Shënime për romanin “Lamtumirë, baba” të Mustafa Nanos.
nga Ilir Yzeiri
Kur e mora në dorë “Lamtumirë, baba” të Mustafa Nanos (UETPRESS, Tiranë, 2019), provova të njëjtën ndjesi si atëherë kur mora për herë të parë romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, pra, atë gjendjen që të krijohet kur merr të lexosh një vepër që e kanë shkruar miqtë e tu, me të cilët njihesh, i ke lexuar në shtyp, në një farë mënyre, mendon se i njeh, i ke zbuluar dhe, kur ata, befas, të vënë përpara një vepër të gjatë në prozë, një roman, ndien një lloj sikleti, pse jo edhe një lloj dyshimi, një farë mospranimi, sepse nuk arrin të bindësh veten që kolegu yt, ai që ti mendon se e njeh mirë, mund të të befasojë, apo të të mbajë të mbërthyer në tavolinë me faqet e një proze të gjatë që ti e ke të vështirë ta besosh se do të të befasojë, se do të ndiesh kënaqësinë e humbur të leximit, apo, më në fund, mund të provosh atë ekstazën magjike të kohës së parë kur lexoje, fjala vjen, Kadarenë brenda një nate, apo kur merrje një libër të Markezit të sjellë në shqip nga Aurel Plasari e nisje ta lexoje dhe e hiqje nga dora ditën tjetër. I mbështjellë natë e ditë me zhurmën e fjalëve pa ngjyrë që të hedhin mediat në tru, i bombarduar me ligjërimin absurd të romanit policor që tirret në Shqipëri, ku të gjithë janë bërë detektivë dhe prokurorë, të merrje në dorë një roman të një mikut tënd dhe të një kolegu, gjithashtu, në fillim ishte një mundim. Dhe romanin, edhe për shkak të disa punëve, e lashë mbi tavolinë pa e hapur që nga muaji nëntor kur e pata blerë në panair.
Dhe… një ditë e hapa. Lexova pesë faqet e para dhe mbeta i shtangur. Mustafa Nano ishte me të vërtetë prozator. Romani po më mbërthente dhe, ashtu si në ato kohërat e para, nuk e hiqja dot nga dora, bash ashtu siç më ndodhi para tij edhe me një përkthim të shkëlqyer të Moravisë, me romanin “Përçmimi”.
Po çfarë është ky roman?
Është i gjithi një refleksion i gjatë, një të folur i brendshëm, një meditim, një artikulim i shkëlqyer i disa emocioneve që autori i ka shpërndarë në disa personazhe, të cilët i bën bashkë vdekja e babait. Por pikërisht këtu, te vdekja, nis aventura e rrëfimit dhe pikërisht këtu, M. Nano është treguar mjeshtër. Cila vdekje? Ajo fizike? Rrëfimi linear për një vdekje në familje, për babanë apo nënën? Kjo do të ishte një mënyrë prozaike e një emocioni të përgjithshëm që edhe mund të kthehet në një trillim, në një melankoli apo në një mallëngjim universal. Jo, Nano ka zgjedhur atë vdekjen tjetër, ka zgjedhur, më saktë, vrasjen dhe jo vrasjen fizike, por atë që ndodh brenda nesh – vrasjen tipologjike, antropologjike, vrasjen psikologjike, atë zonën e errët tonën ku është e shkuara, e errëta, zona që na mban të mbërthyer me emocionet negative të fisit, të urrejtjes për tjetrin e ndryshëm, ajo zonë që në psikologji është quajtur si pushteti i babait, i traditës dhe vrasja e babait, në një farë mënyre, është ndarja me të shkuarën. Kështu nis edhe romani i Nanos. Babai i Adlit dhe i Gurit është shtruar në spital sepse ka një tumor në kokë dhe pas disa ditësh vdes. Veprimi i jashtëm apo peripetia e Aristotelit është një udhë me tri stacione. Spitali, pastaj arkëmorti në shtëpi dhe, në fund, rruga nga shtëpia në varreza. Ky veprim i jashtëm do të filtrohet në vetëdijen e personazheve si një rrëfim për thelbin e njeriut, për shqiptarin dhe jo për cilindo shqiptar, por për atë që, në mënyrë të pakuptueshme, është konvertuar në mysliman. Mustafa Nano ka përjetuar një ngjarje në familjen e tij. Para disa vjetësh ai u divorcua. Një vendim jo fort i lehtë në ambientin shqiptar. Djemtë e tij, shumë vite më parë, për pak kohë, filluan të vizitonin xhamitë e kryeqytetit si myslimanë praktikantë. Këto ngjarje personale, mendoj unë, e kanë shtyrë atë që, për disa vite rresht, të mbyllet e të kërkojë shpjegime në tekstet e mëdha si Kurani apo Bibla, por edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, e kanë shtyrë, me pak fjalë drejt refleksionit. Dhe mund ta them pa drojë se Nano, sot, është ndër njohësit më të mirë të kësaj letërsie dhe të kësaj tradite. Në disa botime të tij që kanë karakter antropologjik, ai ka analizuar me mjeshtëri tipin e shqiptarit dhe kulturën e tij të besimit. Ky është një hamendësim imi dhe një konkluzion që cilido që e njeh Nanon nga afër, e nxjerr lehtësisht. Vetëm se duhet bërë një sqarim. Nano ka një sjellje korrekte me besimin, edhe me atë islam. Në roman nuk ka asnjë ndjenjë ofensive ndaj askujt dhe ndaj asnjë lloj besimi. Ky është një roman që i ngre himn tolerancës fetare dhe shqiptarësisë, gjithë duke respektuar islamin, sepse ngjarjet e këtij romani zhvillohen pikërisht nën mbështjelljen e tisit islam, po të islamit shqiptar. Dhe, kur zbulimi me anë të dijes plekset me emocionet e thella, atëherë frymëzimi e kapërcen arsyen dhe i dorëzohet shkrimit, trillimit dhe artit. Kështu ka ndodhur me këtë roman. Të gjithë personazhet e tij janë të përlyer me besim dhe të gjithë ata vështrohen si të ardhur nga koha kur vajtimi në mort bëhej nga kori i burrave. Në roman, rrëfimi shtyhet përpara nga analogjia e trefishtë. Në të gjitha rastet, një personazh, një dukuri apo një send do të paraqitet në tri pamje: edhe si refleks i kuptimit të jetës sipas Kanunit, edhe si refleks i fatit që na pret nëse besojmë Islamin apo Biblën, por edhe si thyerje e këtyre të triave. Ndërkaq, merita më e madhe qëndron diku tjetër. Nano, me një lehtësi të jashtëzakonshme, e shtyn veprimin dhe rrëfimin e tij në një ambient krejtësisht qytetar shqiptar, prapa të cilit ti mund të shohësh sa Tiranën, aq edhe një qytet në jug apo në veri.
Heroi kryesor, Adli Shelba, ka kohë që është konvertuar dhe është bërë mysliman, por këtë konvertim e ka kryer si një aksion aventuroz që ngjet më shumë me ato sfidat e rinisë dhe me transformimin e qenies si një dëshirë për të për të zbuluar më shumë veten, sesa për të kënaqur shpirtin. Ai, së bashku me shokët e tij, Ben Hodan dhe Nesti Papën, pasi kishin festuar ndarjen me jetën pa ideale, me jetën që kishte si kuptim kënaqësinë e mishit, vendosin që të konvertohen dhe betimin e bëjnë me ritin katolik të trinitisë: pra, betohen në emër të atit, të birit e shpirtit të shenjtë se do të bëhen myslimanë. Pikërisht ky detaj është shenja kryesore e rrëfimit, pra, vetironia dhe një ndjenjë e lehtë humori do ta shoqërojë atë nga fillimi deri në fund.
Romani është shkruar me parimin polifonik të ndërtimit të personazheve në kuptimin që brenda një të tilli gjenden të shtresuar disa vete. I vetmi që përfaqësohet cilësisht nga një portret, është babai, Bekimi. Ai është një mysliman i mirë, një njeri i butë, i ëmbël dhe korrekt në jetë. Ashtu siç ndodhte rëndom në kohën e socializmit shqiptar, Bekimi ishte martuar me një ortodokse, me një “kaure”, Anën, por kjo nuk kishte ndonjë shenjueshmëri të veçantë në atë kohë. Ndërsa koha e tranzicionit është bërë më e komplikuar, më e pakuptueshme. Adli është konvertuar dhe është bërë mysliman, por xhamitë që ai frekuenton, kanë imamë me emra ortodoksë, si hoxhë Patriku dhe xhamitë kanë emra që të kujtojnë emërtime të vjetra hanesh në Mesjetë si Xhamia e “Dy Ortakëve”.
Por le të shohim se çfarë ndodh më tej në roman.
Në hyrje janë dy vargje në anglisht të Rubairave të Omer Khajamit të përkthyera nga E. H. Whinfield:
A hundred Ka’bas equal not one heart,
Seek not the Ka’ba, rather seek a heart !
Dhe përkthimi i Nolit poshtë:
Njëqind Qabera s’vlejnë sa një zemër [vajze];
Zemra kërkoni haxhinj, jo Gur Qabeje!
Të duket se këto dy vargje janë si çelësi i pentagramit të rrëfimit dhe ky lajtmotiv do të përcaktojë edhe tonalitetin e romanit.
Siç e thashë më lart, subjekti është fare i thjeshtë. Babai i Adlit, Bekimi, është i sëmurë, i shtruar në neurologji dhe, pas një operacioni, vdes. Nga këtu, veprimi zhvendoset në shtëpi dhe nga shtëpia, në varreza. Kjo është ngjarja, ndërsa fabula apo ankthi, pyetja, dilema dhe ajo se çfarë do të na tregojë autori, vërtitet rreth kuptimit të vdekjes duke e përballur atë me kulturën që i kanë dhënë njerëzit, qoftë kur e kanë shpjeguar këtë pjesë të jetës me anë të fesë, të islamit në këtë rast, qoftë kur e kanë rrëfyer me anë të besimit pagan apo besimit sipas Kanunit, qoftë edhe kur nuk e kanë besuar fare si të vërtetë. Gjithë këtë dilemë, apo këtë dramë, apo këtë pikëpyetje të madhe për vdekjen kërkon të na rrëfejë Nanoja në këtë roman. Dhe vdekja, në këtë rast, ka marrë një njeri të afërm të mbështjellë jo me qefinin e bardhë të zakonit, por me ëndrrën e jetës së përtejme. Ai që mediton mbi babin e sëmurë, babanë e shtrirë në arkëmort dhe pastaj mbi babanë që futet në errësirën e ftohtë të varrit, është Adli Shelba, djali i vogël. Vdekja është një ceremonial dhe një spektakël ku njerëzit jo vetëm përcjellin të dashurin e tyre, por krijojnë mundësinë që të parakalojnë gjithë personazhet që popullojnë atë mjedis. Aty, në këto ditë të përzishme, Adli sjell në mend jetën e tij: vitet e gjimnazit dhe lokalin “Turning 18”. Mikesha e tij, Bora, është një nga vajzat e sotme që jeton e çlirët dhe ka dëshirë më shumë të shfaqet, se të dojë. Aty, në ato ditë kur Adli është i detyruar të rrijë pa lëvizur për shkak të mortit që ka në shtëpi, parakalon edhe historinë e tij, parakalon përvojën e parë në seks kur ishte vetëm 16 vjeç me Merin e divorcuar, të cilën e kishte gjetur të virgjër dhe në mendje i vërtitej ideja se edhe ai kishte bërë dashuri me Marien e virgjër, apo me virgjëreshën e përdalë. Kjo mënyrë e rrëfimit me humor dhe me vetironi e shtyn më tej heroin dhe aty, si nëpër tym, i kujtohet gjyshi, Jakub Shelba, ose hoxha i kuq, siç i thoshin, që kishte qenë edhe bashkëpunëtor i sigurimit. Ndërsa pjesa më e bukur e rrëfimit është përndezja se çfarë do të ndodhte kur i ati do të ngjitej në qiell: udhëtimi me engjëjt, pritja në radhë për të takuar të gjithëfuqishmin dhe obsesioni i takimit me 72 virgjëreshat. Në këtë rrëfim është vështirë të ndash ku fillon rrëfimi linear dhe ku mbaron ironia.
Vdekja hap edhe një linjë tjetër subjekti. Guri, vëllai i Adlit, është në Austri, punon atje dhe bashkëjeton me një austriake, Ursulën. Ai niset me makinë për të ardhur në varrimin e të atit dhe rruga e tij, kalimi nëpër Dalmaci e Kotorr, çel një linjë tjetër subjekti. Ursula, e pasionuar me Shqipërinë, të kujton europianët e dashuruar me Shqipërinë heroike, me atë të virgjërën që në disa raste ka si simbol Alpet, Thethin. Ursula ka qenë reportere dhe është njohur me Gurin kur shefi i saj i gjeti një shqiptar që t’i shpjegonte një foto ku burrat qanin një të vdekur. Udhëtimi i tyre përmes Malit të Zi, anash Alpeve, është më shumë një projektim i dytë polifonik i portretit të Adlit te Shqipëria pagane, katolike, te ajo e Kanunit, te Shkodra e Marubit. Ndërtimi i këtij refleksioni të thellë e të gjatë bëhet në lëvizje, në rrugë dhe në shi. Guri dhe Ursula duket sikur udhëtojnë përmes legjendash e mbështillen hera herës me Kanun, me vajtime burrash, aq sa, ashtu në përhumbje, ti si lexues e ke të vështirë të kuptosh se ata kaluan përmes Thethit apo e menduan atë kur po udhëtonin mes për mes Malit të Zi, apo kur po kalonin Kotorrin. Ndërkaq, Adli ka zënë vendin e zotit të shtëpisë dhe festivali i ardhjeve e përcjelljeve të njerëzve vazhdon. Adlit i duket vetja si zot i vendit dhe në mend i vjen fati i Qazim Koculit, kryeministrit më jetëshkurtër të historisë shqiptare, që qëndroi vetëm 12 orë në atë post. Duke parë gjithë këtë procesion, ai çuditet pse nuk po nxjerr asnjë lot për babanë dhe i kujtohet se ka qarë kur makina e teknikëve të Internetit shtypi qenin e tij. Në shtëpi vijnë të gjithë, Bora, Jona, Tatuja, dy shoqet e veshura me hixhab. Pastaj qeni Bendico. Kjo kulturë që vjen nga ajo e selamllëkut, nuk dihet si duhet marrë. Adli rri afër së ëmës dhe disa herë i duket vetja bosh. I kujtohet portreti i të atit me fashat e mbështjella në kokë dhe menjëherë kjo i sjell ndërmend qefinin që mbanin në kokë malësorët. I kujtohet se vajtimi i burrave gjendet edhe të Iliada. Pastaj rrëfimi zhvendoset te Guri dhe Ursula. Ata kanë qëndruar dhe Ursula sheh hënën e mrekullueshme dhe, e pasionuar me fotografinë, nxjerr aparatin e nis ta fotografojë. Në sfond është edhe një xhami dhe Ursula fut në objektiv dy gjysmëhënat dhe ato marrin formën e kryqit. Ashtu i fotografon ajo.
Më në fund, Guri vjen dhe arkëmorti niset në varreza. Edhe këtu, autori gjen rastin ta zhvendosë rrëfimin në nivelin e ëndrrës dhe gjysmë iluzionit. Për një çast i duket sikur në xham i vjen portreti i të atit. Adli nis një çast të mendojë se ringjallja ndodh, se i vdekuri ka lëvizur. Atje në varrim, kur arkëmorti zbret poshtë, ai ka gjithmonë këtë imazh në fytyrë. Më pas nis dekonstruksioni i mitit të pasvdekjes. Ashtu siç kishte bërë më parë kur tek e ëma kishte vënë përballë nderin me sensualitetin, apo kur me lehtësi të admirueshme tregonte fatin e Borës dhe atë të Hatixhesë, autori, në kufijtë e blasfemisë, por pa fyer e prekur askënd, rrëfen se jeta e mishit dhe jeta virtuale, ajo e papërlyer, nuk dihet se ku i kanë kufijtë. Ursula viziton një xhami dhe, meqenëse vendi i saj është në lozhë, aty pari ajo ndesh me një mashkull të çuditshëm, aq sa ideja e përlyerjes me mëkat i vërtitet Gurit sa hap e mbyll sytë. Mirëpo këtë e sjell ndërmend Adli, ashtu siç kujton dhe vizitën që kishin bërë në Venecia të ftuar nga padër Zefi dhe fjetja e të dyve në qelë, në një Kuvend ku prej mijëra vjetësh nuk ishte kryer asnjë akt që do të bashkonte trupat. Atë natë, Guri me Ursulën kishin bërë dashuri aty. Ndërsa atmosfera që Ursulës i duket surreale me varreza ku myslimanë e të krishterë pushojnë bashkë, janë vijim i asaj utopie që ndërton Mustafa Nano në këtë roman dhe që i ngjet Shqipërisë moderne.
E kam vënë re edhe në raste të tjera, por këtu jam bindur që Mustafa Nano është një përdorues virtuoz i shqipes. Stili i tij karakterizohet nga pesha e kulturës. Në të gjithë romanin, ai luan me një lehtësi të admirueshme me periudha, epoka tekste themelore të kulturës shqiptare dhe botërore dhe i njeh ato në mënyrë të admirueshme. Ndërsa në mënyrën e të shkruarit është i pasionuar pas fjalëve të vjetra e që tingëllojnë shqip. Ndërsa stili refleksiv e ka bërë që të përdorë me mjeshtëri fjalinë e gjatë. Guri, gjatë rrugës për në qytetin Ch, nis të meditojë:
“Po i pëlqente përsiatja. U vu të përkufizonte rrënjët e veta, por në mendje, në vend të një përkufizimi, i vinin shumë gjëra mes të cilave ai ishte rritur, të cilat në një mënyrë a në një tjetër i përkisnin, i vinin në mendje familja e Dodës së Koliqit, muzika heavy metal që ai e kishte dëgjuar gjatë viteve të shkollës së mesme, iftari që shtrohet në shtëpi për të celebruar fundin e Ramazanit, dasmorë që i hedhin lekë orkestrës, romët e qytetit, zëri i myezinit, të cilit nuk mundte t’i përvidhej, sidomos në mëngjes, shkrimtarët rusë e francezë të shekullit XIX, shprehja “si je moj burrneshë?”, parulla “Rroftë shoku Enver Hoxha!”, mësuesi i matematikës në tetëvjeçare, që e kishin sjellë për ta përndjekur nga qyteti GJ, lagjja e çamëve, makinat Benz, e shamja “të qifsha robt!”, fjala arabe “inshallah”, të krishterët e qytetit që thirreshin nga myslimanët, fare pa të keq, me emrin “kaurë”, për të cilët thuhej se ishin të gjithë vllehë, vargjet e Vaso Pashës “mos shikoni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria”, imami i Tujanit, hartimi i maturës me temë “letërsia shqipe, një minierë e pazbuluar”… . Hëm, e kishte në shtëpi në Ch një kopje të atij hartimi në të cilin Guri rrekej të përfytyronte se cili do të kishte qenë vizioni për botën e për njerëzimin i një njeriu që kishte lexuar në jetën e vet vetëm autorë shqiptarë, në veprat e të cilëve mungojnë ose shfaqen rrallë, nga që i kanë munguar jetës nacionale, ose edhe trurit të autorëve, gjëra si pianoja, agjentët e bursave, emrat e luleve, trotuaret e gjera, parqet me shatërvanë e me vepra arti, ankandi, onomatopeja çuf-çuf, shamiza e xhepit të xhaketës, hebrenjtë, njerëzit që vrasin veten, puthja e dorës së një gruaje nga ana e një burri, koleksionistët, termat e pokerit royal flush apo jackpot, dinastitë, stallat e kuajve, fjalët përshpirtje, shëlbim e amshim, një grua myslimane që tradhton burrin kur ky i fundit shkon të falë namazin, një muço në anije, gatimet e peshkut, martesat etnikisht të kryqëzuara, pyetja “si është moti andej nga ju?”, redingotat, bastuni me kokë të veshur me argjend, taja (mëndesha), frazat e lutjeve para dreke, ekzekutimi i tjetrit me vaj në vesh, duelet me armë, shërbëtorët me livré ” (f. 152-153)
Këta dy shembuj jo vetëm që e shfaqin mirë stilin e Mustafa Nanos, por janë, po ashtu, edhe një lloj refleksioni antropologjik mbi fatin personal jo vetëm të personazhit, por edhe të vetë autorit.
Në përfundim, mund të them me plot gojën se letërsisë shqiptare i vjen edhe një romancier i talentuar. Unë përmenda në fillim vetëm Blushin, me “Të jetosh në Ishull”, por më duhet të shtoj se letërsia shqiptare me Kadarenë në sfond ka tani edhe autorë të talentuar si Mustafa Nano, Ardian Vehbiu, sidomos me “zotin Shyti”, Maks Velo, sidomos me librin e tij “Kohë antishenjë”, Pëllumb Kulla me vëllimet me tregime e veçanërisht me “ Rrëmbimi i nuses në New York” e të tjera. I veçova këta autorë sepse, për mendimin tim, letërsia e tyre e nivelit të lartë është fryt i kulturës, i talentit, por edhe i pleksjes së stilit refleksiv publicistik me fiksionin. Libri “Lamtumirë baba” është një vepër që do të mbetet në traditën e letërsisë shqiptare.
(c) 2020, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Vetem lavde? Nuk kishte asgje negative? Po kjo cfare do te thote?: “Këta dy shembuj jo vetëm që e shfaqin mirë stilin e Mustafa Nanos, por janë, po ashtu, edhe një lloj refleksioni antropologjik mbi fatin personal jo vetëm të personazhit, por edhe të vetë autorit.” Nga dallohen keta te dy? Nga zeri? Ku eshte ai autorit ne paragrafin e dyte?
Ja p.sh. une nga ana gjuhesore e shoh te veshtire ta ndjek kete paragrafin, qe i ngjane nje liste pazari (edhe ketu artikujt renditen sipas nje klasifikimi apo kronologjise se pazarit), thjeshte se duhen permendur. Ndonje linguist mund ta analizoje me mire mungesen e konsistences se kohes se foljeve, po mua, kjo fjali mu duk shume e shemtuar.
“Po i pëlqente përsiatja. U vu të përkufizonte rrënjët e veta, por në mendje, në vend të një përkufizimi, i vinin shumë gjëra mes të cilave ai ishte rritur, të cilat në një mënyrë a në një tjetër i përkisnin, [.] i vinin në mendje familja e Dodës së Koliqit, muzika heavy metal që [ai e – e panevojshme] kishte dëgjuar gjatë viteve të shkollës së mesme, iftari që shtrohet [j] në shtëpi për të celebruar fundin e Ramazanit, dasmorë[t] që i hedhin [hidhnin] lekë orkestrës, romët e qytetit, zëri i myezinit, të cilit nuk mundte t’i përvidhej, sidomos në mëngjes, shkrimtarët rusë e francezë të shekullit XIX, shprehja “si je moj burrneshë?”, parulla “Rroftë shoku Enver Hoxha!”, mësuesi i matematikës në tetëvjeçare, që e kishin sjellë për ta përndjekur nga qyteti GJ, lagjja e çamëve, makinat Benz, e shamja “të qifsha robt!”, fjala arabe “inshallah”, të krishterët e qytetit që thirreshin nga myslimanët, fare pa të keq, me emrin “kaurë”, për të cilët thuhej se ishin të gjithë vllehë, vargjet e Vaso Pashës “mos shikoni kisha e xhamija/feja e shqiptarit është shqiptaria”, imami i Tujanit, hartimi i maturës me temë “letërsia shqipe, një minierë e pazbuluar”