ATA QË KTHEHEN (II)

Në gramatikat narrative, kjo e njeriut që kthehet dhe sjell me vete dilemat e pazgjidhshme të identitetit është nga skemat elementare. E ndesh në përralla, në legjenda dhe rrëfime të tjera – mbase ngaqë përfaqëson, si metaforë, ringjalljen e të vdekurit. Ai që është larguar, ai që nuk dihet ku është, i zhdukuri, i afrohet vdekjes me çdo ditë që e kalon ashtu, si i zhdukur. Ndoshta prandaj edhe i kthyeri e ka gjithnjë një aura, duke projektuar përreth diçka midis tmerrit dhe adhurimit.

Ndodh, pastaj, që enigma e identitetit të mos zgjidhet dot, dhe pyetja se kush është pikërisht i kthyeri të mos marrë dot përgjigje – sepse i ardhuri rishtas nuk i mban mend kodet e duhura, për të hapur dyert e shtëpisë së vet. Sikurse ndodh që ndonjë Penelopë, tashmë e bindur se Odiseu i vet nuk do të kthehet, të jetë sistemuar ndryshe dhe ta ketë arnuar vrimën e lënë pas nga i ikuri.

Ka një novelë Balzaku, që e kanë përkthyer edhe në shqip: Kolonel Shaberi. Shaberi ishte oficer besnik i Napoleonit dhe kish luftuar heroikisht në betejat e mëdha, duke u bërë edhe ai pjesë e lavdisë së Perandorit, por pastaj e kishin regjistruar si të vrarë në betejën e Eylaut dhe e shoqja ish rimartuar. Fati i mirë – ose ndoshta i keq – ia kish kursyer Shaberit vdekjen; ky kish arritur të dilte nga gropa ku e kishin varrosur dhe pastaj, i plagosur rëndë në kokë, kish kaluar muaj, ndoshta vjet, në anonimitet, për t’u shëruar plotësisht. U kthye pastaj në Paris, për të kërkuar t’i (ri)jepeshin e shoqja, titujt, paratë dhe lavdia – por u ndesh me indiferencën e shtetit, që tashmë kish ndërruar padron; dhe armiqësinë e të shoqes vetë, që nuk shihte pse duhej ta (ri)pranonte për burrë këtë plakush të gjymtuar dhe, në sytë e saj, patetik.

Ndryshe nga Odiseu, Shaberi nuk e veshi dot më pallton e identitetit të dikurshëm, që veç emrit evokonte edhe një histori trimërie në fushën e luftës dhe një krenari unike prej ushtaraku që kish marshuar me Napoleonin. Franca kish bërë përpara – ose mbrapa? – dhe nuk pyeste më për këta komandantë legjendarë, të cilët tashmë veç i kujtonin një kapitull anormal të historisë së vet, histori me të cilën donte të ndahej një herë e mirë. Kolonel Shaberi ishte hero i atyre kujtimeve, që regjimi i restauruar, në Paris, nuk i njihte më si të vetat; virtytet e Shaberit ishin të huaja për klasën e re që kish ardhur në pushtet; e vërteta e tij nuk ngrinte peshë më. Prandaj Shaberi e kaloi pleqërinë i mbyllur në azil, si ata buratinët e spektakleve dikur të famshme, që pastaj pluhurosen në vitrinat e ndonjë muzeu të vogël.

Novela e Balzakut më sjell sakaq në mend një film të viteve 1990, Sommersby, të ambientuar në periudhën pas Luftës Civile në SHBA. Fermeri Jack Sommersby ish nisur për në luftë dhe, pas gjashtë vjetësh mungesë, besohej si i vdekur. E shoqja, Laurel, tashmë de facto vejushë, po bënte plane për t’u rimartuar me një lokal, kur i shoqi i dikurshëm një ditë prej ditësh u kthye – por, për habinë e saj, i kthyeri ishte një Sommersby i përmirësuar, në krahasim me të dikurshmin: i dashur dhe i vëmendshëm, atje ku ai tjetri kish qenë i vrazhdë dhe abuziv; i kulturuar (u lexonte fëmijëve “Iliadën”) atje ku ai tjetri kish qenë i paditur dhe i egër.

Megjithatë, fqinjët – duke filluar nga pretendenti për t’u martuar me Laurelën – dyshojnë se i kthyeri nuk është Jack Sommersby, por një mashtrues, një impostor. Edhe këpucari i fshatit zbulon se i ardhuri rishtas e ka këmbën më të vogël se i vjetri. Incidente të ndryshme tregojnë se i kthyeri ose është shndërruar krejt, gjatë viteve që ka jetuar larg; ose është një njeri tjetër, që ia ka zënë vendin Jack-ut. Ndërkohë ia beh në fshat policia, që e arreston Sommersby-n për një vrasje që ky pat kryer vite më parë, dhe për të cilën rrezikon të dënohet me vdekje.

I arrestuari mund t’i shpëtojë këtij fati vetëm po të provojë se është, në fakt, dikush tjetër. Gjenden dëshmitarë, që e identifikojnë me një farë Horace Townsend, mësues dhe njëherazi mashtrues dhe dezertor. Edhe Laurela, e thirrur të dëshmojë në gjyq, pranon se i kthyeri ish njeri aq i mirë, sa ajo menjëherë e kish kuptuar se nuk ishte burri i saj i dikurshëm. Por i pandehuri nuk pranon të gjykohet si impostor, dhe ngul këmbë për identitetin e tij të ri si Jack Sommersby. Kur takohet me Laurelën fill para ekzekutimit, i rrëfen kësaj se ia ka takuar të shoqin (real) në burg dhe atje ka mësuar gjithçka për jetën e tij; dhe se tani nuk mund ta pranojë se ka mashtruar, meqë ashtu Laurela, fëmijët dhe të tjerët që kishin përfituar prej zemërgjerësisë së tij do të humbisnin gjithçka.

Ky film u pat bazuar te një film frëng, Kthimi i Martin Guerre-it, i cili, nga ana e vet, merrte shkas nga një histori të dokumentuar, e shekullit XVI, ku një Martin Guerre, që pasi kish braktisur vite më parë gruan e vet, fëmijët dhe fshatin ku jetonte i akuzuar për vjedhje, u kthye një ditë prej ditësh dhe vazhdoi të jetonte me të vetët për tre vjet edhe pse zërat që e akuzonin për impostor nuk mungonin; derisa u kthye edhe Martin Guerre i mirëfillti; i pari u gjykua si mashtrues, u identifikua si një farë Arnaud du Tilh, dhe u ekzekutua me varje. Guerre i vërteti kish shërbyer ca kohë si mercenar dhe pastaj ishte plagosur në Flandër, ku edhe ia kishin amputuar njërën këmbë. Pastaj kish jetuar për ca kohë në një manastir, derisa kish vendosur të kthehej në vendlindje. Edhe aty paradoksin e dy personave që pretendojnë të njëjtin identitet e zgjidh ekzekutimi, ose asgjësimi i njërit prej tyre.

Për Martin Guerre-in, (shih pjesën e dytë të kësaj eseje, duke ndjekur linkun) u pat thënë se e shoqja e kish kuptuar që ky nuk ishte ai “i vërteti”, por kish heshtur, sepse kish nevojë për një burrë në shtëpi; ose për një personazh kyç, që t’ia zinte njëfarësoj vendin bosh në skenën e së përditshmes. Nëse i kthyeri nuk ishte tamam ai që kish humbur, të paktën mund të përshtatej në rol. Ky arsyetim rimerret disi edhe te Sommersby, ku pseudo-vejusha Laurel e mirëpret zëvendësimin. Tërthorazi, këto dinamika brenda çiftit tregojnë se rolet bashkëshortore, të paktën në ato kohë, ishin më të forta se marrëdhëniet e identitetit.[1]

Gjithsesi, të tilla histori i gjen të rimarra gjerësisht në fantashkencë, ku identiteti ka shans të ndërrohet po aq lehtë sa edhe ç’transferohet softueri në një harduer të ri – Philip K. Dick ka një tregim, Human Is ku, ngjashëm me dinamikat narrative te Sommersby, një astronaut me përvojë kthehet nga një mision i transformuar: dikur i akullt, i ashpër dhe përçmues me të shoqen, tani sillet si bashkëshort ideal; dhe kjo ngaqë, gjatë misionit, një qenie eterike nga një planet tjetër, për t’i mbijetuar asgjësimit, i ka depërtuar në vetëdije dhe ia ka “uzurpuar” identitetin (tregimin e Dick-ut e kanë ekranizuar në serinë Electric Dreams, të prodhuar nga Amazon). Astronautin do ta kishin dënuar me vdekje, sikur të mos kish garantuar e shoqja se ishte vërtet “njeri”.

Edhe një roman i Algis Budrys, Who?, rrëfen për një shkencëtar amerikan, Lucas Martino, viktimë e një aksidenti, që rrëmbehet prej sovjetikëve dhe pastaj lejohet të kthehet në atdhe, por i shpërfytyruar deri në atë shkallë sa të vetët të mos jenë në gjendje t’ia verifikojnë identitetin. Për këtë arsye, të kthyerin nuk e lejojnë më që të punojë me projekte sekrete, strategjikisht kritike; çfarë e bën që, në fund të rrëfimit, Martino ta mohojë se është ai i vjetri edhe pse në realitet është; por çfarë i mbetet identitetit të tij, nëse ia ndalojnë që të merret me studimet të cilave u kish kushtuar jetën dhe që, në analizë të fundit, i pagoi aq shtrenjtë, me shpërfytyrim?

(vijon)

 

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


[1] E kundërta e këtij uzurpimi do të ishte e ashtuquajtura sindromë Capgras, e cila përshkruan dyshimin serioz të dikujt se një person i afërt – një mik, një bashkëshort, një prind – është zëvendësuar tashmë me një impostor: “e kanë ndërruar”. Filmi i mirënjohur, Invasion of the Body Snatchers, tashmë në tri versione, e ilustron këtë katastrofë të identitetit, edhe pse aty uzurpimi, ose “ndërrimi i identitetit”, ka ndodhur vërtet; dhe diagnoza me Capgras bëhet edhe ajo pjesë e operacionit për “ndërrimin” masiv të identiteteve, gjatë invazionit të titullit. Përkundrazi, një roman i Rivka Galchen, Atmospheric Disturbances, eksploron dramën – dhe komedinë – e një psikiatri të bindur se gruan “ia kanë ndërruar”. Ndonjë kritik, duke e ruajtur tonin komik të romanit, ka vërejtur se ky zhgënjim kaq i hidhur do t’i ndodhë, herët a vonë, kujtdo që ka lidhur martesë me dashuri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin