Qytetarë dhe kryeqytetarë

Shumë zhvillime të sotme në Shqipëri varen nga fërkimet ekzistenciale midis fshatit dhe qytetit. Megjithatë, nuk mund të shpërfillet ndikimi i kulturës së sotme qytetare në Shqipëri nga fakti që Tirana u caktua kryeqytet i vendit, si të thuash, me dekret; jo sepse e meritonte ndonjëfarësoj. Në thelb, zgjedhja e Tiranës kryeqytet do mbajtur për akt artificial, të frymëzuar kryesisht nga preokupime gjeopolitike.

Ndryshe nga Shkodra, Durrësi, Korça, Berati, Elbasani, Vlora e madje edhe Gjirokastra, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë mezi mund të quhej qytet, kur ia dhanë votat në Kongresin e Lushnjes. Banorët e Tiranës së atëhershme nuk e përballonin dot barrën dhe nderin e të qenit kryeqytetas; dhe qyteti vetë nuk kishte asnjë institucion kulturor për të qenë.

Mundet që ky anonimitet, ose varfëri e atributeve të mjaftueshme për t’u quajtur kryeqytetas, të jenë trashëguar e vazhduar disi në kulturën qytetare shqiptare të mëvonshme. A nuk ka gjetur vallë shprehje kjo kontradiktë më pas, në tensionin midis Tiranës qytet dhe Tiranës kryeqytet? Sa janë ndier tamam kryeqytetas banorët “autoktonë” të Tiranës?

Është e vërtetë se 80-90 vjet nuk janë pak për të shkrirë traditën qytetëse me traditën kryeqytetëse; por është njëlloj e vërtetë se institucionet shtetërore e kulturore në Tiranë nuk janë lidhur dot asnjëherë organikisht me Tiranën qytet, si entitet i shtrirë në histori dhe kulturë.

Me fjalë të tjera, si kryeqytet Tirana ndoshta ka mbetur e padrejtpeshuar, më shumë “krye” sesa “qytet”.

o o o

Termi shqip qytetërim është përkthim i fjalës neolatine civilisation, e cila në thelb rrjedh nga një rrënjë latine civis, që do të thotë “qytetar”. Kjo nuk është se përcakton, megjithatë, kuptimet që i jepen termit sot, e që janë aq të shumta, sa vështirë se gjendet një emërues i përbashkët mes tyre, as më takon mua ta gjej.

Por unë them se duhet dalluar gjithnjë midis qytetërimit si cilësi statike (p.sh. “qytetërimi perëndimor”, “qytetërimi egjiptian”) dhe qytetërimit si proces i kalimit nga një fazë më pak e qytetëruar në një fazë më të qytetëruar.

Kuptimi klasik i fjalës qytetërim mendohet se mbështetet mbi respektimin e ligjit nga banorët e një qyteti (cives). Prandaj edhe thuhej se këta ishin “të qytetëruar”, sepse e njihnin dhe zbatonin autoritetin e ligjit, përkundrejt të tjerëve, të cilët i bindeshin forcës, instinktit, ose supersticionit.

Më pas ky dallim u përthye në dallimin tjetër midis qytetërimit dhe barbarëve, i cili në forma të ndryshme vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Sa për Shqipërinë, dallimi mes qytetarëve dhe katundarëve, sado real, më duket se nuk e shpreh aq mirë esencën e konflikteve atje; qoftë edhe thjesht sepse këto janë koncepte komplementare.

Ndoshta më mirë të flitet për konflikt midis “sedentarëve” dhe “nomadëve”; sepse të parët janë të lidhur me truallin qoftë në qytet qoftë në fshat dhe i përgjigjen më mirë konceptit modern për një shoqëri të organizuar në bazë të ligjit – meqë nuk i “ikin” dot dhunës së shtetit, mund të mbrohen prej saj vetëm duke e rregulluar me ligj; ndërsa të dytët më pak, dhe në Shqipëri janë përdorur shpesh për të marrë e për të mbajtur pushtetin.

Shqiptarët duket se e kanë ruajtur një traditë nomadizmi, e cila në një mënyrë ose në një tjetër përthyhet si patriarkalizëm, banda të armatosura, ndjenjë e dobët e pronës private, rrënjosje e pamjaftueshme në truall, kult i vjedhjes grabitjes e dhunës, mercenarizëm, egalitarizëm i skajshëm.

Pse flas për traditë nomadizmi në shqiptarët? Sepse i referohem traditës së tyre për të shtegtuar me bagëtitë. Kjo traditë ndikon drejtpërdrejt në raportet që ka fshatari me pronën; sepse ndryshe nga bujku që ka tokë në pronësi dhe e bazon ekonominë në bujqësi, blegtori i ka pronat kryesisht bagëti. Në një situatë krize ose vështirësie ose përndjekjeje ose lufte, blegtori e ka më të lehtë të lëvizë sesa bujku, i cili është vetvetiu i lidhur me tokën dhe s’ka si ta lërë pa zot.

Po të shkosh e të shëtisësh nëpër fshatra poshtë e lart në Shqipëri, do të vësh re se shumë prej tyre janë relativisht të reja. Edhe në fshatra më të vjetra, banorët shpesh do të të rrëfejnë se nga ç’zonë tjetër kanë ardhur. Ka psur lëvizje të mëdha të popullsisë, për arsye të ndryshme. Kjo lëvizje e popullsisë fshatare mund të shpjegohet edhe me lidhjet e dobëta të atyre që kanë lëvizur me pronat e patundshme ose tokat. Është toka që të mban të lidhur pas vetes.

Një analizë më e mbështetur e kësaj çështjeje duhej të merrte parasysh raportet e pronës mbi tokën në Shqipëri: ç’raporte kanë pasur me tokën fshatarët myslimanë në krahasim me të krishterët (shqiptarë, vllehë dhe grekë); argatët në krahasim me fermerët; e kështu me radhë. Pronat e patundshme të tokës kanë qenë kufizuar edhe nga vetë gjeografia e vendit, ose nga varfëria në tokë të punueshme.

Nga ana tjetër, lidhjet e fshatarit me tokën në Shqipëri u dobësuan edhe më tej me kooperativizimin; i cili praktikisht i shndërroi fshatarët të gjithë në mëditës. Si pasojë, asgjë nuk do t’i mbante këta njerëz të lidhur me tokën që punonin, përveç ligjit të pasaportizimit; dhe mbas 1990-ës shumica u derdhën drejt zonave bregdetare, dhe një pjesë morën edhe detin për Itali, ose kaluan kufirin drejt Greqisë.

A lidhet kjo “traditë nomadizmi” me banditizmin? Unë them se lidhet. Banditizmi i shqiptarëve, sidomos në zonat malore, të Shqipërisë dhe të Epirit, njihet historikisht. Ka zona të tëra ku vjedhja dhe grabitja respektohen si burrni; një etikë kjo që sot është sjellë deri në Tiranë. Unë shoh gjithnjë një raport midis psikologjisë së hajdutit/kusarit dhe dobësisë së lidhjeve me pronën e patundshme; sepse a nuk është prona (toka) që të qytetëron, duke të bindur për nevojën e ligjit që të të mbrojë?

[2007]

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin