TAP, PO TAPË FARE

nga Gjilpëra

“Kafetë i pagoi vetë, e hëngri!” – ngazëllehet Jovan Bregu te Pallati 176 për qerasjen që i bëri Shashua, të cilit Jovani më parë ia kishte “bërë det” me drekën që i dha te “15-katëshi”.

Kështu e ngjashme është dhe ndjenja që të ngelet, kur lexon hollësitë e marrëveshjes për gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (TAP) midis shtetit shqiptar dhe kompanisë ndërtuese TAP AG, dhe kur sheh ngazëllimin – e vërtet apo të shtirur – të politikanëve shqiptarë me rastin e fillimit të punimeve për shtrimin e tubacioneve përmes Shqipërisë, javën që kaloi. “Një nga arritjet më të mëdha historike që nga shpallja e Pavarësisë” e quajti Ilir Meta përfshirjen e Shqipërisë në projektin TAP – siç duket, në mungesë të gjetjes së një hiperbole më bombastike – pasi kjo, sipas tij, “i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike të Europës”.

Kjo arritje, në fakt, duhet vënë në thonjëza si “arritje”, kur informohesh për hollësitë e marrëveshjes në fjalë. Për këtë, revista “Monitor” solli para disa ditësh një intervistë shumë informative me amerikanin Jenik Radon, një ekspert ligjor në fushën e këshillimit dhe të përfaqësimit të qeverive në marrëveshjet mbi tubacionet ndërkombëtare të naftës dhe të gazit. Dhe gjykimi i tij mbi marrëveshjen e shtetit shqiptar – e nënshkruar nga qeveria e mëparshme – me kompaninë TAG AG është sa i qartë, aq dhe shpartallues për palën shqiptare: Kolonializëm ligjor.

Nga përgjigjet e dhëna në intervistë po përmbledh shkurtimisht disa përfundime mbi marrëveshjen, ndërsa intervista e plotë mund të lexohet te “Monitor”. Sipas Jenik Radon:

  • edhe pse kostot dhe rreziqet nga marrëveshja nuk i tejkalojnë përfitimet ekonomike, kushtet e marrëveshjes nuk kanë qenë të favorshme për Shqipërinë, pasi përfitimet për Shqipërinë janë të pakta dhe për më tepër, shumë prej tyre janë lënë në gjykimin e TAP, janë me baza vullnetare dhe kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e komunitetit lokal.
  • të ardhurat e Shqipërisë nga taksat janë parashikuar të ulëta: vetëm 5 milionë Euro gjatë ndërtimit të TAP deri në vitin 2018.
  • përfitimet e Shqipërisë do të jenë në nivel lokal, kryesisht në punësimet për ndërtimin e gazsjellësit, por shumë pak vende pune të përhershme do të krijohen nga TAP AG në Shqipëri.
  • kompania, gjatë ndërtimit të tubacioneve, do të furnizohet me lëndë të parë nga furnitorë vendas, por vlerësimet e vet firmës për blerjet lokale janë të ulëta.
  • kompania do të ndërtojë rrugët e nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit dhe operimin e tij, duke përmirësuar kështu dhe infrastrukturën në zonat ku do të kalojë tubacioni, çka do t’i shërbejë dhe popullsisë lokale por TAP AG konsideron si investim dhe ndërhyrjen në infrastrukturë për ta kthyer mjedisin në gjendjen origjinale, çka në fakt nuk është veçse një detyrim i vetëkuptueshëm i firmës për përgatitjen e terrenit para fillimit dhe për kthimin e tij në origjinë, kur projekti mbaron.
  • Shqipëria nuk do të marrë asnjë taksë transitimi, pasi kjo gjë nuk është në përputhje me direktivat e BE-së (rregulloret e BE-së përcaktojnë se tubat e gazsjellësve konsiderohen si infrastrukturë, për të cilat nuk lejohen tarifa transitimi)
  • Shqipëria nga TAP do të ketë një përfitim pozitiv në formën e aksesit të tregut shqiptar te energjia dhe rrjeti evropian i gazit, që do të mundësohet nëpërmjet gazsjellësit, por
  • Shqipëria do të përfitojë gaz vetëm me çmimet e tregut, çka do të thotë se do të paguajë një tarifë të njëjtë si çdo konsumator tjetër, pra nuk ka asnjë privilegj në çmim nga vënia në dispozicion e territorit.
  • Shqipëria nuk ka marrë garanci pa kusht nga kompanitë aksionare të TAP AG për detyrimet në formën e kostove mjedisore, të dëmtimit të pronës, kompensimit në rast aksidentesh etj. çka do të thotë që, nëse në të ardhmen TAP AG i mungojnë fondet, del me humbje, apo falimenton, aksionarët e TAP AG janë të izoluar nga çdo përgjegjësi.
  • është kufizuar e drejta ligjore, ekskluzive e shtetit shqiptar për ndryshime në ligj në të ardhmen, që mund të prekin gazsjellësin dhe kompaninë private – p.sh. për çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë dhe çështjet e mjedisit – nëpërmjet barrierave të panevojshme dhe të padrejta për shtetin shqiptar, të cilit i kërkohet që të tregoj se këto ndryshime janë “kërkesa të arsyeshme”, çka i bën këto ndryshime subjekt të arbitrazhit ndërkombëtar, në këtë rast, të gjykatave në Angli.

Edhe më interesante (lexo: acaruese) bëhen detajet, kur marrëveshja e Shqipërisë krahasohet me marrëveshjen që kompania TAP AG ka bërë me Greqinë, për degëzimin e gazsjellësit që kalon përmes territorit grek, pasi për Greqinë ajo është shumë më e favorshme se kontrata me Shqipërinë:

  • Greqia e ka mbajtur të drejtën që të zbatojë ligjet për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe të miratojë ligje të reja ose të ndryshojë ligjet e saj ekzistuese në lidhje me punën, shëndetin dhe mjedisin, edhe pse ato mund të prekin gazsjellësin dhe veprimtarinë e TAP AG. Shqipëria këtë të drejtë nuk e ka. Asaj i duhet të provojë se ndryshime të tilla janë “kërkesa të arsyeshme” pra i bie barra e provës, kurse shtetit grek, kjo nuk i kërkohet.
  • në marrëveshjen me Shqipërinë parashikohet që, në raste të dëmtimeve nga forca madhore, të jetë shteti që duhet të zbusë pasojat. Në marrëveshjen me Greqinë një gjë e tillë nuk është përfshirë.
  • në kontratën shqiptare kufizohet përgjegjësia e TAP AG mbi standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe ato sociale, duke kërkuar që kompania të konfirmoj që gjithçka është në përputhje me ligjin shqiptar, po nuk parashikon se çfarë ndodh, në qoftë se ajo nuk është e tillë. Asnjë kufizim i tillë nuk i është vendosur Greqisë.
  • pala shqiptare kërkon që TAP AG vetëm t’u japë përparësi furnizuesve shqiptarë, nëse ata janë konkurrues. Ajo greke kërkon që TAP AG të nxisë angazhimin e kompanive greke, të sigurojë se nuk ka ndonjë diskriminim ndaj tyre, si dhe të jetë e vetëdijshme për përfitimet për kompanitë greke.
  • marrëveshja e Greqisë parashikon që të respektohen ndryshimet e mundshme në ligjet për taksat. Në marrëveshjen shqiptare rregulli i pranuar është se ligjet dhe normat tatimore janë të zbatueshme për TAP AG për gjithë kohëzgjatjen e projektit. Pra Greqia mund të fitojë më shumë të ardhura nga taksat në të ardhmen, nëse bën ndryshime në ligjet fiskale. Shqipëria nuk e ka këtë mundësi.

Me këtë kontratë dhe me këto kushte është e vështirë të kuptosh, se ku i ka zbuluar Meta arritjet e marrëveshjes dhe të gazsjellësit, të tilla që t’i futësh këto te “arritjet më historike që nga Pavarësia”. Dhe sa për TAP-in që “i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike të Europës”, ndoshta dikush duhet t’ia kujtojë Metës, nëse e ka harruar, që Shqipëria ka mbi 80 vjet që është pjesë e hartave energjetike të Evropës, si vend prodhues dhe eksportues i naftës, me disa nga rezervat më të mëdha të naftës në Evropë.

Po ashtu është vështirë të entuziazmohesh, si Rama, nga 1700 deri në 4200 vende pune të reja me rroga deri në 600 euro, që gjeneron ky projekt në fazën e ndërtimit të tij, apo të mahnitesh me “rreth një miliard euro” që projekti pritet t’i sjellë vendit në 20 vitet e ardhshme (kujt i duken shumë një miliard euro për 20 vite, le të kujtojë që Bankers më 2014 vetëm realizoi të ardhura prej pothuaj 800 milion eurosh ose rreth 5.5 për qind të gjithë PBB-së së Shqipërisë, por përfitimet e Shqipërisë nga këto të ardhura ishin me pikatore). Për të mos përmendur këtu që, nuk është fare e qartë, se nga do të vijnë këto të ardhura – sidomos pas mbylljes së etapës të ndërtimit të gazsjellësit.

Gjithsesi, në favor të Metës dhe Ramës duhet të themi se ata nuk janë as politikanët e parë e as të fundit, që qytetarëve shqiptarë ua shesin sapunin për djathë. Bankers, Rapiskan, Rruga e Kombit, CEZ…

Megjithatë, ka shenja se disa gjëra po ndryshojnë për mirë.

Për të qëndruar te marrëveshja mbi TAP, duket se qeveria shqiptare ditët e fundit, ndoshta e ngacmuar dhe nga intervista e “Monitor”, është shprehur se do të kërkojë krahasimin e marrëveshjes shqiptare me atë që firma ka bërë me Greqinë dhe do të kërkojë rishikimin e saj. Një nismë kjo që veç mund të përshëndetet, edhe pse e vonuar dhe me pak shanse për një korrigjim të plotë, kaq vite pas nënshkrimit.

Po ashtu inkurajues është dhe lajmi i para pak ditëve – lajm që çuditërisht kaloi pa bujë në shtypin shqiptar – i kërkesës së deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, që Kontrolli i Lartë i Shtetit për tre vjet të auditojë të gjitha kontratat koncesionare dhe ato të privatizimeve strategjike të bëra këto 25 vite, dhe të angazhohet jo vetëm për të çuar në Prokurori çdo shkelje dhe abuzim, por dhe të monitorojë ecurinë e padive penale dhe të raportojë të gjitha rastet e pushimit të çështjeve nga organi i akuzës. Të shpresojmë që KLSH ka edhe kompetencën profesionale, edhe pavarësinë institucionale për të bërë një skanim të tillë dhe për të nxjerrë në dritë abuzimet dhe plaçkitjet e bëra me pronën publike dhe me koncesionet e Tranzicionit.

Megjithatë kjo është, për mendimin tim, vetëm gjysma e punës. Më mirë akoma do të ishte, që Kontrollit të Lartë të Shtetit t’i jepet mundësia dhe detyrimi ligjor që ai të shqyrtojë, të japë mendimin e tij dhe të rekomandojë ose jo, çdo kontratë koncesionare përpara se ajo të nënshkruhet – sidomos për ato kontrata që kanë rëndësi strategjike për vendin, për ato që kapin shuma të mëdha financiare (p.sh. dy milion Euro e lart) dhe për ato që kanë afate të gjata (p.sh. për kontratat mbi 3-vjeçare).

Angazhimi paraprak i KLSH mendoj se do të ishte mundësia më e mirë – bashkë me forcimin e Drejtësisë dhe me uljen në përgjithësi të numrit të koncesioneve – për të shmangur, apo të paktën për të reduktuar, abuzimet me koncesionet dhe me privatizimet e pronës publike, që mënyrë shteti shqiptar në të ardhmen të jetë palë e barabartë në “tavolinat e bisedimeve” dhe që ne të mos vazhdojmë duke iu gëzuar vetëm “kafeve” që na paguajnë partnerët.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: