Dje pashë në kutinë e postës se më kish mbërritur një mesazh nga një mik i vjetër, me të cilin nuk komunikonim prej kohësh – të ndarë nga jeta dhe nga gjeografia. M’u bë qejfi, më kish marrë malli, por siç më ka ndodhur shpesh, gjithnjë duhet një arsye, ose një pretekst për t’i rifilluar lidhjet e shkëputura, vetëm një “si je, si ke qenë” nuk mjafton.
Pastaj e vështrova më mirë temën e mesazhit dhe e pashë se çfarë më kish ardhur prej mikut ishte, në fakt, SPAM; ose një adresë e thjeshtë e një sajti në ueb, ku shitej pornografi ose produkte farmaceutike ose edhe thjesht orë dore të rreme made in China. Adresën elektronike mikut tim ia kishte “pushtuar” kështu, përkohësisht, një forcë e keqe, malinje, po aq e verbër sa bakteri.
Kjo na ka ndodhur të gjithëve – të gjejmë në kutinë e postës mesazhe nga këta miq e të njohur të vjetër e kushedi të harruar e të braktisur cepave me pluhur të kujtesës, kolegë të dikurshëm nga universe paralele apo edhe thjesht bashkudhëtarë të përkohshëm në një projekt, një aventurë ose një shkëmbim të vullnetshëm lëngjesh, të cilëve u bien adresat dhe fjalëkalimet pré e armikut njëqelizor, ose të “atij” që veç kërkon të përhapet, të shumohet, të replikohet, të përcillet dora-dorës, derisa, idealisht, bota mbarë të blejë Viagra ose të shohë Justin Bieber-in duke hequr pantallonat.
Sikurse u ndodh atyre të tjerëve, që të marrin prej meje të vjetrit dhe të harruarit dhe të shmangshmit një mesazh të tillë, me një adresë të çuditshme brenda, dhe me ftesën për të klikuar mbi të, për ta hapur; të sugjeruar prej meje, mikut të sigurt dhe besnik – por që tashmë ia ka dorëzuar e-postën e vet, dhe prestigjin dhe kushedi edhe sekretet, së bashku me fjalëkalimet dhe kujtimet, forcës së keqe që jeton duke u përhapur, metastazë pas metastaze.
Dhe ashtu qëllon që të vijë ndonjëherë përgjigjja: hej, të paska marrë një infeksion kompjuteri; të është “prekur” nga virusi – je duke shpërndarë SPAM, ja ku e pësove edhe ti; përgjigje përkujtuese, në kufijtë e mirësjelljes së ftohtë, por që pastaj kushedi mund të vazhdojë edhe natyrshëm, me një pyetje, me një përpjekje për të rilidhur fijet e këputura, për të rivendosur – nëse është e mundur – skeletin e një miqësie të vjetër, të cilën në fakt ti nuk e ke zëvendësuar dot me asgjë, por thjesht je mësuar me gropën, zbrazëtinë, vrimën e zezë në jetën tënde.
Dhe kështu qëllon që ky nënprodukt i shëmtuar, parazitar i modernitetit, i gërshetimit tonë të përgjithshëm në këtë fole milingonash elektronike që është Interneti – ky SPAM kaq egërsisht i luftuar, i bllokuar, i karantinuar, i kthyer mbrapsht në origjinë, i shfarosur, me ekuivalente çuditërisht mizore të pesticideve, të insekticideve, të baktericideve; të marrë përsipër, pa dashur, këtë detyrë, këtë funksion, këtë mision kaq fisnik të rivendosjes së miqësive të shkëputura, me një mënyrë nga më elegantet; ose duke ia lënë derën a së paku dritaren mospërfilljes gjithnjë të hapur.
Mikut që të ka dërguar, aksidentalisht, SPAM mund t’i përgjigjesh menjëherë, por mund edhe ta shpërfillësh pa pasojë; përgjigjja jote nuk do ta shpëtojë, indiferenca jote nuk do ta dënojë me humbje të pakthyeshme të privatësisë. Mesazhi që nxjerr krye në kutinë tënde të postës vetëm sa rikujton – të thotë se dikur ke pasë folur me këtë njeri, keni ndarë të mira e të pamira, ide sublime dhe thashetheme; ia vlen që t’i përgjigjesh, qoftë edhe vetëm për t’i thënë, atij tjetrit përtej, se asgjë nuk të ka ndarë, përveç rutinës, inercisë dhe përtacisë.
Thonë se njerëzit që jetojnë së bashku, herët a vonë ndajnë mes tyre të njëjtën florë bakteriale, të cilën e shkëmbejnë pa dashur, derisa zorrët vinë e i ngjajnë njëra-tjetrës, si lagjet sub-urbane të qyteteve amerikane; një florë që nuk mund të mos e shkëmbejnë, sa kohë që jetojnë bashkë, meqë shkëmbimin e nënkupton vetë të jetuarit bashkë; dhe pastaj kjo florë bakteriale, që jeton me ne dhe jeton për ne, kushedi me çfarë mekanizmash ende të pashpjeguar arrin të ndikojë sadopak në hormonet dhe sjelljet tona dhe humoret dhe mendimet, për të na afruar, duke i dhënë edhe një themel, si të thuash, biologjik, bashkëjetesës; edhe atëherë kur ky themel nuk ekzistonte më parë, si për t’ua përplasur gjeneve dorashkën e sfidës para këmbëve.
Tani, falë Internetit, po u bëjmë vend këtyre baktereve të tjera, forma jete të çuditshme, që ekzistojnë dhe që riprodhohen në formë kodi binar, dhe që përhapen nga një kompjuter e server në tjetrin, nga një adresë e-postare në tjetrën, kinse për të na ftuar të blejmë ose edhe vetëm të shfletojmë gjithfarë faqesh të dyshimta që mirëmbahen në Kamçatkë ose në Mindanao; por që në fakt po na lidhin ne, përdoruesve, me njëri-tjetrin me këto mënyra kaq të papritura, duke na kujtuar se miqtë që kemi janë edhe pjesë e asaj çfarë jemi, përtej fjalëkalimeve të cilat i ruajmë me aq kujdes; dhe kodit të sigurisë të kartës së kreditit, që nuk ia japim kujt.
Atij mikut që më pat shkruar aq aksidentalisht nuk iu përgjigja dot; edhe pse, në një rrafsh që do ta quaja sa simbolik aq edhe mistik, mes nesh pati një shkëmbim, në mos mendimi së paku elektronesh; diku disi u rivendos një lidhje për t’u këputur sakaq; SPAM-i na uli në një tryezë kafeje së bashku, siç na ul ndonjëherë ëndrra, që merr përsipër të na sfidojë me pamundësitë më të mëdha; ose për të na kujtuar që, në këtë botë, aksidenti është çelësi i gjithçkaje të vyer.
I nderuar Xhaxha, pse t’i lihet vetem aksidentit, pse mos te behet me vullnet te mire, sa e bukur eshte miqesia!….Ju vete pse nuk i keni menuar t’i shkruani mikut tuaj te pakten per ndonje urim me rastin e ditelindjes, apo si shprehesh ne fillim duhet patjeter nje interes?!….Mund te shkruaja shume me teper per miqte e mbetur rrugeve, se si me nje shpejtesi marramendese nga miq te mire, me ide te perbashketa, me virtute te sinqerta, thjesht per shijen e miqesise, ose ndoshta ka ekzistuar vetem nga njera pale…, nga sot e neser u gjetem ne “te panjohur perfekt”…ndodh, kemi mall sigurisht dhe sapo fillojm te shprehim ndjenjat dhe mendimet tona, mbetemi menjehere te zhgenjyer….duhet nje interes….faji i internetit, apo i cfare ?!
Unë këtë shkrim s’e pata nisur për polemikë, por meqë u hap ky muhabet, do të shtoja vetëm se sot, pikërisht ngaqë komunikimi është kaq i lehtë, vetëm me një klik, shpesh lihet për më vonë, lihet për nesër…
Kur kam shkuar për herë të parë në Itali, në një kohë kur edhe telefoni ishte i vështirë, u shkruaja letër prindërve 2-3 herë në muaj të paktën; ndërsa sot flas a nuk flas në telefon me time më 2-3 herë në muaj. Njëlloj edhe me njerëzit e tjerë të afërm – nuk flasim ose flasim shumë rrallë, edhe pse mund të flasim kur të duam; ose kushedi, pikërisht ngaqë flasim kur të duam.
Ka një paradoks tek Interneti dhe rrjetet sociale, që na lidhin së bashku kaq mirë dhe kaq lehtë, aq sa të mos ndihemi kurrë “vetëm”; por ndoshta duhet ajo vetmia klasike, izolimi, distanca, që ta bëjë njeriun të kërkojë kontaktin, fjalën, shkëmbimin…
2Xha i jeni pergjigjur ‘mikut’ me kete persiatje.
Koha eshte e SPAM-eve, jo per fajin tim a tuajin.
Jeta dhe shoqeria jane interesa te fushes, psh bashkohesh me ata qe ngjitin Everestin pasi ganxhosesh dhe ti, dhe jo me ate qe kerkon ne kenete shkaqet e malarjes apo me me te fundit ate qe do te rroje duke bere nje gje private. Prizmi e ka fajin.
Jeta ,tanime e zgjatur si shume, ofron miqesira plot, ofron dhe rimiqesira plot, por, por ne zgjedhim ato qe na interesojne , ato qe harmonizojne zerin me korin e miqesise se momentit te SPaM-it.
Mbase do vleresuar dhe ndryshe e pa bezdi. Mbase kjo sepse nuk dihen dhe aresyet e hendekut te thelluar gjate kohes.
Nejse…
në këtë post-postmodernizmin tonë, në një farë mënyre, jemi të gjithë të padëshiruar, bezdisës të bezdisur, SPAM-ër që rrojmë me shpresën se tjetri do të na çSPAM-ojë herët a vonë.