MARTOJMË SHQIPËRINË

Analizë e thjeshtëzuar mbi mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar

nga Endrit Marku

Pak ditë më parë, pas një procesi të gjatë restaurues u rizbulua mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar. Si çdo ngjarje e re që ndodh në Shqipëri, veçanërisht kur ajo ka të bëjë me kulturën e qytetin, edhe kjo u shoqërua me pak analiza e shumë deklarata. Një farë diskutimi i zhurmshëm u nxit nga heqja e supozuar e simbologjisë së lidhur me komunizmin, e një ylli dhe e një libri, nga sipërfaqja e mozaikut të realizuar në fillim të viteve ‘80. E vërteta e heqjes së simboleve qëndronte pesë minuta kërkim në “google images” larg, që do të mjaftonin për të kuptuar kotësinë e argumentit ndezës të debatit, e megjithatë e gjithë rrëmuja e ngritur nëpër rrjete sociale më shtyu që ta shoh pak më me vëmendje këtë murale, ndër më ikoniket jo vetëm të artit pamor shqiptar, por edhe të përditësisë sonë në Tiranë.

Udha e kuqe

Si fillim iu riktheva disa rasteve të ngjashme, për të kuptuar çfarë përfaqësojnë zakonisht këto lloj veprash. Në një tekst që kam botuar dy vite më parë, m’u desh të bëj një hulumtim të shkurtër mbi dy murale të pallatit presidencial, dikur mbretëror, të Beogradit. Ato nuk i kushtoheshin vetëm një entiteti, por ngjarjeve, njëra Betejës së Fushë Kosovës e tjetra një proteste popullore që pati rrëzuar regjimin jugosllav të para Luftës së Dytë Botërore menjëherë pasi pati pranuar t’i nënshtrohej Gjermanisë Naziste.

Figura 1 – “Udha e flamurit të kuq” (Gerhard Bondzin)

Një situatë, edhe më të afërt, e gjeta te një murale mbi fasadën e pallatit të kulturës në Dresden, e realizuar nga një regjim shumë i ngjashëm me atë të PPSH-së. Tek vepra e autorit Gerhard Bondzin (fig.1) dallohen grupe personazhesh të shpërndara në të gjithë hapësirën e imazhit. Ndryshe nga mozaiku i Tiranës, ata shtrihen në të gjitha dimensionet, edhe në lartësi e jo vetëm në horizontalitet. Në skenat e shumta të organizuara në grupe gjejmë personazhe luftëtarësh, predikuesish, të moshuarish, trupa të vrarë e nën torturë, në përgjithësi të gjithë dëshmitarë të të njëjtit udhëtim. Përpara tyre, në plan të parë, është një vajzë e vetme me një flamur të kuq në dorë. Muralja quhet “Udha e flamurit të kuq” dhe në këtë rast vepra nuk flet vetëm për një shtet a komb, as për një ideal specifik, nuk është se titullohet Gjermania ose Socializmi, për shembull, por na tregon për një sekuencë ngjarjesh, për një rrugëtim, me gjasë për rrugëtimin e popullit të Gjermanisë Lindore drejt shoqërisë komuniste. Të shkuarën me shumësinë e ngjarjeve dhe personazheve e gjejmë të përhapur nëpër kutizat e sfondit, ndërsa të ardhmen e shohim në vështrimin e vajzës, ajo është njëkohësisht jashtë tablosë dhe pas shpinës sonë, vetëm një rrotullim koke larg. Flamuri në dorën e saj, që funksionon dhe si pishtar, duket sikur po ndriçon rrugën drejt tokës, ose më saktë drejt kohës së premtuar. Fytyra e vajzës gjermane nuk shfaq shumë emocione, ajo është e përqendruar në aktin e kërkimit a të sinjalizimit; ajo duket sikur po i thërret së ardhmes “jemi këtu!”; e ndërsa e bën, mban me vete peshën e përgjegjësisë, të vuajtjeve dhe shpresës së të gjithë aktorëve, të shkuar e të tashëm, që presin pas krahëve të saj.

Festë të madhe ka sot Shqipëria

Figura 2 – Mozaiku në ballinën e Muzeut

Mozaiku i Tiranës mund të zbërthehet sipas një këndvështrimi të ngjashëm, ndërsa emërimi i tij “Shqipëria” duket më tepër si një kompromis thjeshtues i një imazhi që, në fakt, flet gjithashtu për një ngjarje dhe zanafillën e një udhëtimi. Shqipëria është një nga personazhet e alegorisë, kryesori në fakt, i përfaqësuar nga vajza në mes të mozaikut mbi ndërtesën e muzeut. Ajo nuk është Shqipëria e një kohe të përgjithshme apo absolute, ajo është Shqipëria e 1944-ës; Shqipëria, që sapo ka ndërmarrë rrugëtimin e flamurit të kuq, njësoj si vajza e Dresdenit. E megjithatë dy vajzat i qasen ndryshe udhës së tyre, e para duket e ftohtë e papërvojë dhe e shqetësuar, ndërsa e dyta duket fort e qartë në pritshmëritë e saj, siguria në vete i lexohet në shikimin e vendosur. Vajza Shqipëri as nuk ndalet të presë një sinjal nga destinacioni, por ia ka marrë rrugës me marshim drejt tij, madje dhe me dy shokë me vete.

Shqipëria mban veshur xhubletën arkaike, por kjo e fundit është çuditërisht e zbardhuar, a thua se e kanë pastruar nga çdo ndikim i zi i së shkuarës. Vajza Shqipëri është veshur nuse dhe po shkon e lumtur drejt fatit të saj të radhës. Të gjithë e dimë që kjo nuk është martesa e saj e parë, por me sa duket lidhja këtë herë do të jetë e lumtur. Në dasmë atë e shoqëron punëtori, nxitësi i gjithë zallamahisë revolucionare, i cili tashmë (me librin në dorë) është intelektualisht i vetëdijshëm për të ardhmen e ndritur. Atë e shoqëron dhe Partizani, ithtari i flaktë, që është gati të japë jetën për fatin drejt të cilit po e shoqëron Shqipërinë: ai ka me vete forcën e besimit.

Në krye të banorëve të kohës

Shqipëria mban një pushkë në dorën e djathtë. Me një pushkë në dorën e majtë do ta pikturonte dhe Delacroix “Lirinë që udhëheq popullin”, tabloja e njohur e frymëzuar nga ngjarjet e Revolucionit Francez të Korrikut 1830. Liria gjysmë e zhveshur udhëheq në fushëbetejë punëtorë e borgjezë në rebelimin e tyre kundër regjimit të vjetër. Vasha franceze mban edhe flamurin kombëtar në të djathtë për t’u sinjalizuar bashkëluftëtarëve drejtimin e përleshjes dhe të fitores. Shqipëria, nga ana tjetër, e ka fituar betejën e saj, në atë çast pushka as që i duhet, madje dhe flamurin ia mban shoku i saj partizan.

Figure 3 – “Liria që udhëheq popullin” (Delacroix)

Por pushkën nuk e lëshon, fundja ajo nuk është naive dhe pa përvojë, ajo e di që revolucionet janë të dhunshme, ato bëhen me pushkë e gjithashtu me pushkë mbrohesh prej tyre.

Edhe Shqipëria udhëheq njerëzit e alegorisë së saj, ata nuk janë qytetarët e Parisit, por banorët e historisë shqiptare. Në të majtë të mozaikut janë ilirët, arbrit, rilindësit, gegët, toskët, komitët, paraardhësit që mundësuan lindjen e vashës, kurse në të djathtë janë partizanët, nëna, vëllezërit e motra që e rritën atë. Nusja Shqipëri me dëshmitarët e saj ndodhet në të tashmen e mozaikut, në nëntorin e 1944-ës, dhe sapo është nisur drejt së ardhmes. Personazhet e së shkuarës së saj nuk janë hije pasive si ato që rrinin pas vajzës së Dresdenit, por pjesëmarrës aktivë të së tashmes. Aty në kornizën kohore të mozaikut, ilirë e arbër janë ngjallur të bashkuar nga ideali socialist njëlloj si partizanët në kahun tjetër. Vetë e shkuara e ka kuptuar më në fund rëndësinë e aktit që po ndodh, e fitores së madhe të revolucionit shqiptar që do t’i japë një të ardhme të lumtur bijës së tyre. Ajo tani po ndërmerr rrugëtimin socialist për të arritur në komunizëm, i cili në mozaik është njëkohësisht kohë, vend, madje dhe dhëndër.

Tek mozaiku vërejmë një fragment të historisë sonë të deformuar përmes një lenteje ideologjike të parapërgatitur nga një regjim që dëshiron të celebrojë vetveten dhe eventin që i mundësoi ekzistencën, fitoren në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vetë përkufizimi dypjesësh që ne i kemi bërë, Luftës së Dytë Botërore i shkojnë përshtat dy gjysmat e mozaikut: fitorja globale mbi fashizmin dhe ajo lokale mbi narrativat nacionale.

Ndër aspektet e tjera interesante të mozaikut është vendosja në plan të parë e punëtorit, e rrjedhimisht e shoqërisë urbane dhe heqjes apo lënies në hije të fshatit, që përfaqësuesin më të afërt e ka tek nëna me dyfek rreshtuar mes partizanëve. Siç duket, edhe formëzimi i këtij imazhi mbart gjurmë të shqetësimit që, që në krye të herës, brente vetë Vladimir Uljanovin, të cilit “të nesërmen” e marrjes së pushtetit në vetminë e zyrës në Kremlin i duhej të justifikonte fitoren e revolucionit proletar në një vend pa proletariat.

Në kërkim të qendrës

Mozaiku duhet parë dhe si pjesë e pandashme e ndërtesës mbi të cilën është vënë. Ai pasqyron në jashtësi konceptin kuratorial të brendisë, që pjesërisht ruhet dhe sot. Vetë muzeu është një kuti pa një qendër të qartë, kolonata e hyrjes duket sikur po këputet nën peshën e pedimentit kuboidal, shumë të gjerë dhe të rëndë. Mozaiku e ndihmon masivin e sikletshëm duke e kthyer në imazh, në rrafsh topologjik, ku kryqëzohen fushat me energji vektorësh dhe qendërsie pamore. Mozaiku i jep pedimentit lehtësi e thellësi, madje e bën atë dhe me qendër. Sot për sot, në këtë kompozim njëkohësisht vëllimor e piktorial, qendrën e mban treshja kryesore me vashën e armatosur në krye, ndërsa qendra origjinale nuk figuron më, pasi e hoqën gjatë ndërhyrjes së fillimviteve ‘90.

Qendra dikur mbahej nga ylli i kompozuar mbas kokës së vashës. Nëse yllin e shohim si pjesëmarrës të pjesës antropomorfike të kompozimit, atëherë atë mund ta konsiderojmë si një lloj aureole që dëshmon përfshirjen e vajzës (Shqipërisë), mes të ndriçuarve të tjerë, shtete e kombe, të perandorisë socialiste. Ndërsa nëse yllin e shohim të shkëputur, pra si figurë e kolazhuar skematikisht mes flamurit dhe kokës së vajzës, atëherë marrëdhënia e tij duhet parë në lidhje të drejtpërdrejtë me pedimentin dhe vetë ndërtesën e muzeut. Burrat e gratë e mozaikut, nga njëra anë, dhe ylli, nga ana tjetër, duket sikur u përkasin dy shtresave, dimensioneve që bashkëjetojnë në vepër dhe që ndërtojnë marrëdhënie vetjake me ndërtesën.

Figure 4. Ylli në qendër të ballinës

E thënë shkurt, vetë ndërtesa e muzeumit, njësoj si partizanët e shumtë të kompozimit, është konceptuar me një yll në ballë, në ballinë. Ylli ishte vula mbi kutinë arkitektonike dhe simboli i ngarkuar me kyçjen e historisë së Shqipërisë. Arsyetimi i mësipërm më kujton një përvojë personale, të shumë viteve më parë. Gjatë një bisede me profesor Gëzim Qëndron, ndërsa më fliste për semiotikën e pasur të kësaj ndërtese, e skalitur në çdo centimetër të lëkurës së saj, ai më përmendi dhe absurditetin e emërtimit që objekti vazhdonte a vazhdon ta mbartë:

“E quajmë “Muzeu historik”, e si mund të jetë një muze “historik”?! A nuk do duhej të ishte një muze i historisë?”

Në fakt, po ta mendosh, ndërtesa në sheshin Skënderbe nuk është muze, por një monument historicist, që synon të jetë po aq historik për qytetin, sa duhet të ishte ngjarja që celebrohet në të e mbi të për shoqërinë shqiptare. Ngrehina nuk ka qenë asnjëherë një muze i historisë, po ashtu si mozaiku i tij që nuk ka qenë kurrë një shëmbëlltyrë e Shqipërisë.

Sot e dimë si shkuan ngjarjet, martesa e vajzës me xhubletë të bardhë dështoi, buzëqeshja iu var dhe dëshmitarët e braktisën njëri pas tjetrit në mes të udhës socialiste. Ndërtesës ia hoqëm yllin dhe shpejt do ta kthejmë në një enë bashkëkohore, që me gjasë do ta kthejë historinë në subjekt të hapur e dëfryes. Ndërkohë historia nuk mbaroi: Shqipëria e ka hedhur të shkuarën pas, ka veshur rroba të reja dhe pret krushqi të tjera.

© 2023 Endrit Marku. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

1 Comment

  1. Ndoshta mund te porosisin te pakten nje koncept ide per ta zevendesuar me dicka tjeter . Ndonje mund te kete nje ide me te fisme se “Feste te madhe ka sot Shqiperia”.Ndertesa eshte 40 e ca vjecare dhe eshte due per nje facelift.

Comments are closed.