PIKETAT E KUJTESËS

nga Sait Saiti

Shkuem me ndjekë çeljen e Ditëve të Kujtesës, organizim i IDMC-së (Instituti për Demokracinë, Median dhe Kulturën) këto katër vitet e fundit që asht mbajtë përgjithësisht javën e fundit të muajit shkurt dhe mbërriti në edicionin e vet të tetë, simjet nisi tek Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës (VDK) në Shkodër. Për ma tepër se një sahat me orë në dorë u mbajtën vargevijë fjalë të ndryshme prej organizatorëve, mbështetësve të organizimit, pranisë diplomatike ndërkombëtare dhe qeveritarëve lokalë, vetëm nga fundi doli terezia me folë dy historianë, Çelo Hoxha dhe estonezi Toomas Hiio. Prej asaj ore të gjatë ku nuk u kursyen me përfshi konfliktin e Ukrainës, si qokë protokollore që ua dhamë pa na e kërkue, të paktën dy diplomatë m’u duk se i dhanë lezet: napoletani i pranisë së OSBE-së në Tiranë me një za të thellë prej anglishtes së Liam Neeson-it me theks të lehtë mesdhetar, ndoshta bariton, i kalitun me siguri koreve të kishës në vogëli; i dyti, ambasadori austriak e lehtësoi sadopak protokollin e ngurtë dhe formalitetin e tepruem me një shqipe jo të keqe, si tue dashtë me tregue edhe njëherë atësinë e albanologjisë.

Mjedisi ku u mbajt çelja e organizimit, në të djeshmen që nuk perëndon ka qenë Muzeu Ateist, çelun fillimisht si ekspozitë më 1968 e mandej si muze 1973-1990. I vetmi i llojit të tij në shkallë republike, në të sotshmen kokëfortësisht diskronike, ngusht nga fondet dhe nga personeli, Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës i çelun 23 vjet mbas ndryshimeve politike në vend, ka një galeri të denjë për ndonjë format televiziv spektakolar, po të mos ishte për kufjot që u ka shkaktue suvatimeve lagështina. Galeria mund të marrë interpretime të ndryshme në varësi të gjendjeve të humorit të vizitorëve, prej te rrathët e ferrit e deri te kurmat e krapit që i kënaq Naili në Zogaj. Arkitekti ideues Viktor Dhimgjini mendohet se i ka konceptue si një aradhe prangash.

Për këtë edicion të tetë të Ditëve të Kujtesës fondacioni Konrad Adenauer mundësoi vendosjen e disa skeleteve alumini apo plastikë shumë të lehtë, besoj edhe të kushtueshëm, mbuluem me banera prej bezeje sintetike të shtampueme me të dhana për pasojat e regjimeve komuniste në ish-Bllokun Lindor.  Do të kisha pasë dëshirë t’i shihja në Piacë dhe qendra qytetesh të ndryshme të tilla stenda, apo edhe nëpër shkolla, që ndjeshmëria me gëzue audiencën edhe të atyne që mund të mos jenë vu në dijeni të organizimit. Studiuesit kanë vërejtë se mjedise të tilla si Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës me pretendime rekuperuese në fushën e memories përbajnë atë që quhet “memorie protezë” (ang. prosthetic memory), me anë të kësaj ekspozite mund të thuhet se mjedisi dhe të interesuemit gjejnë një pasurim në vazhdën e protezave të memories, si dhe të turizmit të errët.

E kurueme prej disa institucioneve qeveritare dhe OJQ-së, kjo protezë gjen te VDK-ja strehëzën e vetme të qëndrueshme ku përbashkohen nismat qasëse institucionale për fushata ndjellëse (ang. affecting campaigns) si mënyrë ndërlidhëse a ndërmjetësuese për narrativat përkatëse. Përpjekja që përmes narrativave të përndjekjes, burgimeve, torturimit, etj. me ndjellë gjendje ndjesore mundet me qenë “nevojë me i dhanë kuptim realitetit që sa vjen e bahet ma i ngatërruem.” Kjo për me i dhanë një sens vazhdimësie, ndërvarësie dhe ndërlidhshmërie, dhe e gjitha kjo e paketueme t’u shërbehet si ofertë mnemonike të interesuemve. Angazhime dhe fushata të tilla ndjellëse që sillen (dhe reduktohen?) rreth sistemit penitenciar janë vërejtë se qëndrojnë në periferi të narrativës dominante mbi kumtimin e së kaluemes.

Më duket se ky rindërtim dhe kjo ofertë mnemonike nga institucione të tilla e ka të mbrendashkrueme mundësinë me prodhue shtjella pezmi a idhnimi, apo në rastin ma të mirë në bajatosjen e trajtimit të së kaluemes. Pavarësisht se në periferi të narrativë-ndërtimit dominant, shoqnia shqiptare nuk e ka të tepërt përtërimjen dhe mirëmbajtjen e këtyne temave në debatin publik, por nëse zgjedhja përkujdesëse a kuratoriale asht e tillë që në ofertë mnemonike të mbizotnojë pathosi (shtypja, viktimizimi, vuejtja) në kurriz të ethosit dhe logosit, atëherë asht e pashmangshme që celebrimet e memories me marrë pamjen e pritjeve të xhenazeve, të shtatave, të dyzetave dhe përkujtimoreve. Celebrime të tilla vërtetë janë për t’u përgëzue nga vullneti, por kushedi nëse aspirojnë me mëkimin e empatisë, apo mjaftohen me keqardhjen kalendarike dhe minutazhin e programuem si telos.

Po në hullinë e Ditëve të Kujtesës, prej një bashkëpunimi mes Fatos Lubonjës, Ardian Isufit dhe Elton Koritarit u mbajt në mjediset e burgut famëkeq të Spaçit ekspozita “Fraktura”, të cilën nuk e përcolla prej afër. M’u ba qejfi realisht për pjesëmarrjen dhe sidomos për atmosferën e odës që më përcolli ku Lubonja nga bashi i vendit kishte peshën simbolike të të parit të fisit, dorëzan’ i memories, rreth zjermit, me çelësat e një kohë-hapsine që shumëkush e ka përbujtë, por rrallëkush ka dhuntinë me e rrëfye. Nga kronikat arrita disa copëza të prononcimeve të tij mbi ekspozitën:

“ […] është një metaforë e asaj që ka ndodhur, si një frakturë, si një e çarë, si një plagë.”

Mesazhi im është që kaluarës duhet t’i qasemi nëpërmjet vuajtjes të së tashmes.”

“Këshilla ime është, duke u nisur nga kjo vuajtje e të sotmes, duhet të kërkojmë rrënjët e kësaj vuajtje dhe të zbulojmë të kaluarën dhe të kuptojmë që është pikërisht ajo e kaluar e cila na bën të vuajmë dhe sot dhe ndaj duhet të shikojmë në mënyrë kritike atë të kaluar që të ndryshojmë gjendjen tonë sot.

Tek “prononcimi” i parë kam përshtypjen se po komentonte vetëkuptueshmërinë e titullimit të ekspozitës. Ama tek dy të tjera, në afro 30 sekonda, vërehet ngulmimi me theksue vuejtjen si mënyrë qasjeje. Edhe kjo këshillë duket se përvijon përpjekjet me ndjellë botën ndjesore të audiencës. Por sa asht vuejtja mënyrë me kuptue në mënyrë të kthjelltë diçka, për ma tepër operacione apo procese mnemonike me pretendime rekuperuese? Si mund të çojë vuejtja drejt këqyrjes të së kaluemes “në mënyrë kritike”? Si mundet reflektimi përmes vuejtjes (si vetëfshikullimet e urdhnave monastikë) me t’i fanitë vështrimet kritike, si vegime? Ndryshimi i gjendjes së sotme përmes këtij procesi i bie me qenë ajo që studjuesit kishin vërejtë si “social closure”, si premtim dëlirjeje, a shëlbim; pra vuejtja si shëlbim.

Lubonja në aq e kaq kontribute në mediume të shkrueme, pamore dhe audiovizuale i ka dhanë shpeshherë reliev dhe thellësi tjetër çështjeve të ndryshme. Por nëse realisht i duket si mënyrë qasjeje, metodë, na duhet me kthye në vëmendje se audienca shqiptare ka dëshmue ndër vite se si bashkëvuejtës të tjerë të ndjeshëm ndaj vuejtjes të së sotmes, si Maks Velo dhe Spartak Ngjela, bashkë me artikulimet mbi vuejtjen, kanë zehërlisë jo pak prime time-t televizive. Orë e orë që do t’u kenë shtrue jo pak specialistëve pyetjen se cila asht dobia e artikulimit publik të vuejtjes kur lihet e pashoqnueme nga përkujdesja minimale për shëndet mendor. Kuptohet, programatorët e emisioneve nuk asht se e kanë vu shumë ujin në zjerm për gjana që janë dytësore ndaj shikueshmërisë.

Kështu, për t’iu kthye urtësive të odës në përpjekje me ba një propozim teorik po aq të vlertë, marrim me mend ndonjë bacë Kosovet do të kishte thanë “paj, mos u dertoni qaq shumë, te sabri asht selameti.” 

 

© 2023 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin