ZINI HUNDËT DHE VOTONI

Zini hundët  dhe votoni për hipokritët dhe batakçinjtë. Për ata që na sigurojnë se na kanë në zemër, për ata që thonë se nuk i zë gjumi nga hallet tona, zini hundët dhe votoni për ta.

Zini hundët dhe votoni për zonjat e zotërinjtë  që dalin nga mbledhjet e kryesive me bythë të shtrënguara, që  të mos u shpëtojë ndonjë e vërtetë.  Për ata që nuk janë në shërbim të shtetit por të pushtetit, zini hundët dhe votoni edhe për ta.

Zini hundën e votoni për plehrat, për ata që ju nuk dini asgjë, që i zgjedhin kapot  dhe u premtojnë devocion kapove. Për histeriket, militantët dhe marionetat e bindura me shpirt druri, zini hundën dhe votoni  për ta.

Zini hundët dhe votoni për ata që i pyesni për diçka e në fund të përgjigjes  nuk kujtoni dot as pyetjen tuaj. Për ata që zgjidhen për kokën bosh e që mund t’ua shndërrojnë në bomba urrejtjeje, zini hundët dhe votoni edhe për ta.

Zini hundët dhe votoni për fshatarët e pasur, për provincialët që nuk u ka rënë asnjë cifël, për tarafet dhe klientelat, për kusarët dhe kryekusarët. Për hienat që mbajnë era gjak, për gojët e prishura, për ata pa të cilët nuk qeshim dot, zini hundët dhe votoni edhe për ta.

Zini hundët  dhe votoni për gënjeshtarët, për ata të djeshmit dhe për ata të nesërmit. Për krijesat pa dinjitet që na trokasin dyerve, për ata të cilëve u ngjajmë si fletë votimi, zini hundët  dhe votoni për ta.

Zini hundët  dhe votoni  për ata që mezi e fshehin urrejtjen për pyetjet tuaja. Për ata që ju vranë dje dhe të cilëve  u hapën vend për t’ju vrarë edhe nesër, zini hundët  dhe votoni edhe për ta.

Zini hundët  dhe votoni për listat me kërma, zgjidhni kërmën me erë më të mirë. Për surratërit e yndyrshëm, për provincialët e paditur që bëjnë emër me egërsinë dhe marrëzinë e tyre, zini hundët  dhe votoni për ta.

Zini hundët  dhe votoni për ata që kanë shitur shpirtin dha ata që nuk kanë fare shpirt. Për ata që kanë nevojë për pushtetin që të mbrojnë pasurinë e tyre, zini hundët  dhe votoni  edhe për ta.

Zini hundët  dhe votoni  për racën e re të batakçinjve dhe batakçeshave pa fisnikëri.  Mëshirojeni, shikoni si përdridhen çprisni,  zini hundët dhe votoni për ta.

Zini hundët dhe votoni për demagogët, për ata që na marrin për idiotë dhe na fyejnë me premtimet e tyre. Me votën tuaj ata do të përdhosin jetën tuaj, vota juaj është orgazma tyre, zini hundët dhe votoni edhe për ta.

Zini hundët dhe votoni për ata që kacafyten për llokmën e madhe. Për faturat e tyre, për mendjet sterile, për diskutimet idiote dhe për letrat higjienike, zini hundët dhe votoni për ta.

Zini hundët dhe votoni për ata që tallin bythën me ëndrrat dhe shpresat tuaja.  Kanë nevojë për votën tuaj  që të përdhosin edhe jetën  e fëmijëve tuaj, zini hundët dhe votoni edhe për ta.

Nuk ka komente

  1. Per mua, ceshtja eshte ‘Si i zini hundet dhe votoni?’ .

      1. Jo domosdoshmërisht!
        Por këtu thjesht po konstatojmë gjendje dhe më mirë e dinë me këtej se ata andej (jashtë kufijve) puna është si i bëhet? Cila është zgjidhja?

  2. Mes qelbesirash kuterbimi nuk t’i vret hundet sepse i kemi me qime shume.

    Jemi mesuar ne qe dhe ne hale nuk i zeme hundet.

    Vecse te votohet ne mase per te mesuar sesi mund te ulin ndotjen e ajrit ,pasi na jane ambientuar jo vetem hundet por dhe mushkerite.

    Po te isha mashkull do lija mustaqe si filter.

    1. Tama tamam, qimet ndalojnë ndonjë gogozhel, që do të uzurpojë ndonjë gji, në zgavrën e hundës.
      Po u fut gogozheli, di ai çfarë bën pastaj… Të ha nga brenda.
      Imuniteti reagon, njëherë dy herë, deri sa pastaj edhe këto reagime duken si të huaja, të armikut… kur tek e fundit janë për të mirën e organizmit.

      Për punën e erës së keqe: nëse pranon herën e parë, kur të futet në hundë papritur, ke pranuar fillimin e fundit.
      Ka (patur) nga ata që reguan, që në momentin e parë, duke e refuzuar erën e keqe, që me qenin e vet, më pas, ndoti edhe pjesën që mund të gjeneronte oksigjen të pastër – duke vonuar edhe më ca procese fiziologjike.

      Lindi një konflikt… kishte nga ata që për arsye të ndryshme e pëlqenin erën e keqe – mbase ngaqë mendonin se nëse u pëlqente atyre, medoemos u pëlqente edhe të tjerëve – dhe e justifikuan me akrobacira logjike nga më të ndryshmet.

      Këta të njëjtën gjë e bënë edhe me kutërbimin e mespranverës, që përsëri me akrobacira logjike, e transformuan për shqisat e vet, të çala, në një fllad pranveror.

      Përshtatja është gjë e madhe. Duhet karakter dhe demarkacion i saktë i vlerave të veta. Përndryshe edhe heshtja merret si përshtatje, me erën e derrave…

  3. shfryrje e kotë, patetike; nuk e shpëton ironia e as racizmi. duhet hequr nga mendja ky keqkuptim i vjetër që vazhdon të qarkullojë. populli nuk është as fëmijë, as naiv, pavarësisht se ndonjëherë e luan këtë rol.

    votuesit dhe të votëbesuarit (qoftë edhe votëvjedhësit) qëndrojnë në të njëjtin krah; surretërit e tyre të ngjashëm nuk shkëlqejnë nga yndyra, por nga shkëndija e vesit, krimit, epshit dhe një sërë mëkatesh të tjerë pa ta cilët shoqëria njerëzore do kish mbetur në vend.

    deri më sot, nuk kam parë njeri që të zërë hundët nga era e p***s së tij.

    1. deri më sot, nuk kam parë njeri që të zërë hundët nga era e p***s së tij.

      Problemi me disa individë është se, prekonceptet dhe stilet e veta të jetesës gjykimit, përftimit, pjerdhjes e rrjedhjes ia mveshin kujtdo, duke refuzuar kategorikisht mbijetesën e qenieve më të larta, apo më të pastra. Kjo, ka njëfarë baze egoizmi nga pas, që, nuk ekzistojnë të tjerë më të pastër. Dmth po nuk isha unë i pastër, s’ka sesi të jenë të tjerët…

      Them se këtu fillon problemi i madh, ai i përshtatjes. Njëherë që fillon përshtatja, vështirë se kthehesh pas.

      E keni parasysh kafshimin e zombit. Pak a shumë ashtu mund të përshkruhet. Pastaj neozombit, prej përshtatjes, ndryshojnë self, dhe luftojnë jo-selfin, domosdoshmërisht.
      🙂

      1. zotni autor, nuk fola për broçkulla pop-psikosociologjie. mbetemi në një rend diskursiv, nuk është vendi të ballafaqojmë kredencialet tona morale.

        teoria “juaj” e qenieve më të larta, më të pastra, që parashtruat në raundin e dytë, është vetë diçka që mban erë – nëse do t’i qëndronim temës tuaj të
        “zënies së hundëve”. por, në të kundërt, mua aq shumë më ngazëllen kjo
        teori: sa e sa akte kriminale, ekstatike, (ç)njerëzore, etj., janë bërë pikërisht në emër të kësaj teorie madhështore!? këto qenie të larta, të qelibarta, duke e veçuar veten nga nën-njerëzit e tjerë, i kanë lejuar vetes vepra nga më të gjithëfarëshmet, më të përgjakshmet, më të vyerat, që njeh historia e civilizimit.

        1. S’ka teoria fare aty. Është një përshkrim, por s’keni as ndershmërinë për ta pranuar realitetin.
          Shikojeni dhe njëherë komentin tuaj të parë, e vini re në ça shtegu keni dalë nga keqinterpretimi i komentit tim.
          Paradoks!

  4. Anashkalojini haletë, dmth qendrat e votimit.

    Keshtu edhe nuk keni pse zini hundet.

    1. nuk është e lehtë të anashkalohen haletë, ngase ato hasen kudo: shpesh kanë fasadën e një parlamenti, (krye)ministrie, apo seli partie, xhamat e një televizioni, biznesi, apo moteli. madje, shpesh, i gjithë vendi është një hale e madhe ku vendas dhe të huaj ftohen për pshurrje ekzotike.

      mjerë ata budallenj që shtrëngohen dhe i kryejnë nevojat në shtëpitë e tyre.
      përfundimisht, duhet të ishim vendi me plehun organik më të mirë në glob.

      1. nuk anashkalohen se atje kryen te gjitha, atje hahet nga populli dhe dhitet ne popull

  5. Kete “zini hundet dhe votoni” e ka thene i pari gazetari i shquar italian Indro Montanelli aty nga mesi i viteve ’70. Ai i ftonte italianet te zinin hundet e te votonin per demokristianet italiane ne menyre qe te Italia te mos binte ne dore te komunisteve dhe te mos behej vend satelit i Moskes.

    Sot ne shqiptaret pse duhet te votojme duke zene hundet? Ne emer te cilit qellim madhor u dashka ta bejme kete sakrifice. A s’do te ishte me mire te rrime ne shtepi e te mos votojme fare? Duke mos votuar ndoshta u dergojme nje mesazh te qarte qelbesirave, u themi: “Ju vazhdoni si e keni zakon, por jo ne emrin tim”. Te pakten keshtu distancohemi moralisht prej tyre dhe nuk i perligjim me bekimin tone zgjedhor.

  6. Tronditese cfare lexova sot te Respublica:
    “…Thelbin e sistemit elektoral e ka përmbledhur Skënder Minxhozi në një paragraf të shkrimit të tij me titull ‘Një sistem klientelist që duhet ndryshuar’, të publikuar në Shqipin e sotëm. Sipas tij është një system që gjithçka e lë në dorë të kryetarëve të partive, dhe garën për të nxjerrë 140 deputetë e katandis de facto në një garë për të zgedhur veç një duzinë deputetësh, pasi të tjerët e kanë të sigurtë që do zgjidhen….”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin