SPEKTAKLI I INKUIZICIONIT

Dua t’i kthehem sërish diskutimit të çka ndodhi në parlamentin shqiptar pak ditë më parë; dhe pikërisht show-t të kryeministrit Berisha, i cili, duke iu drejtuar një plateje miratuese dhe, në fund, duartrokitëse, iu drejtua kryetarit të PS-së dhe shefit de facto të opozitës Rama, për t’i kujtuar, ndër të tjera, ndodhi të ndryshme dhe incidente nga e kaluara, mes të cilave më të rëndat kanë të bëjnë me gjyqin e tij të divorcit, këtu e gati 20 vjet të shkuara.

T’i kthehem duke u përqendruar te ky aspekt i fjalës së kryeministrit dhe duke i lënë aspektet e tjera mënjanë, me vetëdije; por edhe duke u kujdesur që të trajtoj veçan shkaqet e kësaj sjelljeje të kryeministrit, nga motivet që e kanë frymëzuar (ose qëllimet) dhe pasojat e saj në jetën politike të Tiranës dhe më gjerë, të mbarë vendit.

Kam përshtypjen se, nga diskutimet që patëm veçanërisht në ato mes Politicus dhe meje u përvijuan dy pozicione të ndryshme shpjeguese të kësaj ndodhie. Unë mbrojta dhe mbroj tezën se kultura politike e kryeministrit shqiptar, sikurse praktikisht e krejt klasës (klikës) politike që ka pushtetin në Shqipëri, nuk ka arritur dot të pastrohet nga leninizmi i trashëguar nga periudha totalitare; sepse nuk e ka përgatitjen e duhur, por edhe sepse nuk arrin ta realizojë, në tërësinë e vet, karakterin imoral të metodës leniniste në politikë. Nga ana e vet, Politicus më se një herë përsiati hipotezën tjetër, se këto ndërhyrje të vrazhda të kryeministrit në debatin politik diktohen nga realiteti politik dhe kanë kryesisht karakter taktik; në kuptimin që “populli” ashtu i do udhëheqësit e vet që t’i flasin. Pa iu referuar doemos Politicus si autor ekskluziv të këtij shpjegimi, po shtoj se, në bazë të një hipoteze të tillë, kryeministri qenka i detyruar të përdorë atë gjuhë të keqe nga rrethanat e luftës politike brenda realitetit të sotëm shqiptar.

Mund të jetë edhe kështu. Berisha i viteve 1980, ose i artikujve elegantë në shtypin e atëhershëm, ka treguar se ishte në gjendje të orientohej në kontekstin e një diskursi në thelb intelektual, të artikuluar si pozicion i elitave pro-perëndimore në kundërvënie me perënditë prej kashte të politbyrosë së Ramizit e të Nexhmijes. Vija që bashkon prezantimin e atëhershëm të një mjeku të kulturuar dhe elitist, me retorikën bigote dhe provinciale të shtetarit të sotëm nuk mund të ekzistojë veçse në përmasën politike makiaveliste; çka më provon, jashtë çdo dyshimi, se diskursi i këtij njeriu është në thelb i zhveshur nga çdo konsideratë etike dhe vetëm sa i ofrohet audiencës si pasqyrë për të parë dhe identifikuar vetveten.

Ky arsyetim më sjell, forcërisht, te çështja etike në politikë; të cilën shumë pragmatistë në Shqipëri duan ta lënë jashtë arenave të konfliktit politik, duke e stigmatizuar si “intelektuale” – sa kohë që ky epitet, në oficinat e pushtetit në Tiranë, ka marrë atributet e një fjale të ndyrë, ose së paku poshtëruese. Paradoksi këtu ka të bëjë drejtpërdrejt me pompimin e çështjes etike si një nga shqetësimet kryesore të krejt spektrit politik, në trajtat e luftës kundër korrupsionit.

Në parim, askush nuk guxon ta sulmojë çështjen etike; dhe aq më pak kërkon ta bëjë këtë kryeministri, i cili sjelljet pas gjase “imorale” të oponentit të tij Rama kërkon t’ia shesë publikut deri edhe si “jo-shqiptare” – duke luajtur kështu kartën e nacionalizmit. Në praktikë, madje edhe kur etika dhe veçanërisht nevoja e elitave politike për të udhëhequr nëpërmjet shembullit nuk hiqen nga rendi i ditës, pakkush duket të shqetësohet për nevojën e vetë politikës për etikë; madje gjithë ky zell për ta bërë privaten publike në lëmin social duket sikur nuk është veçse një formë e përçudnuar e zellit tjetër, njëlloj të shtirur, për ta bërë publiken private, në lëmin ekonomik.

Si në një rast, ashtu edhe në tjetrin, do të dëgjosh argumentin se kjo ka të bëjë me “demokracinë” (fjalë pa kuptim), ose modernizimin, ose përgjegjshmërinë e kuadrit politik.

Zelltarët e linçimit të kundërshtarëve për hir të pushtetit ose të homogjenizimit të këtij pushteti nuk e kuptojnë, për mendimin tim, se format dhe institucionet politike që shteti shqiptar ka importuar ose përkthyer nga Europa Perëndimore dhe SHBA i kanë themelet sa në historinë e vendeve përkatëse, aq edhe në etikën e atyre shoqërive; dhe një sistem i mbështetur në komunikimin mes palëve pluraliste, si ky që pretendohet të ndërtohet në Shqipëri, nuk mund të funksionojë pa respektin e ndërsjelltë të palëve.

Është me pasoja të rënda, pra, që ky respekt për Tjetrin, në komunikim, të flijohet si pa të keq në altarin e votës, ose për hir të nevojës për të komunikuar me çdo kusht me bazën “e pasofistikuar”. Në të vërtetë, sistemi i sotëm në Shqipëri nuk është produkt i natyrshëm i shoqërisë shqiptare, as shpreh nivelin e përgjithshëm të kësaj shoqërie; por ekziston më tepër si një eksperiment i guximshëm i importimit të formave dhe të institucioneve të huaja, në një truall social të shkatërruar nga gjysmë shekulli totalitarizëm. Nëse është kështu, atëherë është detyrë parësore e elitave të të gjitha llojeve, me pushtet e pa pushtet, që ta ndihmojnë bazën për të kryer tranzicionin nga një mendësi në tjetrën; tranzicion që do të kryhet nëpërmjet qytetërimit, mirëkuptimit dhe emfatizimit të të drejtave të njeriut, përkundrejt interesit të përgjithshëm, i cili tashmë nuk është më shumë se një gjethe fiku, për të mbuluar interesat vetjake të pak të fortëve politikë dhe aleatëve të tyre të implikuar njëkohësisht në ekonomi dhe në krimin e organizuar.

Përsëri shoh këtu një paradoks – sepse një politikan pragmatist, që e justifikon etosin dhe patosin e vet prej shoferi nga ata të Fushë-Arrësit (siç e quajti pak ditë më parë Asnjan’s-i) me nevojën për ta mbajtur të çelur kanalin e komunikimit (dhe të bashkëfajësisë) me “popullin”, konsiderohet si populist ose njeri i tabanit; edhe pse mënyra si ky e përfytyron audiencën e vet dhe karakteristikat që ia atribuon janë shenjë e një elitizmi të skajshëm; ndërsa ai tjetri, që përpiqet t’i japë elektoratit ose masës një model për të ndjekur, ose një alternativë ndaj totalizimit dhe furisë leniniste, konsiderohet si elitist, ose i shkëputur nga realiteti; edhe pse realiteti, së paku realiteti i sotëm në Shqipëri, është para së gjithash produkt i një bashkësie gabimesh, fajesh, krimesh, marrëzish dhe budallallëqesh të përsëritura.

Nuk ka komente

  1. Pas shëmbjes së iluzioneve të ndërtimit apo rindërtimit të një shoqërie të sqaruar, liberale, tolerante e progresive pas 1991 dhe pas konfrontimit fatal për të disatën herë me profilin e vrazhdë dhe të ashpër të komunikimit në skenën politike shqiptare në 20 vitet e fundit, pra në një kohë që liria e të qënurit i lirë ishte vërtetë diçka e garantuar, për mua shtrohet mizorisht e fatalisht zhbiriluese në vitet e fundit një pyetje ultimative. Sa e huaj paska qënë për shqiptarët diktatura komuniste e viteve 1944 – 1990 dhe në cilën masë kjo paska qenë autentike, pra „made in albania“. Në ç’vëllim paska qënë Enver Hoxha produkt i vetë shqiptarëve dhe nëse është e vërtetë që kjo periudhë diktatoriale paska qënë një zhvillim i vetëkuptueshëm historik i shqiptarëve vetë, cila do të ishte perspektiva e tyre pas saj? A ishte Enver Hoxha një aksident historik tragjik apo ishte kjo periudhë gjakatare faza inkubative sa e vetëkuptueshme aq edhe e domosdoshme e një republike shqiptare, lulëzimi i të cilës do te vijë në një të ardhme të mesme? A mund të flitet dot – përveçse teorikisht – për një koncept të demokracisë shqiptare, pra për një shoqëri të zakonshme, në të cilën pushteti vërtetë tejçohet nga populli në organet e pushtetit të zgjedhur, apo është kjo një mundësi që i përket të ardhmes? A kanë një të ardhme paqësore shqiptarët pa kaluar detyrimisht në një proces dhune në formatin e luftës civile? A është e mundur dot paqja pa një konfikt të dhunshëm të mëhershëm?

    Kur isha fëmijë dhe më shplanin sistematikisht trurin në vijim të procesit edukativ në Shqipërinë staliniste një ndër frikërat e shumta që më mundonin ishte edhe ajo se mos i bëja edhe unë gabimet e Komunës së Parisit dhe shkaktoja kështu pa dashje një dështim te Revolucionit Botëror. Unë sot nuk e di si cilat paskan qënë konkretisht këto gabime, që shkenca shqiptare e materializmit historik i kishte evidentuar si fatale për fatin e popujve revolucionarë, por ajo që mu ngul përdhunisht në kokë ishte pikërisht, që unë asnjëhere nuk do të duhej ta dobësoja luftën e klasave në momentin që do të duhej të luftoja për këtë dhe që midis kontradiktave antagoniste dhe joantagoniste të preferoja gjithnjë ato të parat, ngaqë gabimi që mund të bëja këtu mund të binte dështimin dhe humbjen e betejes finale. Këto gjëra mostruoze i mësoja prej njerëzve të zakonshëm në formatin e prindërve apo të mësuesve nëpër shkollat ku shkoja, të cilët konvertuar në sistemin e tregut politik të sotëm lëkunden teorikisht diku midis vlerave të Sali Berishës dhe Skënder Gjinushit. Një frikë tjetër ishte se nuk do të mund t’i duroja dot torturat dhe do t’i tradhëtoja shokët, por për këtë kisha zhvilluar disa mekanizma që i ushtroja tek dentisti dhe që shpesh më ndihmojnë ti frekuentoj sot seancat tek ai pa ndonjë anestezi lokale domethënëse.

    Një brez shqiptarësh u rrit dhe u edukua me një frymë radikale të luftës kundër tjetrit, idhtar i një mendimi ndryshëm dhe lufta pa kompromis e mësuar përdhunisht u bë pjesë e sistemit etik. Shkatrimi i tjetrit është e vetmja mundësi e konfromintimit me mendimin e ndryshëm dhe në këtë drejtim sigurisht që nuk është bërë ASGJË pas 1990.

    “Leninizmi” i shqiptarëve është buron nga mesjetarizmi i tyre, nga mungesa e proceseve sqaruese dhe iluminuese, radikaliteti i tyre është organik dhe një herë për një herë vetëkuptueshmërisht bashkëudhëtar i proceseve të zhvillimit të tyre social dhe politik; të paktën akoma për një kohë të gjatë.

  2. Nuk dua ti futem prape ceshtjes, per te mos perseritur te njejtat gjera, i mbetem qendrimit tim se Sala e njeh elektoratin e vet me rrenje e dhemballe dhe u flet te djathteve, argumenti ne vetvete i qendrueshem, por nuk me pelqen e folura troc kur eshte ofensive, mban peng ligjerimin politik.

    Do doja te perqendrohesha tek kjo pjese:

    ””Ky arsyetim më sjell, forcërisht, te çështja etike në politikë; të cilën shumë pragmatistë në Shqipëri duan ta lënë jashtë arenave të konfliktit politik, duke e stigmatizuar si “intelektuale” – sa kohë që ky epitet, në oficinat e pushtetit në Tiranë, ka marrë atributet e një fjale të ndyrë, ose së paku poshtëruese.””

    Kjo ceshtje haset pak a shume kudo, jo kaq skajshem, po sipas vendit edhe kuvendi.
    Te kujtoj se Sokrati u denua me vdekje, per korruptimin e rinise.

    Politikeberja ka logjiken e saj, te cilen intelektuali nuk e pranon dot dhe historikisht nderhyrja intelektuale eshte pare si prishje punesh. Por ndodh shpesh qe logjiken e saj intelektuali nuk arrin ta rroke dot.
    Ndryshe eshte kur futet brenda politikes, aty eshte ai i pari qe i perjashton sivellezerit e vet te ngelur jashte.
    Nderkaq profesoret e shkencave politike jane te vetmit intelektuale qe priten krahehapur e ndodh te katapultohen nga katedra ne majen e piramides politike.

    Politika nuk ka per qellim gjetjen e se vertetes ne vetvete, por gjetjen e se vertetes se pranueshme nga sa me shume njerez.
    Intelektuali me filozofin si figura kyce kerkon te gjeje te verteten, nderkaq akademite i afrohen shpesh logjikes se politikes, pasi edhe ato kerkojne shpesh te verteta te pranueshme nga sa me shume njerez.
    Po ashtu ne akademi ka meri, shtyrje berrylash, plagjarizem, nepotizem, fyerje personale, sahanlepirje etj.

    Pra pikerisht kur intelektualizmi takon ”’institucionin”’, atehere ka takuar edhe logjiken e politikeberjes.
    Vete ne universitete per rolin e rektorit behet gjullurdi e madhe, kuptohet gjullurdi intelektuale.

    Keshtu ceshtja etike ne politike ka ngelur perhere ceshtje e filozofise politike dhe ne nje menyre a tjetren zgjedhje e lire, shprehje e vullnetit individual te politikanit.
    Ka kosto te larte, prandaj vetem politikanet e pasur mund t’ja lejojne vetes. Nderkaq ne shume popuj mund ta kete koston me te ulet per shkak te nivelit te larte etik te shoqerise, prandaj edhe gjendet me shume.

    Prandaj une perhere kam besuar dhe besoj fuqimisht, se pa nje ngritje shoqerore, pa nje rryme e fuqishme kulturore te udhehequr nga kreret e kultures, politika do i qendroje larg moralit politik per shkak te kostos.

    Kreret e kultures shqiptare nuk me duken as te bindur per kete rol e biles as te afte, per te mos thene se shpesh jane te kompromentuar, prandaj edhe politika ne Shqiperi do ta vuaje gjate pragmatizmin e eger dhe pse jo gjuhen e prapambetur politike.

  3. Ky eshte shkrim apo bukurshkrim ? Pyes, sepse nga gjithe ky metim qe elita e ketushme (e blogut sipas percaktimeve te politicus) po ben kundrejt mesjetarizmit leninist sic vershellen dikush, per te disaten here (sipas dy versioneve per shifrat) thjesht po i terheq vemendjen publikut te zullumi anti-etik i Kryeministrit. Po pasoja e ketij sulmi te paprecedente cila eshte, sepse jetojme perdite dhe skenari ka humbur tempin, ndoshta edhe pse eshte i njejti ?
    Perdite thuhen prape te njejta gjera, reagime te njejta dhe klima e pergjithshme qe shpreh monotonine dhe jo Shperthimin e Barbarizmit thjesht e ka izoluar debatin per kete ceshtje brenda skenes politike.

    Akuzohet elita per mendesi anakronike dhe leniniste e pastaj po kesaj elite i apelohet qe te udheheqe tranzicionin e mendesise se bazes per te eleminuar sforcimin demokratik qe shoqeria shqiptare vuan per shkak te panatyrshmerise antropoligjike qe pasqyron. Pra, pasi shtjellohet akuza per leninizem, apelohet udheheqesi drejt kultures demokratike, duke nenkuptuar se elita leniniste paska kapacitetin per ta cuar me tej exp. e guximshem qe nisi ne ’90. Si te kuptohet kjo ? Apo thjesht si nje ze me shume qe ne vend te sjelle nje risi apo te ofroje nje qendrim ndryshe, per shkak te ngopjes me demokraci te vertete andej prej nga po e leshon kete piskame dashamirese, thjesht po elitarizon mendesine leniniste apo rudimentin e saj ne Tirane ? Mos valle demagogjia e ka mundur sinqeritetin, duke u bere refleks i pakushtezuar edhe ketu ne blog ?
    Sepse sic u tha edhe nga vete Autori, leninzmi na qenka shperndare kudo, majtas – djathtas si puna e Dushkareve ne Parlamentin 2001-2005. Dhe me djathtas apo majtas kam parasysh edhe shtjellimin shume te mire qe beri para disa kohesh Epiriot.
    Semundja i ka prekur te gjithe, protagoniste te ketij kaosi dhe imoraliteti jane te gjithe, por ketu sepse kerkohet hierarkizimi i te keqes. Me mire diferencimi, sepse edhe brenda saj ka “me pak te rrezikshem” dhe “me shume te rrezikshem”.

    Dua te nenvizoj dy gjera; se pari me mediatizimin e “privates” nuk duhet te luhet ne menyre cinike. Keshtu private eshte edhe nje semundje e caktuar (p.sh eshte publikuar ne menyre te pavend fakti se Leka Zogu vuan nga AIDS), nje marredhenie e veshtire ne familje apo edhe nje marredhenie jashtemartesore. Por kurrkush nuk po shuan kurreshtjen apo mendon te sulmoje bazuar mbi keto te dhena, sepse e di shume mire reagimin e opinionit. Ato te z. Rama jane elemente te jetes private, por qe simptomat i percjellin edhe ne jeten publike. Por vete perfolja dhe thashethemi permes tabloideve apo edhe akuzes publike te Kryeministrit kane elementin pozitiv se ato ripermasojne figuren e politikaneve te caktuar ne syte e opinionit edhe kur ai eshte akuzator. Por me e rendesishme; syri publik mbi privaten, ne rastin e politikes eshte nje instrument qe e kufizon sovranitetin e kesaj te fundit permes asgjesimit qe ne embrion te mundesise per te kultivuar mitin.
    Rasti i Enver Hoxhes; Terri qe rrethonte kete figure e mbante te gjalle mitin e tij, por publikimi i te gjitha detajeve te jetes e ka velur opinionin, por me shume se kaq; i ka bere te qarte atij dhe ka ngulitur idene se ai ishte thjesht nje njeri me asgje te jashtezakonshme.
    Si ta shpjegoje njeriu i shkrete qe edhe ne Perendim, qe ofrohet si modeli kyc drejt Lumturise, biografia e cdo personi te rendesishem nuk neglizhon asnje detaj te jetes personale. Madje ato udhehiqen edhe nga ideja e hetimit psikologjik te biografise duke i vene fakte te ndryshme apo sjellje te caktuara ne raport me patologjite qe studion psikiatria apo protokollet e psikanalizes.
    Ja p.sh opozita me ne krye “modelin” kerkoi dje Komision Hetimor per Gjendjen Mendore te Berishes.

    Cfare duhet te themi ne per reagimin e bere kur Gynter Grass rrefeu adoleshencen naziste ne pleqeri ?

    Dhe ne fund dicka per kete mendesine e leninizmit:

    “Faik Shishko (Konica) eshte vllah” – akuza publike e G. Jakut (emrin nuk e mbaj mend mire)

    Pergjigja e Konices: G., jot eme punon ne Kurvetore.

    [Bipololitika, a ekziston ne Shqiperi? Aurel Plasari, Tirane ne vitet 90 e ca]

    Metoda leninsite eshte universale, apo origjina e saj ka degezuar edhe ne bejlerizmin feudalo- zejtaro te arnauteve ? Ishin kete te fundit qe ndermoren exp. e guximshem duke “shpikur” kombin shqiptar modern, sipas teorive te sotme, por me sa duket harruan te tranzitonin popullin drejt kombesise.

  4. Ndofta ky diskutim eshte pak i vjeteruar tashme, por sapo lexova nje editorial te Gail Collins ne NYT i cili me duket interesant jo vetem per temat qe cek, i.e. politika, seksi dhe e drejta e privatesise (per hir te se vertetes nuk shoh ndonje reflektim nga Collins qe kjo e drejte egziston per politikanet), por edhe per menyren ironike te trajtimit te makuterise se publikut per ceshtje te tilla pikante edhe pse ne dukje te gjithe e mohojme qe na interesojne gjera te tilla. Per me teper po vendos linkun.

    http://www.nytimes.com/2009/12/10/opinion/10collins.html?_r=1

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin