Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LXXII)

(nga Stanislaw Lec*)

Njeriu i vërtetë njihet edhe kur është lakuriq.

Besoj në fundin e jetës organike mbi dhé, por jo të jetës së organizuar.

Njeriu i ka zbuluar veglat njërën pas tjetrës. Por, që prej kohëve më të hershme, njeriu ka qenë gjithnjë vegël për njeriun.

Çdo gjë ka natyrë biseksuale. Edhe çiftet.

Mos iu dorëzoni dëshpërimit: nuk i mban premtimet.

Vogëlsia nuk vuan kurrë nga kompleksi i inferioritetit.

Në natyrë asgjë nuk humbet, veç shpresave të realizuara.

Në histori ngrenë peshë edhe faktet jo të kryera.

Është trim mbi trima: ha nga dora e tiranit.

Epokat e mëdha mund të përmbajnë një sasi të habitshme njerëzish të vegjël.

Me shpenzimet e kujt jetojnë njerëzit, në kujtimet e të tjerëve?

Kur lind pesimizmi? Kur takohen dy optimizma të ndryshëm.

Kur xhuxhat duan të rriten, kanë nevojë për kockat e të tjerëve.

Provinca intelektuale: të bësh përpjekje për të menduar larg trurit.

Një qëndrim i patundur ndonjëherë është shenjë e paralizës.

Atyre që heshtin, nuk ua heq dot fjalën.

Lirinë e humbin më shpesh ata që e dëshirojnë më fort.

Buka ua liron dhëmbët të gjithëve.

Sa më shumë të biesh poshtë, aq më pak të dhemb.

Në fillim ishte Fjala. Vetëm më pas erdhi Heshtja.

Spiunim: Ecce homo!

Fjala hyn kudo, por ndonjëherë e ka të vështirë të dalë që andej.

Lani veshët! Mund të bjerë kambana.

Më pëlqen që, ca jetë shenjtorësh, t’i lexoj duke filluar nga fundi; i them vetes, në ato raste, se është e mundshme të ribëhesh njeri.

Mund të kish qenë më keq: armiku yt të ishte miku yt.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading