Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

TURBO-PRASI ZHVILLIMOR

nga Arjan Shahini

I. A kanë dështuar projektet e mëdha sociale, politike apo ekonomike në Shqipëri? A ka historiografi “pa komplekse”[1] të na mësojë mbi kostot dhe dobitë e turbo-projekteve si turbo-sovjetizimi e turbo-kapitalizmi? Po mbi kostot e projektit/vizioneve të nacionaliz(i)mit e shtet-formimit që ka paraprirë e shoqëruar këto projekte?[2]

Apo mos duhet që projektet e mëdha të zbatohen me optimizëm e konsistencë, por të vlerësohen me pesimizëm. Siç thotë A. Gramsci diku: e para kërkon vullnet, e dyta intelekt. Apo, nëse mundemi, le t’u shpëtojmë këtyre projekteve paternaliste e të importuara të modernizimit a post-modernizmit pavarësisht vizioneve/fytyrave humane që mbartin? Ta lëmë njerëzimin rehat!

P.sh. dimë që kostot sociale për turbo-shtetëzimin, turbo-planifikimin urban/ekonomik/social, e turbo-industrializimin e vendit gjatë zbatimit të modernizimit stalinist rezultuan me kosto të mëdha sociale:[3] shpronësime, vjedhje, persekutime, shpërngulje masive të individëve, çoroditje vlerash e strukturash sociale. Problemet u terapizuan shpejt nëpërmjet propagandës e represionit ciklik, por nxorën krye në tjetër vend e kohë. Këto efekte u shtrinë në sistemin e drejtësisë (vrasjet e ndëshkimet kolektive pa gjyq), e në atë politik me përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e sovranitetit gjatë aleancave me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, e më pas Kinën. Një pjesë e këtyre zhvillimeve kishin nisur në kohën e mbretërisë, e vetëm u përshpejtuan gjatë periudhës komuniste (reformat në arsim, shëndetin publik, në bujqësi, planifikimin urban, emancipimin e femrës, etj.)

Në nivel makro-ekonomik dimë që rritja ekonomike kushtëzohej nga ndihma e huaj.[4] Në vende të tjera rezultatet nuk janë konsistente mbi efektet negative apo pozitive të ndihmës së huaj. Në Shqipëri prej 1980 deri në 2009 efekti qenka pozitiv, por studimi nuk bind nga pikëpamja metodologjike.[5]  Ndërsa flasim në teori për ekonomi të centralizuar, por ndoshta dhe planifikimi ka qenë si ai filmi çekosllovak (Pati dhe Mati)[6], më shumë i improvizuar se i përllogaritur.

Në bujqësi nuk është e qartë nëse reformat kanë qenë të suksesshme.[7] Nëse do të mateshin sipas synimeve strategjike të qeverisë, do të dilte se reforma agrare solli rritje të prodhimit bujqësor. Por sipas Zhllima et al., që përdorin të tjera kritere vlerësimi, në aspektin afatgjatë nuk solli rezultat dhe prodhimi ishte në stagnacion në vitet 80.

Por interesant do të ishin studime kundër-faktuale duke krahasuar skenarët e ndryshëm të zhvillimit të mundshëm zogist (sa dy mandate të E. Ramës!) apo enverist (pesë mandate prej 1960); ose skenarë me edhe pa lëvizjet e mëdha migratore. Ekonomistë që merren me ciklet e politikave si D. Imami e E. Zhllima[8] do të vërenin ndoshta efekte të cikleve ekonomike[9] apo spastrimeve në modelet e tyre ekonometrike, dhe jo efektin e regjimeve.

Megjithatë, zhvillimi (njohur në ligjërim me terma po aq të imponuara: hope, i vrullshëm, etj.) pruri dobi në arsim[10] dhe në shëndetin publik.[11] Këto nuk di nuk nëse u atribuohen politikave vendore, ndihmës së jashtme teknike e ekonomike, vazhdimësisë së politikave të periudhës së pushtimit italian e mbretërisë, mobilizimit social, elitave të reja apo të vjetra, teknologjisë së qeverisjes, apo kombinimeve të këtyre faktorëve.

Pa folur për efektet pozitive afatshkurtra të thuajse çdo ndërhyrje politike apo inovacioni teknologjik kryesisht (innovation effect), të cilat sheshohen me kohë e mund të rezultojnë me efekte negative afatgjate. P.sh., mjafton vendosja e një programi diku në  Ministrinë e Financave që nuk lejon rrumbullakosjen e shifrave të planit nën 10 zero dhe kjo mund të rris një ekonomi të vogël me 2 përqind atë vit (skenar i marrë nga Office Space[12].)

Nuk dimë as nëse të dhënat e referuara janë të besueshme. P.sh. dy studimet mbi arsimin dhe shëndetin publik bazohen në të dhëna të agreguara, raportuar nga vjetarë statistikorë apo raporte të institucioneve qendrore. Nuk janë të konfirmuara nga mikro-data, p.sh. nga kampione në regjistra të gjendjes civile të administratës vendore, regjistrat e shkollave, spitaleve, kopshteve, etj.

E njëjta situatë me turbo-kapitalizmin e viteve 2000 e deri tani. Nuk dihet p.sh. kostoja sociale e shumë ndërhyrjeve si ajo e fundit për shpërnguljen me dhunë të disa banorëve në Tiranë. Apo kostot e ndërhyrjeve në mjedis në raport me dobitë ekonomike, edhe pse donatorët e huaj kanë standardizuar praktikat për të marrë konsensusin e aktorëve të përfshirë. Apo efekti i largimit të profesionistëve mbi ekonominë shqiptare në raport me dërgesat, etj.

II. Vijmë në pikën e dytë të esesë. Libri i L. Ypit që përcjell ndjenja pozitive, optimiste [13] është kritikuar pikërisht për trajtimin e cekët të periudhës komuniste. Kjo vihet re duke krahasuar sentimentin e fjalëve të përdorura me rrëfimet e Kadaresë, që janë më të zymtë e pesimistë. Apo fjalimet e E. Hoxhës, që gjithashtu prisja të ishin më negative, por gjithsesi rezultojnë polarizues (shih grafikun). Por a duhet fajësuar Lea Ypi për trajtimin optimist?

 

Nuk e kam lexuar librin, se si roman nuk më tërhoqën faqet e para, dhe si histori kam të tjerë tituj më të ngutshëm për të lexuar. E sa për ndjesi pozitive do të shihja për të tretën herë filmin e W. Anderson, The French Dispatch.[14] Një himn i denjë për The New Yorker, që ka aspiruar gjithmonë imazhin në tekst, dhe tekstin në imazh. Anderson i tollovit këto me stilin e tij duke iu referuar një liste të gjatë filmash.

Por edhe aq horror e gjakatare sikur e kanë pikturuar disa periudhën komuniste nuk duhet të ketë qenë. Tej faktit se ka gjithmonë nën-periudha e jeta e robit përdor të tjerë gurë kilometrikë. Ndoshta jo aq terror sa të ketë nevojë të eufemizohet pas parabolave apo formave të tjera figurative.[15] Njerëzit kanë jetuar, kanë ngrënë, kanë bërë seks, kanë dëgjuar radion edhe atëherë.[16] Ndërsa arbitrariteti i pushtetit të qeverisë apo perandorisë në kulturën tonë ka qenë perceptuar gjithmonë si një force majeure.

III. Një temë interesante që më ngacmoi rishtazi, ishte ekonomia e vlerësimit të riskut të Sigurimit të Shtetit. Nga ç’mund të spekulohet prej disa tabelave të vitit 1988.

Kastriot Dervishi kish publikuar diku në Facebook një dokument mbi numrin e personave me dosje sipas rretheve të Sigurimit të Shtetit për vitin 1988. Këtu mund të ngrihet pyetja nëse sigurimi ka qenë racional në ndarjen e burimeve.

Rezulton që jo tërësisht. Me siguri ka pasur forma të familjariteti të sëmurë, nepotizmit. Kostoja për subjekt është shumë e lartë në qarkun e Elbasanit. Në Gramsh edhe Ersekë kanë qenë punësuar më shumë informatorë që nxirrnin bukën e përditshme, pa i sjellë ndonjë produktivitet të lartë Sigurimit në fushën e zbulimit. Shkodra, Kukësi, e Tirana, kanë relativisht kosto të ulët për subjekt, edhe numër më të vogël informatorësh e agjentësh.

Raporti agjent për informator është më i lartë në Skrapar, Rrëshen, Peshkopi e Gramsh (1 me 10 a 8 përkatësisht). Tropoja e Tirana kanë raportin më të vogël. Raporti informator për subjekt është kryesisht i njëjtë nga 1 me 1 në Skrapar, në 1 me 4 në Tiranë.

Interesant që Korça dhe Shkodra, dhe jo Durrësi si port, apo Tirana si qendër administrative, nuk kishin shumë kontingjente, persona të gatshëm për t’u angazhuar në operacione të ndryshme. Ndoshta penetrimi grek në Korçë ishte problematik. Ndoshta kjo ka të bëjë me shpërndarjen dhe mbikqyrjen e të internuarve. Por një tjetër hipotezë mund të jetë se qeveria ishte përgatitur për ndryshime politike, dhe kishte shkaktuar transferimin e gardës së vjetër në Korçë e Elbasan. Nuk dimë origjinën vendore të agjentëve për të parë nëse ka pasur zhvendosje të burimeve njerëzorë nga Kukësi e Shkodra drejt Elbasanit e Korçës. Ose politikat e transferimit, që me siguri ishin nepotike.

 

Të dhëna mbi Sigurimin e Shtetit, përpunuar nga autori sipas qarkut (burimi: Kastriot Dervishi, Janar 2022). Shih tabelën këtu.

(c) 2022 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Ndoshta prof. Albert Doja mendon këtë lloj kalkulimi (racionalizimi) me togfjalëshin “histori pa komplekse”, që sugjeronte diku në Facebook.

[2] Pinar Akçali & Enis Sulstarova, „Constructing the Albanian Nation through Discourse: Continuity and Change in Three Periods in Modern History of Albania.“, Albanian Journal of Politics, 2008.

[3] Elidor Mehilli, „From Stalin to Mao: Albania and the socialist world“ (Ithaca: Cornell University Press, 2017).

[4] Adi Schnytzer, „Stalinist economic strategy in practice : the case of Albania“ (Oxford [etc.]: Oxford University Press, 1982).

[5] Eglantina Hysa & Mimi Hoxha, „Does financial aid help or harm developing countries: Case of Albania“, EuroEconomica 33, Nr. 2 (2014).

[6] David Nykl & Peter Alton, Pat & Mat, Animation, Comedy, Family (Vrijzinnig Protestantse Radio Omroep (VPRO), o. J.).

[7] Edvin Zhllima, Fatmir Guri, und others, „Agriculture and land reform in Albania“, Agricultural Markets in a Transitioning Economy: An Albanian Case Study 18 (2013).

[8] Drini Imami u. a., „Political business cycles and construction licensing“, Economics of Transition, 2018, https://doi.org/10.1111/ecot.12151.

[9] Barry W Ickes, „Do socialist countries suffer a common business cycle?“, The Review of Economics and Statistics, 1990, 397–405.

[10] Enriketa Kambo, „Arsimi në Shqipëri [Education in Albania] (1945-1960)“ (Tirana: Mësonjëtorja, 2005); Enriketa Kambo, „Shkolla Shqiptare ne vitet (1960-1970) [Albanian school system (1960-1970)]“ (Tirana: Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, 2014).

[11] Arjan Gjonça, „Communism, health and lifestyle: the paradox of mortality transition in Albania, 1950-1990“ (Greenwood Publishing Group, 2001).

[12] Mike Judge u. a., Office Space, Comedy (Twentieth Century Fox, 3 Arts Entertainment, Cubicle Inc., 1999).

[13] Lea Ypi , Free : A Child and a Country at the End of History, 2022.

[14] „The French Dispatch (2021) – IMDb“,  https://www.imdb.com/title/tt8847712/?ref_=fn_al_tt_1.

[15] Sipas një komenti të Edon Qesarit në Facebook.

[16] Ardian Vehbiu, „KUR BATTIATO DËGJONTE RADIO TIRANËN“, Peizazhe të fjalës (blog), 18. Mai 2021, https://peizazhe.com/2021/05/18/kur-battiato-degjonte-radio-tiranen/.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin