ROMANI I ANKTHIT

Letërsinë botërore të shekullit XX nuk e përfytyrojmë dot pa veprat që kanë përcjellë terrorin e individit përballë shtetit totalitar – mjaft të përmend romanet nga Zamjatin, Huxley, Koestler, Orwell, Solzhenjicin, Kadare, Serge dhe të tjerë.

Një vend të spikatur mes tyre do ta zërë me siguri Metropoli, i Eugen Ruge – që e lexova këto ditë. Ky roman gjerman, tashmë i përkthyer në spanjisht dhe në frëngjisht (por jo në anglisht) rrëfen ankthin e një çifti punonjësish të Kominternit (Internacionales së Tretë Komuniste) në Moskën e viteve 1930, të cilët kanë ngecur tashmë në rrjetën e merimangës të spastrimeve të mëdha; dhe presin dita-ditës që t’u shfaqet NKDV-ja në derë, për t’i marrë.

Metropoli i titullit të romanit është edhe hoteli përndryshe dhe paradoksalisht luksoz, ku regjimi i ka çuar të jetojnë një numër punonjësish të zyrave të Kominternit – një purgator, në pritje tmerruese për sinjalin e zbritjes në ferr.

Moska e viteve 1930, mes triumfalizmit ideologjik dhe skamjes së shpëlarë të rrugëve, i shfaqet lexuesit nga perspektiva e dy revolucionarëve gjermanë apatridë, të cilët vijnë nga një botë tjetër, tashmë të refuzuar, në ndjekje të një ëndrre që, dora-dorës, do t’u shndërrohet në makth.

Këta luftëtarë të regjur të barrikadave, besnikë të bindur të idealit bolshevik, nuk i kanë kapacitetet morale, për ta përballuar mundësinë që regjimi stalinist mund t’i hedhë në birucë dhe t’i shpallë “armiq të popullit.” Kjo mundësi, edhe pa u bërë realitet, ushqen një hulumtim të brendshëm në kufi të marrëzisë, ku bolshevikët e vjetër vihen ta kalojnë jetën e tyre në sitë, për të parë se ku mund të kenë gabuar dhe si mund të jenë komprometuar. Teksa anembanë vendit mbahen procese gjyqësore kundër trockistëve, deviacionistëve të majtë dhe të djathtë, buharinistëve, sabotatorëve dhe agjentëve të imperializmit, ku njerëz deri dje në krye të politikës, të ekonomisë, të ushtrisë, të diplomacisë, të zbulimit, të kulturës pranojnë se kanë komplotuar për të kryer krime nga më monstruozet kundër Stalinit, partisë dhe popullit sovjetik, një masë frikshëm e madhe kuadrosh, që shohin ç’po ndodh dhe parandiejnë se po u vjen radha edhe atyre të përtypen nga nofullat policore të bishës, i kalojnë ditët në fantazi të tilla vetë-munduese gjysmë inkuizitoriale gjysmë psikanalitike, ku u përgjigjen pyetjeve imagjinare të prokurorëve imagjinarë.

Vala mbytëse e spastrimeve në Partinë Komuniste të BRSS-së dhe në shtetin sovjetik, pas atentatit ndaj Kirovit, nuk e kurseu as komunitetin e madh të revolucionarëve nga gjithë bota, që jetonin në Moskë të angazhuar me Kominternin dhe propagandën pro-sovjetike në Perëndim, teksa përgatiteshin për “revolucionin botëror.”

Këtij komuniteti Stalini tani nuk i besonte më, pse e shihte si të kontaminuar nga trockizmi (që megjithatë askush nuk arrin ta përkufizojë) dhe nga kozmopolitizmi. Paranoja liderit sovjetik i vinte si kombinim i urrejtjes ndaj Perëndimit, ksenofobisë dhe antisemitizmit, dhe i kompleksit të inferioritetit të një bolsheviku rrugaç nga periferitë e kalbëta të Perandorisë, që kish hyrë në Kremlin nga dera e pasme; me mjeshtërinë supreme të intrigës dhe aftësinë e mbinatyrshme për t’i hedhur rivalët e vet kundër njëri-tjetrit.

Romani përqendrohet në jetën e përditshme të një çifti revolucionarësh gjermanë, të cilët bëhen pa dashur spektatorë të katastrofës, teksa shohin miqtë, kolegët, shokët e tyre të armëve, t’u zhduken dita-ditës nga qarkullimi, me emrat që u shndërrohen në tabu, vendet në tryeza në karrige bosh, zyrat në skena krimi të bllokuara me kordon dhe miqësitë ose edhe vetëm kortezitë që kishin pasur mes tyre në prova të komplotit dhe të tradhtisë.

Këto gjëra janë shkruar mirë edhe më parë – më vjen në mendje sidomos Koestler-i dhe Victor Serge; por rrëfimi tipik me këtë temë përshkruan trajektoren e revolucionarit nga shkëlqimi i djeshëm në birucë dhe pastaj para togës së pushkatimit; ndërsa Eugen Ruge zgjedh të rrëfejë tmerrin e pritjes që i paraprin dhunës policore të drejtpërdrejtë, dhe që ndonjëherë deri edhe ia zë vendin.

Çifti gjerman, që i shtyn ditët në limontinë luksoze të Metropolit, pret që herët a vonë të likuidohet; miqtë e tyre tashmë janë në burg, punët i kanë humbur, të njohurit e djeshëm u shmangen. Bota rreth tyre po shkërmoqet pjesë-pjesë por pandalshëm – paçka se atyre vetë nuk u ndodh asgjë. Vjen një moment kur, të sigurt se do t’u trokasin në derë për t’i arrestuar, ata bien të flenë të veshur… por momenti vjen dhe ikën.

Dhoma në Metropol është edhe qelia e tyre e imagjinuar. Eugen Ruge – që e ka bazuar romanin në ngjarje dhe personazhe reale – kujdeset të shpjegojë, në pasthënie, se njëlloj siç përfunduan në plumb njerëz krejt të pafajshëm, pati edhe të tillë që i shpëtuan vdekjes. Charlotte-n dhe Wilhelm-in sikur i harruan.

Lexuesi e ndjek këtë makth nga afër, i vetëdijshëm edhe për dramën e zhgënjimit të atij që beson. Charlotte, së cilës ia dëgjojmë monologun e brendshëm nga fillimi në fund, e ka pothuajse të pamundur të kuptojë se është Stalini që i ka lyer duart me gjak. Kolegia e saj Hilde, që përfundon e pushkatuar, kërkon të gjejë një mënyrë për ta kontaktuar Stalinin dhe për t’i shpjeguar se çfarë po ndodh (për këtë i duhet të marrë hua një makinë shkrimi. Nuk di njeriu nëse të qeshë a të qajë, kur lexon si asnjë prej miqve të saj të djeshëm – heronj luftëtarë revolucionarë me të cilët pat ndarë barrikadat dhe kotheren në burg, tani refuzojnë që t’ia japin, ngaqë janë trembur). Tragjedia e këtyre njerëzve – që ishin edhe ajka e revolucionarëve ndërkombëtarë të viteve 1920, ose ata të cilët kemi pasur në mendje, kur këndonim “Internacionalen – tragjedia e tyre, pra, ka përmasat e një kolapsi religjioz, prej qielli.

Tek i njëjti hotel, Metropol, jeton edhe gjykatësi Vasiliy Ulrich, ai që drejtoi proceset e mëdha kundër drejtuesve të lartë të Partisë dhe të shtetit në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930. Ulrich pat nënshkruar, gjatë karrierës së vet, më shumë se 30 mijë urdhra për pushkatim.

Tridhjetë mijë pushkatime janë të pamundura për t’u përfytyruar.

Ironia e madhe, nëse mund ta quaj kështu, është se dy protagonistët e vuajtën dënimin e tyre në një nga hotelet më të mira të Moskës. Ngjitur me dhomën e tyre, ishte suita ku kish qëndruar edhe shkrimtari Lion Feuchtwanger – mysafir i posaçëm i Stalinit dhe lëvdues tutkun i korrektesës së gjyqeve farsë. Në një kuptim, dy gjermanët e Kominternit e nisën dhe e mbyllën romanin si bolshevikë – mbase edhe të vetëdijshëm se likuidimi i tyre do t’i shërbente edhe ai njëfarësoj kauzës së revolucionit.

Në realitet, Charlotte-n dhe Wilhelm-in nuk i arrestuan; në fund regjimi sovjetik u dha pasaporta zvicerane dhe u dha urdhër që të largoheshin nga Bashkimi Sovjetik – siç na rrëfen autori i romanit në pasthënie. Dëbimi i tyre, edhe pse edhe ai një lloj ndëshkimi, nuk është pjesë e romanit dhe nuk mund të jetë; sepse lexuesi e merr me mend që dy ish-kominternistët ishin tashmë të vdekur së brendshmi dhe të katandisur në zhguaj kitinozë, kur morën urdhrin për t’u larguar.

Metropol është edhe një përsiatje e thellë për shkaqet e terrorit stalinian të viteve 1930, gjatë të cilit aparati represiv i pushtetit likuidoi një pjesë të madhe të elitave të dala nga revolucioni i Tetorit. Protagonistët e përjetojnë dramën, por nuk arrijnë ta kuptojnë, duke ia faturuar “tradhtisë” së bashkëpunëtorëve të Stalinit; autori nuk merr qëndrim të prerë, por vetëm e pikturon terrorin në një sfond të jetës së përditshme në rrugët, sheshet, parqet, kafetë, restorantet dhe dyqanet e varfra të një Moske gjysmë-aziatike, që nuk ka shumë të përbashkët me kulisat bizantine të Kremlinit.

Gjykimi im, si lexues, është se valë të tilla terrori janë të pashmangshme, kur ndodh që një grusht njerëzish të hipin në pushtet me revolucion – dhe kjo për shkak të një dinamike pothuajse elementare. Për të marrë pushtetin, duhen mobilizuar gjithfarë personalitetesh autoritare dhe rebele, njerëz sypatrembur, që nuk i tuten vdekjes, të gatshëm për të sakrifikuar, në emër të një ideali çfarëdo dhe të tillë që të frymëzojnë masat në aksion të dhunshëm kundër institucioneve represive. Me njerëz të tillë mund të merret pushteti – por nuk mund të mbahet pushteti. Dhe as të ndërtohet shteti, sepse shteti kërkon një lloj tjetër drejtuesi a kuadri, jo rebel por të bindur; jo antikonformist, por të gatshëm për t’u identifikuar me nevojën për disiplinë dhe rregull.

Prandaj Stalinit iu desh që, për të ruajtur fronin prej cari muzhik, të hiqte qafe gjithë elitën bolshevike të Tetorit, e cila ia kish mundësuar ardhjen në Kremlin – sepse nuk priste prej njerëzish të motivuar në jetë nga anti-autoritarizmi, që t’ia pranonin përulësisht arbitraritetin dhe despotizmin banal.

Arsyetimi vlen edhe për ata qindra, në mos mijëra kominternistë të huaj që jetonin në Bashkimin Sovjetik, si të ikur a të dëbuar nga vendet e tyre, që punonin në aparatin burokratik bolshevik dhe shërbenin si ndërfaqe e vullnetit subversiv të Moskës dhe lëvizjeve komuniste anembanë Europës. Këta ishin, në masë të madhe, njerëz që nuk ua hante qeni shkopin, të mësuar me mosbindje dhe revoltë, në mos edhe nostalgjikë të një kohe kur ende kish shpresë për një revolucion proletar botëror; dhe që nuk t’i pranonin symbyllur shpjegimet për arrestimet, pushkatimet, internimet dhe në përgjithësi terrorin e viteve 1930 në Bashkimin Sovjetik.

Ka edhe një arsye tjetër: revolucionarët që, me rrugë të ndryshme, kishin mbërritur në Moskën e viteve të romanit dhe ishin bashkëpunëtorë aktivë të Kominternit, vinin nga eksperienca të ashpra: përleshje të armatosura, arrestime, gjyqe, burgje ndonjëherë të rënda. Disa prej tyre i plotësonin kriteret për t’u quajtur revolucionarë “profesionistë”, që lëviznin përmes kufijve nga një shtet i Europës në tjetrin, për t’u përfshirë në gjithfarë konspiracionesh, operacionesh të spiunazhit dhe lojërash të shërbimeve të fshehta. Roitja e tyre në Moskë, mu në periudhën kur paranoja staliniste po arrinte fazën e vet të epërme, nuk mund të ishte veçse ushqim për dyshime nga më të fantaksurat, sa kohë që këta njerëz nuk i shtroje dot, për t’i shndërruar në burokratë të qetë, zbatues të rregullave dhe mishërim të disiplinës institucionale. Kominternistët Moskës nuk i duheshin më – dhe shpërbërja formale e Internacionales së Tretë Komuniste, gjatë viteve të Luftës II Botërore, nuk ishte veçse akti final i një shkërmoqjeje të nisur prej kohësh.

Likuidimi i elitave duket kështu si po aq fazë e rregullt e revolucionit sa edhe kryengritja dhe marrja e pushtetit me dhunë, siç e dëshmoi edhe historia e shteteve komuniste që dolën pas Luftës II Botërore nga Jugosllavia në Kinë. Sa për Shqipërinë, ku Hoxha nuk u ndal kurrë së vrari, së arrestuari dhe së internuari bashkëpunëtorët e vet, bashkë me familjet dhe fiset e tyre, unë e mbaj aq mend terrorin masiv të viteve 1970-1980, që të vendos paralele përqasëse me dramën e protagonistëve të romanit. Në kuptimin që ajo histori mund të ishte rrëfyer edhe në shqip – kanë qenë me mijëra ata komunistë pak a shumë të devotshëm ndaj “kauzës”, të lidhur me regjimin e Hoxhës, që jetuan me frikën e arrestimit dhe të likuidimit në ato vite, teksa shihnin miqtë dhe kolegët dhe eprorët e tyre të rrëzoheshin njëri pas tjetrit. Frika se ku do të binte sëpata do t’u lexohej në fytyrat edhe shumë kohë pasi terrori real ish fashitur.

Nuk e them dot këtë për brezat që i japin sot tonin jetës publike në Shqipëri – sepse druhem mos këtyre historia e terrorit totalitar po u vjen e filtruar nga dritat e rreme të spektaklit, instalacionet, muzetë e ngjitura me pështymë dhe akrobacitë absurde për ta ritreguar atë periudhë me forma “tërheqëse” dhe “skenike”, në mos edhe më turpshëm akoma, “turistike”. Ndoshta prandaj – me përjashtime të njohura – totalitarizmi i Hoxhës u ka ardhur shqiptarëve të shekullit XXI si përrallë farsë bardhezi me të mirë dhe të ligj, por pa vërtetësi.

Metropol e meriton t’i sillet lexuesit shqip, më parë se shumë vepra të tjera, që përkthehen furishëm dhe po aq furishëm promovohen. Nuk është letërsi që dëfren, por letërsi që shqetëson; nuk është libër për t’u marrë në plazh, por libër për të kujtuar se mbase mu për shkak të plazheve, po harrojmë më shumë se ç’lejohet.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: sa më lart, mbështetet në leximin e versionit spanjisht të romanit.

Kopertina: pamje historike e hotelit Metropol.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin