NE, PUSETA!

nga Eleana Zhako

Ime bijë mësoi se çfarë është puseta… ndonëse belbëzon akoma be – be – ba… e mësoi rrugëve të Tiranës, rrugëve periferike, jo rrugëve “luksoze” të qendrës ku shumica e pusetave janë të krehura, të sajdisura , e të mbuluara nga frika e turpi mos bie ndonjë turist i jashtëm dhe merr nami dhenë. Megjithëse dhe aty, do u ketë shkarë tek tuk ndonjë pusetë e hapur, që mos t’i hajë syri i lig pusetinat e qendrës.

pusetaDuhet t’i kisha nxjerrë fotografi një e nga një dhe të bashkangjisja location e tyre, nja dhjetë copë pa frikë vetëm në një segment të rrugës Don Bosko. Komunitarët tanë kanë menduar se fundja kemi sy në ballë dhe do duhet të ecim kokëulur e me bishtin tatëpjetë, që mos ta gjejmë papritmas veten në rrethin e shtatë të ferrit pusetor. Nëse dikush do më bëntë pyetjen “Cila është frika më e madhe në jetën tuaj”… pa menduar do thoja “të rënit në pusetë”…

Kushërira X, në përpjekje e sipër për të më treguar se s’është vetëm çështje e autoriteteve lokale, por edhe e kafshëve njerëzore që i hapin për të vjedhur hekurishtet, u mat ta banalizonte dhe racionalizonte pak mllefin tim anti – komunal. I’m sorry, por nuk më intereson në është faji i Partisë/Partive (jetojmë në pluralizëm) apo i Popullit. Dua që çështjes së pusetave t’i vihet kapak. Nëse Erjoni, Gjergji, Halimi and etc., e marrin seriozisht këtë punën e pusetave dhe ndërgjegjësohen për rrezikun real që përçojnë ato, atëherë ka gjasa që thirrja “Ne, Tirana!” mos katandiset  “Ne, Puseta”!

Dhe si të mos mjaftonin pusetat, ankthi u bë makth nga numri i madh i qenve të aksidentuar në akset qendrore rrugore kryq e tërthor Shqipërisë. Tani është faji i qenve apo i shoferëve qen bir qeni, që i hipin timonit mbrapsht, pak rëndësi ka. Në këto raste më pikon zemra për qentë, për këto qënie të degdisura dhe të pakalluara buzë rrugëve nacionale, që si qan njeri e katandi. Do thuash, aksidente ndodhin. Kaq shumë qen – aksidente, s’mund të jetë dora e Zotit, as dhe që kaq e kishin të shkruar. Është dora e pakujdesisë kriminale dhe e mentalitetit “iku për dhjam qeni”! Nuk iku, e shpure, e shporre!

Një falje, një ndjesë, një lutje njerëzore! Le ta kini dheun, zhavorrin, asfaltin, hedekun ku jeni hedhur, të lehtë, o qentë e mi!

Para ca vitesh në shtetin B. u zhvillua një fushatë mbarëkombëtare për sensibilizimin e makina-vozitësve në lidhje me numrin e viktimave në aksidentet rrugore. Tabelat gjiganteske tregonin një shofer të kollarisur që i jepte makinës dhe në vend të kokës kishte një arkivol, ndërsa krahazi shkruhej numri i viktimave në segmentin e caktuar rrugor, ku ngrihej reklama makabre. Ndoshta dicka e ngjashme, për numrin e viktimave rrugore në njerëz e qen, do u kujtonte vozitësve tanë “Mos e rrit shpejtësinë”, “Drive safe”, etj si këto.

Ndoshta edhe dy fjalë për liqenin (artificial)… ndoshta ky artificialitet i rrit natyrshmërinë lejeshkatërruesve tanë… sa më “artificial” liqeni, aq më “natyror” betonizimi në proces e sipër… Dhe si për analogji mu kujtuan vargjet nga “Autobiografia e Popullit në Vargje”,  “Duda ish, shkoi e vate, varri u mbush me manushaqe”…”Liqeni ish, shkoi e vate, gropa u mbush me pallate”…

Uroj të ishte një makth nate…dhe kur të jem zgjuar mua, ty, liqenin, qenin mos të na ketë ngrënë Puseta….

Nuk ka komente

  1. Ndoshta të ka shpëtuar, Eleana, por ekziston një projekt për kartografimin e pusetave të Tiranës në Google Maps, të mbështetur financiarisht nga Fondacioni “Menisku”, Klinika Ortopedike “X Files” dhe Qendra e Mjekësisë Popullore “Jakia”; nën patronazhin e ministrit të Trotuareve, dr. Artemisa Papanathanaili.

    Kur të përfundojë ky projekt, kushdo mund të gjejë pusetat që i interesojnë, duke kërkuar në Google Maps; madje edhe të organizojë një tur të pusetave të kryeqytetit.

    Ekziston edhe një projekt tjetër, këtë herë të mbështetur financiarisht nga Fondacioni “Tullumbace”, për të pikturuar pusetat me ngjyra të ndezura dhe për të vizatuar mbi to; projektit i është bashkëlidhur një konkurs për pusetën më të bukur dhe pusetën më psikadelike të Ballkanit, fituesit e të cilit do të shpallen ditën e zgjedhjeve lokale, gjatë një eventi do të përcillet edhe nga televizionet kombëtare dhe do të jepet edhe në Eurovision, në pushimin e Koncertit të Vjenës.

    1. Haha, ashtu pergjumesh si isha desh e “hengra” kete komentin. Isha gati te pranoja dhe qe Shqiperia si asnje vend sishoqe ne bote ka dhe ministre trotuaresh (me pelqeu qe zgjodhe gjinine femerore 😉 ), pse jo dhe ministre pusetash. Po te jap ide per librin tend te ardhshem, personazhi ne vend te metrose mund te zbrese ne pusete per ta pare boten nga poshte lart, “origine du monde” :). Mu desh te pi nje nga kafet e Castigat-it qe te vij ne vete dhe te kuptoj qe projekti i perket fantazise tende shumengjyreshe.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: