PASOJAT POLITIKE TË NJË SHKAKU TËRËSISHT EKONOMIK

ose një kurs tepër i shkurtër hyrës në ekonomi

nga Rei Bala

Nga data 1 Prill paga minimale si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat do të jetë 40 mijë lekë, si një premtim i mbajtur.[1], thotë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, duke na kujtuar se fjalën e ka mbajtur. Sigurisht, diçka, që shumëkush e pret krahëhapur, meqë, në fjalët e vetë ministres, përballemi me “vështirësitë e paparashikuara, që janë krijuar kudo prej inflacionit të lartë të shkaktuar nga lufta Rusi-Ukrainë[2]”.

Kjo rritje e menjëhershme me 17% është edhe më e larta ndonjëherë. Rritja e pagës minimale ka ardhur gradualisht gjatë vitit 2022 dhe është shoqëruar nga politika të tjera monetare të bankës qendrore[3]. Gradualiteti i rritjes ka implikime të forta teorike, meqë pasojat e një çekuilibrimi ekonomik zakonisht shfaqen katër deri në tetë tremujorë pas fillimit të krizës. Prandaj, ndërmarrja e ngadaltë e masave për stabilizimin e një krize ekonomike është në interes të një shteti; siç do të ishte në interes të një mjeku kurimi i shtruar i pacientit të vet — bombardimi me aspirinë mund të kurojë migrenën, por njëkohësisht mund të të shkatërrojë mëlçinë. Pse? Sepse trajtimi i menjëhershëm kërkon masa jashtëzakonisht të rrepta, të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek pritshmëritë dhe potenciali i prodhimit, çka për pasojë ndikojnë tek prodhimi aktual[4].

Duhet thënë se masat e ndërmarra shquajnë përgjithësisht prodhimin[5]. Pa dyshim, jo çdokush është prodhues, por, në një mënyrë apo tjetër, të gjithë aktorët ekonomikë e lidhin veprimtarinë e tyre me kushtet e prodhimit. Por çekuilibrimi ekonomik, shkaktuar nga destabiliteti tregtar — dhe politik — si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, pati efekte të menjëhershme; nëse përballimi ynë ishte dinjitoz, kjo i ngelet veçse kohës për ta rrëfyer e meqë askush nga ne s’mund të kontrollojë kohën, do të na duhet ta shtyjmë për një herë tjetër këtë çështje.

Publiku meriton, megjithatë, të sqarohet në lidhje me një sërë faktorësh që ndikojnë te rritja e çmimeve, meqë kjo e fundit është në thelb të rritjes së pagave. Assesi ndonjë premtim dashamirës i qeverisë. Në pyetet atëherë: Ç’i rriti çmimet?, çdokush, me të paktën një vesh funksional, edhe pa i ndjekur një ditë të vetme në jetë lajmet, do të kishte dëgjuar e qartazi do të përgjigjej se: Rritja e çmimeve buroi nga rritja e menjëhershme e çmimit të naftës në Mars të vitit të kaluar. Le të pyetet atëherë: Ç’rol luan nafta tek çmimet? Përgjigjja është: Një rol jo më të ndryshëm se çdo faktor tjetër në prodhim. Mirëpo sa peshë ka? Momentalisht[6], jashtëzakonisht shumë.

Një rritje e çmimit të naftës mund të krahasohet me rritjen e asaj që në ekonomi e quajmë mark-up[7]. Pse ky krahasim?

  1. Sepse e konsideruam naftën një faktor jashtëzakonisht të rëndësishëm për çdo hallkë të prodhimit dhe se
  2. nëse i shkojmë nga pas zinxhirit që lidh produktin final me faktorin e prodhimit në fjalë, pra naftën, dikush realisht duhet të ketë rritur të vetin mark-up e sakaq të jenë rritur edhe sivëllezërit e tij. Primum movens.

Le ta shënojmë me m. Në ekuilibër, gjatë periudhave të stabilitetit, pagat dhe çmimet janë në raport të barabartë dhe konstant. Këtë supozim mund ta paraqesim matematikisht edhe si:

 

Një rritje çmimesh (fig.1) atëherë paraqitet si një raport i barabartë me më pak se një, sepse emëruesi është rritur, ndërkohë që numëruesi jo. Kësisoj pagat reale bien, kur çmimet rriten.

Të rriten pagat!”, thërret atëherë qeveria bashkë me punëtorët. Por a rriten pagat vërtet? Këtu duhet bërë një dallim midis termave pagë nominale dhe reale. Me termin nominal do të kuptojmë vlerën e barabartë me numrin mbishkruar kartëmonedhës. Vendosja e pagave, çmimeve, fashave, buxhetit bëhet gjithnjë në terma nominalë; po këtu përfshihet edhe kartoni me çmimin, që bën banjë dielli mes qepëve në pazar. Por çfarë na intereson është sasia e produkteve — pyetja përgjithësisht është “Me sa e ke kilen e qepëve?” —, që mund ta këmbejmë për një sasi të caktuar parash — apo edhe për sasinë e orëve të punës që fshihen pas tyre. Na intereson, pra, vlera reale e parasë.

A mund të flitet atëherë për një rritje të pagës minimale? Po, për aq sa i referohemi pagës minimale nominale. Po ajo realja? Këtu çështja ndërlikohet. Pse? Sepse rritja e pagës minimale përkon saktësisht me rritjen e çmimeve të ushqimeve[8]. Paga minimale, së pari, shërben si mjet në ndihmë të shtresës me të ardhurat më modeste; ligji i Engel[9]-it thotë “Sa më e varfër të jetë një familje, aq më e madhe është pjesa e totalit të shpenzimeve të familjes që i dedikohet ushqimit[10]. Ushqimi dhe konsumi jetik përbëjnë jo vetëm thuajse të gjithë konsumin e një familjeje me të ardhura të ulëta, por njëkohësisht edhe pjesën më të madhe të konsumit të përgjithshëm familjar në Shqipëri.[11] Kësisoj një përshtatje e pagës reale minimale me nivelin real të çmimeve do të ishte termi i duhur. E shënojmë normën e përshtatjes me p. Kësisoj:

Kur p > m, mund të flasim realisht për një rritje reale pagash, por të dhënat flasin vetëm për një ekuivalencë të përllogaritur mes p dhe m. Paga është indeksuar; ka shkuar aty ku qëndronte deri ca muaj më parë. Ku gjendet atëherë rritja e pagave? Vetëm në narrativën e qeverisë, e cila shfrytëzon analfabetizmin ekonomik të alemit e polemit e iu hedh kësisoj hi syve. Thënia — deviza e pavdekshme, “memorizo autorët që citohen më shumë dhe citoji edhe ti.”[12] — shkon pak a shumë kështu: “Çdo paqartësi, çdo keqkuptim çon në vdekje; shpëtimi i vetëm nga kjo vdekje janë gjuha e qartë dhe fjalët e thjeshta.[13] Ky citim s’më intereson; më tepër më intereson shënimi në fund të faqes: “Vlen të përmendet se gjuha tipike për doktrinat totalitare është gjithmonë skolastike ose administrative.”[14]

Ndonëse rritjes së çmimit të naftës mund t’ia ndiejmë thuajse që të gjithë efektet, jo çdokush i sheh qartazi disfatat që një krizë sjell me vete. Mbi të gjitha, rritja e pagës minimale nuk do të thotë rritje pagash për të gjithë. Asimetria është e qartë. Nga rritja e pagës minimale përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm ata që deri dje fitonin sikur 1 lek më pak se 40 000 lekë. Ky grup, sidoqoftë, përbën vetëm një pjesë të ë gjithë shoqërisë, një sasi të konsiderueshme, por jo domosdoshmërisht shumicën. Sipas INSTAT-it, “Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2022, është 66.014 lekë.” Ndonëse një pagë ulët, një shpërndarje normale e të ardhurave do të tregonte qartë se pjesa më e madhe e të punësuarve në Shqipëri fitojnë mesatarisht në muaj diçka më tepër se paga minimale. Ky grupim, që përbën edhe shumicën, nuk përfiton thuajse asgjë nga rritja e pagës minimale dhe përballet me rritjen e çmimeve pa asnjë lloj ndihme. Realiteti i shumicës është varfërimi real.

Paga minimale si baticë fiktive

Por çka është vërtet djallëzore, do të thosha, është se krizat janë të shtresëzuara. Plagët rrallëherë prekin një organ pa ia hedhur sytë edhe organit tjetër. Ndryshimet ekonomike, qofshin këto pasojë e krizës apo e politikave të qeverisë, veprojnë te të gjithë parametrat e njohur, të cilët na shpallen çdo tremujorë nëpër konferencat me-ujë-në-shishe-qelqi për shtyp. Çështja e pagës minimale nuk duhet konsideruar aspak si thjesht një përshtatje e të ardhurave për grupin më të lënguar të shoqërisë, por edhe si një mundësi për fabrikimin e një narrative tërheqëse, me të cilën mospropagandizimi do të ishte haram. Kjo s’është asgjë e re, e përsëri poeti thotë:

Ç’ka mbetur për mua pa thënë?

Por ju shumë gjëra si dini.[15]

Fenomeni ekonomik, por edhe sociologjik, më i përhapur në Shqipëri mund të jetë, pas korrupsionit, informaliteti. Dukuria mund të burojë nga kultura jonë jo fort e hapur, nga hartimi i dobët i ligjeve në Shqipëri, nga ndonjë ves latin[16] apo nga ndonjë kombinim i të triave a më shumë arsyeve. E ç’rëndësi ka kjo, kur, këtu, gjetja e gjenezës pas fenomenit të fshehjes nuk është në interesin tonë. Mirëpo, në mos qoftë ky, në interesin tonë është fare mirë njohja e marrëdhënies mes informalitetit, ekonomisë, dhe pagës.

Situata shkon pak a shumë kështu: Për një punë të caktuar, një punonjës në Shqipëri paguhet një x vlerë; konsiderojmë se kjo vlerë është më e lartë se paga minimale. Mirëpo, nisur nga kushtet politike e historiku abuziv me të ardhurat publike, punonjësi beson se taksat që ai do të duhet të paguajë, në vend që të përdoren për krijimin e shërbimeve më të mira publike në dobi të tij, shpërdorohen nga taksambledhësit. Ai krijon pritshmëri[17]. Punonjësi ndihet sikur i bëhet një padrejtësi, me të drejtë, meqë nuk ka asnjë dallim mes grabitjes së të ardhurave dhe shpërdorimit të taksave nga qeveria e tij. Kësisoj, ai e sheh më me leverdi mosdeklarimin e të ardhurave, me qëllim shmangien e kësaj grabitjeje zyrtare, meqë çfarë ai do të duhej ta përfitonte publikisht është inekzistente; shërbimet e tij “publike” i merr më mirë duke paguar privatisht. Por ç’e privon atë nga mosdeklarimi i plotë i të ardhurave është saktësisht paga minimale, e cila, megjithëkëtë, nuk taksohet. Punëtori zgjedh atëherë të tërheqë në bankë pagën minimale, ndërkohë që pjesën tjetër të parave e merr në dorë. Ç’deklaron ai për ekonominë, është pasojë e rastësishme e qenies së bankës; çfarë ai nuk e deklaron, është çdo gjë tjetër. Ky është, pra, vetëm një nga mijëra rastet e përditshme të evazionit fiskal, i cili kontribuon jashtëzakonisht shumë tek informaliteti i ekonomisë shqiptare.

Le të konsiderojmë tani se ministria vendos të rrisë vlerën e pagës minimale me 17%. Çfarë i shkakton kjo punëtorit? Meqenëse vlera e pagës minimale nominale rritet e meqë ajo mbetet e pataksueshme, punëtori, për të cilin folëm më sipër, nuk ndryshon asgjë tek sjellja e tij. Ai shkon në bankë, tërheq pak më tepër se muajin e kaluar nga të ardhurat e tij dhe diferencën e merr në dorë. Tani ai deklaron më shumë dhe fsheh më pak. Kësisoj informaliteti bie automatikisht, meqë një pjesë e padeklaruar e pagës përfundon e deklaruar në regjistrat e bankës. Por kjo është gjë e mirë, apo jo? Absolutisht, për aq sa deklarimi i ndihmon ekonomistët të kenë të dhëna më të sakta në lidhje me parametrat ekonomikë. Por çdo medalje ka dy anë e ana tjetër e sonës është vërtet me vlerë për t’u parë.

Le të rikujtojmë se te shembulli më sipër punëtori vetëm deklaroi ca më tepër nga të ardhurat e tij. Mirëpo, për të përllogaritur vlerën e GDP-së së famshme, ekzistojnë disa mënyra: njëra prej tyre është edhe si shuma e të gjitha të ardhurave. Porse tek vlera përfundimtare e GDP-së llogaritet vetëm ekonomia formale, ose ndryshe ekonomia e deklaruar. Ç’është e padeklarueshme mbetet gjithnjë e tillë. Por rritja e pagës minimale, siç thamë, e ul informalitetin, kësisoj edhe treguesi më i preferuar i çdo kabineti qeverisës rritet. A s’është rritja e GDP-së diçka e mirë?[18] Po, por rritja në fjalë është tërësisht artificiale. Ekonomia kurrsesi nuk “rritet”, por vetëm deklarohet. Paga x e punëtorit mbetet po e njëjta, vit pas viti, ndërkohë që atij i thuhet se çdo vit e më tepër vjen e pasurohet. Shifrat nuk gënjejnë kurrë, përveçse, sigurisht, kur shifrat nuk paraqesin të vërtetën. Por kush përfiton nga kjo baticë fiktive? Askush tjetër përveçse atyre që i vendosin të dhënat në shërbim të fabrikimit të iluzioneve. Propagandimi i begatisë ekonomike mbetet detyra më e lehtë e pushtetit për aq kohë sa ai shfrytëzon paqartësitë statistikore dhe delikatesën e një identiteti fare të thjeshtë ekonomik, i cili duket se më tepër politizohet se ç’studiohet, në një kohë kur pjesës më të madhe të popullatës iu brehen vaktet sikur t’iu ishin sulur kandrrat mizëri.

Anti-Ginsberg

Për ta mbyllur këtë shkrim denjësisht, mendoj se duhet edhe një e rrokme e fundit aventureske në artin e të logjikuarit sipas ekonomisë. Rritja e çmimeve është ndoshta e dhimbshme për të gjithë, si për jetesën e punëtorit të nënpaguar, ashtu edhe për pasigurinë e prodhuesit; mbi të gjitha, është e dhimbshme, meqë natyra e saj është asimetrike. Shpata qëllon lik në zemër, por jo të gjithë përgjaken ngjelthi.

Por rritja e çmimeve nuk ka ndikim vetëm në ekonominë e përgjithshme. Ajo, së pari, ndikon tek individët, te dëshirat, preferencat e tyre, te produktet që zgjedhin të konsumojnë. Janë këto mikrondryshime në sjelljet e aktorëve ekonomikë, ato të cilat diktojnë më pas edhe të gjithë ekonominë e një vendi, ashtu siç një vepër teatrale diktohet vetëm falë veprimit dhe bashkëveprimit të të gjithë personazheve të saj. Thamë se produktet e prekura më tepër nga rritja e çmimit të naftës janë produktet jetike të konsumit të përditshëm. Veçanërisht sot, kur i gjithë konsumi i një familjeje varet nga tregtia ndërkombëtare, ushqimet e pijet lidhen fort me transportin apo prodhimin bujqësor e industrial. Në kohëra stabiliteti të gjithë do të kishim përfituar nga tregtia, por paqëndrueshmëria e kohës ku jetojmë, vërshoi me një mori pikëpyetjesh, së pari, mbi çështjen e jetikes. Pa diçka më tepër, cilësia e jetesës së këtij apo atij personi do të mbetej thuajse e palëkundur, ndërkohë që, pa jetiken, çdokujt i lëkunden mendtë nga uria.

Duke qenë se inflacioni bën që pagat reale të shumicës së popullatës të bien, ndryshimet ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek zgjedhjet e konsumatorit. Duhet thënë, ama, se rritja e çmimeve nuk ka qenë e njëjtë për të gjitha produktet e konsumit. Ato nuk i kërrusin gjithnjë të ardhurat në të njëjtën gradë. Le të pranohet se ekziston, pra, ende një produkt i përditshëm, vlera e të cilit nuk është rritur aspak; ndodh që produkti të jetë gjithashtu aq i dëshiruar nga konsumatori shqiptar, sa ai të nisë me të ditën e të mbyllë mbrëmjen; produkt, i cili vlen, sa si supresant i urisë, aq edhe si motiv për të marrë një pushim të shkurtër. E kam fjalën për duhanin. INSTAT-i dhe shitësi tek dyqani i Tobaccos bien dakord se të gjitha çmimet janë rritur, vetëm çmimi i cigareve jo. Ç’rëndësi ekonomike ka kjo për ne?

Kur hamendësojmë një teori të zgjedhjes për konsumatorin në ekonomi, ne kundrojmë posaçërisht marrëdhëniet e çmimeve që ndikojnë tek zgjedhja e tij. Janë ushqimet ato të cilat janë bërë më të kushtueshme, një paketë Marlboro, përkundrazi, relativisht më e lirë. Theksi duhet të bjerë tek relativja, pra tek marrëdhënia e çmimeve. Kështu, rënia e fuqisë blerëse i shtyn individët të kundrojnë duhanpirjen si një alternativë më të leverdishme sesa të ngrënët; i shtyn ata, me pak fjalë, drejt lënies së vaktit për tre a katër Slimsa më tepër; shtyn drejt përqafimit të një industrie që Allen Ginsberg[19] e quante “droga zyrtare”.

Por absolutisht që nuk mund t’i konsiderojmë cigaret dhe ushqimet si produkte të zëvendësueshme, mirëpo implikimet pas këtij arsyetimi nuk janë aspak ato të ekuivalencës. Në rastin e produkteve zëvendësuese[20], rritja e vlerës së një produkti shoqërohet me një konsum më të ulët të tij, por me konsum më të lartë të një produkti tjetër të ngjashëm me të. Jemi në këtë situatë vetëm kur të ardhurat qëndrojnë konstante. Por në situatën tonë janë të ardhurat ato që janë prekur, më saktë, ulur. Konsumatori kësisoj priret drejt produkteve inferiore, produkteve relativisht më të lira, të cilat paraqiten si të tilla prej shtrenjtimit të një produkti tjetër.

Ka arsye të forta përse mund të besojmë se duhani është një produkt inferior. Së pari dhe mbi të gjitha, sepse të dhënat flasin për një konsum më të lartë të duhanit ndër ato grupe shoqërore ku të ardhurat janë më të ulëta. Këtu ndikon sa mungesa e shërbimit- dhe edukimit shëndetësor, po aq edhe prirja drejt stimulantëve, si alkooli apo duhani. Ndonëse ka një-mijë-e-disa të zeza shëndetësore, si rrjedhojë e konsumimit të duhanit, këtë temë nuk jam i gatshëm ta marr përsipër; jam në dijeni se dikush, si Arben Dedja, i lëmit të shëndetësisë, do të ishte më i përshtatshëm — ia pasoj, kësisoj, atij dhe mbetem tek ekonomia.

“America loses hope

The president smokes tobacco votes”

Por rasti i duhanit paraqet dy anët e medaljes së çdo marrëdhënieje asimetrike tregtare. Prekje dhe indinjatë, edhe dy pika lot, që bien nxitimthi mbi shaminë që ende se ka prekur fytyrën. Përse? Për fjalën “krizë, si fqinjë e fjalës “ekonomike; por lërë krizën të vazhdojë. Në mos gaboj, ishte Sartre-i ai që tha “Ndalni luftën, përveçse në faqen e parë të gazetës.”; e pra, ku ka vend për të fituar, nuk do të mungojë kurrë lakmia.

Kriza ka gjithnjë dy anë. Ka humbës, por edhe fitues; djem e vajza të reja, që, përpara duarve, barkun ua mban nikotina / nga ana tjetër, ata që hanë prej urisë së tyre. Le të pyetet: Kush ha në Shqipëri duke shitur bishta cigaresh? Akciza e duhanit është 48% e vlerës së çmimit të shitjes ose 44.7€ për 1000 cigare.”[21] Dijeni se gjysma e kostos së paketës suaj i shkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë! Por çfarë thamë? Varfërimi real i shumicës së shqiptarëve, atij grupi i cili nuk preket nga asnjë rritje page apo lehtësimi ekonomik vetëm sa i jep shtysë konsumit të produkteve më inferiore. Prej vetëm një ndryshimi fare të vogël ekonomik, një rritjeje çmimesh që trajtohet më tepër si tematikë e bisedës së mbrëmjes, sesa si lëvizëse e të gjithë parametrave shoqërorë, disfata e dikujt paraqet shans për dikë tjetër. Mundësi të pafundme për të gjeneruar fitime marramendëse falë një droge zyrtare, e cila, prej varfërimit, bëhet më e lakmuar. Nuk dua këtu të kritikoj korporatat e mëdha ndërkombëtare të cigareve, ndonëse kritika ndaj tyre është edhe më e domosdoshmja; jam i vetëdijshëm se do të isha një zë i imët ndër ata që e kanë marrë përsipër t’iu bëjnë gjyqin; por, në rastin tonë, është më se e denjë të kritikohen koniunkturat politike, të cilat përfitojnë nga varësia e një popullate tymuese, jo sepse do, por sepse, në mungesë të ndihmës ekonomike, shtyhet në vetëdije a pavetëdije drejt përqafimit të një alternative, që i qaset relativisht më pranë se dje.

“Pay your two bucks

for a deathly pack”

Allen Ginsberg-u e dinte se uria dhe pezmi nuk do të ta mohojnë kurrë një cigare, qoftë kjo e ofruar, apo e vetofruar. Por kjo s’e ndali përpjekjen e tij për të nxjerrë në pah se arti i dredhjes së një cigareje nuk konsiston thjesht tek duhani i grirë apo eleganca e gishtave në mbështjellje. Rrjeta e merimangës është më e madhe se ç’duket. Të treguarit me gisht të përfituesit prej duhanshitjes e duhanpirjes, të atij pushteti mbi jetën, nuk di të jetë bërë tek ne deri më sot, meqë indinjata ndjek menjëherë e endet përjetësisht pas tymit në eter. Siç djalli gjendet në fund të shishes[22], njëjtë gjendet edhe në majë të filtrit.

(c) 2023 Rei Bala. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


 

[1] Ibrahimaj, Delina.

[2] Diku tjetër, ministrja e ndryshon narrativën e luftës duke thënë: “…përgjigje e menjëhershme ndaj vështirësive të paparashikuara që janë krijuar kudo prej agresionit të Putinit dhe inflacionit të luftës”.

[3] Sipas vendimit të Bankës së Shqipërisë më 23 mars 2023 norma bazë e interesit u rrit nga niveli 2.75% në nivelin 3%.

[4] Blanchard, Oliver.

[5]Ne jemi këtu për të vazhduar mbështetjen për biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i prekur taksat, por duke vazhduar ti paguajmë pjesën më të madhe të faturës së energjisë elektrike, në mënyrë që të mbajmë sa më shumë të jetë e mundur nën kontroll efektet e luftës dhe të inflacionit.”, Ibrahimaj.

[6] Momentalisht, meqë nuk ka asnjë siguri se nafta do të jetë gjer në shterim të njerëzimit faktor i prodhimeve të tij. Momentalisht, meqë asgjë s’është e përjetshme, as kohërat e bukura, as ato të këqijat; as nafta e as qeveria.

[7] Marx-i përdor termin MehrwertI, Sulvaleur, Surplus Value; në Shqipëri përdoret ngjashmërisht edhe marzh fitimi.

[8] Publikimi mujor “Indeksi i çmimeve të konsumit”, INSTAT.

[9] Engel, Ernst (26 mars 1821 – 8 dhjetor 1896).

[10] Carle C. Zimmerman, Ernst Engel’s Law of Expenditures for Food, The Quarterly Journal of Economics, Volume 47, Issue 1, November 1932, Pages 78–101.

[11]Grupi Ushqime dhe pije joalkoolike”… zë një peshë prej 41,3 % në buxhetin familjar.”, rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes, 2022, INSTAT.

[12] Self Made Radio, Si të bëhesh një analist shqiptar i shquar dhe i pavdekshëm: një manualth.

[13] Camus, Albert. Njeriu i revoltuar, Fan Noli, 2017.

[14] Po aty.

[15] Gentjan Tufa.

[16] Të gjitha ekonomitë e Europës Jugore paraqesin një nivel informaliteti më të lartë se fqinjët e tyre veriorë.

[17] Pritshmëria është një nga faktorët më të rëndësishëm në aspektin afatgjatë të makroekonomisë. Është ajo që dikton si konsumin, ashtu edhe investimin, si krizën, ashtu edhe bollëkun. Për më tepër, shih edhe Blanchard, O., Macroeconomics, Global Edition. 7th ed. Essex: Pearson Education Limited.

[18] Një nga keqkuptimet më banale, por edhe më të përhapura, në ekonominë tonë është ai i madhësisë, si njësi matëse e së mirës. Sa më shumë, aq më mirë. Kësisoj GDP-ja e Shqipërisë konsiderohet në masë si matësja e nivelit të mirësisë ekonomike në vend. GDP mat se sa mirë po shkojnë gjërat apo se sa më mirë a më keq jemi se fqinjët tanë. Por mendoj se është e paqartë dhe, aq më tepër, e pakontestuar për shumicën se si shkohet nga një mori të dhënash tek vlera përfundimtare GDP-së. Pa u konsideruar aspak kjo e fundit, shkohet tek një besim dhe interesim i verbër i shumëkujt në lidhje me të mirën, që rritja e GDP-së sjell me vete. Kjo mënyrë e të arsyetuarit rrjedh sa nga mungesa e njohurisë së termave dhe formulimeve ekonomike, po aq edhe nga një gabim i përhapur logjik. Për më tepër, shih edhe: Moore, G.E. Principia Ethica § 10 ¶ 3, 1903.

[19] Ginsberg, Allen. Put Down Your Cigarette Rag.

[20] Flasim këtu për portokaj e mandarina, gjalpë e margarinë.

[21] Gjika, A.; Zhllima, E.; Rama, K.; Imami D. Analysis of Tobacco Price Elasticity in Albania Using Household Level Data. Int J Environ Res Public Health. 2020 Jan 9;17(2):432.

[22]Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt.

Rreth Autorit

Rei Bala studion Ekonomi në Universitetin Johann Wolfgang Goethe të Frankfurtit. Interesat e tij të tjera janë filozofia, semiologjia, dhe letërsia.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin