KULTURA DHE RIPËRTYPJA

Kush është përpjekur të ndjekë dinamikat e kulturës shqiptare këto njëzet vjet do të ketë vënë re një kundërti të papritur mes lirisë së shprehjes dhe hapjes ndaj botës nga njëra anë, dhe kthimit këmbëngulës me fytyrë nga e shkuara, nga ana tjetër.

Gati-gati, duket sikur kultura kombëtare, e parë në aspektin sinkronik ose si komunikim vlerash, nuk e ka përballuar dot as lirinë, as hapjen, as shembjen e gardheve e të censurave, por është tërhequr në vetvete, duke kërkuar strehë dhe ngushëllim në diakroni.

Shumë faktorë kanë kontribuar, për të përftuar gjendjen e sotme: ekonomia e tregut, shterja e financimeve dhe subvencioneve, zhdukja e pikave të qëndrueshme të referimit, ndërprerja e përftesave normale (shkollore) të transmetimit të vlerave dhe të kodeve, fuqizimi i pashembullt i televizionit komercial. Hapja ndaj botës në nivelin elitar u shoqërua me një lloj mbylljeje poshtë në bazë – mjaft të gjurmosh sa ndiqen nga publiku stacionet e huaja televizive sot, në krahasim me dy dekada më parë.

Gjithsesi, sistemi mbetet i pabashkërenduar, madje kaotik; vlerat që përftohen rishtazi nuk janë të njëjta me vlerat që konsumohen. Artistët, publicistët, prodhuesit dhe kritikët luftojnë për mbijetesë, ndërsa publiku orientohet ndaj një komunikimi të llojit nostalgjik ose ripërtypës.

Kritikët e akuzojnë sistemin e sotëm për nekrofili, ose interesim pothuaj pervers për vlera të vdekura, sado të mumifikuara: romane dhe filma të realizmit socialist, këngë dhe artistë të 30-40 vjetëve më parë, kulte kombëtariste pseudo-romantike. Edhe teknologjitë e reja të mundësuara nga Interneti ua bëjnë përdoruesve më të lehtë aksesin ndaj vlerave të krijuara brenda një sistemi kulturor – atij totalitar – i cili funksiononte në mënyra të cilat brezi i sotëm e ka të vështirë t’i kuptojë.

Hapja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar ndaj botës ka katalizuar edhe një reaksion tjetër: barrikadimin në vlerat rifuxhio të produkteve me valencë kombëtare ose kombëtariste: imazhet e historisë, të përpunuara sipas një estetike dhe ndjeshmërie kitsch: Skënderbeu, kështjellat, kryengritjet, Mesjeta arbërore e imagjinuar, shqipja gjuhë e lashtë, ilirët, gjurmët dhe monumentet e heshtura ngritur e lënë prej shqiptarëve anembanë botës.

Çuditërisht, ky mekanizëm mbrojtës psikologjik ka përkuar edhe me një zgjim të interesit për vlerat ngushtësisht komerciale dhe turistike të së kaluarës si kulturë: nga rrënojat arkeologjike te folklori, malësorët, kanuni i Lekës, virgjineshat, gjakmarrja, kullat, qeleshet, lahuta, polifonia, Rozafa, Doruntina. Po ai vizion legjendar mitik i historisë, që në vitet 1980 i kishte shërbyer si formë letërsisë universaliste të Kadaresë, nisi të merrej tani si përnjëmendtë, ose i substantivuar.

Shqiptari i çliruar nga zgjedha totalitare dhe disiplina e shtetit policor e përjetoi ndryshimin edhe si autorizim për të kultivuar, lirisht dhe me përkushtim, të qenët e vet shqiptar. Megjithatë, askush nuk ka ofruar deri më sot një përkufizim të mirë dhe funksional të kësaj kulture, që të mos kufizohet me vështrimin të kthyer nga e shkuara, nga vlerat muzeore, nga monumentet dhe mbishkrimet.

Ka diçka që nuk shkon, në esencën e një kulture e cila manifestohet, para së gjithash, në përpjekjet që bën ajo vetë për të riorganizuar së shkuarën e vet – duke e sistemuar, balsamosur, mumifikuar dhe, sipas rastit, rishkruar. Kjo nuk është thjesht varrmihje, as plaçkitje; pse tashmë adhurimi i kësaj së shkuare herë historike herë mitike po përftohet si të ishte një lloj feje rudimentare – me shenjtorët e vet, sakramentet e veta, katekizmin e vet, institucionet e veta të kultit.

Kulti i së shkuarës merr përmasa shqetësuese kur është fjala për vepra të Realizmit Socialist, të tilla si letërsi, filma artistikë, vepra të arteve figurative, këngë dhe pjesë të tjera muzikore; dhe admirimin e artistëve përkatës – aktorëve, poetëve, regjisorëve, këngëtarëve, kompozitorëve.

Periudha totalitare, ose vitet 1945-1990, ishte periudha kur kultura shqiptare, në Shqipëri, funksionoi si sistem në të gjitha hallkat, duke garantuar komunikim të vijueshëm mes skajeve dhe pika referimi të patundura; por ishte edhe periudha kur kultura u mbreh e tëra në shërbim të propagandës dhe të ideologjisë komuniste. Nostalgjia e publikut për vepra të asaj periudhe, megjithatë, nuk ka aq të bëjë me mallin për modelin totalitar të komunikimit dhe të krijimtarisë, sesa me mallin për një kohë kur publiku konstituohej, mirëfilli, si publik duke konsumuar vlera brenda një sistemi organik të komunikimit.

Nga të gjitha format e komunikimit kulturor, sot duket se vetëm televizioni komercial ka arritur të mbijetojë, madje duke u fuqizuar; por kur vjen fjala për kulturë, edhe ky televizion shpesh nuk arrin ta kapërcejë banalitetin e debateve në studio dhe të reality shows veçse duke iu referuar produkteve të gatshme të kohës “tjetër”; qoftë drejtpërdrejt dhe me nostalgji, duke i nxjerrë jashtë kontekstit, qoftë në mënyrë kritike dhe refleksive.

Sa për format e tjera më klasike të këtij komunikimi, ato tanimë luftojnë për mbijetesë duke u luhatur midis elitizimit të plotë, komercializimit dhe irrelevancës. Filmat e rinj shqiptarë artistikë me metrazh të gjatë nuk kanë më publik përveçse në festivalet ndërkombëtare; letërsia joelitare po i mbush libraritë, por publiku dhe kritika refuzojnë të shkojnë më tutje se Kadareja, duke e konsideruar këtë si cakun ne plus ultra të modernitetit shqiptar; artet pamore ose janë zhgërryer në kitsch, ose janë tretur në anonimitetin e avant-gardës; muzika riprodhohet më shumë si kolonë zanore e ahengut, e spektaklit televiziv ose e paradave të miss-eve; operat, baletet dhe spektaklet e mëdha duket sikur veç i realizojmë për të treguar se ende dimë t’i vëmë në skenë.

Vitet e hapjes së kulturës kanë qenë edhe vitet kur kulturës shqiptare iu dha më në fund mundësia, dhe liria e nevojshme, për të komunikuar me botën. Siç mund të pritej, këtë mundësi të re shumë pak e ndante nga iluzioni se vetë kultura shqiptare, tash e tutje, nuk do të ishte veçse një nyjëtim i studiuar i interface-s (ndërfaqes) sonë me Tjetrin, ose meditim rreth temës identitare “si na shohin”. Madje roli i shtetit në kulturë, sado i kufizuar dhe me portofol të zbrazur, u mjaftua kryesisht me këtë aspekt relacional të kulturës, të cilin gjuha e marketingut e përkthen si aspekt të imazhit: të Shqipërisë dhe të shqiptarisë, si gjeografi dhe histori, si folklor dhe si modernitet.

Në këtë kontekst, faqet kulturore të mass mediave po specializohen tani në hetime e qëmtime kulturore gjithnjë e më të imta e gjithnjë e më të guximshme, të kontributit kulturor të shqiptarëve në botë, një ndërmarrje e dyshimtë, e cila jo rrallë i kapërcen edhe kufijtë e kitsch-it të zakonshëm, për të përfunduar në baltovinat e shijes së keqe dhe të falsitetit. Sipas së njëjtës politikë përfshirëse, arritjet e artistëve shqiptarë bashkëkohorë janë konsideruar, me këmbëngulje, si arritje të kulturës shqiptare; duke përshëndetur, bie fjala, edhe vepra të cilat publiku shqiptar s’i ka parë kurrë, ose i ka parë dhe i ka shpërfillur; por që janë pritur mirë dhe kanë fituar çmime dhe lavde gjetiu në botë.

Shumë artistë, nga ana e tyre, nuk e kanë parë më veten të kufizuar nga identiteti i tyre etnik, as janë ndier të detyruar të komunikojnë doemos me publikun në Shqipëri; disa e kanë marrë shqiptarinë me vete si breshka zhguallin, për ta çuar dhe shitur përtej horizontit, të tjerë e kanë kapërcyer krejt, për të eksploruar përmasën njerëzore të mirëfilltë, që i tejkalon muret ndarëse mes kombeve dhe kulturave përkatëse. Ndjeshmëria kombëtariste, në këtë aspekt, nuk po arrin dot të vendosë nëse duhet t’i përvetësojë këta bij “plëngprishës” dhe t’i reklamojë për çfarë ata nuk janë (përfaqësues ose ambasadorë të kulturës shqiptare), apo t’i denoncojë, si snobë ose tradhtarë të publikut të tyre të predestinuar. Problemi nuk është trivial, sa kohë që e ruajmë, në analizë, perspektivën e publikut, jo të krijuesit.

Kultura e sotme shqiptare ekziston edhe në një mjedis teknologjik që, në mbarë botën, favorizon ripërtypjen dhe plaçkitjen e vlerave të gatshme, ndaj krijimit të vlerave të reja; guximi artistik dhe provokimi zakonisht nuk shpërblehen, përveçse brenda qarqesh ngushtësisht elitare, të veçuara nga rrymat qendrore të komunikimit. Interneti, rrjetet sociale virtuale, shkëmbimi i lirë dhe falas i vlerave dhe i produkteve, konceptimi më elastik i të drejtave të autorit, shqendërzimi dhe shpërfillja e hierarkive kulturore vetvetiu ndihmojnë investimin e publikut në commodities, ose në vlera kulturore të sigurta, siç mund të jenë ato të traditës, aq më keq kur edhe të përpunuara ideologjikisht. Kultura më dinamike dhe të shëndetshme se jona, e kundërshtojnë këtë prirje vrastare duke e përcjellë, të renë, nëpërmjet ndërveprimit mes elitave dhe mass mediave; kultura të mangëta e të cunguara, si jona, rrezikojnë kolapsin, teksa mjaftohen duke u ushqyer me rezervat, kapur peng nga makthi post-apokaliptik.

Në rrethanat kur shkëmbimet ndër-njerëzore vijnë e ndërmjetësohen gjithnjë e më haptazi nga tregu, atëherë edhe kultura do të mbijetojë duke iu përshtatur tregut dhe mekanizmave të tij. Për fat të mirë, hapësira shqiptare e komunikimit, këto dhjetë vjetët e fundit, është dyfishuar; atje ku pesimistët shohin rrezik ndotjeje, entropie ose prishjeje të ekuilibrave të vjetër, optimistët do të shohin një mundësi të mrekullueshme për ta rigjallëruar shkëmbimin kulturor. Lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës mbeten të forta në rrafshin retorik, simbolike në rrafshin elitar dhe të vetvetishme në rrafshin popullor; por pikërisht këtu kultura mund të shërbente si premisë e afrimit, përtej retorikës kombëtariste shurdhuese dhe pushimtarëve që vijnë të shpenzojnë euro në plazhet e Adriatikut, duke pelegrinuar nëpër Rrugën e Kombit. Madje jo vetëm kaq; funksioni si instrument i harmonizimit Shqipëri-Kosovë do t’i shërbente vetë kulturës kombëtare, për t’i dhënë atë orientim ose intonim që sot i ka munguar. Tek e fundit, askund nuk është e shkruar që në tregun e përbashkët kombëtar të shkëmbehen veç qofte, birra dhe rapsodi me çifteli; as që afrimi dhe bashkimi kulturor do të konsumohet i tëri në nivelin folklorik.

Shënim: botuar në numrin 7 të revistës AKT.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin