FOLI KUNDRA

Foli kundra: si t’ua shpjegosh? – lexuesi i “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”

nga Eda Derhemi

Ka një shënim në librin “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”, në të cilin autori i librit A. Vehbiu i shpjegon lexuesit shqipfolës cili është Nikita Hrushovi (f. 286), shënim që më futi në mendime. Nuk mund të imagjinohet një shqiptar i brezit tim të mos njohë Hrushovin (ose Krushovin). Bënte vaki të mos ia njihje të shoqen, por atë vetë duhet ta njihje patjetër. Të rinjtë nuk na marrin më vesh çfarë themi. Ka ardhur dita që një shënim i tillë të jetë i domosdoshëm. Më duhet të bëj të njëjtën gjë me studentët e mi amerikanë që tejet rrallë reagojnë ndaj emrave të Stalinit dhe Leninit. Lëre pastaj Titon dhe politikat e tij për serbo-kroatishten! “Tito – emër aq qesharak!” Marksi në universitetet amerikane nuk paraqitet hiç keq. Por klasikët e tjerë kanë lënë shëndenë. Nga ana tjetër, të gjithë të rinjtë (pa përjashtim?) e njohin Hitlerin, dhe ndoshta gjysma njohin edhe Mussolinin, ndonëse Duçen, jo. Veç një numër i vogël reagon ndaj tij.

Shqiptarët e lindur pas 90-ës, pa përjashtim e njohin emrin Enver Hoxha. Por kam frikë se ka ardhur koha që shënime shpjeguese siç u dhanë për Hrushovin, po i nevojiten për ditë e më shumë lexuesit të ri, edhe për Enverin. Unë shoh konfuzion të thellë, dhe harresë, jo edhe aq në mosnjohjen e fakteve, datave e detajeve, sa në mos-perceptimin e komunizmit shqiptar nga të rinjtë.  Besoj se çështja është serioze. Çnazistizimi (denazification) i organizuar dhe inteligjent, i financuar nga ShBA dhe Aleatët e tyre, e mbrojti Europën Perëndimore, sidomos Gjermaninë, jo veç prej rikthimit në të shkuarën qoftë edhe si nostalgji, por sidomos vuri bazat e një koncepti relativisht liberal për respektin ndaj të drejtave të njeriut të çfarëdo lloji, bazat e një shoqërie më tolerante, sa edhe më të kujdesshme ndaj autoritarizmit[i]. Çnazistizimi kishte aspektet e veta autoritare, si gjyqe, internime e pushime nga puna të kuadrove prej institucioneve naziste, si edhe ato me natyrë të pastër ideologjike që bënin “riedukimin”[ii] e njerëzve të rinj nëpërmjet shkollave dhe institucioneve masive, filmit, letërsisë, muzeve, sidomos duke u treguar atyre që s’e jetuan (por edhe atyre që e jetuan), në mënyrë kritike të shkuarën e prindërve e gjyshërve. Tek ne një periudhë e tillë e gjatë ka munguar krejt. Komunistët e gjithë sërëve dhe posteve mbetën në pushtet. Edhe kur ikën më të vjetrit, u siguruan që brezi që i ndiqte (që ata ishin kujdesur t’i jepnin shkollimin e duhur, mundësisht jashtë Shqipërie, dhe gjuhët e huaja, dhe të cilit patën kohë edhe t’i bëjnë gati lugën e florinjtë – sasi kapitali të luajtshëm që shqiptarët pa pushtet nuk e kishin – gjatë korrupsionit të pesë viteve të fundit të socializmit dhe pesë të parëve pas tij) të merrte direkt frenat e sistemit politik dhe ekonomik. Tek ne komunizmi u harrua, u mitizua ose u sha sa për sy e faqe. Njoh vetëm një person, shkrimtarin B. Shehu – djalin e numrit 2 të sistemit komunist lokal, që të ketë folur hapur dhe kundër bëmave të “etërve”, duke nisur me të vetin. Të tjerët, njerëz të cilët janë kapicë në elitat e sotme, janë të gjithë fëmijë apo nipër e mbesa krenarë “idealistësh që ishin njerëz të ndershëm dhe që nuk i kanë bërë keq kujt, veç kanë punuar fort dhe ndjekur një ideal që s’e fëlliqën”. Faji, edhe kur i rëndë, është jetim. Sidomos po kaloi i pandëshkuar; bëhet heroik.

Narrativat e ndryshme që kallëzojnë atë kohë besoj janë e vetmja rrugë e ngelur për sisteme e shoqëri si e jona që nuk e “pastruan” veten, dhe nuk u kujdesën që të rinjtë që vijnë të njihnin në mënyrë kritike dhe të organizuar pesëdhjetë vjetët e lindjes, rritjes dhe rënies së komunizmit. Shënimi në librin e Vehbiut na kujton se ka ardhur koha të shtojmë edhe fusnotat. Amnezia historike disa-planëshe dhe ndarja reale kohore që rritet, bëjnë punën e vet. Edhe ne vetë shumë gjëra i kemi harruar – siç kallëzoj në pjesën 1 të këtij shkrimi. Atëherë si i bëhet? Si do ia dalim t’ua kallëzojmë të sotmëve ku kemi qenë e si ishte komunizmi ynë? Vërtet ishte ndryshe për çdo njeri, vërtet ia kemi dalë të jetojmë e të kemi momente normaliteti e gëzimi, por ka disa tipare ogurzeza e si-horror të komunizmit shqiptar që vetëm ne që e jetuam do mund t’i tregojmë, disa tipare themelore që do e bëjnë shqiptarin e ardhshëm ta dijë ku ka kaluar e çaluar paraardhësi, të mos bjerë prapë në gropë, e të ecë në të ardhmen si njeri që e njeh të shkuarën e vet. Dhe nuk e kam fjalën për zezonën e burgjeve dhe kampeve ku kalbeshin për dekada të dënuarit politikë – në fakt, të ndëshkuarit politikë, sepse dënimi i tyre ka qenë një farsë. Ata kanë mirënjohjen time të thellë jo veç se kanë vuajtur shumë si bashkëkohës të mi, por edhe se më hapin sytë për realitete që i kam imagjinuar, por jo ditur. Unë e kam fjalën për ato që shkruhen në “Gjuha e thyer, gjuha që thyen” – realiteti i komunizmit i parë nën lenten e gjuhëtarit, që analizon shoqërinë dhe ideologjinë e saj në mënyrën më efikase, nëpërmjet mënyrës se si sistemi komunist përpunoi njeriun si tru dhe veprues, nëpërmjet përpunimit të gjuhës së tij.

Autori pohon subjektivitetin e kujtimeve të tij, dhe ia thotë shkoqur lexuesit çfarë ka dashur të bëjë me këtë libër, që në krye: “disa përjetime në formë kujtimesh kanë qenë karakteristike … e viteve të rinisë sime… si banor i kryeqytetit të viteve 1960-1980 dhe pjesëtar i një shtrese të mesme që… ishte dëshmitare e heshtur e këtij represioni… subjektivja në këtë libër, së cilës detyrimisht i referohem, është edhe e një segmenti social relativisht përfaqësues për Shqipërinë totalitare.” Dhe pastaj vjen ajo që më intereson më shumë: kujtimet e mia “subjektive” nuk mjaftojnë për të mbuluar e shpjeguar edhe eksperiencat e të tjerëve. Njohja dhe urtësia në këtë fushë do të arrihen vetëm pjesë-pjesë dhe me rrugë kumulative.” (p.9) Autori subjekt i historisë që na kallëzon e analizon, është i pasigurt si dhe a do ia dalim ta kallëzojmë këtë histori për brezat që vijnë.

A. Vehbiu, autori i “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”, në prezantimin e librit në oborrin tiranas të vilës së rrugës Qemal Stafa ku Botime Çabej ka shtëpinë e vet, u shpjegonte njerëzve një ndër konceptet më tërheqës dhe intrigues në librin e vet: atë të qerthullit mes një gjuhe publike të mangët e formulaike të servirur në blloqe mekanike ushqyer publikut nga lart (apo qoftë edhe nga anët, kur këto imitojnë automatikisht Kreun) dhe të menduarit, që gradualisht njësohet me këtë lloj shprehie gjuhësore, i stërvitur e i ambientuar në një morsë të tillë, nuk mund të hapte shteg për besimin/mendimin e lirë dhe zhvillimin e diskurseve alternative e më të lira si praktika gjuhësore. Një nënbashkësi e këtyre diskurseve do ishte edhe “të folurit kundra”. AV e futi fort bukur në copa konteksti bisedimor edhe me humor këtë shprehje në dialogje mes njerëzish të asaj kohe që edhe ata vetë shprehjen “foli kundra” nuk e çonin dot më tej. Kur dikush i përgjigjej pyetjes “pse e futën brenda?”, me “foli kundra”, biseda mbaronte dhe përgjigja ishte në fakt shteruese. Askush nuk thoshte më pas: “Po çfarë tha kundra, aman se jam kurioze ta di”. As “kundër kujt?”. Palët ishin të qarta. Ai muhabet ishte mbyllur. Është interesant edhe se mund te thuhej edhe thjesht “foli!”, dhe kuptimi mbetej sërish “foli kundra”. Dhe fakti që përdorej kryesisht në të shkuarën, si një kohë pa të tashme, si një veprim (ky i të folurit, pra) që, mos o Zot t’i ndodhte kujt në të tashmen, se kjo e bënte pjesëmarrës direkt në aktin subversiv ose njohës indirekt të tij.

Shembulli që autori analizoi në prezantimin e librit ishte ai rreth të folurit me blloqe të ngulitura leksikore, dhe të palujtshme: në parullën “Rroftë KQPPSh me shokun Enver Hoxha në krye”, nuk mund të ndryshonte as rendi i fjalëve, as rasat, as ndonjë nga fjalët. Jo vetëm që nuk bëhej, po, po ta bëje ishte frikë e ndillte frikë tek dëgjuesi. P.sh. ky ndryshim dashamir në parullën standard – “Rroftë KQPPSh dhe e pastë sh. Enver ne krye” – do ishte një gjëmë: kjo do i hapte rrugën një diskursi të ndaluar në të cilin KQ mund edhe të mos e kishte Enverin në krye (Mos o Zot!), gjë që ishte e ndaluar të shihej edhe në ëndërr qoftë edhe sikur ta thoshte djalli vetë. Ky ndryshim i formulës të fuste datën po të qëlloje në një grup ku dikush e thoshte, dhe mallkoje çastin që u gjende aty. S’e kujtoj tamam si e tha autori Vehbiu, por ishte pak a shumë në linjat e mësipërme. Atëherë, një djalë i ri dhe i interesuar mes dëgjuesve, u ndje se e kish kuptuar mirë si qëndronte çështja në socializëm dhe tha për ta përforcuar: “Po! Psh, në atë kohë, nuk mund të thoshin Zoti Enver, por shoku Enver. Se ishte e ngulitur!” Këtu A. Vehbiu, autori i librit, dhe diskutanti i ftuar E. Qesari, e humbën disi, por prapë i mbajtën anën respektueshëm atij që ndërhyri. Problemi është se ajo pyetje zbulon që autori, diskutanti dhe lexuesi i librit gjenden[iii] në dy nivele krejt të ndryshme njohjeje, dhe që nuk merren vesh. Lexuesi i ri, edhe kur inteligjent, nuk e kupton të kaluarën e vet komuniste, ndaj ndërhyrja e tij shkon “për laraska”. Një tjetër rast ky që tregon se ne nuk po komunikojmë dot me ata që komunizmin nuk e njohën, dhe na duhen gjithnjë e më shumë “fusnota”. Na duhet të gjejmë rrugë që, siç thuhet në krye të Gjuhës së thyer, … “duhet të jenë kumulative”. Ndoshta kumulative edhe në sensin e zhanreve dhe formave të shprehjes.

 

(c) 2021 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Vazhdon me pjesën e tretë: “Si t’ua tregosh komunizmin – nevoja për forma e zhanre të ndryshme”, në të cilën analizohet përmbajtja e “Gjuha e thyer, gjuha që thyen” në raport me zhanre të tjera.


[i] Këtu nuk është vendi për të analizuar nëse të gjitha format e çnazistizimit ishin si duhet; por përgjithësisht ato qenë të suksesshme.

[ii] Një edukim kundërshtar me ideologjitë dhe kulturat fashisto-naziste të supremacisë së racave dhe geneve, dhe gjithë llojeve të pushteteve moniste.

[iii] Në një rast tjetër mund të ishin tri.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin