PIKTURA PËR TË VERBËR

Përpiqem të ndjek në mediat ecurinë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror të Butrintit. Trupa teatrore të huaja venë e vijnë, japin shfaqje eksperimentale të bazuara në drama të rënda klasike; por shfaqjet jo rrallë dështojnë, publiku largohet, kritika ngatërrohet.

Ja si e prezanton Gazeta Shqiptare shfaqjen e pjesës “Fjalët e Dionisit”, të mbështetur në një dramë të Euripidit, nga trupa e Teatrit Kombëtar të Greqisë së Veriut:

Kjo vepër e shkruar në vitin ’70-të, jep pamjen e fshatit, ku banorët çdo vit dalin jashtë tij në një vend të shenjtë. Për të treguar adhurimin bëhen shumë rite dhe vajzat zhyten në joshje, në eros. Kjo është joshja e fillimit që mbaron me një tragjedi të madhe. E diktuar nga përplasja ndërmjet perëndisë Dionis dhe mbretit Pentea, të riut mohues të ceremonisë. Ndërsa ato që ndjenin pasionin ishin kori i vajzave. Një kor që në ndryshim nga një tjetër i tragjedisë antike, është veprues e ndezës i ekstazave. Loja e tyre ka qenë edhe pika më e fortë e vlerësuar e shfaqjes. Në të gjitha komentet e bëra, është nënvizuar paraqitja e tyre. Zhveshjen e tyre, aktorja Margarita Xhepa do ta quante “një skenografi të pikturuar”. “Në imazhin tim mbetet mizanskena e Bakanteve dhe momenti i ekstazës së tyre ishin vlerat sipërore të shfaqjes […]”

[Theksimi këtu dhe më poshtë është imi, Xh.]

Ja edhe vështrimi i Blerina Goces, së gazetës “Metropol”:

Eros, ekstazë dhe dramë e shkaktuar nga instikti.
Ai është perëndia e verës dhe ahengut, kurse nga pas e ndjekin adhurueset.
Epshore, joshëse, të zhveshura duke treguar kurmin e tyre ato janë provokative dhe thjesht njerëzorja. Pasi dëshira nuk mund të shmanget…
Në këtë atmosferë pasionante pikturohet e gjithë skenografia dhe koreografia në shfaqjen e trupës greke.
Loja e aktorëve Stratos Xorxoglu, Kostas Santas, Vasilis Vasilikaqis, Hristos Sugaris, etj., ishte një interpretim i brendshëm plastik që i shoqëruar edhe me “lëvizjet gjarpërore” të korit të vajzave në atmosferën e riteve pagane e bënte edhe më “tunduese” vërtetësinë e lojës aktoriale.
Gota me verë, muzikë dhe valle të kërcyera në formë rrethore. Skena masive dhe hare. “Humbje” e meditimit të qetë vetanak në emocione trupore, që më pas dhimbja, “e shkund” për reflektim. Gjithsesi një rreth i mbyllur vazhdimësie, që nuk mund të bëjë pa kënaqësinë pavarësisht “vdekjes si tragjedi”, apo “hakmarrje” që futet në mes.

Pa qenë i pranishëm në shfaqje, nuk them dot gjë për spektaklin, por nga leximi i këtyre pasazheve të krijohet përshtypja se janë shkruar nga autorë që nuk kanë marrë vesh shumë nga ç’është thënë në skenë. Festa, procesione, orgji, vajza që zhvishen, ekstaza epshore joshëse, lëvizje gjarpërore… Kur një pjesë teatri mishërohet në një gjuhë të pakuptueshme nga audienca (p.sh. bullgarisht, serbisht ose greqisht), atëherë krejt spektakli rrezikohet të shndërrohet në një pantomimë të zhurmshme… kur nuk shndërrohet në balet, musical, gjimnastikë erotike ose performance art. Nuk di ç’mund ta quash teatrin të privuar nga elementi gjuhësor – madje edhe sikur të ofrohet përkthim i shkruar për publikun; edhe pse teatri bashkëkohor ia ka hapur dyert sinkretizmit, duke eksperimentuar, ose për të tërhequr publikun me ekstaza epshore… të cilave në kohën tonë u kemi pasë thënë pornografi (por kjo është çështje tjetër, as do interpretuar se unë jam kundër lakuriqësisë në skenë ose kudo tjetër; përkundrazi, tha, edhe pse me masë).

Më në fund, përsëri “Gazeta Shqiptare” sqaron se:

Ky ka qenë takimi i parë i kësaj shfaqjeje me publikun, i cili më së shumti ishte greqishtfolës.

Nuk kam dyshim se greqishtfolësit do ta kenë shijuar shfaqjen në nivel tjetër nga gazetaret e mediave të Tiranës, ose disi më afër konceptimit regjisorial të Tasos Racos, i cili ia përshkruan kështu “Shekullit” shfaqjen e trupës së tij:

Në shoqërinë e verës dhe të muzikes live, përmes elementëve të gjërave që tashmë janë bërë popullore, bashkimin në valle ciklike, marrjes pjesë në ceremoni dhe natyrisht, veshjes së një roli, trupa e fshatit takohet, feston dhe i bën shoqëri Dionisit, duke marrë pjesë në një përvojë kolektive të katekizmit, ekstazës dhe pjesëmarrjes së individit në një botë tjetër…

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Butrint nuk organizohet sivjet për herë të parë. Pavarësisht nga skenografia e mrekullueshme e qytetit antik, e nga impenjimi i organizatorëve e cilësia e trupave pjesëmarrëse, ky aktivitet zakonisht ka lënë për të dëshiruar; sepse nuk ka tërhequr veçarisht as publikun vendas, as kritikën. Edhe këtë vit, nga njëfarë ankthi që kam ndeshur në fjalët e ekspertëve në shtyp, duket se problemet janë shfaqur përsëri.

Elsa Demo e “Shekullit” interviston sot Arben Kumbaron, regjisor i njohur i skenës dhe veprimtar i palodhur, madje një nga promotorët kryesorë të teatrit modern në kulturën shqiptare. Kumbaro është natyrisht sa entuziast për këtë festival teatror, aq edhe i zhgënjyer nga reagimi i publikut, i kritikëve dhe i kulturës shqiptare ndaj festivalit. Thotë Kumbaro:

Nuk më duket se ka krijuar një traditë të mirëfilltë, nuk duket se ka ngjarje në qytet [Sarandë, Xh.]. Për shembull në kushtet që është Shqipëria, në ngjarjet kulturore që ndodhin këtu, absolutisht, në mënyrë absolute e them, kjo cilësi që është paraqitur sivjet duhet të përbënte një ngjarje për qytetin e Sarandës, gjë që nuk ndodh. Kjo tregon se këtyre njerëzve nuk u ndizet llampa kur bëhet fjalë për kulturën. Dhe nuk është prioritet i jetës së tyre kultura. Ne e dimë se kemi defiçite të mëdha. Ambicjet më të mëdha tonat, flas për masën, arrin tek dëgjimi i CD-së me muzikë ballkanike, parja e një filmi. Akoma, ose më saktë nuk kemi një qenie qytetare në Shqipëri që të ketë predispozitën për të ndjekur atë me çka kuptojnë evropianët kulturë apo art. Ne jemi larg shijeve të kontinentit ose botës civile të kontinentit ku jetojmë.

E kuptoj mirë shqetësimin e Kumbaros për banalizimin total komunikimit kulturor në Shqipërinë e sotme, por kam frikë se në kontekstin e një diskutimi për Festivalin e Butrintit, faji nuk mund t’i lihet në derë vetëm komercializimit të shkëmbimeve kulturore, as indiferencës për “atë çka kuptojnë evropianët me kulturë ose art,” siç thotë ky regjisor. Unë besoj se lëvrimi i kulturës serioze, ose edhe elitare, në Shqipëri është i mundur me kusht që të kuptohet specifika e shijeve ekzistuese në masën e publikut; ose fakti që kultura shqiptare mbetet e mbizotëruar nga verbum-i, ose elementi gjuhësor gojor, i komplementuar nga muzika si ekzoskelet i të folurit; por për arsye historike e deri diku ekonomike nuk është mësuar ende me elementin pamor (pikturën, skulpturën, filmin, spektaklin viziv, arkitekturën), të cilin masa e publikut do ta lidhë rregullisht me erotizmin vulgar (një tjetër eufemizëm për pornografinë). Ndoshta kjo shpjegon edhe pse artistët shqiptarë më të shquar në lëmin e arteve pamore (treshja Xhafa-Paci-Sala) po e kërkojnë publikun e tyre jashtë vendit dhe nuk kanë kurrfarë vizibiliteti në Shqipëri, përveç njëfarë trajtimi prej celebrities që u bëjnë përsëri mediat.

Për ta thënë ndryshe, nuk ka asnjë shans që një festival teatror ballkanik të ngjallë interes në publik; jo sepse publiku është i trashë dhe preferon ta kalojë kohën duke riparë videoklipe të Bleona Qeretit në YouTube, por sepse artdashësi shqiptar, me përjashtim të pak snobëve të rastit, nuk mund të ketë interes për teatrin në gjuhë të huaj të pakuptueshme; përveçse kur aktoreshat fillojnë e zhvishen në skenë…

10 Komente

  1. Xha Xha, uen e kam ndjekur para ca vitesh kete festival dhe me ka bere pershtypje qe:

    1. Nuk kishte as edhe nje lloj informacioni per kete event. As nje program, asnje libreth, apo fletepalosje informacioni. Bile as per vendin ku mbahet ky festival, as per orarin, dhe as se si shkohet atje. Nuk ka as autobuza speciale per te marre njerezit e per t’i cuar atje. Une e dija nga te brendshem. E megjithate per te marre vesh gjtihe informacionin e permendur me siper me eshte dashur te ndaloj aktoret ne rruge e t’i pyes. As ata vete nuk e kishin nje program te shkruar. Per te vajtur ne Butrint, ishin aktoret ataqe na moren ne mikrobuzin e tyre.

    2. Publiku i teatrit perfaqesohet nga “snobet” si puna ime dhe miqve te mi, nga aktoret e teatrit, nga kolege artiste nga vendet fqinje, dhe trupat pjesemarrese. Ah, harrova, djemte e fshatit, qe ose i kishin sjelle me zor aty, ose ksihin ardhur per te pare njehere c’behet dhe flisnin ne telefon gjate shfaqjes dhe peshtynin fara.

    3. Ne mbarim te shfaqjes isha ne autobuzin e gazetareve. Dikush erdhi dhe tha se kishte press conference. gazetaret filluan te benin pazare me njeri tjetrin, kush do shkonte e do sillte informacionin e kush do shkonte e do kthente nje gote vere ne hotel. Nuk m’u duk se ishin shume te interesuar dhe e benin ate pune se e kuptonin apo e donin teatrin. M’u duken me shume si plazhista qe i ksihin kushtuar nje 5 minutesh teatrit. Ta shpifnin.

    4. Sic e thua edhe ti, mungon nje interesim, njohje, kulture e pergjithshem per artin tek ne dhe kjo sjell edhe gjithe te tjerat.

  2. Gjithmonë kam menduar se Butrinti 2000 është tepër i shkëputur dhe i izoluar nga publiku shqiptar – si në distancë ashtu në mentalitet – për të arritur atë që i ka vënë vetes si detyrë. Vetë Saranda ka pësuar fatin e të qenurit gjymtyrë e Butrintit. Turistët që nisen për në Sarandë rrallë herë marrin udhëtimin drejt qytetit antik dhe ato që vizitojnë Butrintin i kthejnë kurrizin qytetit bregdetar meqë për të huajt pika e referimit gjithmon është Korfuzi, sa dhe në faqen e internetit tregohet se Butrinti është 10 km larg Korfuzit. Endrra akoma e parealizuar është që turistët nga Korfuzi të vinë për shfaqje e të largohen brënda ditës -pa lënë nam pa nishan. Më duket shumë larg dëshirave të Kumbaros për zhvillimin e shkëmbimin profesional të teatrit nëse dialogu bëhet me turistë që sot janë nesër s’janë. Ideja e festivalit është shumë atraktive dhe do të shërbente si një plus per zhvillimin e turizmit pertej atij arkeologjik po c’e do qe rastisem kaq dritëshkurtër. E meta që ka festivali është se kërkon të plotësojë dy qellime njëkohësisht që nuk janë aspak të pajtueshme dhe vetëm me shumë kujdes mund të koordinohen që t’i shërbejnë njëra-tjetrës. Të rralla janë rastet ku kultura dhe turizmi nuk i zënë frymën njëra-tjetrës.
    Padyshim se idea për këtë festival ka ardhë “nga lart” dhe si e tillë më duket si mish i huaj –aspak kanceroz por as i domosdoshëm. Festivali nuk mund të qëndroj si alternativë apo shtojcë nëse besojmë se një skenë e tille është pothuajse mosekzistuese në Shqipëri. Të them të drejtën nuk jam shumë në dijeni sesi janë marrë vendimet por ma merr mendja që ky gjest për të ringjallur teatrin antik në modernitet është lidhur ngushtë me statusin e Butrintit si një vend i trashëgimisë botërore. Rreziku i humbjes të trashëgimisë nuk është kriteri i vetëm për kualifikim e kështu për ta merituar këtë vënd është e nevojshme të dëshmohet se Butrinti do të luajë një rol në krijimin dhe promovimin e një trashëgimie të ardhme botërore si “simbol i ballafaqimit të kulturave.” Ideja për një festival ndërkombëtar të teatrit përmbush këtë mision duke përfituar e përdorur amfiteatrin si një prop pa u lodhur ta eksplorojë e zhvillojë atë apo mjedisin përreth. Rrënojat e amfiteatrit me gjithë lavdinë e lashtësisë nuk mjaftojnë për të bërë teatër sot — sidomos të një niveli sic synon të jetë festivali i Butrintit.
    Nëse festivali do kishte si parim zhvillimin e teatrit/ kulturës do ishte e nevojshme që kujdestarët më parë të merrnin përsipër të ngrinin në këmbë atë rajonale, më pas atë kombëtare qe më pas të kulminonte në festivalin ndërkombëtar. Ky zhvillim gradual (ma do mendja arrihet për 3 vjet) do të kishte më shumë efekt sesa shock-u i menjëhershëm i festivalit që 7 vjet më vonë akoma nuk e ka të qartë se c’rol do të luajë për kulturën dhe turizmin.
    Në 2004 arrita në Butrint 3 ditë pasi kishte mbaruar festivali dhe me shumë kuriozitet u interesova të mësoj si ishte pritur. Përvec disa fotografive më duket se s’kishte mbetur gjë për ta kujtuar. Po në atë kohë flitej për një nismë të ngjashme për të shfaqur filma me projektor në një carcaf të bardhë për banorët e Butrintit dhe Ksamilit – e gjitha kjo një përpjekje për të harmonizuar kulturën që parku pretendon të percjellë me banorët ashtu sic tenton të bëj për Ballkanin me anë të teatrit. Duhet venë re se fshatrat përreth janë në përgjithësi të banuar nga familje që janë ngritur nga Mati e Kukësi – shpesh herë për t’iu larguar gjakmarrjes – kjo për të vënë në dukje sa larg është publiku përreth nga vetë Saranda. Ajo mungesa e vëmendjes dhe interesit për kulturën në përgjithësi nuk përfitohet me një festival me përmasa ndërkombëtare që vec mundohet të impresionojë padronët e të kompensojë të gjitha mangësitë njëherësh. Që duhet nisur diku kjo dihet, por festivali i vë kapakun këtij muhabeti dhe nuk lë vënd për zhvillimin e perpjekjeve elementare dhe të infastrukturës për ta përballuar atë me sukses.

  3. Pika e pare qe ngre Selfi eshte per mua me e rendesishmja. Une nuk kam ndjekur ndonjehere festivalin e Butrintit, por disa te tjera ngjarje kulturore ne Shqiperi per gati nje vit. Isha me shume e interesuar te ndiqja aktivitetet e artit pamor, por nuk lija menjane asgje tjeter. Ajo qe vura re te ndodhte pa deshtim qofte ne rastin e teatrit apo te ekspozitave ishte qe ato planifikoheshin sot per neser. Ose qe nuk planifikoheshin fare. Ne afatin e shkurter kohor qe konceptohej, ndertohej dhe hapej nje ekspozite nuk kishte vend per ta promovuar ate. Ndodhte qe nje ekspozite te hapej dhe mbyllej pa e marre vesh askush pervec atyre qe pinin kafen e mengjesit tek oborri i galerise. Une per vete nuk e pija kafen aty dhe e gjeja veten te detyruar here pas here te kaloja nga Galeria vetem per te marre vesh se c’po ndodhte. Gabimisht, ne fillim, mendova qe nje ekspozite duhet te rrije e hapur te pakten per dy jave, por ne Galerine Kombetare kishte ekpozita qe hapeshin per dy tre dite dhe akoma pa marr vesh gje une hapeshin e mbylleshin dy tre te tjera nderkohe. I gjithe ky aktivitet (shumica ishin ekspozita private qe vetem shfrytezonin ambientet e galerise) nuk dokumentohej askund. Nuk kishte si dikush ta merrte vesh per hapjen e nje ekspozite po te mos ishte ose artist (i lidhur me Galerine) ose gazetar. Kjo mungese promovimi dhe shperndarje informacioni e bente te veshtire per mua qe po e studioja dhe ndiqja skenen e artit, lere me per popullin e thjeshte. Duke mos iu prezantuar publikut ekspozita apo ngjarja kulturore, s’ka se si ai te jete i interesuar per jeten kulturore ne Shqiperi – kur nuk e di se c’po ndodh. Fajin per mua nuk e ka publiku, por vete institucionet qe nuk jane ne gjendje te ftojne/fitojne publikun. Ne morine e informacioneve qe pushtojne vemendjen e publikut cdo dite, institucionet/agjentet kulturore duhet te zaptojne nje cope “toke”. Kjo kerkon pune dhe deshiren e mire, sigurisht.

  4. Mbaj mend duke qene ne nje qytet te jugut, ne vitet 80, kisha kaluar moshen 10, e prinderit e mije pothuajse cdo shfaqie te teatrit te Gjirokastres venin, e kenaqesi se shikoje aty intelektualet e qytetit, qe me shumti qene ushqyer qe te vegjel me kulture, plus profesioni i tyre qe jetonin qe perdite qe i hapte trurin per dicka me shume, se ajo bajatia qe shume sot mund ti bejne paralele me vidiot e Sinanit a te Bleones. Ne fund te vitetve 80 mbaj mend qytetin e vogel qe kishte nje shtres intelektuale, po pas saj qene te ngjitur shume njerez qe ishin te lidhur me te ose deshironin te ishin me te, madje per femite e tyre qe endra qe te ishin pjesa e saj. Pas viteve 90 gjithe ajo shtres u shkaterua, e qyteti e ambjeni u dominua nga njerez ordiner, e shume dhe emigruan, qofte dhe ata qe ngelen nuk jane objekt referimi , se objekt referimi sot jane njerezit qe me pak tru, me pak pune, me pak nga te gjitha anet, harine te perfitojne shume se shoqeria jone sot kete menyre fitimi ka hapur po ta shikosh. Une e shume te tjere punuam qe 6 vjec, qe kur te vinte mosha te ishim te denje e gati per dicka, e ta meritonim punen e poziten ne shoqeri, e nga kjo na pelqente dicka me shume me inteligjente se Bleona e Sinoni. Ajo elite qe qe ne vitet 80 e kuptohet edhe regjimet me te keqia kur kalon kohe krijojne dicka, pasi revolucioni eshte nje dite, po qe te jetosh gjate do njerez te afte e duhet te besh nje fare menyre marveshje me ta , ti krijosh e ti mbash.

    Ai ambient bente qe ne shoqerite, edhe ne qytetet e vogla te qe nje shtres qe pelqente kete art e qe do ta kishe aty, e mbaj mend ne ato vite shfaqet qene plote.

    Tani kenaqesia eshte te jesh pjes e turmave te mitingjeve, te ulerish, kur dicka paraqet programin politik mes klithmave, e pastaj neser si nje kushuriri im, qe pa universiteteve nuk fitoi gje, po mori nje post goxha fitim prures e ne nje fushe komplet tjeter, vetem se numuroi 500 vota ne nje komision votimi.

    Ai art do shtresen e saj te kosumohet, e ajo ne shqiperine e turmave, mitingjeve , e remujave ose eshte zdhukur ose ka emigruar ose eshte aty po eshte komplet e pa rendesishme per ate shoqeri.

    Po per tragjedite luhe hapur ne shqiperi, e mbase po te jetonim ne nje kohe, me shtet te regullt, me drita me uje me qetesi do deshem te kujtonin dhe pak ate shije te hidhur a te ndryshme te nje drame njerezore, po ndoshta ajo eshte shija jone e perditeshme!

  5. Gjuha e imazhit duket sikur është universale; por vetëm sepse artikulohet ndryshe nga gjuha verbale. Besimtari i devotshëm mysliman ose hebre ka të ngjarë ta marrë për pornografi deri edhe një kryevepër të pikturës evropiane si La Maya Desnuda, meqë atje ku evropiani liberal sheh art të kulluar, ky tjetri do të shohë vetëm riprodhimin publik, moralisht të censurueshëm e idhujtar, të trupit të zhveshur të femrës. Lakuriqësisë së vajzave në skenën e teatrit e Butrintit do t’i jepen kuptime të ndryshme nga segmente të ndryshme të publikut – për shembull, turistë skandinavë të ardhur nga Korfuzi do ta lexojnë si mishërim të pafajësisë pagane; ndërsa banorët kuksianë të fshatrave përreth do të masturbohen me të; dhe kjo pavarësisht se nudoja në artin evropian ka një histori të vetën që nis që me referimin rilindas ndaj artit klasik grek dhe romak, ose me sfidën humaniste ndaj Mesjetës së krishterë. Natyrisht, për të shijuar pikturën e Goya-s nuk është e thënë të kesh kryer një kurs të plotë të historisë së arteve figurative evropiane; por vetëm të kesh kultivuar me kohë një farë sensibiliteti ndaj kodeve të përdorura atje, si gjuhë relativisht e përbashkët midis veprës dhe e publikut përkatës. Nuk dua të privilegjioj njërin lexim ndaj tjetrit, as të pretendoj se një pjesë teatrale do interpretuar vetëm në një mënyrë e jo në një tjetër; por vetëm të theksoj, me Umberto Eco-n, se përdorimi i një vepre arti nuk duhet ngatërruar me përvetësimin e saj artistik; dhe se i zhveshur nga kodet estetike dhe diskursive mesazhi artistik shndërrohet në objekt natyror, si të ishte gur ose majmun ose gropë ose ekskrement ose breshër ose fëshfërimë gjethesh në pyll. Që një shfaqje teatrore në Butrint mund të tërheqë turizmin kulturor, ose të skandalizojë besimtarët përreth, ose të eksitojë seksualisht publikun e rastit, kjo ka të bëjë më shumë me përdorimin që i bëhet; përkundrazi, komunikimi artistik i përket një niveli tjetër, i cili duhet mësuar, meqë varet nga njohja e një sistemi të tërë kodesh. Tek e fundit, edhe televizorin mund ta përdorësh për të ndriçuar dhomën – çka është edhe më e shëndetshme mendërisht, si praktikë, në krahasim me përdorime të tjera më të zakonshme e të miratuara nga autoritetet përkatëse.

  6. Shkoj ne fund te dosjeve sekrete e gjej kete teme, titulli i te ciles me kujtoi nje tregim prej te cilit shkeputa:

    “Mbase vetëm një shurdh në koncertin e një orkestre simfonike barazohet për nga çudia që ngre me një të verbër në galerinë e arteve figurative.”

  7. Para pak ditësh (17 qershor) Google në faqen kryesore përkujtonte datëlindjen e Igor Stravinskit, kompozitorit rus i cili, sipas faqes së Wikipedia-s që i referohej po Google, kish thënë në librin e tij “Kronika e jetës sime” se “muzika është, prej natyre, thelbësisht e pafuqishme për të shprehur ndonjë gjë.” (“music is, by its very nature, essentially powerless to express anything at all.”)
    Ndonëse në artikullin e Wiki-t kjo thënie cilësohej si famëkeqe (infamous), duket se vetëm Igori i shkretë e di se ç’duhet të ketë hequr githë jetën e vet duke u përpjekur të thotë diçka nëpërmjet muzikës pa dobi, përkundrazi, ndoshta i keqkuptuar dhe i keqpërdoruar . P.sh. ca e quajnë revolucionar dhe ca të tjerë fashist aka reaksionar. Sikur Igori të kish njohur Twitter-in ndoshta nuk do ishte lodhur aq shumë duke shkruar muzikë; 140 karaktere duket se janë mëse të mjaftueshme qoftë edhe për revolucione.
    Megjithatë, siç thotë edhe Xha Xhai në rastin e arteve figurative, muzika duhet përvetësuar – pra duhen hapur librat në librari apo ato në internet – jo tv, përderisa televizioni sot për sot ka vetëm ekskluzivitetin mbi “Big Brother” ose të famshmit “realitet” i çfardo lloj natyre qoftë ky.
    Pa dashur më vjen në mëndje pyetja: e kush është më realist dhe më pragmatist se shqiptari? E si mund ta interpretojë lakuriqësinë përveç se si joshje një popull që duket se mbetet tërësisht i vetmuar në përdorimin e një shprehje që thotë “vetëm për cigaren mbi tavolinë dhe gruan në krevat nuk pyetet”. Shprehje kjo që e bën joshjen raison d’être të rendit të gjërave. Të kërkosh që shqiptari të shijojë artin, siç përkufizohet ky në perëndim, duhet të presësh së pari që ai ta ketë atë (artin) kod jetese, që përshembull lakuriqësinë ta interpretojë si çlirim apo si çiltërsi – të paktën kur ajo i prezantohet si koncept dhe jashtë dhomës së gjumit. Ç’ka do kërkonte një përpjekje të vazhdueshme për t’u shkëputur nga instiktet thuajse fëminore (Frojdiane). Mund të kisha thënë edhe ta zëvendësojmë fjalën shqiptar me “Piter Pan”, por edhe kjo nuk shkon sepse shqipua është vërtet fëmijë i përjetshëm, por me këmbë në tokë si i thonë një fjale.

  8. Dr. Eno Koço nën titullin (në se s’gaboj) “Shostakoviçi, Kadareja dhe natyra e disidencës” përpiqet që të heqë dhe ruajë paralelet me veprat dhe jetët në komunizëm të këtyre figurave.
    Nuk mbaj mend ta kem kundërshtuar qysh kur e lexova, e si të dhuash e ruajta për vete atë dyshim që Stravinskin tenton ta infamosojë. Letërsia është më e kapshme se muzika kur bëhet fjalë për publik të gjërë e ndikim në të. Është më e lehtë të manipulosh shpjegimin e një pjese muzikore se të një pjese letrare.
    Nga ana tjetër, edhe sikur paralelja të ruhet, për “Pallatin e ëndrrave” Kastriot Myftari shkroi se …po, në vepër kishte gjëra të fshehura, (sa hapa e sa kthesa duheshin nga shtëpia e Kadaresë në KQ) por këto Kadareja nuk i kishte shkruar si disidencë por përkundrazi për të trembur disidencën, për ti thënë asaj se ti lexojmë dhe ëndërrat. Kadareja mohoi variantet.
    Sa me sipër kuptohet më mirë po të lexosh tregimin tim (rastisur e shkruar një qershor) dhe shkrimin e Xha Xhait. Për mua ka pikturë për të verbër me kushtin që ato të marrin paraprakisht parapëlqimin e të verbërve, këta të jenë zotërues të kodit; ndryshe do të ishte aq banale sa e ka shkruar Xha xhai. Lexuesit e kanë pasur kodin (shkrimin) por pak kanë gjetur tek Kadareja se pak është shkruar. Dëgjuesit jo të gjithë e kanë pasur kodin, kështu dhe ato që mund të jenë shkruar prej Shostakovicit, bien në pozicionin e pakomunikimit. Ndërsa tani për ta mbyllur, si argument të fortë, po përdor si e ka kuptuar publiku thënien e Stravinskit.

      1. Një i verbër në Galerinë e Arteve Figurative, …qe gjendet diku ne faqet e letersise shqiptare te forumitshqiptar.
        S’po jap lidhjen, por lutjen PTF-se qe, nese do, ta sjelle ketu.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin