DIJA MATET NË STADIUM

nga Edon Qesari

Në një shënim të hedhur në faqen e tij në Facebook pak ditë më parë, Ardian Vehbiu shkruante për një emision televiziv, një ndër të shumtët dhe thuajse të përditshmit e këtij lloji tashmë, mbi albanologjinë dhe në veçanti zhvillimin historiografik të kësaj të fundit. Më shumë se një diskutim studimor apo dialog mes pikëpamjesh qoftë edhe kundërshtare rreth kësaj teme – siç nuk mundet assesi të ishte, duke marrë parasysh se tryezat televizive nuk shtrohen me qëllimin për të shkërbyer simpoziumet formale – e gjithë biseda u kthye në një përballje mes një studiuesi të akademizmit zyrtar dhe një albanologu të llojit alternativ, ose turbo-albanologu (sic).

Shqetësimi i shkruesit, sidoqoftë, nuk lidhej aq me skajin fundor të atij emisioni, i cili u nis dhe u gjesdis për t’u bitisur mandej në një limonti bisedore – me njërën palë, atë akademike që pezmatohej dhe akuzohej gjithnjë e më shumë, e tjetrën, atë alternative dhe zhbiriluese të komploteve të ngritura prej instancave zyrtare, që nevrikosej dhe akuzonte gjithnjë e më shumë. Në të vërtetë, thelbi i shkrimit kishte të bënte me vetë nismën e shfaqjeve televizive të këtij lloji, të të tillë debateve prej shurdhësh, që udhëhiqen nga synimi për të vendosur njëfarëlloj par conditio të ftohtë, kinse arbitrimi rigoroz, mes një dijeje ex cathedra dhe një tjetre, e cila sot e gjen burimin në një ansambël prejardhjesh, nga sofra folklorike, tek flora mediatike dhe tek fauna “rrjetsocialse”.

Sepse, shton Vehbiu “televizioni” nuk është platformë e përshtatshme për të mbrojtur albanologjinë dhe “Akademinë” nga akuzat e kundërshtarëve; është praktikisht e pamundur t’i përgjigjesh, për pesë minuta dhe live, një pyetjeje të tipit: “më thuaj pse Kolec Topalli i ka nxjerrë 93% të fjalëve shqipe si të huazuara” ose “pse ia ka ndaluar Akademia veprën Petro Zhejit?” Kjo është njëlloj si të kërkosh një fizikani të shpjegojë, gjithnjë për pesë minuta, se pse Hëna nuk bie në oqean; ose një kimisti të shpjegojë se pse kombinimi i dy gazrave, si hidrogjeni dhe oksigjeni, përfton një lëng si uji.”

Ndonëse, kritika e Vehbiut mund të çohet më tej, duke mbajtur mirë parasysh atë që ngutet të jetë përparësia e menjëhershme që kanë televizionet; përparësi e cila jo vetëm lë në hije papërshtatshmërinë e dukshme të paneleve për të ofruar forume të denja për querelles serioze, por kthehet në një kamerdare shpëtimi në një kohë kur mediat televizive e kanë humbur monopolin e vëmendjes popullore.

Televizionet i vënë një rëndësi të barasvlefshme me minus quam merdam të qenit apo jo të përshtatshëm. Pse të mos e themi? Ata mjaftohen duke shquar një lloj interesi të përgjithshëm – duam ta quajmë joshje kolektive? – kundrejt tematikash të caktuara (e që konkretisht kanë të bëjnë me një epsh të mirëfilltë identitar/kombëtarist, një pasion të vërtetë për të pikasur rrënjë heroike aty ku e tashmja ngjan pezmatuese). Dhe është e tyrja, e televizioneve, praktika e të tërhequrit të publikut nëpërmjet atyre çka ky i konsideron narrativa të pëlqyeshme. E për të qenë e pëlqyeshme, një narrativë e kësisojshme duhet të paraqitet medoemos si e përtypshme: divulgimi i saj duhet të japë sigurinë e ndjekshmërisë dhe të popullaritetit që në beze. Përndryshe, një mesazh i cili nuk është i tretshëm për një publik të gjerë, vëmendja e të cilit përcakton mbijetesën për një media, nuk i duhet as dreqit.

Mirëpo, dreqi ta hajë vërtet! jo gjithmonë divulgimi është i njëjtë me thjeshtëzimin; jo gjithmonë thjeshtëzimi i shpëton tundimit për të qenë diletantizëm – pavarësisht se diletantizmi mund të rezultojë, pse jo, atraktiv; pasi jep iluzionin e të qenit i rrokshëm, jep besimin e të qenit i lexueshëm dhe i kuptueshëm përtej masës kritike të insiders-ve. Çka e bën atë të pëlqyeshëm, të përqafueshëm dhe të brohoritshëm. Mbi të gjitha e bën atë të ndjekshëm dhe të klikueshëm. Deri edhe të like-shëm.

Kësisoj, dërguesi i mesazhit merr trajtën e mesazhit që dërgon e jo e anasjellta. Është mesazhi, ai që përcaktohet si i parapëlqyer për publikun nga mediat e sotme, i cili përzgjedh se cili do të jetë dërguesi i vet, për aq kohë sa ai mesazh ka vetëm një qëllim fundor: të lexohet dhe të jetë i divulgueshëm – thënë ndryshe, në zhargonin e sotëm mediatik, të jetë atraktiv – për një marrës, pra për një publik që lypet të jetë sa më i gjerë; i cili natyrshëm duhet të jetë më i bëshëm se rrethi tejet i ngushtë i atyre që mund të quhen të kalitur apo të sprovuar përreth një teme të caktuar. Që do të thotë se edhe mesazhi përfundon duke iu trajtësuar marrësit. Sepse është marrësi, fundja, që përzgjedh mesazhin që dëshiron të marrë, duke ndjekur detyrimisht atë që i përshtatet më tepër, që i ngjan më tepër. Media pastaj është përçuesi, domethënë hub-i i cili përcjell këtë pedagogjizëm të erës sonë, duke mos u kufizuar vetëm në trajtësimin e dërguesit sipas fytyrës së marrësit, por edhe anasjelltas (fig. 1).

Fig. 1 – Përçimi i mesazhit përmes hub-it mediatik

Nëse marrësi dëshiron të dëgjojë dikë që flet me gjuhën e tij dhe të dëshirave të tij, hub-i i ofron një mesazh nga një dërgues si dy pika uji me atë, me vetë marrësin; aq të singjashëm, sa pas përçimit të parë të mesazhit në destinacion, do të jetë dërguesi tashmë që do të kërkojë dhe do të përcaktojë, në një qarkullim së prapthi, trajtën e marrësit, duke gjeneruar gjithmonë e më shumë publik të ngjashëm me veten; i cili publik, pastaj do të kërkojë një dërgues tjetër, që t’i ngjajë edhe më shumë, përsosmëria e të cilit në këtë via-vai mesazhesh do të varet nga aftësia e një hub-i të caktuar mediatik për t’ia dhuruar.

(Se sa ndikon media vetë në shtimin dhe shtrimin e këtij trafiku, në drejtimet që merr ai dhe në disiplinimin e drejtuesve, është lëndë studimore për një mistikë të mijëvjeçarit të ri.)

Në fund, fiton kush thith më tepër të singjashëm me veten në një sezon televiziv, ngado që ta marrësh metrin matës të përpikërisë, nga ana e dërguesit apo nga ajo e marrësit. Dhe duke qenë se një veprimtari e tillë, e cila rreket të përvijohet ad infinitum, bart me vete edhe tiparet më të dallueshme të kohës sonë, është e pamundur që ajo të mos ndjekë vazhdën e një dukurie të përkufizueshme si anti-intelektualizëm.

Që pa rrëshqitur në një frazeologji përgjithshme, e ka origjinën tek një qasje fort kritike ndaj botës së dijes – e që merr me vete atë të shkencës zyrtare, të akademizmit dhe të njohurisë së lidhur, siç pretendohet, me pushtetin – duke e parë atë herë si një rrafsh që i qëndron larg realitetit dhe jetës së përditshme (apo asaj të njerëzve të zakonshëm), e herë si një koshere ku thuren planet për të sunduar masën. Dhe sigurisht kjo nënkupton edhe përbuzjen ndaj këtij areali intelektualësh, çka merr vlerën e një populizmi të mirëfilltë i cili kthehet nga ndjesi në program, nga njollosje e thjeshtë në politikë të përbërë.

Këtu zë fill dhe një bindje e cytur nëpër mediat e sotme, si në rastin e emisionit të shënuar nga Vehbiu, se zëra të caktuar, apo versionet e caktuara që këta zëra ofrojnë në lidhje me gjuhësinë, historinë apo kozmologjinë, janë lënë në heshtje të qëllimtë, u është mbyllur goja për dekada e shekuj dhe bashkë me ta është lënë në hije e vërteta. Zëra të cilët jo vetëm i bëjnë thirrje vëmendjes së publikut të gjerë, duke e bërë aq të aksesueshme dijen që ato përçojnë sa kjo e fundit bëhet dëfrim, ku hyjnë e dalin e qarkullojnë pa fund informacione, parainformacione dhe pasinformacione – por mbi të gjitha zëra të cilët vetëlegjitimohen kryesisht nëpërmjet dy formash përligjjeje: e para, se ata nuk e kanë prejardhjen tek ato instanca intelektuale, siç mund të jetë “Akademia” e paaksesueshme, porse veprojnë dhe kontribuojnë jashtë tyre, duke i dhënë kësisoj mundësinë e dijes edhe “njerëzve të zakonshëm”; dhe e dyta, më e rëndësishmja, se komunikimi i këtyre zërave me publikun e gjerë është i drejtpërdrejtë, është “popullor”, hyn dhe del nga shtëpitë e njerëzisë pa qenë nevoja të kalojë nga katalogët, bibliografitë dhe arsimimi zyrtar, por përçohet nëpërmjet një app-i, një videomesazhi, një statusi, apo një emisioni televiziv ku i jepet kohë e barabartë dhe baraspeshë e drejtë – njëfarëlloj demokracie popullore apo gjyqi popullor – si palës intelektuale të “Akademisë” ashtu edhe asaj anti-intelektuale të shelbuesve të të vërtetave të heshtura deri më sot.

E tekefundit, mbase leverdis të biem në paqe me frymën bashkëkohore, të rrokur nga mediat e sotme deri në pikën sa nuk lëshohet më prej thonjsh, se studimet janë për stadiume: ku t’iu lejohet të performojnë, të zbavitin dhe të brohoriten. E në fund të gjykohen veç nga turma që zbret në fushë e i pushton në momentin kur ngrihet kupa e kujt fiton sezonin.

© 2022 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Bob Fisher on Unsplash

Rreth Autorit

Edon Qesari është kërkues shkencor pranë Institutit të Historisë. Pëlqen kuartetet e vona të Beethoven-it, detin Jon në dimër dhe rrëfimet e komisarit Maigret.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin