëve, që iu mufat si tollumbace.

    Testi me tuberkolinën, nga njohuritëtë e përftuara në tekstet e sotme, thonë se kryhet (kryhej) kryesisht për personelin mjekësor – që punon në repartet me të sëmurë me tuberkuloz.
    Kjo sepse nuk ka asnjë vlerë diagnostikuese, nëse bëhet vetëm nji herë. Aq më tepër që nuk ka kuptim testimi në masa të mëdha – shpenzim i kotë kohor dhe jo vetëm.

    Që të mund të përftosh “të dhëna” na ai test duhet që ta realizoh herë të ndryshme, në afate kohore, të afërta; dhe për të bërë diagnozën duhet pikërisht të kesh një test pozitiv pas një testi negativ.

    Thjesht pozitiviteti, si në rastin tuaj apo të shokëve të klasës, tregon një infeksion të kaluar (trup të mësuar) – mbase në gjendje të fshehtë – por pa të dhëna të tjera rreth “virulencës” apo stadit të infeksionit, i cili mund edhe të ketë kaluar plotësisht.

    Do të rikthehem më vonë në disa pika të tjera.

  2. Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë;

    Kjo nuk është e vërtetë.Ka një keqkuptim këtu, që bëhet shpesh nga profanët. Vaksina nuk i ngjan sëmundjes; s’ka sesi. Vaksia është principi që shkakton sëmundjen, por i dobësuar, holluar etj siç e keni përmendur edhe vetë – ka formulime nga më të ndryshmet, kjo në varësi të armës që përdor patogjeni nga i cili duam të imunizohemi.

    Të vaksinohesh do të thotë të mësosh, prezantosh, paralajmërosh imunitetin (jo si entitet të ndërgjegjshëm, por si një tërësi mekanizmash dhe procesesh kimike të modeluara nga evolucioni, pa finalitet), jo me sëmundjen por me agjentin shkaktues të sëmundjes. Jo me simptomat apo çrregullimin nga proceset normale, të cilin ne e etiketojmë si sëmundje, por me atë që provokon çrregullimin fizio-patologjik.

    Po këmbëngul, dhe po shfrytëzoj rastin ta qartësoj, jo për ju – sepse shkrimi qëndron në këmbë edhe pa këtë detaj – por për publikun që mund të lexoj këto rreshta.
    Kjo sepse, ekziston, fatkeqësisht dhe ironikisht ende sot, ajo që quhet “mjekësi” homeopatike, që nuk është gjë tjetër veçse një sharlatanizëm që shpihet përpara nga individë që shfrytëzojnë dobësinë, injorancën apo ideologjinë e qarqeve të caktuara të popullatës, duke shitur praktikisht ujë me sheqer, kur flitet vetëm për tretësira dhe kokrra sheqeri kur flitet për tableta.

    Homeopatia, ka si princip të vetin atë se, “e ngjashmja kuron të ngjashmen”, duke mistifikuar mbi vaksinat. Por e “ngjashmja që kuron të ngjashmen” në homeopati është e tipit: ” kinina – ajo e malaries – shkakton dhimbje koke, atëherë kinina mund të përdoret për të kuruar dhimbjen e kokës” – por e holluar, e tundur apo shkundur aq shumë saqë në tretësirën përfundimtare principi aktiv është në atë përqëndrim sa ç’është përqëndrimi i urinëns së Napoleonit në trupin tuaj dhe timin. (Për më shumë mbi homeopatinë, këtu: http://rinstinkt.wordpress.com/2012/12/03/homeopatia-mit-dhe-legjende-1/ dhe në Wikipedia).

    Këtë doja ta saktësoja, për pak informim, meqë doli rasti.

    1. Meqë shkrimin më lart e kisha menduar më fort si ese letrare, nuk prisja që të futesha edhe aty në polemikë.

      Si rregull, në esetë letrare pasaktësitë faktike tolerohen; dhe t’i vësh në dukje është shenjë se po e luan partiturën keq.

      E megjithatë. Për t’iu kundërvënë asaj që them unë, se “nga pikëpamja biologjike vaksina i ngjan sëmundjes vetë,” shkruan:

      Kjo nuk është e vërtetë.Ka një keqkuptim këtu, që bëhet shpesh nga profanët. Vaksina nuk i ngjan sëmundjes; s’ka sesi. Vaksi[n]a është principi që shkakton sëmundjen, por i dobësuar, holluar etj siç e keni përmendur edhe vetë – ka formulime nga më të ndryshmet, kjo në varësi të armës që përdor patogjeni nga i cili duam të imunizohemi.

      Tani, unë këtu unë do të përmend një shembull – atë të vaksinës kundër poliomielitit. Meqë ti, duke iu kundërvënë “profanëve”, sikurse thua, pozicionohesh si joprofan (shpresoj), atëherë do të kesh dëgjuar për atë dukuri që quhet Iatrogenic (vaccine induced) polio, ose poliomielit të shkaktuar nga vaksina orale (Oral Polio Vaccine).

      Kur ndodh një gjë e tillë, vaksina vetë shkakton një lloj poliomieliti i cili klinikisht “nuk ka ndryshim nga ai që shkaktohet nga polioviruset në gjendje natyrore”.

      Gjatë periudhës 1980-1988, ka pasur 144 raste të poliomielitit paralitik të shkaktuar nga vaksina në ShBA; prej të cilave 31% kanë ndodhur me njerëz të shëndetshëm të cilët kanë qenë në kontakt me të vaksinuarit.

      Çka do të thotë se virusi i përcjellë nëpërmjet vaksinës është në gjendje, në rrethana shumë specifike, jo vetëm të infektojë të vaksinuarin, por edhe të kalojë nga i vaksinuari te një person tjetër, duke e infektuar atë. Me një fjalë, unë prindi i pavaksinuar me OPV, mund të marr, teorikisht, poliomielitin nga fëmija im që sapo është vaksinuar.

      Natyrisht këto janë raste të rralla dhe kuriozitete (edhe pse jo për ata që i provojnë në kurriz), por mua më dalin e më deprojnë për të thënë se “nga pikëpamja biologjike vaksina i ngjan sëmundjes vetë.” Ky nuk është pohim shkencor, por fryt i një shoqërimi idesh – dhe më vjen keq që jam i detyruar tani të përzihem në debate shkollareske.

      Gjithsesi, për mua do të ishte katastrofë personale, sikur komentet ndaj shkrimit më lart të kapeshin peng e këtij filli – meqë PTF nuk është blog i një studenti të mjekësisë. Si është kjo punë kështu, Rinstinkt?

      1. xhaxhai, më vjen keq që nuk e ke kuptuar pikën mbi të cilën ngrita kritikën –sepse para ca kohësh pash disa përsiatje interesante mbi çështjen e përkthimit të “sëmundjes” “illnes” “desease” etj, në mos gaboj.
        Habitem, jo si arrin të diferencosh dhe të krijosh dallime mes atyre termave, dhe të pyesësh, me të drejtë, si mund të përkthehen më së miri në shqip, … por habitem nga fakti se (bën sikur?) nuk kap dallimin mes vaksinës dhe sëmundjes.

        Unë shkruajta një koment mbi mistifikimin që bëhet nga disa qarqe të cilat nga padituria apo dashakeqësia, shesin ujë me sheqer. Por këta nuk janë të vetmit. Ka patur dhe ka nga ata që krijuan mite mbi vaksinën trevalente të fruthit, shytave dhe rubeolës dhe autizmit (http://rinstinkt.wordpress.com/2013/02/22/autizmi-legjenda-e-vaksinave-qe-shkaktojne-autizmin/). Arsyet sot janë plotësisht të qarta.

        Vaksina është agjenti (i holluar, i dobësuar apo edhe i ndonjë varieteti më pak virulen), xhaxhai, jo sëmundja. Sëmundja – e më vjen keq të shkruaj këto gjëra, sepse vet ke shkruar për këto – është tërësia e simptomave që ne grumbullojmë për arsye komunikimi, standardizimi etj.

        Sa për çështjen e vaksinës së Sabin-it, dhe asaj përqindjes së pasigurisë që vjen nga imuniteti i individit apo përgatitja e vaksinës – sepse është virus i dobësuar me pamundësi të kalojë përtej mukosës intestinale – kjo është çështje komplet tjetër, dhe nuk mendoj asfare se ka të bëjë me vetë sëmundjen apo mund të shërbejë në ndonjë mënyrë në mbështetje të fjalëve mbi të cilat po debatojmë.

        Ajo vaksinë është përdorur gjerësisht nëpër botë sepse është më e lira, në mos gaboj, dhe sepse është më e lehtë në përdorim; janë ca pika nga goja. Infektimi i njerzve përreth vjen ngaqë virusi duke qenë jo-“i vdekur” por thjeshtë i dobësuar, eliminohet me anë të mbetjeve fekale… dhe infektimi ndodh lehtë. Është e kotë të shpjegoj se përse, racionalisht, është më mirë të vaksinohesh, qoftë edhe me variantin e Sabinit sesa të mos vaksinohesh fare.
        Ajo që unë vë re është se përdor edhe këtë,

        “(edhe pse jo për ata që i provojnë në kurriz)”

        ;siç thashë më lartë janë çështje

        “që shpihe[n] përpara nga individë që shfrytëzojnë dobësinë, injorancën apo ideologjinë e qarqeve të caktuara të popullatës,”

        .

        Mendoj se po përdor të njëjtën strategji emotive, në një pseudo-betejë, kur unë komentova me dëshirë jo për të vënë në dukje gabimin tënd (absolutisht të tolerueshëm), por një gabim që bëhet shpesh.

        Nëse ti këtë e merr si një koment, që Rinstinkt – e jo ai që qëndron pas – e ka ngritur për të tërhequr vëmendjen nga tema, atëhere më duket se ke një problem të madh, dhe unë nuk kam ndërmend të lodhem për ta shpjeguar.

        Më duket se kjo është, në mënyrë absolute, hera e parë që unë komentoj i pari në një temë. Nuk është në natyrën time llafazanëria dhe tërheqja e vëmendjes së të tjerëve ndaj meje. Po ashtu nuk më duket se kam shkelur ndonjë rregull të shkruar apo të pashkruar të etikës së komunikimit.

        Si moderator dhe autor ke plotësisht të drejtë të pranosh apo mospranosh komentet, qoftë edhe të anonimëve si unë – meqë asnjë në blogosferë ka dijeni mbi personin që qëndron pas Rinstinkt, përfshirë edhe ata që mendojnë të kundërtën. Thënë këtë, shpresoj të mos marr të njëjtën ftesë si shumë të tjerë; sikundër shpresoj që ky hiper reagim të mos ketë ardhur si pasojë e ndonjë komenti që unë kam lënë në tema të tjera.

        Nëse në këtë temë nuk do të ketë komente të tjera, ti dhe kushdo tjetër ka plotësisht të drejtë të mendoj se, vallen (hipotetike) e prisha unë, sikundër unë kam të drejtë të them, se vallja (hipotetike) ishte planifikuar të hidhej në tjetër pjesë të sheshit dhe ky pastrimi, qartësimi që bëj unë (që duket si pluhur) nuk ua prish aspak vallen.

        1. Atëherë po të pyes drejtpërdrejt: në qoftë se dikush mund të sëmuret prej vaksinës, dhe jo vetëm të sëmuret por edhe t’ia kalojë këtë sëmundje tjetrit, atëherë a nuk ngjan vaksina me sëmundjen?

          Thua se disa qarqe etj.; por mua kjo s’më intereson fare, as jam marrë me këto qarqe në shkrimin tim, i cili nuk është propagandistik, por ka natyrën e një eseje pak a shumë letrare.

          Në qoftë se ti nuk je në gjendje ta lexosh këtë shkrim si ese, por gjen aty vetëm shkasin për të shkruar kundër qarqeve etj., atëherë ti më lëndon mua si autor, sepse ti nuk ma lexon shkrimin, por ma përdor. Vallë kaq e vështirë është të kuptohet kjo?

          Unë s’kam asnjë problem me vaksinat; as besoj se kam lënë të kuptohet të kundërtën. Nëse ka një përmasë biopolitike në esenë time, ajo lidhet me raportin midis shtetit dhe trupin e qytetarit në një shoqëri pak a shumë autoritare.

          Ti kritikën e bëre; por më jep edhe mua të drejtën të kundërkritikoj, pa u futur në ad hominem dhe teori të kota komploti. Dhe kritika e jote ishte pa bazë, sikurse duhet ta pranosh – meqë ka një ngjashmëri mes vaksinës dhe sëmundjes; dhe kjo ngjashmëri madje nuk kufizohet vetëm në faktin që të dyja infektojnë dhe sëmurin.

          Edhe vaksina e parë, ajo e Jenner-it ishte, në thelb, infektim i qëllimshëm i pacientit me një sëmundje të ngjashme me linë (cowpox). Kur sëmurej me cowpox, pacienti fitonte imunitet edhe ndaj lisë. A nuk ka ngjashmëri vaksina me sëmundjen këtu?

          Kritika jote ishte pa vend. Nuk është e thënë që komenti të jetë doemos kritik, ose të ketë natyrë polemike; për një shkrim si ai më lart, unë do të kisha pritur komente në formë reminishencash, sepse të gjithë kemi kujtimet tona, nga raportet që kemi pasur, si fëmijë, me sëmundjet, vaksinat dhe mjekët.

          Përkundrazi, duke i gjetur tjetrit një “gabim” dhe duke ia përfolur këtë gabim në publik, ti sulmon; dhe kur sulmon, bëhu gati për kundërsulmin. Nëse shkrimi të nxiti për të shkruar për “qarqet e caktuara” etj., mund të kishe shkruar për to pa u ndalur te gabimi që bëjnë zakonisht profanët; dhe kush më quan mua profan, duhet të mendohet mirë; meqë, sikurse doli edhe në këtë rast, profani këtu ishe ti, jo unë.

          Pastaj, meqë ti dëshiron të flasësh për ato qarqe të paditura dhe dashakeqe, që u druhen vaksinave, atëherë po të kujtoj se vetëm me vaksinën e poliomielitit, në ShBA, herët në vitet 1960, për shkak të ndotjes së kulturës ku rritej virusi i polios (veshka majmuni)), u ekspozuan rreth 10-30 milion amerikanë ndaj virusit SV40 – i cili konsiderohet si kancerogjen.

          Mendohet se edhe virusi i përdorur për vaksinat anti-polio në vendet e lindjes (BS, blloku lindor, Kinë – me siguri edhe në Shqipëri) ka qenë gjithashtu i ndotur me SV40.

          Edhe një rast tjetër, kur vaksina dhe sëmundja ecin krah për krah; të ngjashme, edhe pse jo të njëjta.

          Por sa u larguam këtu nga tema e shkrimit tim; dhe sa shkollaresk dhe i mërzitshëm u bë tani ky diskutim mes nesh…

        2. Rinstinkt, nuk e kam me ty por në përgjithësi me metodologjinë e komenteve. Pra mos ma merr si përgjigje ad personam, edhe pse je frymëzuesi i këtyre radhëve.

          Kohë më parë pata shkruar diçka humoristike për profilet e komentuesve. Përmendja edhe rolin e atij që i koncepton komentet si trampolina për të kërcyer nga dega në degë, nga një temë në një tjetër, shpesh pa lidhje. Me kalimin e kohës kjo kategori është pasuruar, sepse kam vënë re që disa komentues fokusohen në ndonjë pikë të shkrimit krejt pa rëndësi për thelbin e tij. Me këtë akt ata e devijojnë vëmendjen e lexuesve drejt detajeve të kota në raport me idenë kryesore. Të kuptohemi, në vetvete temat që ngrenë janë të rëndësishme, të denja për t’u diskutuar, por janë thjesht pa vend. Arsyet që qëndrojnë pas këtyre komenteve nuk dua t’i analizoj, por pasojat janë të dukshme, në dëm të autorit e të lexuesve njëkohësisht.

          Qëllon që ti shkruan një ese për metropolet e globalizimit e artin postmodern, kurse një komentues të kundërshton përse ke vënë dy pika gjëkundi, ose pse (nuk) e ke shkruar New York-n Nju Jork. Është njëlloj sikur në restorant, pas darkës romantike me vajzën e dëshiruar, përballë dritës së qiriut, tek po i shpjegon dashurinë që ndjen: “E kam ëndërruar prej kohësh këtë darkë me ty. Të kam patur gjithnjë si një yll të paarritshëm…”, ajo të ndërpret e të thotë: “Nuk thuhet patur, por pasur, drejtshkrimi nuk e pranon”.

          Ose ca më keq, kur nga fundi i hartimit, diku andej afër puthjes, gjithnjë rreth tryezës romantike, ajo të fikson në gojë e të thotë: “Të ka mbetur një copë sallatë tek dhëmbët”. Ti e kërkon me gjuhë për ta hequr, i thith dhëmbët i çoroditur, fut gishtat në gojë, pyet nëse iku.. por ndërkohë magjia e takimit u zhduk pa gjurmë. Pastaj, kur kthehesh i vetmuar në shtëpi, tek rrotullohesh i pagjumë në shtrat, të vjen dyshimi: “Po sikur të mos kem pasur asnjë fije sallate në gojë?”.

        3. Rinstinkt,

          duke mos e vene fare ne dyshim faktin qe ti duhet te kesh te drejte dhe Xha Xhai duhet ta kete gabim kur thote se “vaksina shkakton semundjen”, (edhe pse une mbaj mend qe kur be vaksinimi i pare ne Shqiperi kunder poliomelitit ne fund te viteve ’90, kater apo pese te vaksinuar u paralizuan krejtesisht per shkak te vaksines), nderhyrja jote i ngjan asaj te nje astonomi qe kritikon poetin qe ka thene: “atje lind diell’ i qeshur edhe hena e gezuar”, pasi trupat qiellore, perfshire diellin e henen, as qeshin as qajne, as gezohen as hidherohen! 🙂

          Doemos do ta kem gabim, por mund te them se kam njohur shume mjeke te mire qe njekohesisht jane te apasionuar pas letersise, aq sa me eshte krijuar bindja, me gjasa e gabuar, se te jesh mjek i mire duhet ta duash e te dish ta lexosh letersine.

          Nga ana tjeter kam lexuar edhe se te mos kuptosh metaforen dhe ta marresh ate ne kuptim te drejtperdrejte eshte simptome e nje forme te lehte autizmi.

          1. Shkruan:

            Xha Xhai duhet ta kete gabim kur thote se “vaksina shkakton semundjen”

            Relapso, nga e nxore këtë? Unë vetëm kam thënë se vaksina “infekton” njëlloj si sëmundja… Sikurse edhe kam thënë që, ndonjëherë, shumë rrallë, vaksina mund të infektojë me të njëjtën sëmundje që synon të luftojë. S’e kam thënë unë – janë gjëra që dihen.

            1. Te drejte ke, u bera lemsh: nuk e the ti, por Rinstinkti me poshte ne rreshtin e pare, edhe pse ca rreshta me poshte i bie mohit. 🙂

              Pune mjekesh, tha. Ec e merri vesh!

  3. Atëherë po të pyes drejtpërdrejt: në qoftë se dikush mund të sëmuret prej vaksinës, dhe jo vetëm të sëmuret por edhe t’ia kalojë këtë sëmundje tjetrit, atëherë a nuk ngjan vaksina me sëmundjen?

    Jo. Kjo do të thotë se vaksina ka shkaktuar sëmundjen. Pra me qenë se vaksina përbman agjentin etiologjik (të sëmundjes infektive) atëhëherë vaksina ngjan me agjentin etiologjik dhe jo me pasojat, pra sëmundjen, që ky agjent etiologjik jep mbi organizëm. Por as kjo nuk do të thotë se vaksina në normalitetin e vet shkakton sëmundjen.

    Unë di se sëmundja, të paktën në perceptimin e përgjithshëm, përkufizohet si: një emër gjenerik që i vihet ndryshimeve të prodhuara në organet dhe në funksionet e organizmit njerëzor, të kafshës apo bimës.

    Kam përshtypjen se ti flet për mekanizmin, “filozofinë” e funksionimit apo entitetin, po e quaj kështu, që qëndron, si pas vaksinës po ashtu edhe pas sëmundjes (infektive); që është mikroorganzimi.
    Ndërsa unë i jap, detyrimisht, një kuptim të caktuar sëmundjes, që është tërësia e çrregullimeve në funksionimin dhe anatominë normale të organizmit, ti me sa kuptoj, këtu ke parasysh me sëmundje thjesht e vetëm pjesën infektive të saj.

    dhe kjo ngjashmëri madje nuk kufizohet vetëm në faktin që të dyja infektojnë dhe sëmurin.

    Sëmundjen infektive në përbërësin e vet infektiv, eksternalizues të agjentit etiologjik, dhe jo sëmundjen si sëmundje si mekanizën fiziopatologjik, siç shpresoj ta ketë parasysh çdonjëri prej atyre që na lexon. Sepse nuk ka vetëm sëmundje infektive, sado që ti fole kryesisht për ato, meqë tema ishte imunizimi “i detyruar”. Nuk e di nëse nga ana gjuhësore ka ndonjë term që përkufizon një përdorim të tillë të pjesshëm të fjalës, si në rastin e “sëmundjes”, të përdorur për komponentin infektiv të saj.

    Pastaj, unë shkrimin e lexova dhe në ca pjesë edhe e kuptova. Nuk jam unë i pari, se e kanë thënë të tjerë para meje, por gjithkush lexon në mënyrën e vet. Nëse e quan përdorim, dakord. Po çfarë kuptimi tjetër ka një shkrim në blog, apo qoftë një aktivitet i çfarëdoshëm i njeriut? Është thjesht një rreth vicioz ku shkruajmë e shkruajmë, lexojmë e lexojmë, e bëjmë muhabet si shtëpiaket, marrim edhe komplimente prë tendazhet e reja të dritares? Apo është një përpjekje, edhe kur duam të bëjmë të tjerët të besojnë të kundërtën, për të përhapur idetë e qëndrimet e veta? A nuk ka si qëllim blog komunikimin dhe shprehjen e mendimeve të blogerve?

    Ata që u druhen vaksinave janë rrezik jo vetëm për veten dhe fëmijët e vet por edhe për të tjerët. Se si shkohet deri tek vaksinimi i gjithë popullatës, me diktat apo edukim, kjo kërkon debat.

    Unë jam për edukimin, ndaj edhe komentova.

    Shpresoj të paktën të të kem frymëzuar për një shkrim tjetër…

    1. “Jo. Kjo do të thotë se vaksina ka shkaktuar sëmundjen. Pra me qenë se vaksina përbman agjentin etiologjik (të sëmundjes infektive) atëhëherë vaksina ngjan me agjentin etiologjik dhe jo me pasojat, pra sëmundjen, që ky agjent etiologjik jep mbi organizëm. Por as kjo nuk do të thotë se vaksina në normalitetin e vet shkakton sëmundjen.”

      Jo ore!
      Po sikur une te vaksinohem dhe ai agjenti etiologjik te qelloje i hutuar ate dite e si pasoje e mosngjashmerise se tij me pasojat, une te shkoj per lesh, kush me paguan? Apo duhet ta konsideroj veten martir qe vetesakrifikohet ne altarin e sofizmave mjekesore?

      1. Ke keqkuptuar nderhyrjen time. Une nuk jam ketu per t’u mbushur mendjen njerzeve (qe informohen tek “Misteroja” – do thoshte nje i njohuri im) per t’u vaksinuar.
        Aq me teper per te detyruar ndonje qe te vaksinohet.
        Te mos vaksinohesh sot, them se eshte ekuivalenti i te qenit i palare. Jo ne kuptimin qe mos-larja eshte e keqe, por per pasojat qe sjell…

        Se mos i con femijet per te vaksinuar… 😉

        1. Femijet i kam te rritur tashme 🙂 por ketu ku banoj njoh nje mjek pediater qe i keshillon prinderit e pacienteve te tij te vegjel te mos u bejne femijeve asnje vaksine fakultative, por vetem ato te detyrueshme. Po ashtu ishte kunder edhe kur ra ai gripi i keq dy-tri vjet me pare dhe qeveria organizoi vaksinimin ne mase falas.

  4. Shkolla lidhet sa me sëmundjen aq edhe me vaksinën. Një fije e padukshme na lidhte me shokët e klasës, që kalonte nga viruset e gripit deri tek shiringat e vaksinave.

    Ekipet misterioze që na vinin në shkollë, ndonjëherë në mes të mësimit, unë kurrë nuk i kam kuptuar, as kam marrë vesh se ç’bënin me ne. Fjalët, veprimet, udhëzimet, hynin për mua në sferën e misterit. Një gjë ishte e qartë, bluzat e tyre të bardha, sikurse ampulat, shiringat, garzat, pambuku, alkooli, tregonin se kishim të bënim me një farë autoriteti të padiskutueshëm. Askush nuk mund të bënte ndonjë pyetje të llojit: “A janë të efektshme vaksinat që po na bëni?”. Madje as nuk i shkonte ndër mend. Sapo hynin bluzat e bardha, në dërrasë të zeze dukej sikur shkruhej me shkumës: “Të gjithë janë të barabartë përballë sëmundjes e vaksinës”. Në fakt, përjashto ndonjë rebel, që konfirmonte normën, të tjerët shtrëngonin dhëmbët e duronin.

    Seancat e vaksinimit masiv kishin diçka iniciatike. Pas shpimit ti e dije se i përkisje atyre që vaksinën e kishin bërë. Ishe diku më lart, ndoshta në moshë, ndoshta në pjekuri. Ja pse shenja e vaksinës i ngjason disi tatuazhit që bënim në ushtri.

    Nuk mbaj mend se cilat ishin pasojat për ata që refuzonin t’i bënin vaksinat. Di vetëm që këtu në perëndim, kur e regjistrova fëmijën në shkollë, më kërkuan librezën e vaksinave të detyrueshme, pa të cilën nuk mund të bëhej regjistrimi. Aty pashë se vaksina ka edhe rolin e dëftesës, pa të cilën nuk mund të kalosh në klasën më të lartë.

  5. Njehere, diku nga klasa e dyte a e trete (e kujtoj mire kete, se ne te katerten nderrova shkolle) erdhi ekipi i doktoreshave.
    Shtetrrethim, askush s’mund te largohej.
    Te tmerruar po prisnim “te shpoheshim”, por puna ishte me keq se aq. Kishin ardhur kontroll per parazitet. Gjilpera para turpit te mundshem ishte Buke me djathe.
    Ndersa ato zonjat kalonin nga njera koke ne tjetren si bletet mbi lule, nje ndjesi kruajtje me kapi. Futa duart poshte banges dhe qendrova pa levizur. Kur ja, fa-fap u identifikua shkelesi i pare i kufirit te higjenes! E prisnim, ishte ajo, Elida T., katranjosja e klases. Nje vit me e madhe se ne, ajo pothuajse nuk fliste me askend. Pas saj edhe Arben M. Ueee! Kjo na cuditi, se Beni ishte mire ne mesime dhe shok i gjendur me te gjithe, po me siguri nga fakti qe i kishte prinderit e ndare dhe babi vet kishte dashnore.
    Erdhi radha e kokes sime. Nxenes i dhjetes, me i bukuri i klases, drejtova shtatin dhe zgjata koken me buzeqeshje drejt doktoreshes. Duart e saj ishin te ftohta, te forta gishtat. Me kthente e rrotullonte, a thua se koka ime ishte nje top brumi, si ata qe punonte gjyshja kur bente kulac.
    Ndaloi per pak: ekzaminim i posacem. Caste ankthi. Heshtje. Me siguri te gjithe i kishin syte tek une. Te mite ishin te mbyllur, por goja instiktivisht kishte mbetur e hapur; doja ajer. Gishtat rinisen levizjen, nje drithme lehtesimi me pershkoi diagonalisht, nga gjoksi drejt kerbishtit. Ndejva doren e djersitur te shoqes se banges te me prekte krahun.
    “Ne rregull, afrohu ti tjetra” – foli doktoresha duke iu drejtuar Denises.
    Kisha shpetuar, ose te pakten ashtu kujtova.
    Pasi u larguan, me thirri drejtoresha.
    “Degjo, xhan, ajo teta me tha qe te kishte gjetur ca therriza. Ne me ty krenohemi. Pastaj edhe mamin tend e kemi shoqe. Sa te vesh ne shtepi thuaji mamit, mire?”
    Nuk e doja veten. U largova pothuajse ne jerm. Drejtoresha nuk me puthi si zakonisht. Me vinte ndot nga vetja. Nuk mund te kthehesha ne klase, po sikur therrizat te me dukeshin. Pastaj shoket mund te kishin dyshuar pse me kerkoi drejtoresha.
    Vrapoja si cmendur drejt punes se mamit.
    “Mos me prek – i thashe sa hyra ne zyre, – me ka zene koka morra”
    Mami kerceu si me suste. U nisem drejt shtepise.
    Kontroll perseri, kete radhe mbi nje carcaf te bardhe. Kreheri i sapoblere ma gervishte here pas here lekuren, por nuk nxirrja ze. E meritoja dhimbjen.
    “Asgje nuk ke. Asaj Donikes, qe i placin, kam per t’ia thene nja dy llafe neser, asaj dhe asaj tjetres, qe te thirri ne sy te gjithe klases”.
    Dridhesha i teri. Faleminderit o ma!
    “Tani behu gati, te ndez dushin dhe te te fus te lahesh, thjesht te heqim merakun”.
    Nuk ka si mami im. Do te bente gjithcka per mua.

    1. Uroj që puthjet e drejtoreshës u futën për efekt letrar, përndryshe ato aventura do t’ishin më interesante për të zbërthyer psikikën se këto me morra e vaksina.

  6. Hec e ndaje fantazine nga realiteti.
    Ndoshta nuk me ka puthur kurre, ndoshta isha une ai qe doja ta puthja a te puthesha.
    Kryesorja eshte qe morra nuk kisha:).

  7. Mua sec me ngjalli nje fare nostalgjie ky shkrimi. Pervec vaksinave dhe kontrollit te morrave, vinte edhe dentisti here pas here, na kontrollonte dhembet. Me tutje, kam nostalgji dhe respekt per punen profilaktike dhe monitorimin e shendetit te grave shtatzena dhe kujdesin per bebet pas lindjes, perfshire edhe vaksinimin e detyruar.

    Ajo puna e raportit midis shtetit autoritar dhe individit, qendron, por rezultati ishte gjithsesi nje kujdes shendetesor i lavderueshem per kohen dhe vendin, qe mbase dukej i tepert per ata qe do kujdeseshin per femijet po njesoj, por jo per shumicen e femijeve ne Shqiperi, qe jo rralle vinin nga familje ne pamundesi per te kuptuar dhe vepruar se mbari per mirerritjen e femijeve.

    Nuk di cfare ndodh sot, a ka me depistime e vaksinime ne shkolla?

  8. Titulli;
    ARSIMIMI I TRUPIT (i mbrekullueshem)
    me beri te lexoja pothuajse te gjitha komentet, dhe pohoj se eshte mire te kthehesh e lexosh keto komente per arsimim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin