Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Politikë / Shkencë / Totalitarizëm

RASHOMON

nga Arjan Shahini

Një dokumentar në Netflix, „Rohwedder“, tregon një anë të errët të bashkimit të Gjermanisë në vitet 90‘. Vrasja e D. K. Rohwedder krye-administratorit të Treuhandanstalt (një lloj agjencie privatizimi kombëtare, si ajo shqiptare), rrëfehet sipas tre versioneve kryesore të mundshme (kujto filmin e Kurosawës, Rashomon[1]) që tregojnë se rikonstruksionet e ngjarjeve janë po aq trillime sa edhe biografitë e heronjve të tyre. Versioni mbrapsht shqiptar i Rashomon është “I teti në bronx[2].

Versionet me pak fjalë janë: (1) Sipas rrethanave të vendngjarjes dhe deklarimit të vetë grupit, është Rote Armee Fraktion (RAF, Gjenerata III); (2) Nisur nga pyetja se kush përfitoi, mund të jenë grupe kriminale të pajtuara nga partitë politike në krahun konservativ të Gjermanisë Perëndimore dhe përpjekjet për të mbuluar financimin e këtyre nga bizneset nëntokësore të Gjermanisë Lindore (tregtia e valutës, armëve etj.); (3) Nisur nga profesionalizmi i kryerjes së vrasjes dhe problemet aktuale me Treuhandanstalt, privatizimet dhe pushimet masive nga puna në Gjermaninë Lindore, mund të jenë ish-ushtarakë të Stasi (shërbimeve sekrete gjermano-lindore, Ministria për Sigurinë, MfS).

Të gjitha palët e përfshira në këtë rrëfim (gazetarë lokalë, agjentë të shërbimeve sekrete, nëpunës së organeve të hetimit, të agjencisë së privatizimit etj.), tregojnë argumentet për versionet e tyre. Sikur edhe në Rashomon, këta aktorë tregojnë ca edhe nga vetja e tyre. Filmi nuk jep ndonjë verdikt për fat, dhe na ngelet ne të gjykojmë mbi vërtetësinë e thënieve dhe të karaktereve. Por interesante është që edhe brenda strukturave shtetërore, edhe atyre të sigurisë, ka persona që arsyetojnë kundër versionit zyrtar (vrasja nga terroristët radikalë të majtë të RAF). Unë personalisht anoj në versionin e dytë, por nuk përjashtoj një lloj versioni agatha-christian[3], që disa e kanë organizuar, disa e kanë lejuar dhe të tjerë e kanë fshehur motivin dhe vrasësin e vërtetë. Gjithsekush i përfshirë me motive të veçanta, jo medoemos të bashkërenduar në një përbetim mbarë-shtetëror (kujtojmë këtu diskutimet e një konspiracionisti të njohur në Gjermani, Andrea von Bülow[4]). Kaosi është ndonjëherë shpjegimi më Occam-brisk.

Tema është disi aktuale nga një diskutim i hapur nga Agron Tufa mbi veprimtarinë në shërbimet sekrete të Nasho Jorgaqit. Sipas Tufës, autori i një romani spiunazhi[5], ka shërbyer me pseudonimin “Dragoi”. Diskutimi ka vijuar në disa gazeta, ku synohet të relativizohet veprimtaria e tij.

Diskutimet për tema të tilla gjithmonë lëshojnë kundërmime të pakëndshme. Momenti, vendi, ligjërimi dhe kushtrimet për të goditur apo mbrojtur figura të tilla, tradhtojnë pak edhe nga motivet e personave apo institucioneve të përfshira.  Për këtë lipset që tematika të tilla të trajtohen me distancë të shëndoshë dhe çinteresim.

Për shembull, ndërhyrjet e autoritetit të informimit/administrimit të dosjeve të ish-sigurimit (AIDSSH), për të vlerësuar rëndësinë apo ndikimin e veprimtarisë së njërit apo tjetrit bashkëpunëtor, duken shumë të dyshimta. Këto ndërhyrje nuk janë as në tagrin ligjor të AIDSSH.[6] Për ta ilustruar: unë mendoj se nuk i takonte autoritetit të spekulonte mbi format e rekrutimit të Martin Camaj në shërbimet e sigurimit. AIDSSH-ës i takon vetëm të evidentojë nëse ka qenë apo jo bashkëpunëtor. U përket studiuesve më pas të analizojnë veprimtarinë e tij mbi bazën e fakteve, argumenteve dhe nëpërmjet metodave shkencore. Konferenca e nxituar në mbrojtje të figurës së tij, ku më shumë foli kryeministri, i shtoi edhe më shumë dyshimet se roli i autoritetit është tej administrimit të dosjeve (vetëm nëse me informim të publikut, tanimë kuptohet sërish propaganda).

Po ashtu, më bën përshtypje që ka përpjekje për të barasvlerësuar veprimtarinë e organeve të sigurimit me ato ndaj mbrojtjes së rendit apo kufijve. Fundja N. Jorgaqi nuk ishte ushtarak, por shkrimtar. Nuk duhet harruar gjithashtu se organet e sigurimit ishin organe politike, e më pas ushtarake, e në secilin rast udhëhiqeshin nga Partia.[7] Por duhet dalluar, p.sh. ndërmjet L. Pobratit si punonjës i sigurimit, për të cilin funksion me te drejtë është krenar (shih Panorama  30.09.2020), edhe N. Jorgaqit. I pari ka kryer detyrën, veç në u dënoftë për veprime anti-ligjore, i dyti nuk e ka pasur detyrë, por ka shkelur besimin e rrethit të tij miqësor, veç në dalshin që e dinin e i kanë ndarë paratë me të.

Megjithatë, vërejtur nga larg, ne jemi dëshmitar të shkrimit të historisë. Edhe pse kam idenë se kush shkruan për historinë e Shqipërisë, ose janë si ata që ruajnë disa artefakte mbi jetën tokësore në qindra kilometra nën dhè për brezat post-apokaliptike; ose sikur shkruajnë për fiset e zhdukura Maja; ose sikur i hedhin në kozmosin e internetit me shpresën se ndonjë qytetërim disa mijëra vite-dritë larg do ta kapë atë sinjal në gjuhën Mors apo të enkriptuar në ndonjë fugë të Bach. Pra këto hulumtime më shumë se historike, për brezin aktual ato mbartin vlera letrare. Ashtu sikur në fakt është çdo rrëfim që krijon të vërteta sa herë tregohet e dëgjohet.

Kam parasysh këtu trajtime të ngjashme letrare-faktike (literary-nonfiction) për vrasjen e ish-presidentit amerikan J. F. Kennedy[8]. Edhe pse është një ngjarje e filmuar, dokumentuar, raportuar në disa komisione hetimore apo studiuar, pjesa më e madhe e popullit amerikan beson në një konspiracion. Studiues vërejnë se, jo vetëm gazetaria, por as shkenca nuk mund ta paraqesin realitetin në mënyrë bindëse. Nga një këndvështrim meta-narrativ [9] vihet re aspekti konstituitiv i rrëfimit, sidomos i atij të shfaqur në formë e një spektakli televiziv, p.sh. vrasja e një presidenti që krijon komunitetin (atë amerikan të identifikuar me traumën).

Lidhur me rastin e bashkëpunëtorëve të sigurimit, studime të tilla pra jo vetëm përfaqësojnë një version të së “vërtetës”, por edhe krijojnë komunitetin që besojnë në këtë të vërtetë. Shkenca, që duhet të siguronte gjuhën e përbashkët, nuk prezanton se vetëm një version të saj, për komunitetin akademik – gjithmonë në analogjinë e Rashomon (apo të Zylos, sërish Dritëro Agolli).

Sidoqoftë, dokumentet mbi agjentë e bashkëpunëtorë nuk janë thjesht përralla. Ato përmbajnë copëza të së vërtetës. Duke treguar të gjitha versionet e mundshme, mund ti afrohemi të vërtetës. Prandaj edhe dokumentari i përmendur shërben si një shembull i mirë për hulumtime të tilla. Ndërsa historia e L. Pobratit, sikur edhe e N. Jorgaqit, është një copëz e së vërtetës.

Në shkrimin e radhës së kësaj serie do të trajtoj sesi versionet e historisë të paraqitura në dokumentet e organeve të shërbimeve sekrete tregojnë pjesë të mozaikut por kurrsesi të vërtetën. Ato rrëfejnë për një periudhë të caktuar motivet e analistëve, pikënisjet e agjentëve etj. Të gjitha  këto të varura jo vetëm nga strategjitë e pozicionimet e çastit të klasës politike, por ndonjëherë edhe nga motivet personale të agjentëve apo të bashkëpunëtorëve të tyre. Këtë do ta ilustroj me një analizë të CIA-s mbi raportimet e gënjeshtërta të mërgatës ruse, ukrainase e ballkanase për përfitime materiale.

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kurosawa, Akira, Toshirō Mifune, Machiko Kyō, and Masayuki Mori. 2012. Rashomon. [United States]: The Criterion Collection.

[2] Viktor, Gjika. I teti në bronx. (Skenari: Dritero Agolli). Shqiperia e Re, 1970.

[3] Christie, Agatha. Murder on the Orient Express … Sydney: Lansdowne, 1988.

[4] Bülow, Andreas von. Im Namen des Staates: CIA, BND und die kriminellen Machenschaften der Geheimdienste. München: Piper. 2008

[5] Jorgaqi, Nasho V. Mërgata e qyqeve. Tiranë: Naim Frashëri. 1978

[6] AISDHSH. Detyrat: http://autoritetidosjeve.gov.al/autoriteti/detyrat/

[7] “Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme.” Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë. Tiranë: Partia e Punës së Shqiperise, 1985. – Sipas platformës, kreu I: “Organet e punëve të brendshme të Republikës Popullore janë një armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit, një repart politik dhe ushtarak i saj që udhëhiqen nga Partia e Punës së Shqipërisë për të zbuluar dhe shpartalluar veprimtarinë armiq[ë]sorë dhe keqbërëse të armiqve të brendshëm e të jashtëm, për të mbrojtur fitoret e revolucionit të atdheu[t] socialist, për të garantuar triumfin e çështjes së komunizmit.”

[8] Shih këtu p.sh. Mailer, Norman. Oswald’s Tale: An American Mystery. Random House, 2007.

[9] Knight, Peter. The Kennedy Assassination. Cambridge: Cambridge University Press, 2013.

4 Komente

  1. Anembanë botës, me siguri edhe në Shqipëri, një pjesë e narrativave konspiracionale vijnë nga psy-ops – gatuar në departamente ad hoc të agjencive të inteligjencës, të cilat ashtu edhe manipulojnë opinionin publik. Sa më “sekrete” dhe delikate të jetë një temë, aq më shumë gjasë ka që një pjesë e narrativave rreth saj të dalin nga oficina të tilla profesionistësh të dizinformimit.

    1. Keshtu thote edhe Knight, i permendur ne bibliografi: Eshte fshehtesia e informacionit nga shteti qe ushqen konspiracionet. Por ndoshta kemi te bejme me nje bumerang; cfare leshohet per te ngaterruar, ngaterron me shume se c‘mund te kontrollohet e symohet.

  2. Në një nga gazetat që pretendon të jenë ndër më të lexuarat në Shqipëri, publikohen rregullisht të rejat më të fundit mbi përsosjen e teknologjisë së armatimeve ushtarake të Rusisë. Titujt janë bombastikë domosdo (“ja bisha më e fundit….”, “arma më e fuqishme…”) ndërkohë që mesazhi nuk është edhe aq subversiv.
    Nuk është që gazeta publikon armatimet më të fundit kineze, apo amerikane, apo indiane…
    Lexuesi kështu le të kërrejë konkluzionet e veta.

    1. Dyshoj se i përkthejnë të gjitha nga dy sajte lajmesh anglisht që financohen nga qeveria ruse dhe që, kushedi pse, kanë popullaritet në Shqipëri.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin