GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA NË SHKOLLË – VITET ’40

nga Natasha Shuteriqi Poroçani

Vitet ‘40-të mund të konsiderohen si periudha ku konstatohet një orientim interesant në drejtim të konceptimit të gjuhës dhe letërsisë në gjimnaz dhe padyshim që kjo lidhet me dukuritë sociale dhe politike të kohës. Programet mësimore të viteve ’40-të pajisen me Udhëzime të Përgjithshme të cilat vlerësojnë rolin e gjuhës në marrëdhëniet shoqërore dhe përcaktojnë detyrë imediate lidhjen e procesit të edukimit gjuhësor me jetën e përditshme: në klasët e ulta të çdo farë shkolle duhet me u-përdorë nji tekst gramatike i bazue në gjuhën e gjallë[i].

Edukimi gjuhësor përfshin fushat e leximit, shkrimit, gramatikës, letërsisë dhe etikës; kjo e fundit me vëmendje në trajtimin e njeriut shqiptar. Mësimi i shqipes duhet pra të zhvillojë cilësitë kryesore e të vlefshme të karakterit shqiptar e të zhduki cilësit e këqija të tija. Funksioni i letërsisë lidhet ngushtësisht me gjuhën sepse mësimi i shqipes duhet të zgjojë edhe dëshirën për libra të mira dhe dashuninë për gjuhën dhe për letërsisë shqipe. (Progr.v.49, f. 7). Në plan të parë vendosen formantet e gjuhës së gjallë të popullit sepse duhet që fëmijët tanë të zotërojnë gjuhën e vërtetë të popullit, që ata që shkruajnë, të shkruajnë “shqip” dhe të mos e mbytin më gjuhën me forma të huaja vënt e pa vënt[ii].

Në këtë periudhë nis për herë të parë interesimi për folklorin në gjimnaz. Në fund të studimeve nxënësi duhet të njohë mirë pasurinë folklorike shqiptare dhe më pas të zotërojë mirë gjuhën shqipe dhe të jetë i familjarizuar me të dyja dialektet letrare-gegë e toskë-të shprehë mendimin e tij në mënyrë më të përshtatur me shkrim e me gojë. Gjithashtu ai duhet të njohë mirë stilistikën dhe teorinë e literaturës. (po aty, f. 6).

Të orientuar dhe ndikuar nga fryma e re nëpër të cilën dijet e referencës do të transferoheshin drejt teksteve shkollore, programet këto kohë i hapin një dritë të lehtë teorive më të fundit të aplikimit të dijeve gjuhësore shkencore: Objekti i mbramë i mësimit të gramatikës âsht fjala e folun, prandej rruga për t’u ndjekë do të jetë sintheza dhe jo analiza: gjithë pjesët gramatikore shërbejnë tek e mbramja për me mritë me kuptue fjalinë.(Prog. i vitit ’40-të, f. 14) dhe ata (nxënësit-shënim imi) do të mësojnë sidomos gjuhën e gjallë të popullit në format e saja më të ndryshme, në kontrast me artificialitetet dhe shëmtimet e gjuhës së shkrojtur  prej një shumice të madhe njerëzish që s’e njohin fare gjuhën e popullit, që kur shkruajnë shqip, përkthejnë liksht idetë e tyre të menduara në gjuhë të huaj,( Prog. i vitit  ’46-të, f. 7) Parimi metodik kryesuer âsht me shpjegue me përpiknisht kuptimin dhe funkcjonimin  e çdo fenoment gjuhësuer. Prandaj ka randësi me emërtue dhe me përkufizue mirë e kjartë trajtat gjuhësore. Nxansi duhet të zotnojë mirë e pa pështjellime terminologjinë gramatikore si shqip, si italisht (Prog. i vitit ’40-të, f. 14).

Formimi gjuhësor bëhet në formë ciklike: Ne duhet t’ia arrijmë qëllimit që në dy klasat e para të shkollës së mesme, nxënësi ta ketë formuar edukimin e tij gjuhësor, kështu që në të dy klasat e fundit, aty të zgjerojë njohuritë e tij dhe të perfeksionohet. (Prog. i vitit ’46-të, f. 8).

Procesi i të dëgjuarit lidhej me riprodhimin e saktë: Nxanësi do të jetë në gjendje me shprehë me fjalë të veta mbrendin e pjesës së lexueme (Prog. i vitit ’40-të, f. 9); lavrim gjuhe përfshinte edhe hartimin, qëllimi i të cilit ishte  me u shti nxanësvet dashtuninë ndaj gjuhës amtare dhe pasunit e saj dhe me zhdukë së paku në shkollë mendimin e gabuem, kinse gjuha jonë qenka e vorfën në shprehje në fjalë.

 

Tekstet shkollore

Ajo që të bën përshtypje në këtë periudhë, kur vendi dhe bota është nën kaosin e luftrave, tekstet shkollore shfaqin një profil të mirëstrukturuar dhe të niveluar sipas aftësive të nxënësve në gjimnaz:

1.Bota shqiptare[iii], tekst i përgatitur nga personalitete të shkollës shqiptare: A. Xhuvani, L. Gurakuqi, K. Kamsi, E. Çabej, nën kujdesin e veçantë të E. Koliqit; ndërtuar në formën e një antologjie për shkollat e mesme konceptohet në nënndarje:

Mite, besime e legjenda/Parahistori-Ethnografi-gjuhësi/Shqipnija prej kohës ilire deri te sundimi otoman/ Gjergj Kastrioti Skanderbeg, legjenda-histori-gojëdhëna/Zgjim i ndjesis komtare-Rilindja-vetqeverimi/jeta botore e private-zakone e doke-letërsi popullore/Shqipnija arkeologjie/Shqipnija e bukur/Shqiptarët në botë (Shqiptarët humanista, artista e diejtarë-shqiptarët shkallënaltë.

Në respektim të rreptë të kriterit kronologjik dhe historik, me metoda formaliste, teksti konceptualizon dhe argumenton përmes fragmenteve letrare variantet dialektore e nëndialektore në rrafshin diakronik e sinkronik[iv], por ndeshim edhe dije nga fushat e sociolinguistikës, historisë së gjuhës, folklorit etj.

2.Si tekst i gjuhës shqipe përdoret Gramatika shqipe[v]  dhe Sintaksa[vi] të K.Cipos, të cilat janë trajtesa teorike të dijeve të referencës[vii]. Gramatika trajtohet teorikisht në dy pjesë: Fonologjinë dhe Morfologjinë, të pajisura me shembuj, ndërsa Sintaksa trajton Vërejtje rreth pjesëve të ligjëratës dhe  Fjalia.

3.Syntaksi i shqipes, i J. Rrotës, tekst shkollor botuar më 1942 e ribotuar nga françeskanët më 2005[viii]. Në parathënie J. Rrota pohon se Kishim para sysh, se ky sintaks u drejtohet mâ së fortit shkollavet të mjesme, të cilat mâ pak a mâ shumë do të mirren me mësimin e gjûhvet të hueja, klasike a moderne. Këtê e theksojn si nji gjâ të nevojshme edhè Programat Arsimore (1940) kû thonë: “Nxânsi duhet të zotnojë mirë e pa pështjellime terminologjinë gramatikore, si shqip, si latinisht.”  Teksti përmban gramatikë përshkruese duke fokusuar pikëpamjet e tij të reja mbi klasifikimin e gjymtyrëve të fjalisë: Përsa i përket udhës qi ndoqëm në kategorizimin e pjesvet të fjalís, që në fillim do të rrëfejm, se Sintaksi ynë largohet bukur mirë nga tekstat e kësaj lande, të botuemë mjé më sod ndër né.[ix]

Edhe përzgjedhja e materialit shkencor, apo e shembujve në këtë tekst shkollor është pjesë e metodologjisë së punës së Rrotës me sintaksën e shqipes:Sa për punë të shembujvet, na pëlqeu përgjithësisht t’i xiershim këta mâ fort nga gjûha e gjallë e popullit, se t’i uhajshim prej së huejësh. Ndër këto të thanme pasqyrohet mendsija e thjeshtësija karakteristike e shpirtit të Shqiptarit; pos kësaj në to kemi edhè bukurín e gjûhës e fuqín e shprehjes. Prandej, fort me vend na u duk shënimi e porosija, qi programet e naltpërmenduna u bâjn mësuesvet mbi ketë pikë: “Shembuj të morfologjisë e të sintaksës mësuesi do të mundohet t’i nxjerri nga një copë e mirë leximi, a mâ mirë do t’i qëmtojë nga gjuha e popullit, e cila te na asht shpesh herë mâ e bukur se sa gjuha e shkrimtarvet. Kështû nxanësi njikohësisht me rregullat gramatikore nxên fjalët e fjalitë thjesht popullore.” [x]

4. Metrika shqipe e Dh.Shuteriqit, në parathënien e së cilës autori pohon: në ndryshim nga autorët e mëparshëm që u muar me metrikën shqipe…u kufizuan, thuaj se në mënyrë unilaterale, në shqyrtimin e poezisë së shkrojtur. Ne i dhamë një rëndësi të madhe edhe poezisë popullore, duke e vënë në këtë mënyrë tekstin në unison me interesimin dhe vëmendjen e programit drejt folklorit. Këtë (rëndësinë ndaj folklorit-shënim imi) s’e bëmë vetëm se tani folklora zuri vëndin e saj në shkollë dhe u bë një nga lëndët kryesore të mësimit të shqipes, por dhe se besojmë se poezia jonë e shkrojtur duhet dhe ka prap të mësojë nga poezia e popullit[xi].

5. Antologjitë e shkollës së mesme[xii], të ndara sipas klasave, rendisin tekste nga autorë përfaqësues shqiptarë e të huaj duke i pajisur pjesët me vërejtje, komente dhe shpjegime fjalësh.

Në strukturimin e teksteve, bie në sy njëkohësia me konceptet bashkëkohore të pragmatikës: Pika e nisjes do të jetë nji fjalë a shprehje e bukur e gjetun gjatë leximit ase e zgjedhun nergut prej mësuesit vetë para mësimit. Kjo fjalë a shprehje do të studiohet me sinonimet e saj që mund të ketë ajo e që mund të përdoret nëpër viset e ndryshme me kuptime të ndryshme. Duke dalë në shumëkuptimësinë e kontekstualitetin e fjalës a shprehjes, programet i japin detyrë mësuesit të shpjegojë sinoniminë, poliseminë, trajta dialektore, etimologjinë, dukuri këto që ndikojnë në formimin e një pasurie të tërë gjuhësore dhe kuptimësie të ndryshueshme. (program i vitit ’40-të). Në kriteret e vlerësimit të hartimit është interpretimi, origjinaliteti, saktësia gramatikore e drejtshkrimore dhe kuptimi. (prog. i vitit ’40-të, f. 10 dhe prog. i vitit ’48-të f. 17).

Rëndësinë e formimit gjuhësor të nxënësit në shkollë e përcakton edhe Qarkorja[xiii] e datës 7/03/1945, e cila fut në fuqi shkresën numër 647 datë 3/05/1945, nëpërmjet së cilës Ministria e Arsimit deklaron listën e provimeve të maturës ndër të cilat urdhërohet provimi shqipes për liceun klasik dhe atë shkencor.

Relacionet e para për provimin e Maturës dëshmojnë mungesën e përvojës së stilit formal në analiza të tilla, por nga ana tjetër, edhe ftohtësinë e gjykimit në vlerësimin e arritjeve.

K. Cipo, Tiranë 19/IV/1946

Relacion për provimet

Ka pasë fjalë shumë e për lumë, mendime të përsëritur e të thëna ftohtë, pa përgatitje të zemrës.

Provat me gojë të shqipes qitën në shesh se kandidatët nuk dinin të lexonin mirë pra edhe të kuptonin një copës proze të shkrimtarëve pleq. Ata s’merrnin erë nga poezia dhe ishin esëll në mekanizmin e metrikës. Është për të ardhë keq se ata nuk ia dinin shtëpinë gramatikës dhe me këtë fjalë nuk kuptoj mësimin dogmatik të rregullave, po studimin e peshuar të gjuhës. … Por edhe profesorit të shqipes duhet t’i mbushet një herë e mirë mendja se ai duhet të ketë një parapërgatitje shkencore të shëndoshë të gjuhës, të dijë linguistikën dhe të jetë në gjendje të tregojë procesin që ka pësuar një fjalë gjatë jetës së saj.

Edhe studimi i kontekstit është i nevojshëm fort për ne që s’kemi në dorë një fjalor për të qenë, sepse kuptimn e drejtë e të përpiktë të fjalëve kush do të na e japë neve, në mos na e dhëntë konteksti ose shumë kontekste bashkë. Në këtë mënyrë shprehjeje të kuptohen deri diku sinonimet[xiv].

Me sa duket, rezultatet janë larg atyre që parashikojnë objektivat e programeve. Në shkresën e vitit 1948, Qamil Guranjaku pohon:

Q. Guranjaku, 3/V/1948

Nxënësve i mësojmë mekanikisht rregullat e gramatikës e sintaksës dhe për një kohë të shkurtër harrojnë ato, nuk dinë t’i njohin e t’i përdorin.

Gramatika mësohet sikur ka ekzistuar përpara gjuhës. Sikur rregullat gramatikore kanë ekzistuar më parë dhe pastaj ka lindur gjuha si pjesë e rregullave.

Sesa të dobët janë nxënësit tanë e tregojnë hartimet që ata bëjnë gjatë vitit. Nga kontrolli i tyre dalin mjaft të meta si nga ana e lidhjeve logjike ashtu edha nga ana gramatikore. Gati të gjithë hartimet kishin shumë “frazeologji”, përsëritje dhe fjalor shumë i varfër[xv].

Për ta përmbledhur, vitet ’40 do të hapin udhën drejt konceptit të edukimi gjuhësor e letrar të nxënësit. Ky perceptim shoqërohet me tekste shkollore mirëfilli didaktike, me antologji të komentuara dhe mbi të gjitha me aplikimin në to të dijeve të shkencave konjitive.

(vijon)

© 2023 Natasha Shuteriqi Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[i] Programat dhe oraret e mësimevet për shkollat e mesme klasike, shkencore e normale, Botimi  i Ministris Arsimit, Tiranë 1940-XVIII, f. 5

[ii] Programet e shkollave të mesme,Tiranë 1946, f. 7

[iii] Bota shqiptare, Libër leximi për kursin e naltë të shkollavet të mesme, Botimi  Ministrisë s’Arsimit, Tiranë, 1943

[iv] Po aty.

[v] K.Cipo, Gramatika shqipe, Ndërmarrja shtetnore e botimeve dhe shpërndarjes, Tiranë, 1946

[vi] K.Cipo, Sintaksa, (libri është i dëmtuar dhe nuk e ka vitin e saktë të botimit).

[vii] Me termin „dije të referencës“ në këtë periudhë nënkuptojmë korpusin e studimeve shkencore gjuhësore të kohës.

[viii] Rrota J., Sintaksi i shqipes, Botimi III, Botime françeskane, Shkodër, 2005.

[ix] Po, aty, f.VIII.

[x]http://www.radiandradi.com/kontributi-i-justin-rrotes-ne-fushe-te-letrave-te-shqipes-nga-evalda-paci/

[xi] Dh. Shuteriqi, Metrika shqipe për shkollat e mesme dhe institutin pedagogjik, Ndërmarrja shtetnore e botimeve dhe shpërndarjes, Tiranë 1947, f. 3

[xii] Antologjitë e shkollës së mesme, klasa III, IV, Botimi i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1946

[xiii] Arkiva Qendrore e Shtetit, Fondi 511, viti 1946, dosja 25, mikrofilm fleta 3.

[xiv] Arkiva Qendrore e Shtetit, Fondi  511/v.1946/Dosja 25, mikrofilm, fleta 1-2.

[xv]Arkiva Qendrore e Shtetit, Fondi  511/v.1948/Dosja 2, mikrofilm fleta 1-8.

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin