Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

Joromët

Shtysa për këtë shkrim u bë një artikull i “The New York Times” (“For Albanians, It’s Come to This: A Son for a TV” nga Nicholas Wood, 13 nëntor 2003); një nga ata artikujt aq të rëndomtë të “The New York Times” ose të çfarëdo gazete tjetër perëndimore, të cilët nuk lodhen së kopjuari njëri-tjetrin, në mos për nga përmbajtja të paktën për nga teknika e shtjellimit të argumentit ose për nga etosi gazetaresk. Shkrimi bënte fjalë për një nënë durrsake që ia kish shitur fëmijën një italiani, përkundrejt një televizori me ngjyra – vetëm se gruaja në fjalë i përkiste pakicës rom, dhe me këtë rast gazeta specifikonte se kjo pakicë në Shqipëri sot numëron në gjirin e vet rreth 300.000 vetë.

Nuk është hera e parë që mediat në Perëndim lëngëzohen me bëma të romëve në Shqipëri e gjetiu; ndoshta ngaqë këta të fundit – për arsye të ndryshme që nuk është vendi të përmenden – ndjekin precepte e modele etike jo doemos të njëjta a të ngjashme me ato që sundojnë në shoqëritë evropiane. Ka pasur një periudhë kur mediat italiane ngazëlleheshin pa masë duke qëmtuar histori pikante romësh e ciganësh ardhur prej Shqipërie, Jugosllavie, Bullgarie ose edhe drejtpërdrejt nga filmat e Kusturicës; pa përmendur lukuninë e gazetarëve e të dërguarve në hotelet e Tiranës, që i shndërruan fëmijët lëmoshëtarë e ulokë të cilëve u kishin mësuar deri edhe emrat, në heronj e protagonistë reportazhesh përndryshe të dështuara.

Ndoshta romët janë mallkuar a bekuar me dukshmëri të tepërt në mjediset urbane; meqë është e vështirë të përfytyrohet jeta e përditshme në qytete të tilla si Tirana e Durrësi pa vendosur romët në sfond: si titullarë shërbimesh qytetëse aq kritike sa pastrimi, zhbllokimi i kanaleve e higjienizimi; si popullues të vetvetishëm hapësirash publike; si muzikantë virtuozë ahengjesh e dasmash; e sidomos si luzma fëmijësh brekëgrisur vrapues me rreth e përfshirë në gjithfarë rrëmujash, zhurmash, tregtish pëllumbash, vjedhjesh të vogla, e në përgjithësi gjërash që nuk do të donim të na ndodhnin neve vetë.

Megjithatë, edhe pa i urryer a përndjekur këta të shkretë që fati i kish hedhur në trojet as bujare as të hapura ndaj botës të Shqipërisë nën diktaturë, shqiptarët gjithnjë janë kujdesur ta ndajnë veten prej tyre; madje ndonjëherë deri në atë shkallë sa edhe ta përkufizojnë veten nëpërmjet distancimit. Lëkura e zeshkët kthehej kështu në një shkurtesë të rehatshme për t’i dalluar romët nga joromët (“shqiptarët”) e për të mos lejuar përzierjen fatale, trazimin e geneve, përtretjen e shapit në sheqer, korruptimin e racës pellazge. Shumëkush do të shohë këtu një ves etnocentrik që nuk u solli shumë dëme psikologjike shqiptarëve vetë – tradicionalisht të mësuar me pakicat dhe tolerantë ndaj tyre; sado që nuk di ç’mendojnë për këtë diskriminim romët vetë. Gjithsesi, në rrethanat kur romët e Shqipërisë në masë të madhe janë shkëputur krejt nga mënyra e jetesës karakteristike për ciganët, duke harruar deri edhe gjuhën dhe duke u ngulitur në periferi të qyteteve; dhe sidomos kur një masë e madhe e tyre identifikohen si “rom” thjesht ngaqë u ka mbetur vetëdija ose të paktën kujtesa e diskriminimit të heshtur, dallimi midis romëve dhe joromëve vjen e mjegullohet deri në pamundësi.

Shifra e 300.000 vetëve – ose kjo ushtri e papritur dhe masive që u faneps kaq papritur në horizontin e trazuar të shqiptarizmit post-modern – ngjalli, siç mund të pritej, indinjatën aq karakteristike ndër elementë flakëhedhës të diasporës. Në forume shqiptarësh në Internet u afishuan reagime shpesh emotive e të rrufeshme; eksponentë të komunitetit shqiptar në mërgim u kërkuan shpjegime redaktorëve të NYT, sidomos në lidhje me burimin e kësaj statistike por edhe me diskriminimin në përgjithësi të shqiptarëve prej kësaj gazete me influencë të madhe në SHBA; në një kohë që të tjerë zëra tërhoqën vëmendjen për shijen e keqe, në mos shëmtinë e një proteste të tillë, e sidomos të gatishmërisë shqiptare për t’u diferencuar qartë e kthjellët nga një pakicë si romët, e cila ka qenë tradicionalisht më e nëpërkëmbura, e shkelura, e shtypura, e pështyra dhe e përbuzura nga pakicat kombëtare në Shqipëri.

Natyrisht, shifra 300.000 mund të jetë e fryrë tej mase, ashtu siç mund të jetë reduktive; askush nuk duket t’i ketë numëruar romët e Shqipërisë, e aq më pak janë marrë me këtë punë eksponentët zemërakë të diasporës – të cilët kryesisht specializohen në shpërthime indinjate ndaj këtij apo atij incidenti që, sipas perceptimit të tyre, ia rrezikon reputacionin Shqipërisë a në thelb atyre vetë, të cilët me këtë reputacion janë identifikuar. Një regjistrim i besueshëm i pakicave kombëtare e kulturore në Shqipëri nuk është e lehtë të bëhet, për arsye politike e sidomos sociale; dhe aq më e vështirë duket kjo ndërmarrje në rastin e romëve, të cilët identifikohen si të tillë kryesisht në bazë të kujtesës familiare ose kolektive. Ka të ngjarë që Wood ta ketë marrë informacionin nga ndonjë shoqatë kulturore romësh, çka është e natyrshme dhe, për rrethanat specifike, më se e përligjur, meqë sot për sot askush më shumë se vetë përfaqësuesit e kësaj pakice nuk duket ta ketë cilësimin e duhur për të përcaktuar se sa të tillë jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë.

Dihet, nga ana tjetër, se komunitetet në mërgim përpunojnë, me kalimin e kohës dhe me shtimin e shkallëshkallshëm të largesës psikologjike nga atdheu mëmë, një vizion të shtrembër e të idealizuar për vendin e tyre; dhe diaspora shqiptare në SHBA e gjetiu nuk bën ndonjë përjashtim. Ende mbizotëron ideja – në thelb folkloristike – se çdo veprimtari a impenjim i mërgimtarëve shqiptarë në marrëdhënie me Shqipërinë duhet të ketë karakter romantik të përvëluar; të jetë, si të thuash, i mbështjellë me flamurin kuq e zi. Duket sikur diasporës i është besuar kështu barra etike e kujdesit për racën e pastër shqiptare, gjakun e të rënëve për atdhe, gjuhën e kulluar shqipe, historinë heroike të të parëve, eshtrat e stërgjyshëve që s’i ka tretur dheu dhe relikeve të tjera kësisoj, të cilat Shqipëria përndryshe mund t’i lëjë të pluhurosen në raftet e muzeve, ose në magazinat stok të kulturës kombëtare.

Ky flirt i disa eksponentëve të diasporës me të djathtën ideologjike – ndonjëherë të skajshme deri në fashizëm – është i vetvetishëm, jo i frymëzuar nga krerët, as rezultat i ndonjë manipulimi dinak nga ‘armiku’. Ka shqiptarë të mençur e të kulturuar, në Perëndim, që i janë përkushtuar misionit në të vërtetë donkishotesk të mbrojtjes së shqiptarizmit, i cili u duket tej mase i rrezikuar nga manovrat antikombëtare të fqinjëve e veçanërisht Greqisë, por edhe nga erozioni jo vetëm statistikor shkaktuar prej afirmimit dhe konstituimit të pakicave gjithfarëshe brenda vendit. Për këta promotorë e njëkohësisht viktima të vizionit etnocentrik, depërtimi idhnak i grekëve dhe i Greqisë në Shqipërinë e Jugut; veprimtaria publike e shoqatave që përfaqësojnë pakica kombëtare e kulturore të tilla si vllehët, romët, goranët; dhe në përgjithësi orvatjet për t’ia modifikuar në çfarëdo mënyre fasadën etnike monolitike Shqipërisë sidomos në raport me botën e jashtme, përfaqësojnë problemet më të mprehta për të cilat elitat me pushtet në Tiranë do të përgjigjen në mos para elektoratit konfuz, të paktën para historisë.

Për mua, ky delir i arsyetuar vetëm sa provon krizën e kombëtarizmit shqiptar, i cili nuk po u përgjigjet dot rrethanave të reja gjeopolitike për Shqipërinë; në ç’rrethana problem e kërcënim i vërtetë nuk është asimilimi prej fqinjëve, por përtretja totale e identitetit kombëtar brenda një Evrope të bashkuar; dhe sidomos gatishmëria e një pjese të mirë të shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë për ta braktisur këtë identitet, të cilin e shohin tanimë si një stigmë a pengesë të hatashme në përpjekjet e tyre për një jetë më të mirë, me më shumë liri, lumturi personale e familiare dhe mundësi për të realizuar potencialet e veta. Natyrisht, kjo zvjerdhje ndaj flamurit dhe kjo ftohje ndaj kombëtarizmit si religjion i detyrohen një kombinimi të ndërlikuar shkaqesh; por ndër to besoj do llogaritur edhe shkëputja prej realitetit e atyre që, vullnetarisht, kanë marrë përsipër rolin e zëdhënësit të kombëtarizmit ndër shqiptarë, në Shqipëri, në Ballkan dhe në diasporë.

Ironia në këtë mes ka të bëjë edhe me atë që nëse ka një popull në Evropën post-komuniste që është trajtuar me përbuzje, duke u damkosur si inferior, kriminal, i paqytetëruar e dembel; e duke u rrethuar me lloj-lloj muresh – gjeografike, etnike e psikologjike – prej elitave dhe ideologëve fashistoidë në Perëndim, këta janë pikërisht shqiptarët; çka nuk është pa ndikim e faj në izolimin e getoizimin e sotëm të shtetasit shqiptar nga Evropa. Rrënjët sociale të persekutimit të pakicave janë analizuar mirë e prej kohësh; prandaj unë këtu vetëm sa dua të përmend se e përbashkëta midis përçmimit të sotëm të shqiptarëve në kontinent dhe përçmimit të djeshëm e ndoshta të sotëm të romëve ndër shqiptarë do marrë, para së gjithash, si arsye e mjaftueshme për t’u turpëruar, por edhe si provë se askush, madje as viktimat vetë, nuk janë të imunizuar ndaj asaj lëngate të shëmtuar që është etnocentrizmi fashist.

[2003]


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading