HISTORIA E NJË KALI

Kush ishte Marco Cavallo?

Historia e këtij heroi të sagës së reformës psikiatrike në Itali nis në spitalin San Giovanni, në Trieste, drejtor i të cilit ishte reformatori i madh Franco Basaglia.

Në përpjekje për ta mbyllur institucionin, Basaglia i kish hyrë punës për t’i shndërruar disa nga ambientet e brendshme në atelie ku bëhej art dhe krijohej teatër i rrugës. Mes artistëve që ishin ftuar të vizitonin dhe të performonin aty, edhe saksofonisti jazz Ornette Coleman dhe dramaturgu italian Dario Fo.

E megjithatë, saga zuri fill nga një kalë prej mishi e gjaku; një kalë që prej vitit 1959 kish shërbyer për të transportuar rroba dhe çarçafë dhe rraqe të tjera në lavanderinë e institucionit. Kali e kish emrin Marco dhe tani ishte plakur aq sa nuk e mbanin më gjunjët, dhe administrata po bëhej gati ta hiqte qafe.

Me gjasë duke e dërguar në fabrikën e tutkallit.

Kali i njihte të sëmurët dhe këta e njihnin dhe ia qanin hallin, siç ua qante mbase edhe kali, në mënyrën e vet. Të sëmurët linin kokën për Marco-n, aq sa të ishin identifikuar me të. È uno di noi, thoshin, duke i dhënë atë status magjik, gati hyjnor, që vetëm një kafshë mund ta ketë.

Prandaj, kur Marco-s iu shkurtuan ditët, i qëndisën një letër administratës provinciale, në Trieste, për t’i kërkuar që kalit t’i falej jeta dhe t’i lidhej një pension, “për merita pune”. Letra ish shkruar në vetën e parë, si ta kish bërë vetë Marco-ja.

Për herë të parë njerëz të mbyllur në një çmendinë e të izoluar nga bota iu drejtuan autoriteteve, në Itali, për t’u kërkuar diçka, si të ishin qytetarë të zakonshëm. Dhe nuk kërkuan as liri as barazi as demokraci, as trajtim më të mirë, as njohjen e së drejtës për të thënë JO – por vetëm që shteti të tregonte pak dhemshuri për kalin e tyre të lavanderisë, Marco-n.

Dhe autoritetet ua plotësuan dëshirën, ia kursyen kafshës së shkretë shndërrimin në tutkall dhe vendosën ta nxjerrin Marco-n “në pension”.

Qëlloi pastaj që një paciente, Angelina Vitez, të kish vizatuar ato ditë, për qejf, një kalë të përbërë nga gjashtë pjesë – një vazo lulesh, një tenxhere, një patë, një shtëpi, një Pinocchio dhe një pemë, të vëna bashkë si në një kolazh. I thanë se ç’ishte kjo që kish bërë dhe u përgjigj se ashtu e përfytyronte Marco-n, kalin e lavanderisë.

Një artist që e vizitonte shpesh spitalin në atë periudhë, Vittorio Basaglia, kushëri i psikiatrit Franco Basaglia, mendoi i pari për ta kthyer këtë Marco, tashmë të mbiquajtur Marco Cavallo, në një lloj simboli të “lirisë dhe trajtimit të njerëzishëm të pacientëve psikiatrikë”.

U vendos që Marco-s t’i ngrihej një statujë; në formën e një Kali të Trojës.

Për ngritjen e statujës u mobilizuan të gjithë: pacientët, personeli dhe artistët mysafirë. Drejtori Franco Basaglia u vuri në dispozicion një sallë të madhe, që të përdorej si laborator artistik.

Filluan ta ndërtonin, në fillim skeletin prej druri, pastaj mveshjen e jashtme, me cartapesta. Edhe pse të gjithë ndihmuan nga pak, statuja u konceptua dhe pastaj u realizua nga artisti Vittorio Basaglia. Pacientët, gjithnjë e mendonin veprën si një lloj Kali Troje, me të cilin do të rrëzonin muret e burgut, prandaj u vunë në punë edhe për të krijuar dhe sajuar sende gjithfarësh, që do t’ia fshihnin kalit në bark. Njëri prej të sëmurëve, Dino Tinta, kur po përfundonte puna, deshi të hyjë me çdo kusht në barkun e kalit, për t’u fshehur atje. Të tjerë i besuan statujës sende të vogla, të shtrenjta; vetë Tinta, kur e pa se nuk do ta linin që të futej vetë, hodhi brenda orën e dorës.

Në atelie, krijohej pa ndërprerje: piktura, vizatime, maska teatri, kukulla dhe marioneta; kompozoheshin dhe këndoheshin këngë kushtuar Franco Cavallo-s.

Kali i drunjtë mori përmasa të mëdha: një skelet katër metra i lartë, i vendosur mbi rrota për t’u zhvendosur më lehtë. Plani ishte që ta nxirrnin dikur rrugëve të qytetit, gjatë një manifestimi për të drejtat e tyre – një lloj procesioni urban, i Shën Marco-s.

Por kur u afrua dita e madhe, organizatorët vunë re diçka që deri atëherë u kish shpëtuar: kali i drunjtë Marco Cavallo, që tani priste i gatshëm në atelie, qenkësh tepër i madh, për të dalë nga hapësirat e ndërtesës.

Asnjë derë nuk e nxinte këtë gjigand, “që ndillte mite, kujtime dhe fantazi kolektive”, siç pat shkruar Eco-ja.

U desh të shkatërrohej një pjesë e murit, për të hapur vend; dhe ashtu Marco-ja e kaloi më në fund pragun e azilit, dhe “bashkë me të, edhe të gjithë të sëmurët mendorë, në Itali”, siç u shpreh shkrimtari dhe dramaturgu Giuliano Scabia, i cili i kushtoi pastaj një libër të tërë kësaj eksperience kaq transformuese për të gjithë.

Marco Cavallo, në oborrin e spitalit San Giovanni, në Trieste.

Qyteti i Triestes nuk e mirëpriti këtë manifestim – banorët iu shmangën; qepenat e dyqaneve mbetën të ulura. Shkroi Scabia: “murin që iu desh kalit të shembte, për të dalë nga çmendina, sikur po e bartnim në shpinë.” Por me kalimin e viteve, kali blu erdhi dhe u shndërrua në monumentin e lirisë për të shkelurit, të hedhurit tutje, të lënit jashtë mureve të qytetit.

Ngrehina Marco Cavallo, kjo “makinë teatrale” shëtitëse, është gjallë e shëndoshë edhe sot; shfaqet herë pas here në manifestime, ekspozita dhe evente, simbol i revolucionit që mbylli çmendinat në Itali dhe që nxori që andej njëqind mijë pacientë… E treguan edhe në World Expo në Milano, në 2015!

Historinë që rrëfeva në Itali e njohin mirë. E solla këtu, për hir të këtij imazhi të sëmurësh mendorë që vihen të ngrenë një monument grotesk, një kalë druri gjigant, me ngjyrë blu, në përpjekje për të dalë nga izolimi ku i mbanin dhe për të komunikuar njëfarësoj me botën; por që pastaj e kuptojnë se kali i tyre është tepër i madh, për të dalë lirisht nga mjediset e spitalit, aq sa duhet të shembet një pjesë e murit, që monumenti me rrota të mund të fillojë të shëtitë në rrugët e qytetit.

Imazh i çmendur.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: nuk po rreshtoj bibliografi; mjafton të kërkoni online për Marco Cavallo dhe do të gjeni material të bollshëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin