Po shihja disa artikuj të studiuesve shqiptarë e të huaj për korrupsionin në Shqipëri dhe më ra në sy se studiuesit shqiptarë nuk janë të njohur me studimet e njëri-tjetrit. (1) Ose nuk e dinë se ka të tjerë që kanë shkruar për këtë temë, e duhet të pranojnë se kanë kryer një punë të dobët kërkimore të literaturës; ose (2) ata me qëllim refuzojnë të hynë në dialog me njëri-tjetrin, ndoshta pse vinë nga fusha të ndryshme apo përdorin metoda të ndryshme analize.
Korrupsioni p.sh. është prekur nga antropologë (S. Musaraj), ekonomistë (D. Imami, E. Lamaj), politologë (B. Kajsiu, A. Elbasani) etj. Në Scopus Database janë rreth 60 artikuj që janë regjistruar prej vitit 2000 me fjalët kyçe Korrupsion dhe Shqipëria. Prej këtyre janë cituar më pak se gjysma (mesatarja e përgjithshme 3 citime për artikull, që do thotë asgjë për gjysmën e tyre). Pjesa më e madhe e citimeve është nga 6 artikuj (65%). Nëse do të hiqnim vetë-citimet, atëherë vetëm 21 artikuj nga 63 janë cituar. Ndërsa në aspektin metodologjik mbizotërojnë sondazhet, në atë tematik janë kryesisht çështjet e integrimit, biznesit dhe aspekte të informalitetit (shih dendogramin mbi temat). Pjesa më e madhe janë publikuar në fushën e shkencave sociale dhe atyre ekonomike. Autorët janë kryesisht nga Shqipëria (Universiteti i Tiranës), SHBA dhe Anglia. Publikimet janë më së shumti në vitin 2014 dhe 2018 (duke ditur se botimet duan edhe një vit të gatiten, trendi i temave përcaktohen nga ciklet politike me ç’duket). Më poshtë paraqitet sa shpesh citohet një artikull sipas madhësisë së kutiçkës.
Interesi për Shqipërinë është rritur tek studiuesit, sikur vërehet në sasinë e publikimeve për Shqipërinë, por komunikimi ndërmjet tyre është i dobët. Citimet nuk tregojnë vetëm njohjen e literaturës dhe aktualitetin e saj, por edhe lidhjet e autorëve me njëri-tjetrin, vlerësimet që këta kanë për punën apo rezultatet e studimeve. Në këtë rast, duke vërejtur rrjetin e citimeve të përbashkëta, duket që autorët nuk kanë fare lidhje me njëri-tjetrin, veç dy autorëve (Musaraj S. dhe Kajsiu B.).
Nuk e di si është në fushat e temat e tjera, p.sh. në ato të historisë, letërsisë apo të tjera, dhe këtu mund të hapet një diskutim. Sidoqoftë, mendoj se do të ishte mirë sikur shqiptarët fillimisht të njiheshin me punën e bashkëkombësve të tyre përpara se të zbërthejnë tastierat. Ndoshta disa syresh i tuten mungesës së origjinalitetit. Ndërsa orientimi është i vështirë në këtë lumë informacioni.
Por, duke cituar njëri-tjetrin, studiuesit i shërbejnë edhe profilit të tyre, i cili rritet me citime (jo duke u vetë-cituar, se algorithmet kanë filluar ti përjashtojnë këto), por duke përdorur rrjetin e përbashkët të studiuesve shqiptarë. Pjesa më e madhe artikujve nuk marrin citime, e ndoshta për mungesën e rrjetit, njohjeve dhe vlerësimeve personale. P.sh. edhe pse një pjesë e studimeve për korrupsionin janë ekonomike ose të përqendruara në problemet politike (Bashkimi Evropian, qeverisja e mirë etj., p.sh. A. Elbasani, D. Imami), mirë është të citohen edhe autorë që i shohin këto ligjërime mbi korrupsionin në mënyrë kritike (p.sh., B. Kajsiu, S. Musaraj). Është një luftë e ashpër e studiuesve për vëmendje, e duhet të jemi të vetëdijshëm për armët që janë në dispozicion (qokat personale e përkatësia kombëtare, por edhe perspektiva multi-disiplinare).