KURATORI I QELISË SË VET

Gjatë festivalit të filmit “Ekrani i artit”, këtë vit me temën SOLITUDE AND MULTITUDE, dhe që u mbajt në Shkodër nga 5 deri në 9 qershor, pamë filmin INSIDE, me regji të Vasilis Katsoupis, skenar të Ben Hopkins dhe Willem Dafoe në rolin kryesor, të një hajduti veprash arti, që mbetet i kyçur brenda një apartamenti penthouse super-luksoz (në katin më të lartë të një rrokaqielli), teksa përpiqet të vjedhë vizatime të Egon Schiele-s.

Filmi u shfaq për herë të parë në Festivalin e 73-të ndërkombëtar të filmit në Berlin, në shkurt të vitit 2023.

Nemoja, që është edhe protagonisti i filmit, nuk arrin dot të largohet nga apartamenti, ngaqë sistemi i sigurisë i ka kyçur të gjitha dyert dhe dritaret; në pamundësi për të vendosur një kontakt çfarëdo me botën përjashta, ai fillon ta humbasë kontrollin ndaj realitetit, teksa ditët ndjekin njëra-tjetrën mekanikisht dhe ai arrin të mbijetojë duke ngrënë peshq nga akuariumi dhe ushqim për qen, i rrethuar nga vepra arti me vlerë monetare të pallogaritshme.

Duke supozuar se “Inside” do të kish qenë filmuar gjatë viteve të pandemisë së Covid-it (në fakt, më pas verifikuam që filmi ishte xhiruar për një periudhë prej gjashtë javësh, gjatë pandemisë dhe në një kontekst të lockdown-it) e pyetëm regjisorin Katsoupis mos kish ndonjë analogji, paralelizëm ose edhe alegori, mes Nemos së Dafoe-së të “kyçur” në një apartament që, veç të tjerash, ishte edhe super i teknologjizuar, dhe gjendjes së individit në izolim, muajve të gjatë të lockdown-it në shumë vende të Europës.

Kjo edhe ngaqë na tërhoqi vëmendjen kontrasti mes artit dhe artificit, në burgun aksidental ku e gjeti veten protagonisti; dhe korporalitetit ndonjëherë dramatik, të Dafoe-s vetë, i cili dora-dorës vjen dhe identifikohet me rrëgjimin e vet biologjik, teksa reduktohet në një gjallesë që rreket të mbijetojë, i rrethuar nga tejkohësia e veprës artistike; dhe e krahasuam këtë me përditshmërinë e shumë të izoluarve, për shkak të Covid-it, që e vuajtën burgimin e tyre simbolik në katër muret e apartamenteve të tyre, teksa përjetonin edhe frikën aq primordiale nga infeksioni dhe vdekja.

Katsoupis, që kish ardhur mysafir në shfaqjen e filmit të vet në kinema “Republika”, në Shkodër, tha se – në fakt – ideja për fabulën e filmit kish lindur vite më parë, në një kohë kur mundësia e një kyçjeje të popullatës për të penguar një pandemi shihej ende si fantashkencë distopike. Por, vazhdoi ai, paraliza sociale dhe bllokimi i kontakteve, teksa filmi po xhirohej në Köln, mu gjatë javëve të lockdown-it, ua lehtësoi njëfarësoj punën producentëve, ngaqë këta arritën të mbajnë në këmbë një lloj flluske, ku xhirimi të mos binte ndesh me rregullat e mos-kontaktit. Kësisoj, izolimi i Nemos në film pasqyronte, në mënyrën e vet, edhe izolimin e aktorit Dafoe – kërkesë dhe parakusht që puna e produksionit të mund të vazhdonte.

Tani po shohim se ideja për ta krahasuar historinë e rrëfyer nga “Inside” me përjetimin kolektiv të lockdown-it gjatë pandemisë u ka ardhur shumë prej atyre që kanë shkruar për veprën.

Në një intervistë tjetër, më të hershme, Katsoupis pat thënë se me këtë film ai “kish dashur ta transplantonte historinë e Robinson Crusoe-it në truallin e një qyteti të dendur, madje të mbipopulluar; çfarë e thellonte ironinë e situatës ku gjendej Nemoja në film: i kapur në kurth, brenda një kulle me apartamente ku jetonin me qindra të tjerë, dhe ku shpëtimi është njëherazi aq pranë, dhe sërish i pamundur për t’u arritur.” Që lockdown-i gjatë pandemisë së Covid-it i shndërroi apartamentet tona në ishuj të pabanuar, të humbur mes oqeanit, dhe ne banorëve të metropolit në Robinsonë mjeshtër të mbijetesës, kjo vetëm sikur i dha filmit një virtyt për ta krijuar, qoftë edhe pa dashje, arsyen e ekzistencës së vet.

Në një intervistë tjetër, për Above the line, regjisori Katsoupis rrëfeu se ideja i pat ardhur “kur po shëtiste në NYC dhe po kundronte rrokaqiejt në Manhattan dhe befas i erdhi në mendje pyetja – Po sikur dikush të kapet në kurth atje lart? Dhe ashtu i vura bashkë, Robinson Crusoe-n dhe premisën e filmit tjetër Cast Away, brenda një apartamentit. Doja që ta vendosja personazhin në mes të një metropoli të gjallë dhe gumëzhitës rreth tij, por që ai megjithatë nuk mund ta prekë dhe as të komunikojë me të.”

Megjithatë, kur e pyesin, tek e njëjta intervistë, nëse filmi e përligj krahasimin me një “film pandemik”, kur një kineast detyrohet, nga rrethanat shtrënguese, që të realizojë një film me vetëm një ose dy aktorë, Katsoupis thotë se në filmin e tij “i vetmi person në lockdown është protagonisti”, për të vazhduar se “nuk do ta konsideroja film pandemik, sepse e kam konceptuar para pandemisë; edhe pse pandemia na ndihmoi, meqë produksioni ishte shumë COVID-friendly.

Në mos gjë tjetër, “Inside” konfirmon se disa rrethana primordiale, si kyçja e përgjithshme gjatë atyre viteve, në përpjekje për të ngadalësuar galopin e virusit dhe, në thelb, të vdekjes që sillte virusi – ose të vdekjes si pasojë e komunikimit të drejtpërdrejtë, ndërpersonal, dhe shkëmbimit të informacionit biologjik – kjo kyçje, pra, është njëfarësoj e endur në palcë të pavetëdijes sonë, në mënyrë të tillë që të parashikojë, sado irracionalisht, instancat e vetvetes; njëlloj si kryeveprat e artit që na lënë përshtypjen, po aq irracionale, se kanë ardhur për të plotësuar, në botën reale, një hapësirë boshe në trajtën e tyre.

Filmi “Inside” kish kuratorin e vet të artit – italianin Leonardo Bigazzi (do të guxojmë aq sa të themi se rolin e kuratorit të artit në apartament do ta luante askush tjetër, veç hajdutit banor Nemo-Dafoe). Mes veprave që dalin në ekran, janë edhe “Do you realise there is a rainbow even if it’s night!?” nga Petrit Halilaj dhe Shkurte Halilaj (2020), e komisionuar posaçërisht për filmin; dhe një foto ikonike nga videoja “Centro di permanenza temporanea” e Adrian Pacit (2007).

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin