EKSPOZITË ME VAN GOGH

nga Ajkuna Dakli

A ia vlen të bëjmë 376 kilometra për një ekspozitë ?”

Në fillim, pyetjen ia bëjmë vetes. Bëhet fjalë për ekspozitën”Van Gogh in America” në Detroit Institute of Arts (DIA). Një koleksion me 74 tablo origjinale të Van Gogh mbledhur nga muze të tjerë, në SHBA, ose në vende të tjera të botës. Janë vepra që nuk të bie t’i shohësh shpesh këtej oqeanit. Përveç muzeut të Van Gogh në Amsterdam, në të cilin ndodhet një koleksion i përhershëm, veprat e tij mund të shihen të mbledhura bashkë në një numër kaq të madh, vetëm në ekspozita si kjo. Muzetë e qyteteve të mëdha të botës mund të kenë vetëm një numër të vogël në koleksionin tyre të përhershëm.

Është fundjava e fundit e ekspozitës. Është rrugë e gjatë, dimër dhe mund të bjerë borë.

Do të bëni 400 kilometra rrugë për një ekspozitë”? – E njëjta replikë na vjen pa filtra nga miq e shokë nga pika të ndryshme të rruzullit. Na vjen pak çudi, sepse, nuk besojmë që një rrugëtim i tillë për një gosti a një sebep të ngjashëm, më tokësor, të themi, do të ishte pritur njëlloj.

Por vendimin për këtë pelegrinazh kulturor e kemi marrë tashmë. Nisemi duke u munduar ndërkohë, t’i përligjim edhe me zë të lartë njëra tjetrës, 400 kilometrat, që duken akoma më të gjata.

Në kufi, nëpunësi i doganës në anën amerikane, përpos pyetjes më sipër, shton edhe një tjetër disi më specifike :

A e dini pse Van Gogh e preu veshin?”

Kalojmë kufirin dhe hyjmë në Detroit, ndërsa 400 km dhe një vesh i prerë na rëndojnë në të njëjtën anë të peshores.

Në radhën e gjatë në sallonin e madh të DIA që pret të hyjë në sallat e ekspozitës, ngushëllohemi disi. Paska artdashës të tjerë si ne. Por, me shumë gjasa, shumica janë prej aty rrotull dhe kilometrazhi prapë mbetet në peshore. Në radhë, bie në sy një të grua trupvogël, e veshur me një fustan të gjatë kadife vishnje dhe një kapelë kadife vishnje me dantellë, e cila duket sikur sapo ka dalë nga një pikturë e Monet-së.

Paska edhe një vizitore që ka ardhur nga shekulli i kaluar, thotë shoqja ime dhe fillojmë të qeshim.

E qeshura nuk na ndahet, derisa arrijmë përballë pikturës së parë të ekspozuar: ”Karrigia”.

Është karrigia ku Van Gogh ulej përballë Paul Gaugin mbrëmjeve, në ato nëntë javë që kaluan bashkë në Shtëpinë e Verdhë në Arles të Francës. Pas ndarjes dramatike me mikun e tij, piktori i hodhi në pëlhurë të dy karriget, tashmë të zbrazura.

Piktura e karriges, aq e gjallë, sa duket sikur po ta prekësh do ndiesh nën gishtërinj drurin ose fijet e verdha të kashtës, është portreti i një miku që mungon, biseda të shkuara, biseda që nuk mund të bëhen, mall, vetmi.

“.. Sapo kam punuar përsëri sot në  karrigen time të zbrazët”- i shkruan ai të vëllait”-  një karrige të bardhë me llullë dhe një qese duhani. Në këto dy punë [ ] me anë të ngjyrës jam përpjekur të jap një efekt drite. Me siguri [] do të kuptonte saktësisht se çfarë po përpiqem të them…”(***)

Vijnë më pas, njëra pas tjetrës, në tablo të tjera, një sallë vallëzimi ku shtjellat e flokëve të grave të japin ndjesinë e një qarku të gëzueshëm, një pyll në pranverë ku siluetat e një çifti që shëtit shkrihen me ngjyrat e pemëve, një vajzë që lexon aq e kredhur në librin që ka përpara sa të duket sikur po e lexon edhe ti atë libër, një fushë pas korrjes me mullarët e mbledhur si fustane balerinash, një vazo me lulëkuqe petalet e të cilave ngjajnë aq të brishta sa duken se mund të shkëputen papritur nëse fryn pak erë, këpucë që flasin, portrete bashkëkohësish me tipare të pangatërrueshme nën kurba peneli, kristale të bardha ngjyre në degë pjeshkash të lulëzuara, shtjella degësh ulliri, shtëpi në mes të gjelbërimit në Auvers, e gjelbër e qetë, blu e çelur në vjollcë, grimca të kuqe trëndafilash buzë rrugës, ngjyra që të fryjnë në shpirt gjithë paqen dhe bukurinë e një çasti që, për një çast, të duket i përjetshëm.

Oh, i dashur Theo sikur t’i shihje ullinjtë … Gjethet, ngjyrë argjendi të vjetër në të gjelbër zhytur në të kaltër. Dhe toka e punuar ngjyrë portokalli. Është diçka krejt ndryshe nga e bukura në veri, është një bukuri e butë, ky është dallimi! Është si shelgjet e përkulura të livadheve tona holandeze ose shkurret e dushkut të dunave tona, po shushurima e një ullishte ka diçka shumë të fshehtë dhe shumë të vjetër. Është kaq e bukur që ne të guxojmë ta pikturojmë ose të mund ta përfytyrojmë.”(***)

Sipas historianëve të artit, gjatë jetës së tij të shkurtër, Van Gogh pikturoi rreth 700 tablo të ndara në kohë mes Holandës dhe Francës. Tablotë e kësaj ekspozitë, me pak përjashtime i përkasin periudhës së Francës. Dallimi është i dukshëm në ngjyrat e gjalla dhe të buta dhe të verdhën e tij të dallueshme që derdh dritë në to.

I mbajmë këmbët përballë një tabloje që titullohet”Hedhësi i farës”.  Mbi tokën e punuar ngjyrë vjollcë, pikas një siluetë njeriu krijuar prej pak penelatash verdhë e blu, që përmbledhin të gjithë entuziazmin dhe shpresën që blaton hedhja e farës. Tabloja është e gjallë dhe e ngrohtë dhe duket se artisti ka dashur të hedhë në telajo një çast ngazëllimi dhe shprese. Dielli po perëndon po fara që hidhet sjell premtimin e një jete të re .

Më vjen padashur ndërmend, një tjetër tablo me titull”Re mbi një fushë me grurë”, të cilën pata shansin ta shoh vite më parë në një tjetër ekspozitë në Paris.

Siç e kam thënë në shkrimin më poshtë, më pat ngelur në mendje ajo tablo pikërisht për mënyrën se si e përkthente një çast dëshpërimi e shprese në një përkulje të dritës nën retë që mblidhen mbi fushë .

https://peizazhe.com/2020/03/28/nen-re-te-stuhishme/

Po ndërsa në atë tablo drita vjen e fortë dhe e shqetësuar tek”Hedhësi i Farës” drita është e butë, e kthjellët, e paqtë, shpresëdhënëse.

“A e dini pse Van Gogh e preu veshin?”.

“Kam kthjelltësinë ose verbërinë e një dashnori për pikturën – i shkruan artisti të vëllait

“Unë i ëndërroj pikturat e mia dhe pastaj pikturoj ëndrrat”(***)

Mendoj se është e pamundur të derdhësh nga peneli një bukuri të tillë, nëse nuk e ke ndjerë deri në palcë me të gjithë spektrin e saj emocional,  dritën, errësirën, ankthin, dëshpërimin, shpresën dhe paqen që sjell një jetë e jetuar mes dhimbjes dhe ekzaltimit të skajshëm. Sepse duhet të këtë patjetër diçka të veçantë, në mënyrën se si një artist i tillë e percepton botën që e rrethon, diçka të ndryshme të pakapshme nga një njeri i zakonshëm.

Përballë nesh shkëlqen”Nata me yje”.

Qielli është blu ngjyrë deti, uji është blu i thellë, toka është vjollcë. Qyteti është blu dhe vjollcë. Gazi  verdhë i llambës reflekton ngjyrë ari në të kuqërreme që zbresin në bronz jeshil. Në fushën blu të qiellit, arusha e madhe ka ngjyrë të gjelbër dhe rozë të ndezur, zbehja e ngadaltë e së cilës bie ndesh me të artën e fortë të llambës së gazit. Në plan të parë shquhen dy figurina shumëngjyrëshe të një çifti të dashuruarish….. (***)

Tabloja është disi e errët, por nuk mund të quhet kurrsesi e pandriçuar. Ndaloj dhe e shoh me vëmendje duke u përpjekur të shquaj çdo figurë, refleks, drithërimë ngjyrash. Në sfondin blu, penelatat e së verdhës, krijojnë kratere të vogla drite që shpërthen nga yjet. Më vjen padashur ndërmend shitësja e vogël e shkrepëseve të Andersenit që jetonte ëndrrat e saj në flakëzën e shkrepëseve që digjte për t’u ngrohur.

“Ka dashur të ngrohet”, thanë njerëzit por askush nuk mund ta imagjinonte se çfarë gjërash të mrekullueshme kishte parë ajo.

Që t’i përgjigjem, më në fund, pyetjes se doganierit tonë artdashës, unë nuk e di përse, dhe në të vërtetë as nuk dua ta di përse Van Gogh e preu veshin. Mbase as i zoti i veshit nuk e dinte mirë arsyen, mbase i shkaktoi vetes një dhimbje për t’i shpëtuar një dhimbjeje tjetër më të fortë. Mbase, edhe sikur të përpiqemi, nuk mund të hyjmë në atë marrëdhënie të thellë e të vështirë, por të mrekullueshme të artistit me artin e tij, mbase edhe sikur të hyjmë e ta kuptojmë nuk do të mund ta masim e ta përkthejmë në njësitë tona, të një bote të zakonshme.

Po ne nuk erdhëm deri këtu për të parë një botë të zakonshme.

Për një artist të përmasave të Van Gogh krijimi është njëkohësisht edhe vetëflijim, një bukuri e thellë po jetëshkurtër.

Ata fatlumët, për të cilët vepra e tij u krijua, e që mund ta shijojnë jemi ne, vizitorë të ngeshëm muzesh që shpesh nuk e mendojmë se kemi fatin që herë pas here të ngjërojmë me sytë tanë shijen e pavdekësisë.

(***)  Shkëputur nga korrespondenca e Van Gogh https://www.webexhibits.org/vangogh/letter/20/615.htm

(c) 2023 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin