MIDIS MJEKUT DHE DOKTORIT

Nyjëtime liminale të aksit të mjekësisë dhe të politikes në Shqipëri. (Rasti i pandemisë së covid-19)

nga Eris Agolli

Në marsin e 2020-ës, pas një periudhe disa mujore të njohjes me epideminë në vendet aziatike, shpallet në Shqipëri një ngjarje, ose më saktë dy ngjarje. Njëra ishte shpallja zyrtare e pranisë së virusit covid-19 në territorin shqiptar, dhe ngjarja tjetër shpallja e pandemisë, që rrjedhimisht edhe pse me simptomën e hyrjes së vonë të gjërave në realitetin tonë, përfshinte dhe Shqipërinë. Sa herë që ka një ndodhi, të menduarit i drejtohet kujtesës kolektive për ngjarje të ngjashme, mënyrë kjo analogjike e të menduarit në situatat e krizës. Qasja hegeliane se e vetmja gjë që mund të mësojmë nga historia është se ne nuk mësojmë asgjë, paradoksalisht dhe e sfumuar zinte vend në Shqipëri, ku një pjesë e popullsisë nuk mund t’i raportohej asnjë kujtese kolektive në lidhje me fushën e mjekësisë, ose të shëndetit publik. Ngjarja ndodhi në një shoqëri që akoma nuk është zgjuar (nuk ka sytë hapur, nuk ka filluar të ngallojë) e nuk është e zgjuar (të qenit i zgjuar, i mençur, mendjemprehtë). Sigurisht, një lexim i tillë deklarativ i merr parasysh cenet e radhëve të çdo pushteti të kaluar në këtë vend, thyerjet epistemike të ndodhura ndër vite, jo vetëm të ngjarjeve kufi si para komunizmit, apo pas tij, po ashtu dhe të dimensionit politik, i të qenit drejtuar nga po e njëjta racë (fjalë kjo që mbart linjë e një grupi njerëzish që i shpëtojnë veçorive të kombit dhe të shoqërores), që qeveris të njëjtin popull, me të njëjtat lajme, që shpesh jeta është parë vetëm në përforcimin e kushteve biologjike individuale të secilit, në një riterritorializim biologjik të hapësirës, pa u paraqitur asnjëherë si çështje të kolektives.

Kjo tablo e tensionuar hyrëse shenjon shpalljen e pandemisë, dhe përdorimin instrumental të epidemisë në vend, jo si prodhuese e problemeve të reja, por si nxjerrje në pah të problemeve të vjetra. Ne jemi dhe kemi qenë një vend ku çdo lexim imponohej të perceptohej si një dyfishësi, pasi dhe në këtë rast duhet thënë se pas rënies së komunizmit nuk u krijuan probleme të reja, por mbeten për t’u zgjidhur problemet e vjetra, e në pandemi ndodhi e njëjta gjë. Shtuar këtu tonin pesimist, për një gjykim nga rendi i një kolektiveje të përçarë, që gjykimet i prodhon si rezultat i një kujtese të çartur, e cila nuk kushtetohet në asnjë moment nga arsyeja, duke përfunduar në fraza si: në kohën e xhaxhit nuk kishte kështu sëmundjesh, i zhduku të tëra ai. Kjo nuk do të prodhojë veçse një thyerje epistemologjike, por do të kërkojë të njohim rendin eventual dhe jo kronologjik të çasteve të nyjëtimeve liminale të mjekësisë dhe shëndetit në këtë vend. Domosdoshmërisht duke kalëruar po këtë kujtesë të dobët, ama me një lexim konceptual, i rëndësishëm për të tentuar së paku një lexim liminal të gjësë. Ky mendim kërkon që të prek aspektin liminal, që nga latinishtja limen, që do të thotë prag. Në interesin e këtij shkrimi të shkurtër arrihet kuptimi i ngritur dy herë në gradë i fjalës liminale, së pari e lexuar si një lidhje për kalimin e një pragu apo inicimin e një procesi fillestar, të kaluarit nga një ngjarje te tjetra, dhe së dyti, si zënie e një pozicioni në dy anët e pragut.

Në këtë qasje, mbetet në po të njëjtat linja perceptimi thelbësisht i pamundur për të reduktuar çështjen nga zona madhore e mjekësisë në atë të epidemiologjisë. Gjithashtu, mungesa e njohjes së një materiali substratum të zhvillimeve sociologjike, pamundëson drejtimin morfologjik të jetës të zhytur në pandemi. Nëse do të realizohej një konceptim i morfologjisë sociale të rishpërndarjes së popullsisë dhe të pjesëve materiale të shoqërisë, atëherë do të arrinim një shpjegim social të reagimeve tona kolektive në histori, dhe ndaj ngjarjeve të së shkuarës, të së tashmes, e sidomos ndaj shpalljes së pandemisë. Leximi i realitetit nga një komunitet kolektiv i postkomunizmit që regjistrin gjuhësor për tjetrin e kishte ose pjesë të përçarjes së shënjuesve, ose nën formën e anekdotës ridikulizuese dhe termave pezhorativë, si katundar dhe malok, si prodhim i një ngërdheshjeje që shijon situatën karikaturale të përjetuar, dhe i shkrehur në të, harron të prodhojë një rend të ligjërimit të politikes, të qeverisjes, ku në interes të shkrimit tonë do të ishte një e folur për qeverishshmërinë në epidemi, kurse në interes të së shkuarës do të ishte një e folur jo në zë por në fjalë për mbetjet e komunizmit dhe themelimet e gabuara të ashtuquajturës demokraci. Prezantimi i këtushëm është sa argumentativ dhe konceptual, aq edhe një britmë për të gjithë thyerjet epistemologjike, dhe mungesës së njohjes së zonave liminale sa të fushës së mjekësisë aq dhe të aksit politik.

Me shpalljen e pandemisë dhe të jetuarit në epidemi, ku pandemia i përket një nocioni global i cili nuk raportohet asnjëherë me Shqipërinë, për me tepër që i qëndron një përkatësie konceptuale që është nën shërbim të qeverisshmërisë dhe situatës menaxheriale apolitike. Ndërsa nocioni epidemi është lidhja e ngushtë kuptimore brenda territorit tonë për njohjen e virusit, lidhjes me mjekësinë në Shqipëri, dhe trajtimit të çështjes së shëndetit si kolektive dhe publike. Të qenit i sëmurë në këtë kohë kërkonte së paku të kultivohej ndërgjegjja për sëmundjen si hapi i parë drejt arritjes së të vërtetës, e kjo ndërgjegje bëhet e rëndësishme kur flasim për një dimension epidemik të sëmundjes. E vështruara në këtë rast është një vështrim ndaj homogjenes dhe mënyrës së përhapjes së sëmundjes.

Epidemia është partikulare në vetvete por jo në shpërhapjen e saj. Rasti i epidemisë shfaq një shkallë të lartë të kompleksitetit, për shkak se edhe rregullsitë e simptomave nuk lejojnë njohjen e dijes si rend i natyrshëm. Me anë të metodës analitike nuk do të bëhet më e mundur analiza e epidemisë pasi kjo e fundit nuk përfshihet te format e përgjithshme të sëmundjeve. Rastet epidemikë, në dallim nga sëmundjet e tjera, nuk arrijnë të zbulojnë një dije të vërtetë ngaqë natyra e tyre është gjithnjë në variacion. Bashkë me epideminë fillon një “sëmundje tjetër” ajo e kontrollit dhe mbikqyrjes. Në një lexim foucault-dian epidemia krijon nevojën e ndërhyrjes me anë të politikave të qeverisshmërisë ku fillon mbikqyrja e trupave të sëmurë, kontrolli i tyre, madje shumë shpejt artikulohen masa ndaluese për trupat dhe sjelljet e tyre.

Të gjendur pjesë e kësaj ngjarjeje në të qenit mjekë ndihej shpunësimi me mendu, dhe një besim i venitur mbetej kujtesa, e cila ishte e boshatisur jo vetëm nga ngjarje të ngjashme që mund të kishin ndodhur, por nuk kishte asnjë imazh të prodhuar nga mjekët aktualë epidemiologë, që epidemiologjinë e kishin shndërruar vitet e fundit thjesht në imazh lëndor të nostalgjisë të viteve studentore. “Asnjë kujtesë nuk është e mundur jashtë kornizave të përdorur nga njerëz që kanë jetuar në shoqëri, për të përcaktuar dhe për të thirrur kujtimet e tyre.”[1] Kështu kujtimet ndaj mjekësisë dhe sëmundjeve do të vijnë të rrëfyera në gjuhë. Kjo e fundit shfaqet në kohë të ndryshme me regjistër dhe koncepte të ndryshme. Mendja i rindërton kujtimet nën presonin e shoqërisë. Mjekët e vjetër shqiptarë përveç orientimeve dhe udhëzimeve të gatshme që vinin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë shtrëngoheshin të mendonin fazën e dytë të epidemisë, mënyrën e organizimit për shpërndarjen e vaksinave, qoftë si një përjetim i vaksinimeve të para në komunizëm, qoftë si shpluhurosje të dijeve të vjetra, për azhornimet e reja të vaksinimit sot në kohën e covid-19.

Për të shtjelluar më tepër këtë dinamikë do të na duhet të artikulojmë disa çaste liminale të rëndësishme të së shkuarës dhe të së tashmes. Kujtojmë që nën diktatin e PPSH-së vaksinimi nuk mund të trajtohej nën mbiemërorin i detyrueshëm, sepse jeta në atë regjim, nuk ia lejonte askujt të diskutonte në termat e të qenit i detyrueshëm apo jo. Madje dhe sot në një prerje të hollë të imazhit të kujtimit të çasteve të vaksinimeve, çdo kujtim është zhdukur, duke u prodhuar veçse fraza si: ne kinezi na i ka dhënë gjithnjë vaksinat, apo të bëjmë vaksinat kineze se ata i dinë mirë këto punë. Nga këto përthyerje të historisë të së shkuarës shkohet drejt së tashmes duke u vendosur në një premisë ku pandemia covid-19 në Shqipëri shkaktoi dy privilegje për sa u përket vaksinave dhe vaksinimit.

Së pari ishte privilegji epistemik, i cili kishte të bënte me lidhjet e tërthorta që krijonte cilido me mjekët dhe specialistët për t’u këshilluar apo për të siguruar procesin e vaksinimit. Kjo tregoi një aspekt korruptiv minor që zhvillohej pikërisht tek privilegji që disa persona kishin në sigurimin e informacionit të vërtetë. Komponentët e këtij privilegji epistemik buronin nga lidhjet strukturore edhe në rendin spitalor. Prandaj, padrejtësitë epistemike ndodhin kur gjithçka zhvillohet në të tashmen dhe janë aktivisht në një sistem epistemik të padrejtë.[2]  Një privilegj tjetër në politikën e vaksinimit masiv, shfaqej brenda komunitetit të besimtarëve si një privilegj i religjionit. Këtu evidentohen rastet e besimtarëve të cilët gjatë grumbullime të tyre përfitonin një tolerancë në zbatimin e protokollit anticovid, me mos të mbajturit distancë, apo me të drejtën e pa shpallur për t’u mos u vaksinuar pasi në fenë e tyre, për disa është e ndaluar. Ky lloj privilegji si çdo privilegj tjetër në Shqipëri krijon ambiguitetin e të qenit brenda ose jashtë ligjit dhe përthyerjen në popull me frazat se: eh ca nga këta myslimanët nuk vaksinohen se janë me fe.

Në një qëmtim epistemologjik në historinë e shkencës kuptojmë që koncepti i vaksinës dhe procesi i vaksinimit, edhe pse pas kaq shumë vitesh nga shpikja e saj u mbajt çuditërisht i njëjti rend ligjërimi, që transmeton të njëjtin shqetësim. Canguilhem na kujton se emërtimi vaksinë në propozimet e para u pa si largim nga e keqja dhe si një ndaluese e përhapjes së sëmundjeve virale. Vaksina në provat e para, por edhe në vitet e hershme të përdorimit solli debatin e mundësisë së shkaktimit të problemeve në organizëm (të efekteve anësore), për më tepër të ndryshimit të kursit natyror të zhvillimit të kushteve njerëzore.[3] Gjithashtu, diskutimet e para për mungesën e efikasitetit të vaksinës të zhvilluara para dy shekujsh ngjajnë sot me diskutimet dhe opinionet e dobëta të organizuara në çdo qelizë të shoqërisë. Në konfrontimet e para për konceptimin dhe përdorimin e vaksinës Dr. Rowley shprehej se sigurisht vaksina shkakton probleme tek disa individë, por në raport me sa na mbron dhe sa nuk lejon përhapjen e virusit është e pakrahasueshme.[4]

Debatet e viteve 1805-1807 për vaksinën duket sikur kanë mbetur edhe sot kur sheh që është e pranishme një linjë konspirative, apo një mosbesim se të vaksinuarit kanë sigurinë e mosinfektimit. Por duhet thënë që gjithnjë ka qenë më i sinqertë raporti mjekë dhe pacient, ku paraqiteshin të evidentuara, apo të dokumentuara aksidentet e vaksinës, siç quheshin në ato vite. Pavarësisht rigorozitetit të kohës ndryshe nga gjendja sot, vaksina asnjëherë nuk u vendos në qëllimin e përdorimit si exceptio probat regulam, që do të thotë nuk u justifikua asnjëherë si diçka që bie në kundërshtim me një rregull apo nëse ekziston një përjashtim që mund të zbatohet në një rast specifik, pikërisht ky parim na dëshmon se ekzistonte rregulla e përgjithshme. Ndërsa sot në kushtet ku gjendja e jashtëzakonshme u bë rregulli i qeverisshmërisë, jo vetëm që u shkelën ligjet, por madje u cenuan edhe të drejta e njeriut që ishin marrë gjithnjë si të mirëqena.

Gjuha verbale e subjekteve të zhveshur nga çdo raport identitar kushteton, fabrikon konvencionet më elementare dhe thërret kujtesën e kolektives për rastet e sëmundjeve në histori. Të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe ata që e kanë të rrëfyer kujtojnë imazhe jo të sëmundjes, por të spitalit. Rasti i pandemisë për secilin riparaqet në kujtesë imazhe të vjetra të spitaleve të tejmbushura, të batanijeve në krah e kështu më radhë. Kujtim ky që është dyfish polemik se nga njëra anë manifeston një psikozë që hera herës është e simuluar dhe jo tërësisht e vërtetë, sepse kemi jetuar gjithnjë në një vend ku e vërteta nuk është vetëm dhe vetëm e vërtetë, dhe ku gënjeshtra nuk është vetëm dhe vetëm gënjeshtër.

Nga ana tjetër këto imazhe të kujtesës mbeten të pakohë duke krijuar dyshimin se i kemi të parë dje, apo po i shohim në situatën e krizës së sotme pak rëndësi ka. Ato janë imazhe që këpusin mundësinë e njohjes të së vërtetës, duke na prodhuar një të keqe e cila, në një lexim badiousian, prodhohet pikërisht nga mungesa e të vërtetës. Në këtë ndërshkëmbim të shpejtë të mendimeve të sipër-përmendura duhet tentuar nga të gjithë arritja e një topologjie të re një lidhje mes pjesëve të kujtimeve të së shkuarës të ndërlidhura dhe të renditura me zbulimin e disa prej këputjeve epistemologjike ndaj mjekësisë dhe ndaj politikes. Nuk duhet të harrojmë siç shprehej Idlir Azizi në romanin e tij, se fytyra i raporton një sëmundjeje, e ka fjalën për paranojën në rastin e një fshatari që vuan nga një sëmundje paranoide. Për më tepër ky autor na sjell si shëmbëlltyrë të gjithë atmosferën e prodhuar nga një kujtesë e çartur që po përpiqesha ta artikuloja që nga fillimi i këtij shkrimi. Na kujton fraza si me shëndetin dhe me jetën nuk bëhet shaka, fraza si ah sëmundje të keqe, kancerin të gjithë e dinin, fraza si puna e ilaçe të skaduara, janë të skaduara gjithmonë të skaduara. Totaliteti i tyre fillon manifestohej sërish në Shqipëri, vetëm me një ndryshim, që tashmë i referohemi një emërtimi që nuk është i kancerit, apo i kardiologjisë, po i një virusi të quajtur covid-19. Në romanin e Idlir Azizit gjendet dhe një tonalitet personifikues emotiv i situatës të së shkuarës spitalore, të thërritur nga kujtesa jonë sapo çdo qëllimësi u bë një vend shtrimi në spital. E përcjellë si më poshtë:

…kot tashti, të hash thikën kot, pale pastaj, fillon java me doktorë, a fillohet java me doktorë njëherë pash zotin, kot tani, shpikje femrash, vari trapin, spitalet janë dhe skandal, pis, ai pisllëku, ato fytyrat e mjera nëpër korridore, fshatarë me bukë me sallam, vezë e zier, era pordhë, po ka s’e bënë mirë, e ja s’ta bënë mirë, si i bëhet pastaj, apo i ke qejf preokupimet ti, ikën gjithë dita kot fare…

…presin në korridor gjithë ditën, po normal, ku do rrinë, humanizmi me kile aty, këto pra ankesat e tyre për hallet e tyre, me kuintalë aty, humanizmi katundar, jo po të marr vesh me cilën parti janë, pastaj në fund del një mut janë të gjithë, po dhe ti njëlloj je me ta se, normale që po, kur ndjek këtë traditën kot… [5]

Për më tepër duhet sqaruar etimologjikisht dhe konceptualisht zona liminale që ekziston mes konceptimit të mjekut dhe doktorit, si një raportim i fjalës mjek mes të shkuarës së komunizmit dhe përdorimit në prag të fillimit të demokracisë, e një raportim të emërtimit doktor si evoulim i mëvonshëm në Shqipëri. Duhet të kuptojmë që koncepti doktor është rezultat i një evoluimi tepër shkencist të mjekësisë moderne, duke e shfaqur figurën e shënjuesit doktor si njeriu që vetëm vëzhgon, diagnostifikon nga shifrat e analizave, dhe shkruan recetën e ilaçeve, pa hyrë në asnjë raport empatie me pacientin, apo më e rëndësishmja pa krijuar një lidhje në gjuhë. Ndërsa mjeku është shenja gjuhësore që manifeston personin i cili kur ti i rrëfen sëmundjen dhe dhimbjen, përpiqet të ndjejë sikur ta kishte vetë atë përjetim. Pra mjeku kupton, ndërsa doktori diagnostifikon. Mjeku përpiqet të ndjejë trupin e sëmurë, kurse doktori përpiqet të shoh vetëm simptomat të cilat nuk janë vetë sëmundja. Pikëpamjet e ardhura nga trupi i sëmurë apo sesi një i sëmurë e mendon sëmundjen duhet të shërbejnë si bazë për doktorin. Ky i fundit ndonjëherë ka vetëm informacionet klinike dhe përdorë teknikat laboratorike, të cilat e lejojnë atë “të vështrojë” pacientë, edhe në njerëz që nuk ndihen të tillë.[6] Doktori teksa sheh vështrimin e kthen në sundues.

Nën intensitetin e vrullin e pacientëve gjatë epidemisë, pozitat e konceptit doktor u përvetësuan aq shumë saqë në të shumtën e rasteve, doktorit nuk i nevojitej as prania fizike e pacientit. E mundësuar nga zhvillim i teknologjisë tashmë raportimet e shifrave të analizave doktori i deshifronte nga fotot e dërguara përmes aplikacioneve të celularit, e më pas dërgohej një recetë që në të shumtën e rasteve ishte në formën e një formati universal, a thua se kishte siguri absolute për përjetimin e njëjtë të virusit në trupa të ndryshëm dhe të mbartjes së peshës së sëmundjes në mënyrë po të njëjtë nga të gjitha individualitetet e njerëzores.

Së fundi, duhen shpallur disa linja mendimi për konceptimin e pasojave kryesore të kësaj pandemie, siç është shfaqja e sëmundjeve të ndryshme, si post efekt i kalimit të virusit. Në konceptimin shkencor prodhohet një thyerje epistemologjike, ku sëmundja qëndron e trajtuar vetëm si problem klasifikues nga nosologjia. Pra, jemi në situatën në të cilën shkenca e mjekësisë që duhet të thotë të vërtetën për trupin tonë është vendosur natyrshëm në pozita emërtuese. Parimi i nosologjisë është i veshur me një autoritet universal që përqafon rendin politik. Problemet në përcaktimin se ç’është sëmundja, trupi i sëmurë, apo ç’është normalja dhe patologjikja, në dukje shfaqen si përcaktime të ardhura nga të vërtetat shkencore, por në thelb janë esencialisht të lidhura me një të vërtetë sociale, politike apo shoqërore.

Mjekësia ka fabrikuar disa korniza që nuk të mundësojnë të bësh asgjë më shumë sesa do lejojnë t’i vendosim emër sëmundjes.[7] Sapo vendoset një emër, emërtohet sëmundja, deduktohen shkaqet, përcaktohet prognoza (ku vetë fjalë prognozë do të thotë parashikim për një dukuri), dhe i indikacionet që ka. Të gjitha të dhënat e trupit të sëmurë të ardhura nga perceptimi i përkasin një emërtimi specifik të fushës së nosologjisë. E vërteta është thyer se ajo është vendosur vetëm nga emërtimi i sëmundjes. Kështu në spitale dhe klinika nuk kemi më forcën e ekzaminimit të sëmundjes dhe trupit të sëmurë, por mundësinë e deshifrimit të emrit të tyre. Si përfundim, kemi mbetur në pandeminë e Shqipërisë peng i një të folure didaktike që rrezikon gjykimin ndaj së vërtetës dhe ndaj së ardhmes.

© 2022 Eris Agolli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Titulli është i redaksisë.


[1] Maurice Halbwachs, On collective Memory, The University of Chigago Press, Chicago, 1992, f. 43.

[2] Havi Carel, Phenomenology of Illness, Oxford University Press, United Kingdom, 2016, f. 193.

[3] Shih: Georges Canguilhem, Ideology and rationality in the history of life sciences, Cambrige, 1988, f. 50.

[4] Shih: London School of Hygiene and Tropical Medicine, La vaccine combattue dans le pays où elle a pris naissance, ou traduction de trois ouvrages anglais, Chez Giguet et Michaud, Paris, 1807, ff 50-64.

[5] Idlir Azizi, Katër ose një film i fundit mbi komunizmin tonë, Zenit Editions, Tiranë, 2008, f. 8.

[6] Georges Canguilhem, The normal and the pathological, Zone Books, New York, 1991, f. 93.

[7] Michel Foucault, The birth of the clinic, Routledge, 1973, f. 60.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin