GJUHA, KODI DHE PËRDORUESIT

(fejton le të themi)

nga Albert Riska

Dikur, në moshë fare të re, kam asistuar në një bisedë ku diskutohej për një çështje gjyqësore. Midis të tjerash dëgjova se zgjidhja më e arsyeshme e asaj çështjeje, sipas njërit prej diskutantëve, do të ishte që, thjesht për arsye politike, gëzimi duhet të ndahej nga lumturia.

M’u duk e tmerrshme! Si mund të ndahet gëzimi nga lumturia apo lumturia nga gëzimi!? Çfarë politike është kjo!?

Pak kohë më pas m’u bë e qartë. Mund të ndodhë, në qoftë se Gëzimi e Lumturia i shkruajmë me shkronjë të madhe…, ata mund të bëjnë divorc.

Në një kohë të dytë kjo punë më është bërë si një lojë dhe unë jam përpjekur të kuptoj ndonjë gjë. Jam i sigurt se loja ka nisur duke lexuar një kryemjeshtër të letrave tona. Më kujtohet se sa energji gjuhësore kish ndier ai i vogël kur kishte guxuar të zbërthente togun atomik “më zien koka”. “Mendoni një kokë që zien si vorbë me fasule!” Aq më tepër po të jetë fjala për një kokë të madhe apo për një kokë politikani.

E në fakt të gjithë duhet të kenë pasur ndonjë përvojë të tillë në fëmijëri.

Ne e dimë se gjuha nuk është shkencë…, nuk është aritmetikë… Ka një shkencë mbi gjuhën, por vetë gjuha nuk është e tillë. Gjuha është një sistem i koduar në një mënyrë të çuditshme. Është e mrekullueshme të mendosh se ajo mund të dekodohet në mënyra të ndryshme, sipas situatës, sipas kohës, sipas përdoruesit etj. Kjo do të thotë se edhe kodimi është bërë në mënyra të ndryshme, në situata të ndryshme, në kohë të ndryshme, nga grupe të ndryshme etj.

Por gjuha është shumë tolerante, megjithëse ka edhe logjikë të rreptë…

E në qoftë se në këtë mes do të flasim edhe për çelësa, kuptohet se do të duheshin shumë të tillë, dhe të gjithë të ndryshëm… Nuk është i pavend etiketimi “gjuhë burrash”, se tjetër çelës përdorin burrat e tjetër çelës përdorin gratë, gjithashtu, tjetër portë mund të çelin të rinjtë e tjetër portë mund të çelin të vjetrit…

Sado jonormale që të duket, këtu mund të flasim edhe për çelësa kopilë, dhe nuk është aspak për t’u çuditur, përderisa, tani për tani, në shqipe godet më fort “gjuha e politikës” dhe ajo “e mediave”.

Dhe gjuha e politikës dhe ajo e mediave kanë vlerat e një përralle, çka do të thotë se të bëjnë që ta shohësh botën me veshë.

Nuk është fare për të bërë alarm. Gjuha përshtatet, është e gjerë, di të falë,  të lejojë… Lë vend edhe për ndërhyrjet tona, për hilet tona…, dhe këtu qëndron më e bukura…

Gjithsesi, gjuha është si mjalti, mund të pranojë gjithçka, por me kohë di të vetëpastrohet.

Ne të gjithë kemi “pranuar” që dy fjalë të burimit latin që tregojnë ngjyra, ngjyrën e verdhë me ngjyrën e gjelbër, t’i këmbejmë njëra me tjetrën. E ç’rëndësi ka! Këtu thjesht mund të flitet për “gabim” kolektiv.

Megjithëse fare pa rëndësi nuk është kjo, se krijon model dhe, në këtë mënyrë, edhe të bardhën mund ta bëjmë të zezë e, sidomos, anasjelltas, të zezën mund të na e bëjmë të bardhë. Do të bëjmë apo nuk do të bëjmë politikë!?

Megjithatë mund të kërkojmë edhe ndonjë ngushëllim. Ka me dhjetëra raste kur ne mund të kuptojmë se gjuha na fal, na lejon, na pranon të bëjmë edhe ndonjë… (me …llëk). Mban ajo, është e gjerë…

Kështu, gjuha jonë na lejon të themi zbres poshtë apo ngjitem lart, hyj brenda apo dal jashtë.

Dal jashtë, këtu nuk gjen pikë logjike! Përderisa nuk ka ndonjë “dal brenda”, ç’kuptim ka të thuash dal jashtë! Kush del, detyrimisht shkon jashtë, por…, po ta mendosh më mirë, edhe kjo e ka një kuptim… Kur shkon te mjeku, ai mund të të pyesë “Si del jashtë?” e ti nuk do të mund të përgjigjesh dot “me letra” apo “si klandestin”.

Megjithëse, me këtë situatë ekonomiko-shoqërore që po jetojmë, nuk duhet të lindin apo të krijohen konfondime të tilla, sepse në çdo rast togu dal jashtë ka vetëm një kuptim, “shkoj jashtë shtetit”; vetëm se, për popullin, ka kuptimin e ngushtë “emigroj”, kështu që, në të ardhmen, dalje jashtë do të mbetet vetëm me një kuptim, pra, vetëm “emigrim”.

Vërtet dalin jashtë shqiptarët, por, duhet të bëhet e qartë për të gjithë, jo se kanë probleme në vendin e tyre, jo! Shqipëria është vend i bekuar. Shqiptarët dalin jashtë për të ndihmuar popujt e tjerë, se, për shembull, gjermanët sëmuren shpesh dhe kanë nevojë për mjekë e infermierë; anglezët kanë nevojë për kopshtarë; italianët për…, gjithandej gjen shqiptarë.

Dhe ne jemi të aftë t’i bëjmë të tëra, edhe shtëpinë e barit, edhe bariun e stanit akademik…

Po le të kthehemi te gjuha. Ajo është lojë, lojë, dhe nuk duket të ketë ndonjë problem.

Nuk pati ndonjë problem që në kohë të pandemisë ne kemi folur vetëm për “distancim social”, dhe jo “luftë klasash”. Vetëm në Shqipëri mund të bashkohen intelektualët në një projekt shkencor me titull “Parandalimi dhe kontrolli i mirëqenies sociale të fëmijëve”.

Dhe nuk ka vërtet asnjë problem, përderisa kjo gjuha jonë na lejon të themi edhe “vetëm tridhjetë veta”. Po a mund të jenë vetëm tridhjetë veta!?

Më ka mbetur në mendje kryesinqeriteti i një politikani: “Ky fshat do të përbënte një atraksion shumë tërheqës, vetëm se i vetmi problem mbetet vetëm mungesa e ujit, e dritave dhe e rrugës”.

Sa e bukur! Në gjuhën e politikës të gjitha mangësitë janë të dënuara të mbeten vetëm, por jo vetëm mangësitë, …çuditërisht edhe sukseset. A nuk thuhet në çdo rast “vetëm suksese”.

Vetëm suksese…, dhe jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga pandemia ne gëzojmë vetëm suksese. Ja, shih vetëm faqen “shëndetësia” të ministrisë përkatëse, dhe aty vetëm rubrikën “ditari javor”, dhe do të bindesh. Ditari javor…, po ditari mujor, po ai vjetor…!!! Nejse.

Shoh që ky tekst u ngop vetëm me fjalën vetëm! Po, po, u ngop, por edhe opinioni publik duhet të ngopet.

Është e qartë që nuk ka lidhje me çka po flasim, por lipset të sqarojmë këtu se kjo fjala ngop nuk është “llafe turpi”, megjithëse vjen nga fjala gop, ndaj le të ngopemi të gjithë politikisht, …pa problem.

Po fajin më të madh e kanë ata që krijojnë modele. A nuk u gëzuan aq shumë të gjithë albanologët (aq sa kanë mbetur) kur dëgjuan lajmin e shumëpritur se “ishte zbuluar një libër i ri më i vjetër se Meshari i Gjon Buzukut”!?

Kryevepër. E pse të mos besojmë ne se në kohën tonë po luhet një politikë e re më e vjetër se politika  e Enverit!?

Një “atraksion mjaft tërheqës” duhet të jetë edhe “një risi e re” a “e reja më e fundit” dhe ajo që duhet thënë është se këto shprehje kanë për të bërë vend në gjuhën shqipe, sepse gazetarja që i thotë, përveç që i referohet “një të madhi’ të politikës, edhe vetë “përbën një tërheqje atraktive që josh me joshjen e saj dhe që përdor një shqipe të shkoqitur kokërr më kokërr”. Këtu, me trajta popullore të shumësit, do të mund të zbrisnim edhe ndonjë nivel më poshtë, por nuk na lejon “gjuha e modës”.

“Një risi e re” a “e reja më e fundit”, ajo që të fundit e bën menjëherë të parafundit, është se “kjo seancë do të ritransmetohet live ditën e diel”.

…dhe politikanët e gazetarët krijojnë model për t’u ndjekur. Ndryshe si do të shpjegohej që, sapo kapin mikrofonin për herë të parë me dorë, gazetarët tregojnë se dikush “bën me dije”. Katran me bojë! Gjuhë e modës! Po t’ua japësh nxënësve për ta analizuar në provimin e maturës, e reja më e fundit do të ishte kjo: ndërtimi “bëj me dije” i lë maturantët pa diplomë për tridhjetë vjet rresht, …deri sa ta zgjidhin mësuesit njëherë…!

Njeriu duhet të dijë “ta përditësojë” gjuhën, përndryshe do ta shastisnim një të vjetër po t’i thoshim… (dreq o punë, e para që më vjen në mendje është ajo “arsyeja e mosarsyes që i bëhet arsyes sime”), por nuk e kisha fjalën për atë. E kisha fjalën tek akronimet aml dhe amu në emërtimet zyrtare të niveleve të arsimit tonë parauniversitar. Këto akronime lexohen, respektivisht, arsim i mesëm i lartë dhe arsim i mesëm i ulët. Çudi, arsimi i mesëm qenka i ulët në një vend ku bëhet “master shkencor në mësuesi”, madje edhe “master shkencor për mësues i ciklit të ulët”. O zot!

Po kam edhe një nga ato të tjerat, një nga ato të tjerrat: “E dëgjuam me vëmendje dhe me një ndjenjë të fortë çudie e refuzimi përmbajtjen e komunikimit tuaj të djeshëm dhe shpresojmë që të jetë fryt i vlerësimit të elementeve objektive në mënyrë sipërfaqësore nga ana e kësaj opozite të paartikuluar…”

Dekodoje këtë, të lutem! Kësaj i thonë “Gjuha të jep gishtin, ti i merr dorën!”. Megjithëse, po të gjykosh me mendje të kthjellët, një folës a një shkrues i tillë nuk ka për t’ia marrë dorën kurrë…

Gjithsesi duhet të pranojmë se gjithçka mund të burojë prej natyrës së gjuhës, që njeh sektorë, që ka regjistra dhe sektorët e regjistrat nuk janë të ndarë si me thikë. E njëjta fjalë mund të përdoret në disa regjistra, por kështu ajo konsumohet shumë, si folja bëj, për shembull, që nuk lë vrimë pa u futur.

Kjo folja bëj vërtet është konsumuar shumë. S’ka sektor apo regjistër që ta përmbajë. Ne dëgjojmë shpesh të thuhet nëpër mikrofona bëj punë, edhe pse kemi punoj; nga ana tjetër, në gjuhën popullore dëgjojmë bëj durim edhe pse kemi duroj, dhe mund të numërojmë të tilla me thasë.

Ky është teprim. Kështu ne shpërdorojmë foljen dhe nuk lëmë rast që ajo të na vijë ashtu siç duhet, ndaj edhe gabojmë në ndonjë rast, si, për shembull, kur themi bëj pallë, megjithëse e dimë shumë mirë se ky tog nuk ka lidhje me foljen përgjegjëse (me –oj).

Por edhe politikisht nuk shkon, se në gjuhën e politikës fjala pallë ka vetëm kuptimin “shpatë” dhe bëj shpatë akoma nuk e ka thënë askush. Në politikë thuhet ndeshem ose, më e vjetra, përleshem, kuptohet që kjo vjen nga kohëra të largëta kur burrat mbanin flokë të gjatë.

E çuditshme, mënyrat e luftimit kanë ndryshuar shumë, por leshi ka mbetur në betejë… Kështu është gjuha, edhe kur flet për luftë politike zë me gojë leshin.

Po le të kthehemi te folja bëj. Aq e konsumuar kjo folja bëj, sa…

Ne nuk kemi qarqe aristokratike në Shqipëri, por politikanët që duan status, për ta ngritur stekën nëpërmjet gjuhës, përpiqen ta shmangin medoemos foljen bëj, …atë të konsumuarën! S’ka më “bëj fjalë”, “bëj llafe” e as “bëj llogje”, dhe shqipja jep mundësi në mjaft raste… (gjetje e bukur: më mirë foltore sesa llogjtore).

Megjithatë, kur flasin për hallet e popullit, politikanëve u shkon më mirë folja derdh “derdh lotët”; po ashtu, kur flasin për të mirën e popullit, përdorin “derdh djersët” …dhe bëhet, kështu, ujë dynjaja.

Dreq o punë, edhe fjalën ujë kishim mangut këtu! Mendo sikur të lidhim foljet bëj e derdh me emrin ujë. Normalisht do  të fitonim fjalë të regjistrave të ndryshëm, por, si me bëj, edhe me derdh; si i hollë, edhe i trashë, po e le ujët të bjerë mbi hallet e popullit e mbi punët e vendit…

Le ta mbyllim me gjuhën e politikës: ky popull edhe për ca kohë do të duhet të presë “fillimin e ndryshimeve të qëndrimeve të mëvonshme” dhe vendi, “vendi i vetëm më i mirë në botë”, do të begatojë…

Shihet, pra, shihet, lejon gjuha, fal gjuha, por ne nuk duhet t’ia falim vetes. Nuk duhet t’ia falin vetes ata që fitojnë duke përdorur gjuhën, as ata që paguhen vetëm për të përdorur gjuhën. Këto edhe mund të mos u shkojnë përshtat politikanëve, por populli thotë “sipas vendit edhe kuvendi”, megjithëse nuk e ka pasur fjalën për parlamentin…

(c) 2021, Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin