DY POEZI PËR QYTETIN

nga Sokol Çunga

Që prej kohës kur njeriu mësoi të përdorë mjetet e punës, të kultivojë tokën e të mbarështojë kafshët, lindi dhe lidhja e tij fillestare me truallin, por, sakaq, edhe burgimi i njeriut prej kësaj mënyre të re jetese. Me kalimin e shekujve, trualli shndërrohet në qytet, duke nënkuptuar jo vetëm përmasën fizike të kompleksit të banesave urbane, por edhe krijimin e kodeve dhe marrëdhënieve të sanksionuara mes njeriut dhe bashkëbanorëve të të njëjtit mjedis urban. Bashkë me këtë mënyrë të re jetese, lind edhe meditimi rreth këtyre marrëdhënieve, teksa poetët nuk u këndojnë më luginave, pyjeve e detrave, por thurin vargje për ndërtesa, dritare, rrugë, qoshe, kryqëzime apo kanalizime. Matanë këtyre imazheve, përmes figurave letrare, ndërtohet dhe përjetimi sa fizik, aq dhe poetik i përvojës së dy poetëve të ndryshëm me qytetin.

Konstandin Kavafi lindi në Aleksandri të Egjiptit më 1863 dhe ndërroi jetë po aty më 1933. Shkroi dhe botoi në gjallje 154 poezi, si dhe la pas 37 poezi të mohuara, 75 poezi të fshehura (të cilat nuk i kishte bërë publike në ndonjë formë) dhe 30 të pa përfunduara. Fillimisht poezitë e tij u përbuzën nga qarqet letrare të Athinës, por pas botimit të poezisë Itaka në “The Criterion” nën kujdesin e T. S. Eliot, poezia e Kavafit u bë gjithnjë dhe më e pëlqyer, deri sa, në ditët e sotshme, citohet shpesh e më shpesh, madje edhe në kontekste boshe apo keqorientuese (kujtoj, këtu, një spot elektoral në Tiranën e fillim viteve 2000). Qyteti, e shkruar vite më herët se Itaka, është pjesë e një grupi poezish të Kavafit (si Monotoni, Mure, Dritare) ku përshkruhet dëshpërimi e amullia e individit brenda një bote që, pavarësisht dëshirave, s’ka për të ndryshuar, pa ndryshuar mënyrë të jetuari e të vepruari vetë njeriu. Çfarëdo përpjekje për t’i dhënë tjetër formë jetës në një qytet tjetër është tërësisht e dështuar, sepse nga pas e ndjekin dështimet që pat mbjellë në qytetin fillestar të tij. Nga ana tjetër, ndoshta pikërisht ai qytet e ato ngjarje janë identiteti i vetë individit dhe, me gjasë, ia vlen të merret me to, në vend që të kërkojë tjetër të ardhme në një qytet tjetër.

Charles Bukowski (Heinrich Karl Bukowski) lindi në Andrenacht të Prusisë në Gjermani më 1920 e ndërroi jetë në Los Angeles të Kalifornisë në SHBA. Me shkrimtarinë u mor që më 1940, por arriti të bënte emër si shkrimtar vetëm në mes të viteve ’70, pasi vendosi të braktiste punën në zyrën e postës dhe t’i kushtohej shkrimtarisë. Për shkak të jetës së tij të shfrenuar, u quajt “poeti laureat i jetës mjerane” (revista Time). Ndryshe nga Kavafi, që shkroi pak dhe botoi edhe më pak, Bukowski shkroi një numër jo të vogël romanesh, vëllimesh me tregime dhe vëllimesh me poezi. Në poezinë Poezia është qytet, që sjellim këtu, tema qendrore nuk është qyteti. Autori përpiqet të ilustrojë, sipas mënyrës së tij, se ç’është poezia. Mirëpo, pavarësisht synimit fillestar, vetvetiu na njeh me qytetin që njeh. Është një përshkrim, në fakt, i jetës mjerane të përditshme e të përnatshme, ku secili e përjeton qytetin edhe si burim vuajtjeje, por edhe si strehëz dashurie, në përmbushje të prirjes së natyrshme për të mbetur gjallë dhe njerëzor brenda mekanizmit çnjerëzor që funksionon përreth dhe quhet “qytet”. Nuk arrita ta gjej vitin e botimit dhe vëllimin në të cilin bën pjesë poezia, burimi i përdorur është: https://breningstall.typepad.com/breningstall-on-typepad/2009/11/a-poem-is-a-city-by-charles-bukowski.html.

Që të dy poetët kanë jetuar në vise fort të largët nga qytetet e shqipfolësve dhe u referohen, natyrshëm, qyteteve dhe shoqërive të kohërave dhe viseve të tjera. Megjithatë, në të dy rastet, pikat e përqasjes dhe elementët e identifikimit mbeten aty, në tekst. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që ndodhen ende në Shqipëri jetojnë në qytete, dhe gjysma e popullsisë urbane banon në kryeqytet, në Tiranë. Nuk pa keq kush iu largua Shqipërisë. “Keq”, krahasuar me ç’do kishte mundur të bënte në atdhe. Ose, nuk pati ç’të bënte ndryshe, veç të përpiqej të mos shihte keq. Mirëpo, pavarësisht arritjeve në vend të huaj, mbetet në veprim nostalgjia për konceptin e atdheut, çka manifestohet që nga fotografitë me flamurin kuqezi në rrjete sociale, deri tek vizitat e rregullta të emigrantëve në vendlindje. E kundërta e këtyre, kush ndenji në Shqipëri, ndoshta shumicën e ditëve s’e përmall nostalgjia për vendlindjen, por e bren mendimi “ah, që s’ika”. Në fund, edhe ky kontingjent, vijon të zbardhet në po të njëjtat shtëpi e të plaket në po ato rrugica. Kurse, parë me syrin e Bukowski-t, pavarësisht në është i ikur a i ardhur, individi vijon të kërkojë dashurinë e të vështrojë vëngër mekanizmin e pashpirt të qytetit, apo, ndryshe, me kostumin e politikanit a të të paaftit, tregon me gisht e ndëshkon atë që vetë s’arrin ta bëjë dot.

Qyteti është mjedisi ku zhvillohet e gjithë jeta e banorëve të tij, pavarësisht moshës. M’u kujtua, për një hop, se pas 1 muaji hyn viti 2022, viti në të cilin Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ç’qytet kanë pasur të rinjtë që sot janë mesomoshë, ç’qytet kanë të rinjtë e sotshëm, e ç’qytet do të kenë të rinjtë e së nesërmes? Do t’u japim të lexojnë Kavafin e t’u themi se e patën vetë fajin, apo do të jenë një nga personazhet e përshkruar apo të nënkuptuar të Bukowski-t? Sido që të jetë, parë me syrin e ftohtë, pa afshin dehamendës të poezisë, asnjë nga variantet s’është i përshtatshmi për qeniet njerëzore. Qyteti i jetueshëm është ai që s’na grish ta mallkojmë, as ta jetojmë fshehtas duke u përpjekur të gjejmë një qoshe ku dera mbyllet e “qyteti” s’na gjen dot.

Sikundër qyteti dhe poezia mund të kundrohen e interpretohen nga një pafundësi këndvështrimesh, po ashtu dhe këto poezi, të lexuara veçmas apo bashkë, krijojnë pikëtakime e përvoja të ndryshme për çdokënd. Ndaj dhe i sjellim këtu përkthyer në shqip, pa u thelluar në interpretime të mëtejshme.

 

P.S. K. Kavafi i punonte poezitë vite e vite me radhë, janë fort delikate dhe paraqesin vështirësi të përveçme në përkthim, qofshin me metër e rimë, qofshin varg i lirë. Ky përkthim i poezisë Qyteti është thjesht forma e deritanishme e saj, por synoj ta punoj ende në vijim.

 

Qyteti

Konstandin P. Kavafi
(1894, botuar më 1910)

The: “Do të shkoj në tjetër dhe, do të lundroj një tjetër det.
Do gjendet diku një qytet, m’i mirë se ky qytet’ i vjetër.
Çdo përpjekje tek ky vend më sjell një mallkim tjetër;
këtu zemra ra – si e vdekur – në gropë lidhur me cengë.
Sa gjatë do më dergjet, vallë, mendja në këtë brengë?
Ngado kthej sytë, ngado vështroj,
rrënoja sterrë të jetës këtu dalloj,
kaq vite tek ky qytet i shkova, i rrënova dhe shkallmova.”

Vise të reja s’do të gjesh, as dete të reja siç i kërkove.
Ky qytet të ndjek nga pas. Ke për t’u çapitur
në po këto udhë. Në këto lagje ke për t’u roitur;
flokëbardhë ke për t’u harruar në këto shtëpi.
Tek ky qytet ngaherë do mbërrish. Për gjetiu shpresë mos ki,
anije s’ka për ty, s’ka më as udhë.
Siç e rrënove jetën te ky qosh këtu,
shi te kjo skutë, në botën mbarë e shkatërrove.

 

poezia është qytet

Charles Bukowski

poezia është qytet plot rrugë dhe kanale
mbushur me shenjtorë, heronj, lypsarë, të çmendur,
plot ngjarje të rëndomta dhe dehje,
plot shi dhe gjëmime, si dhe periudha
thatësire, poezia është qytet në luftë,
poezia është qytet që pyet orën pse,
poezia është qytet që digjet,
poezia është qytet nën tytën e armëve
berberhanet i ka plot me të dehur cinikë,
poezia është qytet ku Zoti nget lakuriq
mespërmes rrugës si Ledi Godiva,
ku qentë lehin netëve dhe përzënë
flamurin; poezia është qytet poetësh,
shumica e tyre krejt të ngjashëm
ziliqarë dhe të hidhur …
poezia është ky qytet tani,
50 milje larg kurrkundit,
9:09 në mëngjes,
shije likeri dhe cigaresh,
pa policë, pa dashnorë që ecin rrugëve,
kjo poezi është ky qytet që mbyll dyert,
i fortifikuar, thuajse bosh,
i pikëlluar pa lot, tek moshohet pa mëshirë,
malet shkëmbore,
oqeani si flaka e lavendrës,
hëna e zhveshur nga madhështia,
muzikë zëulët nga dritaret e thyera …

poezia është qytet, poezia është komb,
poezia është bota …

tani po e ngjis këtë poshtë xhamit
për redaktorin e çmendur që e shqyrton imtësisht,
dhe nata ndodhet gjetiu
të vagulltat zonja hirnoshe rrinë në radhë,
qeni ndjek qenin për tek grykëderdhja e lumit,
trumbeta sjell trekëmbëshat
teksa njerëzit e vegjël qortojnë gjërat
që s’bëjnë dot.

 

Përgatiti e përktheu nga origjinali: Sokol Çunga

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin