PËR ÇMIMET

U tha se Virgjil Muçi fitoi çmimin “shkrimtari më i mirë i vitit” (Top-Channel), alternativisht “autori më i mirë shqiptar i vitit 2021” (kultplus); u tha edhe se këtë çmim e dha Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. U përmend edhe se çmimi u dha “në këtë edicion të veçantë të Panairit të Librit”. Nuk më tingëllon mirë kjo “shkrimtari më i mirë i vitit” – për shumë arsye. Shkrimtaria nuk është konkurs as garë sportive; nuk ekzistojnë parametra të saktë, për të përcaktuar suksesin e një vepre (ose të një autori). Një shkrimtar që për ty është më i miri, për mua mund të jetë i palexueshëm. Nëse motivacioni do të ishte: “shkrimtari më i shitur i vitit”, kjo do të kishte një farë kuptimi, sepse do të bazohej mbi një statistikë – por vlerësimi do të kish natyrë komerciale, jo kulturore. Për të njëjtën arsye edhe hipotetikja “shkrimtari më i bukur i vitit” do të meritonte kopertinën te rubrika “vajzat kërkojnë djem”, etj (rubrika më e ndjekur e vitit).

(Sa më lart, të mos konsiderohet si shigjetim për autorin, sepse Muçin e vlerësoj për si shkruan, por librin e tanishëm ende nuk ia kam lexuar. Rrah gjetiu. Muçi mund të rezultojë viktimë e çmimit që i blatuan, por nuk është objekt i kritikës sime.)

U tha se çmimin “e dha Veliaj”, por me siguri përzgjedhjen e fituesit nuk e ka bërë kryetari Veliaj, por një juri. Çmimet letrare i vendosin juritë, zakonisht pas një pune të gjatë (kjo e tanishmja thuhet se shqyrtoi mbi 100 vepra, para se të zgjidhte Muçin). Për të mos parafrazuar Stalinin, më mirë ta lëmë mënjanë pyetjen se kush i vendos juritë; kështu nga jashtë duket sikur janë të njëjtët emra që riciklohen. Ndoshta këtyre duhet t’u njihet edhe profesionalisht funksioni (jurilibrist), mbase me dekret presidencial. Në pritje të këtij formalizimi, le të pranojmë se vlera e një çmimi varet nga autoriteti i jurisë që e jep. Dhe, siç mund të merret me mend, nuk ka juri të tillë që të zgjedhë “shkrimtarin më të mirë të vitit.”

Kur mendojmë për këto evente kozmikomike, bëjmë mirë të zbatojmë një kriter që e kanë quajtur vizorja e Wittgenstein-it, por të formuluar nga ekonomisti dhe filozofi Nassim Nicholas Taleb: Përveçse kur ke besim në saktësinë e vizores, nëse përdor një vizore për të matur një tryezë, njëlloj mund ta përdorësh edhe tryezën për të matur vizoren. Në rastin tonë, kriteri do të zbatohej kështu: sa kohë që nuk kemi besim të plotë te juria e çmimit, mund ta përdorim edhe veprën fituese (ose autorin) për të matur jurinë përkatëse. Dhe të themi pastaj, p.sh. se filani ka qenë në jurinë që ia dha çmimin kombëtar kësaj apo asaj vepre, etj.; ose, që në analizë të fundit, juria gjithnjë ia jep çmimin vetes.

Do të ishte normale që çmimet letrare të kishin emër – p.sh. çmimi “Migjeni”, ose “Juvenilia”, ose edhe “Zerdelia” dhe çfarëdo emri tjetër: mjaft që të kishin identifikues të përveçëm. Emri shënjon subjektivitetin e një çmimi, ndryshe nga kjo “shkrimtari më i mirë i vitit”, që në fakt tingëllon bombastike dhe pa kuptim. Sepse, në të vërtetë, emri do të shërbente si enë, për t’u mbushur dora-dorës me kuptim dhe reputacion, vit pas viti, fitues pas fituesi.

E kam shkruar edhe më parë: çmimet kulturore, njëlloj si institucionet e tjera të asaj fushe, kanë nevojë për kohë, që të marrin vlerë; sepse duhet kohë që çmimi të fitojë prestigjin e duhur dhe të përcjellë një vlerësim që shkon përtej qokës pushtetare dhe shpërblimit monetar. Te ne ekziston e kundërta – një traditë e shëmtuar e ndërprerjes dhe braktisjes së çmimeve, për arsye nga më banalet. Ndërprerja zhvlerëson jo vetëm çmimet që janë dhënë por që nuk do të jepen më, por edhe çmimet e reja, të cilat nuk do të kenë siguri për statusin e tyre: ja vjen një ministër i ri, dhe i heq. Me një lëvizje të vetullës.

Unë që flas, kam fituar edhe çmime, kam qenë edhe anëtar jurish. Çmimet që kam fituar, përgjithësisht nuk jepen më, janë ndërprerë (discontinued). Si anëtar jurish, e di mirë se një juri nuk ka asnjëherë kohë që t’i vlerësojë të gjitha veprat që konkurrojnë – dhe aq më pak në kushtet si punohet në Shqipëri. Gjithnjë kam menduar se superlativi “më i mirë”, “më i shquar”, “më i realizuar” etj. duhet hequr nga motivacioni i një çmimi. Edhe vepra, edhe autori, vlerësohen për çfarë sjellin, jo në raport me vepra të tjera, dhe aq më pak me vepra të tjera që qëllon të jenë botuar në të njëjtën kohë. Sepse përndryshe njëlloj do të ishte ta zgjidhnim fituesin nga autorët që u fillon emri me K. Ose që janë tifozë të PSG-së.

Çmimin duhet ta akordojë dikush; dhe duhet ta vendosë një juri; e cila juri do të emërohet nga dikush. Është një varg aktesh arbitrare dhe në thelb burokratike, njëri më subjektiv se tjetri, por që pritet të japin një rezultat objektiv. Kjo e objektivitetit përgjithësisht lë për të dëshiruar. Shumë nga çmimet që janë ndarë në letërsi, gjatë 10 vjetëve të shkuara, kanë shkuar – për mendimin tim modest dhe të painformuar mirë – kot. Nuk janë përkthyer në impakt ndaj lexuesit, veprës dhe autorit. Një vepër fituese nuk më rezulton të jetë lexuar më shumë dhe të ketë pasur ndikim më të madh se vepra të tjera. Me këtë kam parasysh çmimet shtetërore, çmimet nga ente private dhe çmimet e eventeve specifike. Që ka ndodhur kështu, është relativisht e pashmangshme – por mund të shërbejë si arsye për të reflektuar.

Më shqetësuese është kjo tjetra: bindja e çuditshme se janë institucionet, ato që i krijojnë vlerat kulturore. Pra, meqë institucioni ofron mbështetjen financiare (për shembull duke vënë në dispozicion fonde publike, nga taksat tuaja) për një çmim, atëherë ai ka gisht në evidentimin e një vlere, qoftë kjo edhe fiktive, si “shkrimtari më i mirë i vitit”. Dhe meqë institucioni – për shembull ministria e Kulturës – ka natyrë politike, p.sh. është pjesë e ekzekutivit dhe ka, në analizë të fundit, ngjyrë politike – i bie që politikës t’i besohet arbitrimi i vlerave në kulturë dhe vlerat kështu të përcaktuara t’i shërbenin pastaj drejtpërdrejt politikës. Se cila është vizorja këtu, gjejeni ju.

Për ta përmbledhur:

  1. Çmimet duhet të jepen me motivacione specifike, absolute, jo relative (krahasuese). Formulime të tilla si “shkrimtari më i mirë…” nuk kanë kuptim dhe as mund të ketë kush autoritetin për t’i shqiptuar seriozisht.
  2. Çmimet duhet të kenë një emër të përveçëm të tyrin.
  3. Çmimeve u duhet dhënë kohë që të rriten, të mbushen me kuptim, të krijojnë një profil dhe një traditë.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat e çdo lloji. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin