Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PËRSE S’PO DEL ZËRI I POPULLIT

nga Idlir Nivik

Dobësimi i kundërshtarit tonë i jep krahë sigurisë sonë kombëtare;
dhe kjo po kryhet (me luftën në Ukrainë), e pa derdhur një pikë gjaku amerikan.

                                      Mitt Romney, ish-kandidat për president i ShBA

Ky titull, enkas ironik, përmend kalimthi artikullin Pse po del Zëri i popullit, me të cilin Enver Hoxha pat inauguruar organin e PKSh (më vonë PPSh). Organ ky i propagandës zyrtare shqiptare asokohe, për rreth 50 vite… Ku, disa prej anatemave drejtuar ‘botës imperialiste’ dhe sidomos administratës amerikane, duket sot se s’kanë qenë dhe fare pa bazë.

Kur bëhet trau qime

Ka pak javë, filozofi Noam Chomsky (1), po intervistohej në video, prej banesës së tij. Totalisht i mënjanuar nga e ashtuquajtura mainstream media, me pamjen që sjell ndërmend personazhin e persekutuar Ivan Denisoviç të Sholzenicinit, larg kamerave profesioniste të medias farfuritëse, pamja e semiologut të moshuar dukej e mbërthyer në kllapën e periudhës së mbylljes së madhe për shkak të Covidit. Gjatë intervistimit, dëgjohej zilja e telefonit, dhe zëri, ndoshta i bashkëshortes së tij, tek përgjigjej në sfond. Skenë kjo e përafërt me ato të prindërve tanë të moshuar, në komunikimet face-time me fëmijët në emigrim. Çka e bënte filozofin e mënjanuar nga media dhe më shumë “popullor”.

Agjitator kundër militarizmit, Chomsky denoncoi sërish “total-propagandën ruse” dhe pasojat gjakatare të luftës. Lidhur me propagandën ukrainase, ai theksoi se ‘it’s a different story, është vend i sulmuar, në luftë, është më se e kuptueshme’.

Por, fokusi kryesor i tij mbetej niveli dhe intensiteti i habitshëm i propagandës së mediave perëndimore. Si dhe roli i tyre agresiv, për të mbajtur gjallë makinerinë e luftës, duke nxitur dhe më sakrifikimin e popullsisë ukrainase.

‘Propaganda perëndimore, sidomos amerikane, është tani tej çdo kufiri, përtej çdo lloj arsyetimi (outlandish)’. Filozofi i semiologjisë së propagandës, citoi më pas Graham Fuller, zyrtar i shërbimeve informative amerikane në Rusi: ‘As në kulmin e luftës së ftohtë nuk kemi hasur një nivel të këtillë të rusofobisë sa sot’. Chomsky përmendi raste të cancel-kulturës ruse në disa vende e shkolla perëndimore. Por, më problematike, mbetej për të mënyra e beftë dhe e padrejtë sesi ‘ne mbyllëm, në Perëndim, të gjitha mediat ruse (Russian outlets)’. Dhe se kjo sillte një avari në sistemin e informimit qytetar e mediatik. ‘Nëse duam të dimë se ç’deklaron Lavrovi, etj, na duhet tani të drejtohemi nga Al Jazeera, apo mediat shtetërore indiane’, përmbyllte Chomsky.

Si vuri në dallim Propagandën nga Gënjeshtra, Chomsky solli në vëmendje sesi propaganda mediatike perëndimore tani po pleksej ngushtë me termin, fort në modë, “narrativë”. Pra, me rrëfimet që gjeneron shteti, për rastet e dezinformimit ‘pa evidencë’. Sërish ai nënvizoi rrëfimin shtetëror drejt luftës në Irak. Rrëfim, të cilin mediat mainstream ndihën ta shtrijnë e ta intensifikojnë, deri në justifikimin e agresionit amerikan në Irak. Këtë veti ‘luftëdashëse’ e përmendi disa ditë më pas dhe Dominique de Villepin, ish-kryeministër i Francës. Në përvjetorin e agresionit ndaj Irakut, në radion RFI, ai bëri paralelen se ‘të dy konfliktet – në Irak nga ShBA, e tani në Ukrainë nga Rusia – u provokuan nga pretekste të rreme’.

Kaq shumë pushkë për një qeros si Halil Nurja!?

Chomsky, në bisedë, ngurron ta quante median si ‘burim të së vërtetës’. Ai sheh në të vetëm lloje formash të transmetimit të informacionit, pjesore e të kornizuara nga përzgjedhje, nga background-i kulturor e historik vetjak, e nga qëllimet e prirjet e organit ku botohet.

Porse, një seri me (diz)informacione, lidhur me ngjarjet në terren e statusin material të konfliktit në Ukrainë, ka vënë në pikëpyetje analistë e gazetarë. Vihet re një keqinformim, ose çinformim lidhur me taktikat e strategjitë përkatëse në këtë luftë. Sidomos lidhur me avancimet në terren, me numrin e të vrarëve, me dëmet, me manovrat, kulisat e të dyja palëve. Kjo ka krijuar bindjen se mediat e mëdha formatojnë ‘shikues e lexues mediokër e jo-reflektues’, sipas gazetares kanadeze të CBC, Trish Wood. Në një intervistë me kolonelin amerikan Douglas Macgregor (2), ajo ia faturon dozën e madhe të propagandës perëndimore, lidhur me Ukrainën, një ‘lloj nevoje të audiencave sot për besim, çfarëdo lloj besimi, në mes të jetës së vokët (senseless life) e të kaosit të krijuar’. Në përgjigje, ish-ushtaraku amerikan përgjigjej se (diz)informimet e mediave lidhur me ‘gjoja situatën katastrofike, të prapambetur të ushtrisë ruse, dhe dështimin e supozuar të taktikave të saj, dhe rrënimin e saj, si strategjik, edhe material’, vetëm sa çojnë në qorrsokak audiencën në Perëndim. Si dhe mbajnë gjallë, prej muajsh, iluzionin e dëmshëm, se gjoja Perëndimi po përballej me një “tigër prej letre, ose gjigand me këmbë brumi”.

Sipas aktivistes pacifiste Medea Benjamin, ky keqinfomim nuk shpjegon dot faktin se Rusia kontrollon (për momentin) rreth 100 mijë km katrorë të territorit ukrainas. As nuk justifikon pse kaq armatim masiv e kaq fonde astronomike euro-atlantike iu ofruan Kievit në ndeshje me këtë “tigër rus prej letre”. Dhe se u desh 15 muaj rezistencë e sakrificë e pashembullt ukrainase, derisa Jens Stoltenberg, shef i Nato-s, të pranonte se ‘nuk duhej nënvlerësuar potenciali i Rusisë’. Të gjitha këto, pas 15 muajsh fshehjeje e manipulimi të informacioneve lidhur me situatën reale në front. Dhe veç një lapsus i kryekomisioneres Von der Leyen, disa muaj më parë, se ‘Ukraina do asistuar, pasi ka humbur mbi 100 mijë trupa’, mjaftoi të autodenonconte bilancin e rremë, që vetë ajo kish përhapur para mediave e tribunave. Ish-ushtarakë amerikanë kanë këmbëngulur që mediat t’u largohen ‘maniakëve luftënxitës’ në Kongresin amerikan. Disa prej këtyre i referohen Rusisë ende me stampat e ‘sovjetikut’, çka mendohej si qasje e tejkaluar në këtë brez të ri. ‘Uashingtoni është në luftë sot’, shton koloneli Macgregor këtë javë në blogun e tij. Ai vëren se zyrtarët ushtarakë të Nato-s janë gjendur kësaj here ‘para një fronti, të cilin as a kishin çuar ndërmend’. ‘Beteja ukraino-ruse është diçka që Nato nuk e ka hasur më parë’. Dhe shton se ‘fuqia e zjarrit (fire rounds) në këtë konflikt’ tejkalon pesëfish atë në Irak e Afganistan. ‘Ukraina e Rusia kanë humbur në një vit më shumë trupa, sesa ushtria amerikane humbi për 10 vite në Afganistan e në Irak’, shton ai.

Vampirët e proxy-t

Douglas Macgregor denoncoi dhe hipokrizinë e Uashingtonit lidhur me fatin e rezistencës ukrainase para ushtrisë ruse. Ai e konsideron dëmsjellëse deklaratën e Biden-it për luftë ‘sa të zgjasë’. Dhe e komenton si të krrupshme deklaratën e Zelenskit për qëndresë ‘deri te ushtari më i fundit’. Bashkë me kolonel Tony Shaffer, ai mendon se ShBA po ushqen një konflikt pa rrugëdalje për të; se Uashingtoni po kupton se fitorja e Rusisë në Ukrainë është e dukshme. Sipas tyre, mbi 250 mijë ushtarë ukrainas kanë rënë në front, e raporti i tyre me humbjet ruse mbetet 1 me 10. Ata theksojnë se tashmë edhe mediat, si Washington Post, kanë nisur gradualisht të shprehen për këto fakte. Administrata amerikane enkas po e drejton vëmendjen e opinionit drejt një konflikti me Kinën, sipas tyre. Analistë të tjerë theksojnë mungesën e homazheve amerikane në funeralin e komandantit ukrainas 27-vjeçar “Da Vinci”, hero në betejën për Bakmutin. E ndërsa hamendin se, përtej fasadës mediatike të vizitës pompoze të Zelenskit në Uashington, Kievi po ndjen braktisjen graduale të Amerikës, teksa Nato-s iu desh të pranojë se aktualisht ‘konsumi ukrainas i municionit 155 mm e tejkalon prodhimin e Nato-s për ta kompensuar’(CNN, 17 shkurt 2023).  Po aq, në interpelancën para Senatit këtë 26 janar, senatori republikan Ted Cruz i kërkoi me tone të ashpra zv.sekretares Nuland sqarime lidhur me fatin e Nordstream 2 dhe pretendimit të administratës se ky sabotim do parandalonte luftën.

The Democrat’s Progress (3)

‘Është e habitshme lidhja ideologjike e krahut demokrat amerikan me tezat e bashkëshortit të zonjës Nuland, Robert Kagan, paçka orientimeve progresiste e revizionuese të këtij krahu’. Kështu, Chris Hedges, ish-korrespondent i The New York Times në Lindjen e Mesme, sheh një shproporcion mes orientimeve progresiste demokrate dhe tezave thelbësisht amerikano-centriste, hegjemoniste e koloniale të R. Kagan. Ideologu i sotëm i Uashingtonit, trumbeton opinionin neokonservator (neo-con) se ‘gjithçka progresive që ka ndodhur në botë është produkt i ShBA’.

Ky qëndrim shkon paralel me ‘ngërthimin e kampit demokrat prej lobit të industrisë ushtarake e korporatave të armatimit’. Kështu e sheh Denis Kucinich, kongresmen demokrat i Ohios. Sipas tij, ‘Clintoni e ktheu Nato-n në organizatë ofensive. Si rrjedhim, Nato i shtriu këmbët më shumë se jorganin’. Pasi evokon fiaskon e komisionit të hetimit mbi praninë e hamendësuar të armëve të shkatërrimit në masë në Irak – ku ai merrte pjesë – ai shprehet për rolin shkatërrues të Nato-s e BE-së në konfliktin në Ukrainë. ‘Unë parashikoj se, si rezultat i këtij roli, as Nato, as BE nuk do mund të ekzistojnë më në dy vitet e ardhshme’.

Në kanalin e tij në YouTube, Chris Hedges e trajton vijimësisht instalimin e propagandës shtetërore në median e madhe amerikane (4). Dhe rolin e saj për të rikthyer, më me vrull tani, imazhin e “rrezikut rus”, përkrah “rrezikut të verdhë” kinez. ‘Unë mendoj se eliminimi i ligjit kundër difuzionit të propagandës qeveritare, prej administratës Obama (5) në vitin 2012, ka ndikim në rritjen e propagandës aktuale’. E më tej kongresmeni rendit një sërë faktesh politike, që media kryesore nuk ka denjuar t’i paraqesë, as t’i shtjellojë. Kështu, sipas tij, NY Times refuzoi të paraqiste rezultatet e hetimit 10-mujor të FBI-së (në 2016) lidhur me ndikimin e hamendur rus në zgjedhjen e Trump-it. ‘Demokratët e evituan këtë raport, i cili nuk zbuloi gjë tamam; ata u rrekën t’ia faturonin ardhjen e Trump-it manovrave ruse, e jo ta shihnin si një tmerr tonin (a national horror)’, thekson Kucinich.

Mirëpo lista e mënjanimeve është më e detajuar. Media e madhe në vendet e Nato-s nuk u thellua aspak mbi deklaratën e ish-kancelares Merkel në gazetën Die Zeit këtë janar. Ku ajo pranonte se marrëveshjet e Minskut as bëhej fjalë të zbatoheshin; ato qenë ‘vetëm një tentativë për t’i dhënë kohë Ukrainës’ të gatitej për luftë. Çka përforcon opinionet e shpeshta që denoncojnë një proxy war në Ukrainë. Krejt media e madhe “harroi” deklaratën e beftë e aspak diplomatike të ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në Parlamentin Europian (24.1.2023): ‘Ne jemi në luftë me Rusinë, jo kundër njëri-tjetrit’. Sërish, aktivistja Medea Benjamin “nxori” lajmin e patrajtuar, por të konfirmuar nga siti shtetëror i Kievit në anglisht, kyivindependent.com (19 janar 2023), sesi Facebook ‘e hoqi më në fund grupin me prirje naziste Azov nga lista e organizatave të rrezikshme’. Në televizonin LCI në Paris (fasadë e propagandës ukrainase në Francë), sekretarja e OJQ-së Stand with Ukraine shprehu ‘detyrën për një fitore ushtarake të aleatëve ndaj Rusisë’. Kurrkush nuk e pa me vend të pyeste sesi e kur ishte shpallur kjo aleancë, ndërkohë që të gjitha vendet e Nato-s kanë theksuar se nuk janë në luftë me Rusinë. Në Francë, sidomos, asnjë media nuk ka intervistuar deri më sot gazetarin Seymour Hersh (6), pas artikullit të tij, që hedh detaje mbi rolin e hamendur të Uashingtonit në sabotimin e Nordstream 2. Krejt i mënjanuar nga mediat e mëdha amerikane, gazetarin e mirënjohur e paraqesin kalimthi si “85 vjeçar”, pra për të vënë në dyshim kapacitetin e tij mendor!

Lista mbetet e gjatë.

Si po del Zëri i Popullit

Por është çdo ditë e dukshme se audiencat kudo kanë nisur të reagojnë ndaj kësaj propagande en bloc perëndimore. Shumë e shohin tani të mundur t’i bëjnë rezistencë këtij dezinformimi masiv, gjithë duke mbajtur distancë nga aksioni rus, përkrah rezistencës të pazakontë popullore ukrainase (jo klikës së Zelenskit). Protestat e fundit nëpër Europë janë shtuar rregullisht. Mbi 50 mijë veprimtarë anti-luftë marshuan në Berlin (24 shkurt). Në Wuppertal, protestuesit nuk nguruan të gjuanin me vezë ministren Bearbock, një nga tamburet kryesore luftënxitëse në këtë periudhë. Mijëra manifestuan kundër luftës dhe buxhetit astronomik ushtarak në ShBA, kundër nxitjes artificiale të konfliktit amerikan me Rusinë e Kinën, pranë Shtëpisë së Bardhë në 20 mars. Në Angli punëtorët e Amazon kryen në 12 mars grevën e parë ‘historike’ ndaj kësaj kompanie.

Këto manifestime, të anashkaluara nga mediat kryesore në Francë e gjetiu në Perëndim, kanë origjinë edhe bjerrjen ekonomike, ku Perëndimi duket futi veten dhe më thellë, nën kumtin e sanksioneve ndaj Rusisë. Zëri kontestues po del, si me thënë, prej xhepit, për shkak të pauperizimit të skajshëm të proletariatit botëror (fantazma e Marx-it, sa reale!). Por kjo është temë e një shkrimi tjetër.

Duket se Historia politike (reale) e globit po rivjen. Disa pika janë evidente: çarje e madhe gjeopolitike; polarizimi i forcave; rikonfigurimi i lojtarëve politikë në skenën botërore. Audiencat kanë nisur të kuptojnë lidhjen e propagandës mediatike me gënjeshtrën ashiqare qeveritare. Brezi tani ka mundësinë të përjetojë ndryshime të forta historike.

Sado e gjorë dhe e trishtë ajo pamje e Noam Chomsky-it të strukur në banesë, jashtë studiove high-tech të mediave të mëdha, na ofron një opsion për të gjetur burime reale informimi e debati te “mjerimi”, te tej-fasada e mediave kryesore. Si thirrje për të rishikuar rolin e besueshmërinë e medias kryesore. Rolin e asaj antipopullor, elitëpërforcues.

Pyetjes se si vallë ta dallojmë të vërtetën në këtë tymnajë, filozofi Chomsky iu përgjigj, duke çokitur gishtin tregues në ballë: Për këtë e ka njeriu mendjen (That’s why you have a brain for!)

© 2023 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Shënime:

1.Filozof, semiolog e aktivist politik, kontestues i hegjemonisë së fuqive të mëdha, mbetet nga figurat e rralla madhore të filozofisë amerikane ende gjallë. Librat e tij mbi propagandën, gjuhën, mbi imperiumet e sotme, mbi farkëtimin e mendimit konsensual etj, janë vepra kryesore të mendimit botëror.

2.Pjesëmarrës e drejtues i operacioneve ushtarake në Irak e në Kosovë, njihet si kritik i ashpër i politikës ushtrake amerikane. I pozicionuar në spektrin republikan, ka theksuar nivelin e pakënaqshëm të njohjes së terrenit real nga ushtarakët amerikanë të Nato-s, sidomos lidhur me Ballkanin dhe Rusinë. Mainstream-i politik i Uashingtonit e pat mënjanuar, pas deklaratës se “Amerika tani di vetëm të humbasë luftëra e të lërë rrënoja në vendet që pat sulmuar’.

3.Aluzion ndaj titullit The Pilgrim’s Progess, të poetit anglez John Bunyan, shek XVII.

4. John Pilger, reporter i pakontestueshëm australian, ka analizuar, në një konferencë në Berkley, në 2014: ‘në epokën e medias, lufta shoqërohet nga propaganda nëpërmjet informacionit; kryhet kështu një dezinformim përmes informimit (a deformation thru information). Pilger shprehet për një meta-luftë (meta-war), betejë frazash e ligjërimesh që ngërthejnë opinionin publik.

5. Sipas revistës Foreign Policy, administrata Obama pezulloi në janar 2012 ligjin me emrin Smith-Mundt Act, ligj “që evitonte ushtrimin e propagandës qeveritare amerikane ndaj subjekteve të saj”. Ky ligj, i nxitur nga senatori J. William Fulbright në vitet 1970-të, kufizonte përhapjen e programeve propagandistike të qeverisë së ShBA. Për detaje shih U.S. Repeals Propaganda Ban, Spreads Government-Made News to Americans.

6. Seymour Hersh, figurë madhore e gazetarisë botërore, shquhet për artikuj me rëndësi historike. Veçanërisht ai që zbuloi masakrën e My Lai në Vietnam, ku ushtarët amerikanë shfarosën një fshat të tërë. Ky artikull ndikoi rrënjësisht në qëndrimin qytetar ndaj luftës në Vietnam. E mandej artikulli që nxori në dritë skandalet e ushtrisë amerikane ndaj robërve irakianë në burgun e Abu Graib, për të cilin meritoi Pulitzer. Artikulli i tij Si Amerika hodhi në erë Nordstream 2, ishte tronditje për politikën botërore.

9 Komente

  1. Nuk ka propagandë më perfide pro ruse se sa propaganda antimilitriste e ekstremit të majtë e të djathtë, e cila me një lehtësi të çuditshme është martuar brenda këtij shkrini. Shumë fjalë për zellin luftënxitës të qeverisë amerikane, të drejtuesve europianë, të ukrainasve (klikës së Zelenskit???). Asnjë fjalë për shkaktarin. Për Putinin dhe atë që Thimothy Sneider e quan regjimi fashist. Shumë fjalë kundër Perëndimit dhe posaçërisht SHBA-së që tashmë “humbet luftra dhe lë rrënoja kudo që sulmon”, asnjë fjalë për urrejtjen putiniste ndaj vlerave perëndimore dhe epshin imperialist të një njeriu që ëndërron kohërat e Pjetrit të Madh. Të konstatosh që Zëri i Popullit nuk e paska pasur gabim është njësoj si të konstatosh që ora e prishur është në rregull se dy herë në ditë ia qëllon të jetë e saktë.

    1. Ky muhabeti i “Zërit të Popullit” më kujton një batutë që ma kanë cituar nga një film, Las lunes al sol, të Fernando León de Aranoa, për një imigrant nga Europa Lindore (Kampi Socialist), i cili zbulon – pasi ka jetuar ca kohë në Perëndim – se gjithçka që i patën thënë në atdheun e vjetër për komunizmin ishte rrenë, por edhe më keq akoma, se gjithçka që i kishin thënë atje për kapitalizmin ishte e vërtetë.

      Unë nuk besoj se shkrimi më lart synon të rehabilitojë profesionalizmin e “Zërit të Popullit” – për mua, autori na thotë se mënyra si po përcillet sot nga mediat Perëndimore mainstream konflikti në Ukrainë nuk i lë gjë mangut qasjes profesionale të Zërit të atëhershëm.

      1. Mediat perendimore si Zeri i popullit ?? “Encore heureux !” – do thosh frëngu : jemi në kohë lufte kunder nje pushtimi imperialist dhe lufta duhet fituar.
        “Kaq” eshte e gjitha.

    2. A thua vërtetë se po i dilet në mbrojtje Putin-it kur kritikohen gjërat, të cilat ai i ka halë në sy? 1+1=3? Broçkulla, që burojnë nga pasiguri vetjake. Nga ana tjetër më duket më me vend të trajtohet paragrafi i parafundit më sipër, që lihet të “vetë-kuptohet”, pa ndonjë arsye të mirëfilltë, ku të paktën kalohen këto formulimet fervente.

  2. Sepse me erdhi ndermend krejt spontanisht nje pyetje:

    Mos valle autori i ketij shkrimi eshte i mendimit qe shoku Enver Hoxha duhet te zyrtarizohet imediatisht klasiku i peste i Marksizem – Leninizmit, per te gjitha meritat teoriko – filozofiko – nostradamusike qe paska pasur si frymezuesi dhe guru-u i “Zerit te Popullit”. Si klasik ploteson edhe kushtin qe eshte i vdekur, pra nuk ka rrezik te beje gabime.

  3. Ciceroni shkruan diku se historia eshte mesuese e jetes (… “historia magistra vitae est…”), nje keshille kjo qe po ta kishte ndjekur vete, do kishte pasur nje pleqeri me te mbare.

    Historikisht, Rusia e ka per zakon ( apo “fat i keq i saj ”) qe te jete ne vend te gabuar , ne kohen e gabuar.
    I ze rrugen mongoleve, i ze rrugen polakeve, i ze rrugen suedezeve, i ze rrugen francezeve, i ze rrugen gjermaneve. Tani i ngaterrohete neper kembe amerikaneve.
    Te gjitha te tjerat jane detaje dytesore.

    Persa i perket mohimit te plote te realitetit (dialektik) nga scribet dhe mesuesit e tyre ne perendim , pyetja eshte se a eshte e qellimshme ? Apo e paqellimshme, dmth ” aq di e aq ben”?

  4. Keto shenime desh i mora per nje lloj per qendrimin etik te medieve ne kohe krizash. Mbase autori niset nga qellime te mira, por ajo qe kuptoj une ne fund eshte se po qe se Nato dhe Perendimi do ta kishin lene Rusine te pushtonte menjehere Ukrainen, nuk do te na kishin lindur gjithe keto telashe. (Ate vit ndenjem tre dite pa birre, ankohej nje tip i rezistences çeke per L2B) . Rasti kur kapesh pas detajesh qysh e paraqit njeri apo tjetri ate qe po ndodh (pasaktesite e krahembajtjet jane te dukeshme per kedo) dhe harrohet thelbi te vertetes: me kete lufte Rusia na ktheu ne luftrat feudale per zgjerim teritoresh.

    1. Si na ktheu? Kur kemi emancipuar ndonjëherë nga luftrat feudale për zgjerim territoresh?

      Nuk e di nga niseni me përfundimin, por s’lexova gjëkundi tek ky shkrim të thuhet se pushtimi i Ukrainës do të ishte i justifikuar, mjaft ne në Perëndim të mos na lindnin telashet.

      1. Nuk me duket se më bëni pyetje, por sikur më merrni në pyetje përse nuk jam i një mendje me ju për një agresion të tillë të tipit fashist në mes të Evropës.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin