A JU KUJTOHET SA PERFEKTE ISHTE ÇDO GJË?

nga Marson Korbi

Shënime mbi arkitekturën e banesës moderne në Shqipëri

Nga dhoma tek shtëpia

Që kur, pas viteve 1990, urbanistika e qyteteve të Shqipërisë u la në dorë të ndërtuesve dhe funksionarëve të Bashkisë, më shumë sesa estetika, janë aspektet shoqërore ato të cilat pësuan degradimin më të madh, sidomos për sa i përket arkitekturës së banesës. Mjafton të përshkosh rrugicat apo hapësirat mes pallateve dhe shtëpive të Tiranës për t’u ndodhur shpesh brenda një koreografie konfliktesh shtëpiake, mes të bërtiturave dhe ulërimave të shpeshta familjare, që, siç e dimë, degjenerojnë jo pak herë në ngjarje dramatike. Janë kryesisht këto konflikte shtëpiake që përmbledhin dhe problemet kryesore të shoqërisë në gjerësi, siç janë mungesa e të ardhurave, rrogat e ulëta, çështjet e pronës, dhuna ndaj fëmijëve apo grave, apo dhe shfrytëzimi i punës shtëpiake të gruas, që në Shqipërinë patriarkale mbetet ende një konstrukt i paçmontueshëm.

Në fakt, çfarëdolloj tentative për një kritikë ndaj banesës në debatin intelektual shqiptar përbën një vështirësi ideologjike për shumë arsye. Së pari, nuk është për t’u befasuar që në gjuhën shqipe nuk gjendet një përkthim i mirëfilltë i fjalës në italisht domestico (ang. domestic), e aq më tepër i termit spazio domestico (ang. domestic space). Domestic rrjedh nga fjala latine domus (e lidhur me fjalën greke demi, të ndërtosh), dhe përtej përkufizimit të banesës romake, ajo është rrënja e termin dominus, i cili përkufizon të zotin jo vetëm të shtëpisë, por gjithashtu edhe të skllevërve dhe tërë familjes që qëndronin nën emrin e tij—vetë fjala familia në Romën e lashtë i referohej bashkësisë së skllevërve[1]. Nëse në shqip fjala domestic përafrohet me fjalën dhomë (domus~dhomë), termi ‘spazio domestico’ mund të përkthehet vetëm si hapësirë shtëpiake, duke humbur qartazi rëndësinë institucionale dhe ndërthurjen historike të spazio domestico-s me patriarkatin. Kjo mangësi gjuhësore është mjaft interesante, pasi na lejon që të nënvizojmë se sa shumë e ka përthithur kultura shqiptare hapësirën ‘domestike’, aq sa ta pranojë si e vetmja formë e të banuarit, pra e shtëpisë.

Së dyti, nëse një rikonstruksion gjenealogjik i kësaj përthithjeje mund të shkonte mjaft larg në kohë—në një ballafaqim interesant që do të kërkonte një krahasim tipologjik mes banesës antike greke dhe asaj ilire—, një ndër origjinat e mënyrës së të banuarit të sotëm mund të përcaktohet me zhvillimin e banesës osmane të shekullit të 18-të e të 19-të, banesës me çardak. E zhvilluar kryesisht në qytet urbane tregtare më të rëndësishme të Shqipërisë nën Perandorinë Osmane, tipologjia e banesës me çardak ishte e strukturuar kryesisht për t’i dhënë formë modelit të familjes së klasës së mesme patriarkale. Në qytete me aktivitet tregtar, si për shembull Shkodra, kjo tipologji banese, e krahasueshme me vilën, i jepte edhe formën urbane qytetit tregtar, i cili nuk ishte tjetër veçse një rrjet logjistik i përbërë nga pazari, në hyrje të qytetit, dhe rrjeti i rrugëve (i dukshëm ende në impiantin e sotëm urbanistik) i përbërë nga këto vila të vendosura brenda mureve të tyre private. Muri rrethues, elementi i përbashkët i tipologjive historike të banesave, delimitonte pronën e të zotit të shtëpisë, por, në të njëjtën kohë, u jepte edhe karakterin qyteteve kryesore, ku mbizotëronte prona private dhe të vetmit elemente publike ishin rrugicat, pazaret dhe objektet fetare.

Skemë banese me çardak (plani-përdhe i oborrit), shek 19

Një ndër variantet më të shpeshta të tipologjisë së banesës me çardak qe ai ku shtëpia pozicionohej në qendër të murit rrethues, duke e ndarë oborrin në dy hapësira, që përmbanin dy kopshte të veçuara. Nga ana e rrugës, në hyrje, gjendej kopshti ornamental, lulishtja, që kishte funksionin simbolik nëpërmjet të cilit i zoti i shtëpisë simbolizonte mikpritjen e tij dhe, në të njëjtën kohë, krenohej me pronën dhe madhështinë e banesës. Në anën e pasme të banesës ndodhej oborri prodhues, ku mund të kultivohej një pjesë e frutave që konsumoheshin nga familja, por që edhe mund të tregtoheshin në pazar[2].

Në të njëjtën kohë shekulli i 19-të në Evropë përkonte me vendosjen e familjes në qendër të agjendës politike të shumë shteteve, të cilat do ta përdorin atë si aparatin kryesor të riprodhimit të krahut të punës dhe të shpërndarjes së mirëqenies sociale: roli i kujdesjes dhe i riprodhimit të mirëqenies do të shpërngulej kështu nga institucionet e shtetit dhe ato fetare tek familja. Së bashku me shpikjen e Welfare State-it (shtetit social), rol thelbësor në atë kohë luajti masivizimi i legalizimit të lidhjeve martesore mes një burri dhe një gruaje—një ndër shpikjet themelore të shtetit modern për të deleguar funksionin e tij qeverisës dhe të kontrollit[3].

Dihet që Shqipëria nuk kishte një strukturë shtetërore të krahasueshme me atë të shteteve evropiane, por gjithsesi familja pati një rol thelbësor për sa u përket lidhjeve politike mes fiseve të çifligarëve apo tregtarëve, që në vendin tonë lidheshin kryesisht me mbajtjen dhe sigurimin e ‘institucionit’ të pronës private. Në një farë mënyre, mund të thuhet se prona private dhe familja patriarkale pati në Shqipëri një çiftëzim më se të nevojshëm, për t’i siguruar kryefamiljarit mundësinë për të trashëguar pronën—dhe kjo shpjegon disi arsyen përse martesës i kushtohej një ritual social kaq i rëndësishëm në banesë[4]. Vetë banesa me çardak përbënte koreografinë e këtij rituali nëse mendojmë rolin social të odës së miqve brenda shtëpisë osmane. Ndër zakonet që lidhej me martesën kishte rol edhe prania e bllokut musandër – mafil, një zonë e ngushtë e mbuluar me hojëza druri (mashrabiya), ku arrihej me shkallë, e vendosur përbri dhomës së burrave. Në disa banesa në Shkodër  aty qëndronte gruaja, e cila vëzhgonte bashkëshortin e ardhshëm, pa u parë nga ai dhe miqtë e tij. Në kohë më të vona, nusja mund të qëndronte mes burrave në odën e miqve, ku edhe do të shërbente mezen[5].

Walker Mary Adelaide, A morning call in Albania, 1864

Ashtu siç tregohet qartë në një nga filmat më të bukur të kinematografisë shqiptare, Përrallë nga e kaluara, frymëzuar nga komedia 14 vjeç dhëndër, në banesën osmane e gjithë planimetria e shtëpisë qe e ndërtuar në funksion të patriarkut dhe vendosjes së grave (bashkëshortes dhe vajzave) në pozicionin e shërbëtores. Nëse e shohim me sytë e kohës, nuk mund të kishte moment më të lodhshëm për një grua shqiptare sesa kur duhej të priste miqtë—në fakt miti i mikpritjes shqiptare s’mund të mendohet dhe aq i pafajshëm. Në një farë mënyre, vetëm falë kthimit në monument kulture të këtyre shtëpive gjatë viteve të para të socializmit u mundësua heqja e etiketës patriarkale nga këto shtëpi dhe falë punës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, u mundësua edhe bërja transparente e historisë së tyre dhe e rëndësisë arkitektonike që këto banesa kanë për ne sot.

Apartamenti si minimum jetik

Tjetër aspekt që vijon këtë vazhdimësi ideologjike, mes banesës dhe pronës, është edhe romanticizmi i disa studiuesve, që zakonisht e lexojnë Tiranën si një qytet-kopsht, që duhet rikthyer me nostalgji apo i atyre që vetëshpallen ‘autoktonë’, duke harruar se ideologjia e ‘vendaliut’ përbën një kontradiktë dhe anakronizëm të madh po të kujtojmë se vetë historia e arkitekturës së banesës në Shqipëri ka qenë gjithmonë e karakterizuar nga lëvizjet dhe migrimet, qofshin këto zakonore apo të detyruara nga shteti. Madje mund të thuhet se edhe tentativa për të formuar një klasë borgjeze, për kontingjenca të historisë, zgjati vetëm pak dekada, nga viti 1920 deri në vitet 1930, kohë kur në Tiranë u ndërtuan vilat e tregtarëve apo të profesionistëve të klasës së mesme, periudhë gjithsesi e papërfillshme në krahasim me natyrën fshatare të popullatës, në një qytet që mbeti gjithmonë satelit i borgjezisë koloniale të Italisë.

Kalimi nga vila dhe shtëpia tradicionale tek pallatet kolektive ishte i justifikuar nga mungesa e banesave, por, nga ana tjetër, nuk mund të mos shihet si një formë emancipimi i aparateve të shtetit në garantimin e banesës sociale. Siç theksohej nga shumë kronistë dhe gazetarë të huaj të kohës, socializmi në Shqipëri arriti të garantonte një Welfare State (shtet social) të denjë, i cili shpërndante shumë më tepër sesa mund të jetë minimumi jetik sot: banesën, shkollimin, universitetin, rrogën minimale dhe shërbimin shëndetësor. Por nëse nga ana sociale banesa ishte prioritet politik i arkitekturës së kohës, nga pikëpamja ideologjike iu dha përparësi banesës familjare dhe ndërtimit të apartamenteve të ‘ekzistencës minimale’. Apartamentet tip të ndërtuara gjatë gjithë viteve të socializmit ishin kryesisht banesa për familje për 4-6 veta, me një banjë, kuzhinë, dhomë gjumi dhe dhomë pritjeje. Veprimtaria e ndërtimit të banesave në Republikën Popullore të Shqipërisë qëndroi në një linjë me traditën e projektimit të arkitektëve të Lëvizjes Moderne dhe të Kongresit CIAM II mbi banesën, të mbajtur në Frankfurt në vitin 1929.

Siç edhe theksohej nga kritiku (ndaj Lëvizjes Moderne) dhe poeti çekosllovak Karel Teige në librin e tij The Minimum Dwelling (Banesa Minimale), ajo çka arkitektët e CIAM II-shit po propozonin në ato vite nuk ishte gjë tjetër veçse reduktimi në metra katrorë i shtëpisë borgjeze, të përshtatur për klasën e mesme dhe atë punëtore[6]. Me pak fjalë, sipas Teige-s, arkitektët nuk po bënin gjë tjetër veçse të reduktonin stilin e jetës së klasës borgjeze për t’ua dhënë familjeve të punonjësve të administratës dhe punëtorëve të fabrikës. Teige i mëshonte në kritikën e tij punës riprodhuese të gruas dhe rolit që banesa familjare kishte duke e subjektivizuar atë brenda mureve të shtëpisë, duke e caktuar të merrej me kujdesjen, mirëmbajtjen e shtëpisë, rritjen e fëmijëve, gatimin etj. Sipas Teige-s, banesa minimale duhet të garantohej si minimum jetik edhe jo si hapësirë e minimizuar; kështu, ai propozonte si alternativë banesën kolektive, ku puna e kujdesjes, edukimit dhe rritjes së fëmijëve dhe po ashtu gatimi ishin të organizuara në hapësira të përbashkëta mes banorëve, e organizuar si punë kolektive apo me staf të paguar[7].

Këtu vlen të thuhet se ndryshe nga shtetet evropiane në vitet e rindërtimit të pasluftës, ku projekti i feminizimit të shtëpisë u realizua intensivisht, vendet e lindjes socialiste, përfshi edhe Shqipërinë, i kushtuan një kujdes më të madh, pavarësisht se jo thelbësor, emancipimit të gruas. Mjafton të shohim punësimet në administratë dhe në profesionet intelektuale (si mësimdhënie, por dhe në fushat profesionale të inxhinierisë, arkitekturës, mjekësisë apo edhe të byrosë politike), ku prania e gruas kishte rol të rëndësishëm dhe shpeshherë të barabartë me atë të burrave (mund të përmendet, për shembull, se si përdorimi i përparëses së bardhë në disa profesione krijonte efektin e një farë barazie gjinore). Por gjithsesi, edhe për socialistët, banesa mbeti hapësira ku roli i gruas nuk gjente formë emancipimi, me përjashtim të disa përpjekjeve projektesh banimi, ku në disa blloqe banimi parashikohej ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, dhe mensave, apo dhe vetë prania e oborreve të gjelbra, që në një farë mënyre u jepte mundësi zhvillimit të raporteve solidare dhe sociale mes ‘amvisave’ të shtëpisë.

Tranzicioni: Dom Ino-ja dhe pallati

Përkufizimi i përshtatjes së stilit të jetës së borgjezisë në familjet e klasës së mesme nuk kishte se si të mos përkonte më mirë me situatën që kaloi Tirana pas viteve të socializmit. Pas rënies së sistemit, procesi i privatizimit të pronës u zhvillua më thjeshtësisht, pikërisht tek kalimi i pronës së apartamenteve nga shteti tek familjet të cilat jetonin në banesat kolektive. Në vitet 1990, si pasojë e hyrjes në tregun e lirë, ku shteti i dha përparësi krijimit të sipërmarrjeve të vogla, u shtuan dalëngadalë shtesat, transformimet e kateve të para në dyqane dhe më pas kioskat famëkeqe, që u shpërndanë nëpër parqe dhe hapësira publike, në luftën për të zaptuar çdo parcelë toke.

Shtesat për shembull, të cilat shumë studiues në vitet e fundit i kanë trajtuar si një fenomen romantik arkitekture, ishin rezultat i menjëhershëm i prioritetit që i dha shteti formimit të një ekonomie të lirë, të bazuar mbi nxitjen e biznesit të vogël familjar dhe biznesit të ndërtimit ende në shkallën e sipërmarrjes ‘shtëpiake’. Gjatë tranzicionit gjithsecili mundi të krijonte një sipërmarrje, nga sektori i modës, ushqimit, tek materialet e ndërtimit—fundi i së cilës fillon gradualisht pas skemave piramidale të vitit 1997.

Sipas një historiani arkitekture mjaft të moçëm, historianët e përdorin fjalën tranzicion kur nuk dinë ç’të thonë, pasi nuk i njohin mirë faktet. Periudha e tranzicionit në Shqipëri, e shpjeguar shpesh nga intelektualët pranë klasës qeverisëse si një periudhë e artë e kalimit nga diktatura në demokraci, nga izolimi në liri, në të kundërt u vërtetua të ishte një periudhë e dhunshme dhe e përgjakur akumulimi, me pak fjalë, një moment historik të cilin Karl Marks do ta përkufizonte si ‘akumulim primitiv’. Sipas Marksit, akumulimi primitiv është ai moment i historisë kur lind kapitalizmi, kur njerëzve (pronarëve të tokave, fshatarëve apo punëtorëve) iu zhvatet prona dhe mjetet e prodhimit, duke u lënë në dorë vetëm fuqinë e tyre për të punuar[8]. Ky, me fjalë të tjera, është edhe përkufizimi më i mirë i periudhës së tranzicionit në Shqipëri, një moment historik në të cilin ish-funksionarë të regjimit apo ish-pronarë çifligarë të paraluftës, u kthyen në oligarkë, duke u pasuruar falë kompensimit të tokave të shtetit apo falë privatizimit dhe shitjes së aseteve publike të shtetit, si fabrikat dhe magazinat, kooperativat apo infrastrukturat dhe asetet natyrore (plazhe, lumenj e pyje).

Ndërkohë që Tirana, më shumë sesa rrethet e tjera, pati një tranzicion gati të natyrshëm në këtë prehistori të kapitalizmit, falë mentalitetit mikroborgjez të ruajtur pa dyshim edhe gjatë socializmit, situata më problematike mbetej shpërndarja e pronave në formë trualli nëpër ish-kooperativat dhe në fshatra.

Në vitet e para të qeverisë së djathtë, parlamenti diskutonte nëse do t’i jepte prioritet shpërndarjes së pronës së mëparshme apo kompensimit të ish-pronarëve dhe fshatarëve. Në vrull të madh dhe pa përvojë u zgjodh kompensimi me tokë të re, por pa një planifikim hapësinor të shpërndarjes së truallit. Nëse kompensimi ishte më i ‘kollajshëm’ për fshatarët e zonave fushore perëndimore, ai bëhej më i vështirë në zonat malore, ku tokat ishin më të pakta, edhe për arsye të gjeografisë. Nën ftesën e Presidentit të Republikës të kohës, Sali Berishës, për të zënë fushat në perëndim, ‘shpërndarja’ e truallit u bë duke vënë në dispozicion zaptimin e lirë të ish-fushave bujqësore. Pas viteve të piramidave, me një ekonomi të bizneseve të vogla dhe të ndërtimit më të stabilizuar dhe ku kërkesa për krahë pune po shtohej, këto zaptime në masë morën formën e vendbanimeve të mirëfillta kryesisht përreth Tiranës dhe Durrësit, në zona si Bathorja apo Këneta[9].

Skemë e banesave informale (banesa Dom-Ino, dhe hapësira të pazëna), Kamëz, vitet 2000-sot

Për ironi, mungesa e planifikimit bëri që këto vendbanime, qofshin këto zaptime informale apo të incentivuara nga shteti, të përdornin njollën e ndarjeve të tokave bujqësore të socializmit. Me fjalë të tjera, sistemi gjeometrik drejtkëndor i parcelave të fushave bujqësore të ndërtuara pas Reformës Agrare të vitit 1945-46 i dha formë ‘planifikimit’ të zonave informale, të cilat u zhvilluan duke ruajtur të njëjtën gjurmë në përcaktimin e formës së pronës së tyre.

Nëse shumë studiues mendojnë, dhe me të drejtë, se shteti gjatë tranzicionit u mënjanua nga ndërtimi i banesave në masë, projekti i informalitetit mund të konsiderohet si një ndër investimet më të mëdha në ndërtimin e banesave në Shqipëri në shkallë vendi, në një formë, siç do ta quante Platon Issaias, ku mungesa e planifikimit ishte në vetvete projekt i shtetit[10].  Kjo u materializua jo vetëm falë njëtrajtshmërisë së parcelave ekzistuese të tokave bujqësore të Reformës Agrare, por kryesisht nga mënyra standarde si secila familje ndërtoi vetë shtëpinë e saj. Kështu, më tepër sesa forma urbane, në ato vite ishte banesa ajo e cila u ndërtua në gjithë territorin e Shqipërisë sipas një plani tipik: tipologji me verandë, një objekt, shpesh i papërfunduar, ose si gjysmëkarabina, në mes të një prone të rrethuar me mure të ulëta, që ndjekin formën e ish-parcelës bujqësore—funksioni i mureve shërben këtu më tepër për të delimituar pronën sesa për ta mbrojtur atë nga kërcënime të jashtme. Banesat e papërfunduara respektonin parimin e shtëpisë së kompozuar si Dom-Ino, sipas vizatimit të arkitektit franko-zvicerian Le Corbusier në vitin 1914. Parimi i Maison Dom-Ino-së përcakton një banesë të ndërtuar në formën e karabinasë me betonarme: shtylla, soletë dhe një shkallë të jashtme. Një sistemim i tillë mundësonte mbylljen e hapësirave sipas nevojës dhe shumëzimin e mundshëm të objektit qoftë në lartësi apo dhe në drejtimin horizontal, duke parashikuar madje realizimin e një steke lineare me banesa të tilla.

Ndërtesë banimi tip 59_1, 1959-60

Shembulli shqiptar i banesës informale, ndryshe nga tipologjitë më solide të banesave me çardak apo apartamenteve të socializmit,  tregon se si parimi i Dom-Ino-së pasqyron më qartazi kushtet sociale të një nukli familjar dhe kontekstin e tyre ekonomik. Mundësia për zhvillim në hapësirë (shtesa e një kati, e një muri apo shkalle) varej nga stabiliteti i të ardhurave të familjes, nga shtimi i pjesëtarëve (rikthimi nga emigracioni), apo edhe cilësia e krahut të punës (se sa të kualifikuar ishin banorët për të ndërtuar vetë shtëpinë apo për të mirëmbajtur ekonominë shtëpiake). Ndryshe nga pallati në qytet, banesa informale mundëson edhe një farë transparence në organizimin dhe ndarjen e punës mes pjesëtarëve të familjes: nuk është e thënë që të punonte vetëm gruaja, por shpesh të gjithë pjesëtarëve të familjes u takonin detyra të caktuara të punës prodhuese dhe riprodhuese. Pa harruar se në këto banesa mbizotërojnë ende dhe ndihen të forta zakonet e familjes patriarkale, besoj se aspekti me potencial të madh i këtyre vendbanimeve është mundësia për të ofruar alternativa të shumta mbi përdorimin e pronës. Po të përshkohet rruga Tiranë-Fushë Krujë, apo zona të tjera të tilla të dendura me ndërtime Dom-Ino, shihen ende parcela toke të pazëna, të cilat mund edhe të rimendohen si prona të përbashkëta mes familjeve, të cilat mund t’i përdorin për t’u vetëmbajtur, pa qenë të varura nga tregu.

Nëse zonat informale sot, të cilat nuk janë të përkufizueshme as si fshati dhe as si zona urbane, ofrojnë nga pikëpamja administrative hapësira për të rimenduar ideologjinë e pronës private ashtu siç e kemi njohur deri më sot—pra, si mjet ligjor për t’i hequr të drejtat tjetrit ndaj një objekti—qyteti mbetet i lidhur me rolin e tij si makineria kryesore e riprodhimit të kapitalit falë pronës private dhe vlerës së saj të varur nga luhatjet e tregut dhe faktorëve të tjerë abstraktë. Tipologjia më famëkeqe i këtij procesi që është prodhuar në arkitekturën shqiptare është ajo e ‘pallatit të ri’, që filloi të ndërtohej me vrull të madh kryesisht pas viteve 2000. Pallatet e reja ishin rezultat i zhvillimit të mëtejshëm të industrisë dhe biznesit të ndërtimit, kryesisht në Tiranë, ku qarkullonte kapitali i parë i madh. Ndryshe nga periudha e kioskave dhe shtesave, pas viteve 2000 shihej një pasurim i mëtejshëm që fillonte e përjashtonte disa kategori më të varfra, si dyqanxhinjtë dhe bizneset e vogla apo informale. Në këto vite fillojnë e fuqizohen biznesmenët e vegjël dhe të mesëm, si ndërtuesit dhe pronarët e tokave në qytet, nëpërmjet skemave të thjeshta shitblerjesh të pronës së përfituar. Në krahasim me tipologjitë e diskutuara më parë, pallati ishte një formë ndërtimi prodhuar si rezultat i spekulimit të tregut imobiliar, i diktuar nga kompromiset mes ndërtuesve dhe disa pronarëve. Si procedurë spekulimi, këta të fundit binin dakord duke vënë bashkë një tokë të trashëguar, për të patur në këmbim nga ndërtuesi apartamente, hapësira tregtare, duke siguruar kështu një jetesë të përjetshme të garantuar nga të ardhurat e qirave—me pak fjalë,  nga thithja e vlerës së tokës së trashëguar.

Arkitektura e këtyre pallateve përcaktohej kryesisht nga forma e pronës dhe tipologjia e apartamenteve (forma dhe numri i dhomave) ishte rezultati i ndarjes së kësaj gjurme nga arkitektët, me qëllim që të përfitoheshin në hapësirë sa më shumë apartamente të mundshme në limitet e pronës. Famëkeqësia e pallateve të reja përkon, gjithashtu, dhe me fillimin e rënies së dinjitetit të arkitektit, i cili tani do të kishte si detyrë thjesht ndarjen e hapësirës për të përfituar sa më shumë apartamente për shitje. I shndërruar në një ushtrim të ndarjes së hapësirës mbi bazën e njollës së pronës, shpesh pa formë të rregullt, në vend që të aplikonte dijet e shkollës mbi tipologjitë e banimit, arkitekti do të punonte si agjent imobiliar, duke logjikuar me numra dhomash: 1+1, 2+1, 3+1, e kështu me radhë. Por ndryshimi më i madh mes tipologjive të diskutuara më parë dhe apartamenteve të pallateve të reja, lidhet me krijimin e zonave të errëta e të fshehta. Të ndërtuara kryesisht në lagje të vjetra, pa një planifikim urban dhe të ndarjes së tokës, këto pallate shpeshherë ndodhen në ngushtica, në hapësira pa oborre apo ajrosje. Ndryshe nga banesat kolektive të viteve 1950-70, këtu konfliktet shtëpiake bëhen ende më të padukshme. Unë do të thosha se, nëse zhvillimi urban dhe ekonomik i qyteteve shqiptare pas viteve 2000 nuk ka kapitulluar, por përkundrazi, ka qenë i qëndrueshëm, është falë shpikjes së kësaj zgjidhjeje hapësinore të banesës. Prej kësaj tipologjie, administruesit e qytetit kanë parë avantazhet e ‘bërjes zap’ të konfliktit, duke e ‘domestikuar’ atë brenda mureve të banesës së familjes. Trashëgimisë patriarkale i shtohet, gjithashtu, edhe puna e papaguar e grave, nëpërmjet së cilës shteti ka deleguar, në shekujt e fundit, funksionin e tij social.

A View from an Apartment 2004-5 Jeff Wall born 1946 Purchased with assistance from the American Fund for the Tate Gallery and Tate Members 2006 http://www.tate.org.uk/art/work/T12219

Moratoriumi për të ndaluar ndërtimin e këtyre pallateve gjatë administratës së Lulzim Bashës në vitet 2011-15, po i jep rezultatet negativisht vitet e fundit, ku aktiviteti ndërtimor është intensifikuar dukshëm. Nëse përreth Sheshit Skënderbe po ndërtohet arkitekturë me A të madhe, Bashkia e Tiranës po u jep leje pa frena në zonat më të fshehura ndërtimit të objekteve me cilësi të dobët, si në estetikë, por edhe në tipologji. Përtej kullave të luksit, ndërtimi i pallateve të banimit në Tiranë vazhdon e përsëritet me të njëjtën skemë prej dekadash: 1) fillimisht prishen shtëpi të vjetërsuara; 2) më pas hapet një shesh i cili shpesh kthehet në parking (pronarët nuk mund t’i lejojnë vetes që toka të mos prodhojë vlerë gjatë kohës që përgatitet projekti); 3) më në fund fillon kantieri (gjatë të cilit një pjesë e apartamenteve shiten në ‘letër’). Një tjetër faktor që është bërë më i dukshëm kohët e fundit, faktori zero do ta quaja, është presioni apo dhuna që ushtrojnë biznesmenët për t’u blerë tokën pronarëve, apo edhe shtëpinë në disa raste, edhe kur këta nuk duan ta shesin—hallkë bazë e akumulimit primitiv.

Zhdukja e banesës dhe xhentrifikimi i territorit

Projekti i ‘Rilindjes urbane’ mund të konsiderohet si zhdukja përfundimtare e banesës nga agjenda e shtetit dhe zëvendësimi i saj me projektet e hapësirave publike dhe veprave të infrastrukturës. Shumë kritikë të ‘Rilindjes urbane’ e kanë akuzuar shpesh këtë projekt të qeverisë së Partisë Socialiste si një motor kryesor në xhentrifikimin (ang. gentrification) e qytetit, kryesisht në rritjen e vlerës së truallit aty ku këto hapësira të reja po projektohen. Në fakt, xhentrifikimi si fenomen ekzistonte që në Romën e lashtë, dhe lidhej me procesin e kalimit nga prona e vogël e tokës bujqësore tek latifondistët e mëdhenj. Sot, ky proces në Shqipëri lidhet me kalimin nga biznesi i vogël tek ai i madh, i thjeshtëzuar kryesisht nga investimet e huaja dhe të oligarkëve, të cilët po blejnë dhe përthithin privatët e vegjël dhe aktivitetet e tyre. Në këtë pasazh nga një ekonomi e vogël tek oligarkia, paraqitja estetike dhe vendndodhja e një zone (pranë një parku, një sheshi apo një rruge pedonale) zë një rol thelbësor në tërheqjen e investimeve dhe të kapitalit. Qytetet evropiane që sot po përdorin xhentrifikimin si mjet zhvillimi, si Parisi, Brukseli, Milano etj., një ndër fushat kryesore që kanë në agjendë është investimi në kulturë, teknologji dhe në sistemimin e hapësirave publike, me qëllim që zona të caktuara të bëhen vetvetiu përjashtuese të klasave të ulëta (në Bruksel p.sh. kjo po përdoret si një teknikë për të shtyrë në periferi emigrantët). Në përpjekjen që t’ju mbajë hapin, Tirana u përgjigj me rehabilitimin e Sheshit Skënderbej, Pazarin e Ri, Pallatin e Kadaresë, apo edhe me transformimin e Piramidës në qendër teknologjike për fëmijë—nuk do të ishte befasi nëse zona që po xhentrifikohet më shumë në Tiranë, ana lindore pas Piramidës, dhe ajo pranë Pazarit të Ri, të bëhej shpejt krejtësisht e paaksesueshme për xhepat e klasën së mesme, për punëtorët e rinj dhe studentët.

Tipologja e ‘pallatit të ri’ e ndërtuar si pasojë e spekulimit, Tiranë, vitet 2000

Ndryshe nga ç’pritej, falë qasjes neoliberale dhe optimizmit që pati qeveria e majtë e Edi Ramës se investimet në këto asete, falë PPP-ve, do të sillnin mirëqenie, sot po i shohin të gjithë limitet dhe dështimet. Mes atyre të cilët po zhvaten nga pasuria që u garantonte një minimum jetik, si banesa, pakënaqësia është gjithmonë në rritje. Banesa, e lënë jashtë agjendës së qeveritarëve, mund të kthehet në armë të pretendimeve sociale të njerëzve. Me siguri banesa (sidomos për ata që ende banojnë në lagjet e kohës së socializmit) është monumenti i kulturës dhe trashëgimia më e madhe e cila mund të përdoret kundrejt qeveritarëve, biznesmenëve të mëdhenj dhe oligarkëve. Vetëm nëpër ansamblet e banesave kolektive, ashtu si edhe në zonat informale—aty ku xhentrifikimi duket i pamundur—, njerëzit mund të bëhen një shumësi e madhe për të eksperimentuar forma bashkëjetese të pavarura, për të pretenduar në nivel politik rikthimin e një statuti të ri për një shtet social. Pyetja nuk është më nëse duhet bërë ‘reformë apo revolucion’, por mbetet, së pari, një çështje organizimi dhe solidariteti: vetëm në bashkësi të ndryshme dhe të shpërndara në territor, si ishuj, diçka mund të na kthejë në vitet e një socializmi evropian të përbashkët.

 

[1] Shih Dogma, Living and Working (Cambridge, Massachusetts: The MIT Press, 2022), 12.
[2] Shih Marson Korbi, et.al., Scutari: la città e il lago: principi insediativi e forma urbis [Tezë diplome] (Bari: Politecnico di Bari, 2015).
[3] Shih Melinda Cooper, Family Values: Between Neoliberalism and the New Social Conservatism (New York: Zone Books, 2017).
[4] Friedrich Engels, The Origin of the Family, Private Property and the State (Project Gutenberg, 2010).
[5] Një ndër burimet kryesore mbi banesën historike shqiptare është revista Monumentet. Shih dhe Emin Riza, Qyteti dhe banesa qytetare shqiptare e shek. XV – XIX (Tiranë: Dita 2000, 2009).
[6] Karel Teige, The Minimum Dwelling (Cambridge, Mass.: Chicago, Ill.: MIT Press, 2002).
[7] Ibid. 17.
[8] Shih Karl Marx, Capital: A critique of Political Economy, vol.1 (New York: Penguin, 1990), 873-940.
[9] Shih Clarissa de Waal, ‘Post-Socialist Property Rights and Wrongs in Albania: An Ethnography of Agrarian Change’, Conservation and Society 2 (2004), 19–50.
[10] Shih Platon Issaias, ‘On Conflict, Generic and the Informal: The Greek Case’, in The City as a Project, 2016, http://thecityasaproject.org/2016/01/on-conflict-generic-and-the-informal-the-greek-case/

Rreth Autorit

Marson Korbi (Tiranë, 1990) është arkitekt dhe aktualisht po zhvillon kërkim shkencor si studiues postdoc në École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL). Korbi u diplomua në Politeknikun e Barit ku edhe mbrojti doktoraturën (në vitin 2020) me vlerësim cum laude mbi historinë politike të banesës kolektive dhe historinë e punëtorit të dijes (knowledge worker). Kërkimi shkencor i Korbit lidhet me fushën e historisë dhe teorisë së arkitekturës, e eksploruar përmes teorisë së ekonomisë politike dhe kategorive të projektit arkitektonik. Puna e tij bazohet gjithashtu në kritikën e hapësirës shtëpiake, arkitekturës dhe urbanizmit, me një interes të veçantë për çështjet e tipologjisë dhe formës së arkitekturës.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin