Etika në perandorinë zero

Nëse materie ngjitëse e shoqërisë është ‘religjioni normativ’ siç thuhet, atëherë këtë funksion mund ta kryejë çfarëdo besimi i përbashkët në një entitet supra-individual – Zoti, Gjaku, Baba, Fisi, Klani, Mbreti, Sulltani, Kombi, Shteti.

Nga ana tjetër, në historinë e shqiptarëve, unë shoh më shumë një bashkëjetesë mes normave religjioze konvencionale (kristiane e myslimane) dhe normave fisnore-klanore. Të dytat nuk i zëvendësojnë të parat, por i plotësojnë.

Përtej aspekteve ngushtësisht religjioze (dhe formale), të krishterët dhe myslimanët në Shqipëri kanë ndarë mes tyre norma etike pak a shumë të njëjta. Kjo pjesërisht mbështetet në çka përnjimend e bashkon Krishterimin dhe Islamin në themel, por pjesërisht ka të bëjë me ruajtjen e sistemit etik gjatë konvertimit fetar.

Për ta thënë ndryshe, ajo që u mungon shqiptarëve është besimi në Shtetin, jo besimi në Zotin. Tanët e kanë zakon të këputin të trasha për gjakun, kombin, shqyptarinë e të tjera si këto, por Shqipërinë si Shqipëri (shtetin shqiptar) nuk e përfillin shumë.

Nuk di sa mund t’u vihet faj shqiptarëve vetë për këtë mungesë besimi ndaj shtetit të tyre. Por një shoqëri që nuk respekton shtetin e vet, ndoshta edhe nuk e meriton fare. Nëse Shqipëria sot ekziston që të majmet një skotë grabitqarësh, filistinësh dhe demagogësh, atëherë shqiptarit të rrugës nuk i mbetet veçse të jetë krenar që është “shqiptar”, jo që është shtetas i Shqipërisë.

Kombi shqiptar ende e percepton veten të përfshirë brenda një perandorie imagjinare, ose një perandorie “zero” (d.m.th. që shfaqet si mungesë). Thelbi i elitizmit të Tiranës sot është provincializmi i shëmtuar. Fisi, klani, gjaku nga njëra anë, e religjioni nga ana tjetër, janë forma, mite e praktika sociale që nuk kërkojnë ndonjë shtet kombëtar për t’u riprodhuar. Një katolik shqiptar sot nuk ka nevojë për Shqipërinë e për Tiranën që të jetë e të mbetet katolik shqiptar.

Fajin historik të elitave me pushtet sot në Shqipëri unë e shoh në efektin kryesor të pisllëkut të tyre mbi shtetasit e republikës, ose komprometimin e shpresës që Shqipëria “mund të bëhet” si e tillë, si Shqipëri. Me fjalë të tjera, nëse shqiptari i rrugës bindet se shteti shqiptar nuk është veçse instrument në duart e kësaj elite për ta rrjepur të gjallë, atëherë vetë arsyet etike (e theksoj, etike, jo juridike as historike) për ekzistencën e Shqipërisë si shtet mund të pushojnë së vepruari.

o o o

Jemi të një mendjeje që paritë e sotme politike në Shqipëri janë të padenja për respekt, dhe me veprimet e mendësitë e tyre ngjallin kryesisht neveri.

Jemi të një mendjeje edhe që ka diçka që nuk shkon në raportin e shqiptarit standard, ose të rrugës, me shtetin e vet, ose Shqipërinë.

Unë vras mendjen të gjej nëse ka një rrugëdalje nga ky qorrsokak përtej evokimit të mitit kombëtar.

Se kur flasim për fetë në Shqipëri, nuk duhet të lëmë jashtë as kombëtarizmin, ose adhurimin irracional të gjakut, të gjuhës e të historisë së vërtetë e të pavërtetë të shqiptarëve.

Nëse fetë konvencionale janë dhe mbeten të dobëta, kjo vjen edhe ngaqë shumë shqiptarë spiritualitetin e kanë desublimuar në supersticion. Formë tipike e këtij supersticioni është edhe kombëtarizmi, ose adhurimi i kombit për vetveten.

Brenda debateve në fushë të kulturës e të politikës argumenti kombëtarist ka një funksion deterrent të ngjashëm me bombën atomike në konflikte të armatosura.

Një numër shqiptarësh, përndryshe skeptikë e agnostikë ndaj çdo malli manipulativ e irracional që u ofron tregu i ideve, u falen verbërisht idhujve të fesë kombëtare.

Në shumë aspekte, kjo fe kombëtare mbështetet mbi një numër mitesh të arkivuara në kujtesën sociale, d.m.th. të riprodhueshme nëpërmjet shkollës, mediave dhe formave e institucioneve të tjera kulturore.

Këtu nuk dua të gjykoj kombëtarizmin vetë, as raportet e tij me fetë konvencionale; por vetëm të diskutoj pse përkushtimi kombëtarist nuk është përthyer në ndonjë forcim ose përshëndoshje të Shqipërisë si shtet të shqiptarëve.

Pikërisht në këtë kontekst më vlen hipoteza e perandorisë zero, ose psikoza e vilajetit ndër të gjithë ata shqiptarë që nuk mund ta konceptojnë ekzistencën e shtetit TË TYRE përveçse si perandori, së cilës ia popullojnë periferitë.

Normalisht, kombëtarizmi duhej t’i bashkëlidhej një koncepti për shtetin si burim të autoritetit politik, juridik dhe etik; por kjo ndër shqiptarë nuk ndodh, ose më mirë ndodh sa kohë që ne i falemi përunjësisht një autoriteti të jashtëm “super partes”: Sulltani, Mussolini, Titoja, Stalini, Hrushovi, Evropi, Inglizi, Maoja, Straussi, Berlusconi, Bushi.

Kjo ka bërë të përvijohet e të trashëgohet brez pas brezi një psikologji prej populli liminal ose të kufijve, që mbijeton duke iu referuar një autoriteti “përtej horizontit”. Shteti që kemi sot, ose që jemi të shtrënguar njëfarësoj ta kemi, e siguron atë farë autoriteti formal që ka vetëm nëpërmjet arbitrimit nga lart.

Kush e ka parasysh si vrapojnë politikanët sa te një ambasador tek tjetri e te një i dërguar tek tjetri – në kërkim të një legjitimimi në thelb qesharak, por të nevojshëm për bejlegët me kundërshtarët përkatës – do të më japë të drejtë.

E kundërta e këtij infantilizmi politik është paranoja autarkike, siç e zbatoi Enver Hoxha, kur e absolutizoi inferioritetin shqiptar duke e mbyllur Shqipërinë në varr të historisë për së gjalli. Shembulli i totalitarizmit komunist tregon edhe se problemi psikologjik që kanë shqiptarët me autoritetin nuk mund të zgjidhet ballazi.

Nga ana tjetër, kombëtarizmi naiv i shqiptarëve do të vlente diçka sikur të arrinte të shkëputej nga gracka e mitit historik të vetadhurimit e të shndërrohej në një raport të shëndetshëm e produktiv të shqiptarëve me shtetin e tyre. Unë nuk kam ndonjë recetë si mund të arrihet kjo, por di që nuk jemi të parët që do ta tentojmë.

o o o

Historisë njëshekullore të shtetit shqiptar nuk kemi shumë ç’t’i kujtojmë, por ama nuk kemi as të drejtë të harrojmë se shtetin, si të tillë, duhet ta meritojmë, duke i dhënë dinjitetin që i takon, në kontinentin pjesë e të cilit jemi gjeografikisht.

Që nga Rilindja e deri në 1912, elitat iluministe e kërkuan një shtet për shqiptarët të bindur se këta do të jetonin më mirë po të kishin një shtet të tyrin sesa po të mos e kishin e t’i merrte me vete Perandoria Otomane kur të rrëzohej në greminë. Të paktën kjo është dija konvencionale, pjesë e vetëdijes kulturore të shqiptarit të sotëm.

Mirëpo çështja mund të shtrohet edhe ndryshe: elitat që e kërkuan shtetin shqiptar, e kërkuan sepse donin t’ua përmirësonin jetën shqiptarëve, apo thjesht donin të ruanin privilegjet e tyre? Unë kam bindjen se, para një shekulli, të gjithë ata shqiptarë që u munduan për Pavarësi e bënë sepse dëshironin t’i jepnin diçka kombit të tyre, ose shqiptarëve, jo sepse e kishin mendjen të mbijetonin si të privilegjiuar.

Po t’i shohim burrat e shtetit në krye të punëve në Shqipëri midis viteve 1912-1939, përshtypja është se këta personalisht nuk dolën të fituar nga shpallja e pavarësisë. Njerëz që ishin mësuar të kishin nën urdhrat e tyre trojet e pafund të Perandorisë Osmane dhe ushtritë perandorake, në Evropë dhe në Azi, befas e panë veten gjela në kotec, me tre-katër pula rreth e rrotull dhe ndonjë pirg të vogël plehu për t’i hipur, në raste festash.

Një pjesë e tyre, megjithatë, ishin përnjimend idealistë dhe dëshironin të bënin diçka për popullin e tyre, të cilin njëfarësoj e konsideronin me po aq mall e kujdes sa edhe pronat e pasuritë që kishin. Ne si produkte të barazimtarizmit e të populizmit të shfrenuar që jemi, nuk duhet të harrojmë se aristokracia e vjetër, madje edhe ajo shqiptare, i kishte ruajtur ca skrupuj etikë të cilat u mungojnë parive të sotme plebease.

Paritë atëherë vërtet humbën hapësirë, privilegje dhe perspektiva, por të paktën pavarësia e lejoi kombin shqiptar të mbijetonte në rrethanat e agresivitetit të madh nacionalist të fqinjëve në Ballkan. Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se shqiptari “i rrugës” përfitoi doemos nga 1912-a.

Një shekull ka kaluar që atëherë, dhe shpresat ende i kemi që një ditë shqiptarët ta marrin veten në dorë me pjekurinë që tashmë pritet prej tyre. Por unë nuk kam ndonjë iluzion se ky zgjim praktik i shqiptarit do të ketë ndonjë farë lidhjeje me kujtesën historike.

Ndoshta kujtesa e “lavdisë” kombëtare u duhet elitave për t’u motivuar, por jo të tjerëve, të cilët duhet ta kuptojnë se në një shtet modern siç kërkon të jetë Shqipëria autoriteti duhet të burojë nga Ligji, jo nga njerëzit as nga gjaku që rrjedh në deje.

Shqiptarët sot në Shqipëri i kanë disa ligje të mira, rreth të cilave mund të ndërtojnë shtetin modern. Ta ndërtojnë me po aq zell e shpresë, bie fjala, sa ç’tregojnë për të rregulluar shtëpitë e tyre të reja.

Ti mund të jesh lindur e të jesh rritur në sarajet e Beut të Këlcyrës, por kur del në jetë e futesh në një copë garsonierë nuk rri të këputësh të trasha për luksin që gëzoje dje; por i përvishesh punës për ta bërë apartamentin e ri tëndin, d.m.th. të jetueshëm. Dhe mobilimi s’mund të fillojë me varjen e portretit të Skënderbeut në mur.

Me fjalë të tjera, të thuash “o sa mirë o me kenë shqyptar” në mes të Tiranës nuk mjafton, është deklaratë fëminore, pa ndonjë vlerë sociale, edhe kur nuk është hipokrite a konformiste. Madje unë të qenit shqiptar sot në Shqipëri nuk e kuptoj dot përtej përpjekjeve për t’i dhënë kuptim dhe dinjitet shtetit tënd, me mundësitë që ke.

Raporti i individit me shtetin duhet të jetë i tillë që të prodhojë qytetarë nga njëra anë, legjitimitet nga ana tjetër. Dikur, në një debat të ndryshëm, pata thënë se e vetmja formë shoqërisht produktive e patriotizmit sot është gatishmëria për shërbim publik. Gjithë duke i mbetur besnik një përcaktimi të tillë, shtoj se mitologjisë kombëtariste standard nuk po ia gjej dot më vendin në këtë kontekst.

Shpresoj të vijë dita kur të dëgjojmë njerëzit të shprehin krenari jo se janë shqiptarë, vllehë apo goranë (punë e tyrja), por se janë shtetas të Republikës

o o o

Një temë ngacmuese për t’u diskutuar do të ishte: si e vështrojnë Shtetin Qytetarët në Shqipërinë e sotme. Përshtypja ime, aty për aty, do të ishte se Qytetarët shqiptarë e vështrojnë Shtetin si të ishte një agjenci në mos e huaj të paktën e përtejme, e cila ua kufizon veprimet, veprimtaritë, dëshirat dhe interesat.

Kjo agjenci njëkohësisht konsiderohet si mjet në duart e atyre që kanë Pushtetin për t’u pasuruar më tej ose për të pasuruar e forcuar “të vetët” ose për të përjetësuar atë pushtet. Mirëpo njerëzit që kanë sot në dorë Shtetin janë po ata me të cilët dje luanim futboll ose yç, hapnim kanal me lopatat entuziaste të Enverit, shkëmbenim fjolla e fllade fasulesh në kapanonet e zborit…

Nuk është për t’u habitur që Qytetari çfarëdo ta shohë veten në kundërvënie me Shtetin. Aq më tepër që në Shqipëri përgjithësisht mungojnë hallkat e ndërmjetme për zbutje, ose institucionet e ndryshme të shoqërisë civile; dhe shteti vetë nuk arrin dot ta gjejë ritmin e duhur të funksionimit të vet si agjenci jo vetëm rregulluese, por edhe rrezatuese e etikës sociale dhe politike.

Megjithatë, perceptimi i Shtetit si agjenci armiqësore ndaj Qytetarit tradhton një kontradiktë të madhe në botëkuptimin politik të shqiptarit vetë, që ka të bëjë me paaftësinë për të përfytyruar dhe për të kultivuar forma të vetat të organizimit social që shkojnë përtej fisit, tarafit, kafenesë, bandës së kusarëve, klanit mafioz ose jomafioz.

Për një vend modern, normale është që Qytetari ta mendojë Shtetin si të vetin, jo si të huaj. Perceptimi i Shtetit si agjenci e huaj ndodh më tepër në periferi të perandorive, ku komunitetet lokale jetërsohen ndaj qendrës dhe e shohin aktivitetin e saj si intruzion në punët e tyre (p.sh. vjeljen e taksave ose shërbimin e detyruar ushtarak).

Ka atëherë vend të përsiatet se për instinktet politike të Qytetarit në Shqipëri imazhi i Shtetit të mirëfilltë mbetet i kontaminuar me arketipin e Perandorisë Osmane? Se amoraliteti i sotëm në Shqipëri është efekt i tërthortë e anësor i dëshirës primordiale për Babën?

Ky nuk është thjesht spekulim për të kaluar kohën. E ardhmja e shqiptarëve, ose të paktën e shumicës së shqiptarëve, varet në masë të madhe nga e ardhmja e Shqipërisë vetë si shtet në Evropë.

o o o

Diskutimi për raportin e qytetarëve me shtetin në Shqipëri gjithnjë lidhet me etikën individuale, edhe pse një republikë moderne duhet të jetë e tillë që t’i tejkalojë kufijtë e etikës individuale – në kuptimin që qytetari duhet, në parim, t’i besojë më shumë shtetit sesa personave që shtetin e mishërojnë.

Megjithatë, etika individuale mund e duhet të analizohet veçan nga etika e institucioneve, duke përfshirë edhe shtetin. Në këtë mes, më duket me interes modeli i Kohlberg-ut për arsyetimin moral, mjaft i njohur në pedagogjinë amerikane, të cilin po e përcjell më poshtë të përshtatur nga materiale lehtësisht të gjetshme në Internet, por me komente të miat në shkronja korsive.

Modeli i Kohlberg-ut

Tri nivele dhe gjashtë stade të arsyetimit moral

Niveli I: Moraliteti Prekonvencional

Stadi 1:
Shmangia e ndëshkimit dhe bindja

Individët marrin vendime morale në bazë të çka konsiderojnë si më të mirën për ata vetë, pa përfillur nevojat ose ndjenjat e të tjerëve. U binden rregullave vetëm nëse këto imponohen nga individë më të pushtetshëm; nuk u binden, nëse mund ta bëjnë këtë pa u pikasur.

Këta lloj individësh, në shkallën më të ulët të zhvillimit etik, duket se bëjnë ligjin sot në Shqipëri; nuk them se janë shumica (shpresoj jo), por janë aq protagonistë sa t’u japin formë transaksioneve etike atje. I shoh në krye të punëve në politikë dhe në ekonomi, dhe si pa skrupuj që janë, kanë një avantazh paradoksal ndaj konkurrentëve. Në sjelljen e tyre ka diçka primordiale e madje genitale, prej kafshe të egër por në thelb të pafajshme edhe pse praktikisht të dominuar nga frika dhe shtysa për mbijetesë; ose prej viktime të vrazhdë e të pashpresë sistemesh edukative të gabuara, abuzimesh politike e familiare, genesh të dëmtuara nga patologjitë sociale.

Stadi 2:
Shkëmbim favoresh

Individët fillojnë të kuptojnë se edhe të tjerët kanë nevoja. Mund të orvaten t’ua plotësojnë nevojat të tjerëve nëse kur janë duke vepruar kështu u përmbushen edhe nevojat e tyre. Megjithatë vijojnë ta përcaktojnë se ç’është e drejtë e ç’është e padrejtë kryesisht në bazë të pasojave ndaj atyre vetë.

Këtu hyjnë, besoj, të gjithë ata njerëz me të cilët “mund të merresh vesh”, duke vendosur një farë solidariteti, qoftë edhe në nivelin aritmetik të shkëmbimit të ndereve. Dashur pa dashur, sot janë këta që ia ruajnë fytyrën njerëzore shtetit, administratës dhe pushtetit në Shqipëri, meqë mund të depërtohen nga Tjetri. Shkëmbimin e favoreve e ndihmoi shumë atmosfera shtypëse nën totalitarizëm, kur njerëzit mbroheshin ndaj dhunës së shtetit duke i bërë favore njëri-tjetrit. Këta tani thjesht lëvizin e veprojnë në shtresat e poshtme të pellgut, të mefshtë e të pamundur për t’u zënë në fjalë ose në gabim, por edhe përgjithësisht indiferentë ndaj ligjit dhe nevojës për t’iu përkushtuar njëfarësoj sferës publike. E perceptojnë botën si një rrjet interesash private.

Niveli II: Moraliteti Konvencional

Stadi 3:
Çun i mirë/Gocë e mirë

Individët marrin vendime morale në bazë të çka do t’u bëjë qejfin të tjerëve, sidomos figurave autoritare. Përpiqen t’i mirëmbajnë marrëdhëniet ndërpersonale nëpërmjet bashkëpunimit, mirëbesimit dhe besnikërisë. Marrin parasysh qëllimet e dikujt, për ta gjykuar si të fajshëm ose të pafajshëm.

Këta janë kryesisht servilë dhe të papërfillshëm në ecurinë e punëve, por të paktën dëmet që sjellin mund t’ia faturojnë gjithnjë autoritetit të cilit i përulen. Janë të papjekur dhe fjala nuk u zë vend, por skrupujt nuk i lënë t’i hanë kokën shoku-shokut. I shoh të lidhur ngushtë me autoritarët e stadit 4, sepse shteti si mekanizëm kolektiv dhe i koordinuar, ka nevojë edhe për sekretues , edhe për transmetues e amplifikues të autoritetit. I shoh edhe si figura dytësore dhe entuziaste në klanet e në tarafet, burra të krehur bukur e gra të virtytshme, që shërbejnë si garanci a shqyt moral për shefat tepër më të korruptuar.

Stadi 4:
Ligj dhe Rregull

Individët presin që shoqëria në tërësi t’u dëftojë çfarë është e drejtë dhe çfarë e padrejtë. I perceptojnë rregullat si të paprekshme dhe kujtojnë se e kanë për “detyrë” t’u binden.

Këta formojnë shtyllën kurrizore të administratës dhe të pushtetit, edhe pse të padukshëm, të mërzitshëm e përgjithësisht të patalentuar. Njerëz që i janë dorëzuar krejtësisht robotit brenda tyre, Frankenstein-it të shprehive, ose super-egos. Ndonjëherë i shoh si fanatikë, t’u nxijnë jetën vartësve, familjarëve dhe të tjerëve që u dalin përpara, me qenërinë e tyre të pakufishme. Në rrethana të tjera, shndërrohen skllevër të së keqes, sidomos kur nuk e kuptojnë mirë se kujt po i shërbejnë. Krejt të nevojshëm, në periudha stabiliteti, por edhe të padurueshëm me konservatorizmin e tyre.

Niveli III: Moraliteti Postkonvencional

Stadi 5:
Kontrata Sociale

Individët e kuptojnë se rregullat nuk janë veçse rezultat i një marrëveshjeje mes njerëzve për çka konsiderohet sjellje e përshtatshme. E kuptojnë edhe se rregullat mund të ndryshohen nëse nuk i përmbushin më nevojat e shoqërisë.

Stadi 6:
Etika universale

Individët ndjekin një numër të kufizuar parimesh universale abstrakte, që i tejkalojnë rregullat konkrete, specifike. I përgjigjen ndërgjegjes së tyre dhe mund t’i thyejnë rregullat që u bien ndesh parimeve të tyre etike.

Nuk kam dyshim që edhe ky nivel është i përfaqësuar ndër shqiptarë, por për fat të keq, jeta publike e atjeshme është e konfiguruar në mënyrë të tillë që t’i nxjerrë jashtë e t’i flakë tutje individët që e interpretojnë moralitetin kësisoj. Individë i ndesh kryesisht në komunitete besimtarësh të devotshëm, të krishterë e myslimanë, me jetë shpirtërore të pasur dhe vetëdije të dominuar nga drita.

[2006]

 

1 Koment

  1. Pashe nota te theksuara statolatrie .
    Po sjell nje shprehje te Nices :
    Shteti eshte krijuar per te tepertit.
    Sigurisht qe te tepertit per Nicen jane pengesa per te shkuar tek mbinjeriu, pra nje kendveshtrim internacionalist, keshtu qe meqe jam konservator shqiptar nuk mund te pajtohem as me te.

    Mendoj se eksperienca 2400 vjecare shteterore e shqiptareve nuk mund te lihet jashte analizes,por biles duhet marre si baze.

    Per 2000 vjet shteti per shqiptaret ka perfaqesuar nje organizem ekonomikisht shfrytezues e shpirterisht reduktues te aspiratave te perbashketa .
    Ne subkoshencen shqiptare shteti eshte padyshim pjelle e se keqes.
    Taksa nga me te ndryshmet, detyrimet e vazhdueshme ushtarake,(sepse per fatin tone te keq, pushtuesit kane pare tek ne , ushtaret me te mire qe mund te gjendnin brenda perandorive te tyre), fete te imponuara prej shtetit etj, jane faktore shume te rendesishem ne psikiken shqiptare aktuale e sigurisht edhe ne sjelljen ndaj shtetit.

    Shteti komunist me kujdesin e tij te vecante beri qe masa te gjera te dashurohen per here te pare me shtetin e biles u arrit qe ‘shqiptar’ te ishte percaktim shteteror me shume sesa kombetar.
    Me zhdukjen e komunizmit , mekanizmat e propagandes proshteterore qe mbanin shqiptarin lidhur fort me shtetin u zhduken e rilinden komplekset e vjetra antishtet.Komunizmi e mbajti aq fort individin te lidhur me shtetin sa i mori frymen individit te shkrete.

    Kemi 17 vjet qe shohim triumfin e ndjesise antistataliste te rrenjosur thelle ne subkoshencen tone e nuk besoj se pa u zgjidhur ceshtja kombetare do mund te kemi ndonje ndryshim thelbesor.
    Cka kerkon ti, qe shqiptari te jete krenar per shtetin me shume sesa krenar me qene shqiptar eshte kunderprodhuese ne kendveshtrimin kombetarist.
    Ka dhe nje faktor tjeter te rendesishem; origjina joshteterore e fjales shqiptar qe implikon si mungesen e nje hapesire te percaktuar qarte ku duhet te shtrihet nje shtet shqiptar , ashtu edhe trashegimine politike te shtetit.

    Vete Tirana si kryeqytet demton jashte mase afrimin e shqiptarit me shtetin, pasi Tirana nuk perfaqeson ne ndergjegjen shqiptare asgje , biles simbolet e saj turko-islamike; xhamia ne mes te qytetit , Haxhi Qamili dhe Esat Pasha i kujtojne shqiptarit periudhen kur shteti perfaqesonte te keqen e tradhtine.

    Kjo teme eshte ne fakt shume e gjere e mendoj ti rikthehem njehere tjeter.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: