REPUBLIKA DHE PUBLIKJA E RE

(shpellari betonist kundër qytetarit shpellarist)

satirë kritike nga Rael Hoxha

Sot numërohen miliona pemë të mbjella në kryeqytet. Një vend i gjelbëruar me fjalë dhe premtime, interesa me zona elektorale, sipas ndasive dhe përbashkësive populiste në këto tridhjetë e ca vite qytetërim demokratik të paskomunizmit. Filozofi që përqendron para publike në pyje pseudo-orbitale për fushatë. Nuk bëhet fjalë për gënjeshtra, as falsitete, por konkretizim në qindra tendera dhe mijëra fletë të printuara, broshura dhe reklama të tretura në mjedisin dhe memorien kolektive. Ekziston mjedisi kolektiv dhe ai është i vetmi që kemi. Mjedisi personal i takon një ideje të re, një mentaliteti pushtues të hapësirës publike, që zvarritet rreth e qark kryeqytetit, duke ngrënë nga pak (herë shumë) truall të barit, shkurres, pemëve, liqeneve, lumenjve dhe gjallesave, të cilët janë të vetmit pronarë legjitimë, me titull natyral mbi tokën. Ndërsa ne të tjerët jemi në tokë të huaj, në majë të obeliskut ose në fund të gropës, dhe është e sigurt se nuk na takon asgjë më shumë se shfrytëzimi i barabartë i hapësirës në pronën natyrale. Në këtë kohë të zvarritshme, ka lindur një specie pronarësh fantazmë, ligjor e jo-ligjor, të cilët ndërtojnë, shesin, blejnë dhe gëzojnë tokën e pronarëve të mësipërm, atyre publikë. Një lloj tjetër pronari është edhe shpronësuesi, i cili shpesh vishet me petkun e ligjvënies, konformizmit, drejtësisë dhe barazisë. Ky pronar i ri është më i rrezikshmi sepse vendos rregulla të reja për ekuilibra që janë më të vjetra se ai dhe institucionet e tij të përkohshme. Ky “homo latro”, nuk është asgjë më shumë se një hajdut që fut duart në atë që nuk i takon askujt, përmes pushtetit dhe pozicionit të ngritur enkas për këtë aktivitet. Asnjë nga të lartpërmendurit nuk janë pronarë të vërtetë, por as fallco. Këta përbëjnë shqetësimin më të madh dhe rrezikun më të gjallë të transicionit politik-ekonomik-social-kulturor.

Drama qëndron në faktin se të gjithë e dinë fatin e keq që i pret, madje edhe shkurret bashkë me insektet, tashmë i janë bindur fatit të zhdukjes, të paracaktuar nga injoranca mbi karriget që dikur ishin pemë. I parë si një rend natyral, qëndron, por si rend shoqëror ky është një idiotësi aq primitive saqë në kohën e shpellave këta injorantë do të ishin prapë idiotë. Dritëshkurtësia e tyre ngjan me krimbin e verbër që vrimon në kërkim të ushqimit dhe natyra e ka përsosur duke i bërë një tub të gjatë (gojë-bythë), përmes të cilit konsumon rrugën e tij: që në këtë rast është dheu që ai përtyp. Konsumimi i pandalshëm i truallit të përbashkët është vetëvrasje.

A mund të jetë e përbashkët privatja?

Po! Historia e qytetërimeve mbështetet në shfrytëzimin e tokës, prodhimit bujqësor dhe mbarështimit blegtoral. Zbulimin e burimeve ujore të pijshme, atyre të lundrueshme, si dhe marrëdhënieve mbi to. Të gjitha lakmitë e kanë origjinën mbi tokë, pasurinë, territorin dhe shfrytëzimin e punës njerëzore. Kështu fillojmë të kuptojmë sadopak vlerën e truallit që zë politika. Në këtë planet ka më pak tokë se ujë, më pak gjelbërim se shkretëtira (përfshirë Antarktikun), dhe më pak liri se shtypje. Liria është motor, motivi i ekzistencës intelektuale, ndërsa shtypja prodhon djegie të fuqishme që shtyn përpara motorin e lirisë. Në këto terma, mund të spekulojmë mbi idenë e origjinës së marrëdhënieve njerëzore, nga se kanë lindur ndërveprimet. Bashkëjetesa, lakmia, lufta, shkëmbimi dhe kënaqësitë janë kolonat e marrëdhënieve diplomatike, ashtu siç tregon historia e sistemeve.

Po përpara se të ekzistonin ndasitë kulturore, gjuhësore dhe ekonomike e territoriale, për çfarë flisnin njerëzit, çfarë shkëmbenin, çfarë i shtynte të krijonin marrëdhënie me të tjerët? Shumë prej antropologëve, historianëve dhe arkeologëve spekulojnë me të drejtë, disa edhe me prova, se ishte mbijetesa ajo që shtynte këto komunikime. Por mbijetesa është e papërcaktuar, është evazive, abstrakte dhe mbart shumë të panjohura, ose shumë të njohura relative. Në një farë mënyre, ky spekulim i faktuar ose jo, mbetet spekulim. Është e qartë se çfarë e shtyn njeriun të ndërtojë komunikim dhe marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Përfitimi është një nga të parat arsye, vetmia, jetërsimi shoqëror dhe konsumi. Këtu futet ushqimi, komunikimi dhe riprodhimi. Në këto tre veprimtari të thjeshta konsumi mund të shquhet qartë njeriu primitiv. Ushqimi edhe sot ka të njëjtin funksion biokimik për njeriun. Bisedat janë shkëmbime informacioni, edhe ato në rrjetet sociale, asgjë më shumë se gjithçka që krijon kontakt, dhe tek dituria, ashtu si arsimi sot, mund të shohim njohuritë e njeriut primitiv që trashëgonte dijen e të folurit, të kryerit të punëve, të gjahut, ndërtimin e strukturave familjare. Madje edhe seksi, kryen të njejtin funksion, si trashëgimia, manipulimi i brezave dhe kënaqësia.

A konsiderohet njeriu sot primitiv?

Primitiv mund të përkthehet: “parimor”, sepse u përket dijeve të para. Në kohët moderne, pas mesjetës, njeriu i shpellave u kthye gradualisht në njeriun e pallateve (forma të strukturuara shpellash vertikale, me njësi banuese të ndërtuara kryesisht me hekur dhe beton). Njeriu nuk i shpëton dot nevojës së tij për të ndërtuar shpella, sidomos pasi doli nga shpellat. Kjo nevojë, është në sintoni me një tjetër nevojë të tijën: krijimi i hapësirave shoqërore. Kjo hapësirë është e ndarë nga ajo publike, por përbën njësinë e madhe të bashkëjetesës, atë personale: (per-se’/për veten).

Përse quhet bashkëjetesë?

Ne krijojmë marrëdhënie përmes komunikimit dhe përfitimit, por jo bashkëjetesës. Nëse njerëzit do të ishin vërtetë bashkëjetues, atëherë do të jetonin si kafshët, të gjithë në natyrë, me atë çka natyra ofron dhe duke mos e ndryshuar atë, si të barabartë. Vetëm kjo konsiderohet bashkëjetesë, gjithçka tjetër është ekuilibër dhe dakordësim, dhunë apo shfrytëzim. Edhe kafshët jetojnë në guva, në strofulla, krijojnë marrëdhënie dhe shkëmbim, jetojnë në grupe të organizuara dhe përçojnë diturinë e tyre tek brezat në vazhdim, por ato nuk kanë asgjë private, ose në pronësi, vetëm në përdorim të përkohshëm dhe shfrytëzim të limituar. Këtu njeri nuk është më primitiv, por ai bëhet “ultimativ” (fundësues / merr dhe nuk kthen). Ky është një lloj i ri shfrytëzuesi, i cili gllabëron dhe nuk rijetëson, por grumbullon pasuri të patundshme tek pasardhësit.  Kështu toka nuk është më e lirë, gjë që bie në kundërshtim me lirinë e kërkuar nga njeriu në parim. Toka merr trajta të tjetërsueshme, kështu lind edhe problemi i abuzimit me shpellat e betonit. Ky njeri i ri “Homo-betonicus”, është i palimituar në shpellimin e truallit të tij. Nëse këtij parimi i mbivendoset edhe mungesa e ligjvënies që rregullon këtë oreks për shpella betoni, dhe nëse nuk ndalet korrupsioni i cili ushqen këtë oreks, atëherë privatja bëhet një shqetësim publik. Në këtë pikë njeriu me pronë ndikon në të gjithë vlerën, idenë, kulturën dhe trashëgiminë e tij dhe të të tjerëve. Është e pakufishmja, ajo që sjell shkatërrim, abuzim, mungesë vizioni, lirie dhe parimi.

Nëse shpellari bëhet e keqja e vetes, kjo quhet përgjegjësi personale, por nëse shpellari bëhet e keqja e të tjerëve, përgjegjësia rëndon tek ai në mënyrë ligjore, por kësaj radhe me një mbivendosje, atë të rëndesës së fajit të tij tek e përbashkëta. Kur dëmtohet publikja, përmes privates, duhet të konsiderohet një krim, shtrembërim i vlerave dhe përmbysje e ligjeve në të mirë të përbashkët. Këtu lind një lloj i ri i betonizimit të dheut, atdheut, mëmëdheut. E mira, e pompuar nga propaganda e atyre që ndërtojnë dhe atyre që përfitojnë, qëndron në idenë absurde të progresit ekonomik të këtij qytetërimi indoevropian. Është injorancë të mendosh se zhvillimi vjen me ngritjen e qiellgërvishtësve, pastaj me funksionin e tyre. Është njësoj sikur të ndërtosh një banjë dhe të harrosh të gjitha tubacionet, do plasë uji sheshit me pak fjalë. Paraja që e nxit, dhe e zhvillon këtë mentalitet të “ujit sheshit”, është e papërgjegjshme, e pakontrolluar dhe kjo mungesë përgjegjësie të shpie drejt idesë se këto para janë të pista, të përfituara në rrugë të paligjshme.

Të kujt janë këto ndërtime?

E po me sa duket, janë të atyre që duan t’i blejnë, në bashkëpunim me ata që duan t’i shesin. Por si fillim duhen ndërtuar, e këtu ndërhyn shteti në interes reciprok, duke përkulur kufijtë, shtrembëruar ligjet dhe zhdukur zonat e mbrojtura kulturore e mjedisore. Fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Në qoftë se e gjithë kjo vlerë, ky zaptim i ri, i maskuar si zhvillim, nuk është menduar strategjikisht se çfarë të mirash sjell, atëherë shtyn drejt mendimit se kjo veprimtari është kriminale në bashkëpunim, duke krijuar një dimension të rremë, ku paraja e pistë sundon territorin. Këtu përfshihen të gjitha paratë e padeklaruara, nga trafiku i drogës e deri te korrupsioni. Nuk është edhe aq e tepërt të mendosh se e kanë një të mirë këto para, madje do të ishte më se e përshtatshme për idiotët të mendojnë se kjo është një mënyrë e mirë për zhvillimin e vendit shpejt e shpejt. Në fund të fundit të gjithë e kanë bërë kështu, edhe Amerika.

Ky mendim moskokëçarës dëmton sërish publiken, por këtë herë është një publike e dorës së dytë, ajo e opinionit kolektiv. Kjo marrëdhënie konsiderohet bashkëpunim. Pra këto lloje të ndryshme parash të pista, paskan gjetur një rrugë të përbashkët, mjaft efikase, për t’ua hedhur të gjithëve, duke shfrytëzuar privaten mbi kurrizin e publikes.

Për mos ta zgjatur shumë: pamjen e qytetit, cilësinë e jetesës, mbarëvajtjen e mjedisit, hapësirat publike, ekonominë, e deri tek fqinjësitë dhe marrëdhëniet e përditshme njerëzore. Këto veprimtari kriminale të organizuara, i ligjëron apatia, mungesa e ndjeshmërisë publike dhe mbi të gjitha abuzimi i vazhdueshëm. Epoka e shpellarit betonist, po sjell vdekjen e qytetarit të vjetër shpellarist. Nëse do t’i shtoja edhe një lugë komunizëm, atëherë do më duhej të flisja për kulturën “llaç e tulla”, të Shqipërisë socialiste, pro-proletare, e cila socializon ende sot në të mirë të përbashkët, përmes propagandës dhe planeve të betonizimit ekonomik me aeroport mbi lagunë, monumente kulture personale, hotele arkeologjike, shërbime prostitucioni politik, prodhime bujqësore kineze, plastikë në gjak dhe me një shpirt të ri europian.

Le të marshojmë drejt së ardhmes sonë marksiste-leniniste edhe njëherë.

© 2023 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Kopertina: The Architect (Krypa)

2 Komente

  1. Ne arkiteture fatkeqesisht ajo qe eshte bere nuk mund te c’behet me te pakten per nja 50 vjet pasi koha te kete amortizuar strukturen, pse mund te c’behet me shpejt duke i vene dinamitin gjithe qytetit. Konkretisht cila eshte zgjidhja ?Cfare do te behet me qindra mije ndertesa te ndertuara pa kriter ne te cilat njerezit kane investuar kursimet e jetes per ti blere?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin