PELLAZGOLOGJI

nga Albert Riska

Pellazgologjia është disiplina gjuhësore që merret me marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhën e pellazgëve dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe me prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar.

Në këtë mënyrë ne kemi të siguruar filiacionin dhe vijimësinë për më shumë se katër mijë vjet, ndoshta jemi i vetmi popull në botë që e dimë se cilët ishin paraardhësit tanë këtu e…, ndoshta, edhe pesë mijë vjet, paçka se ende nuk dimë as se kur lindi Skënderbeu dhe as se si e thërriste e ëma kur ishte i vogël.

Pellazgologjia zë një vend të rëndësishëm në rrethin e shkencave që merren me shoqërinë njerëzore dhe ka kapërcyer prej kohësh nivelet e pretenduara nga egjiptologjia, shumerologjia, etruskologjia etj. E vetmja rivale e fortë në këtë mjedis shkencor ka mbetur gjithologjia.

Si çdo shkencë edhe pellazgologjia mbështetet në disa pohime shkencore që paraprakisht pranohen për të vërteta dhe që quhen aksioma. Kështu, aksioma e parë e dijes pellazgologjike është ajo sipas të cilës të gjitha gjuhët e botës vijnë nga shqipja. Është i mirëpranuar çdo mendim që nënkupton se shqiptarët janë populli më i vjetër në botë, madje edhe në qoftë se shqiptarët do të dilnin diçka më të vjetër se edhe vetë zoti.

Pra, do të bëheshim anëtarë të komunitetit pellazgologjik të gjithë ata që do të besonin se zoti ka folur shqip dhe se në skemën e Darvinit shqiptarët do të rridhnin drejtpërdrejt nga majmunët … ose anasjelltas.

Kush nuk beson se zoti ka folur shqip është djall, ndërkohë që toka është mbushur plot me engjëj… dhe engjëjt besojnë se zoti, pasi mësoi shqipen vetë, ia mësoi atë gjithë popujve të tjerë. Në një gjuhë të largët e të çuditshme, për shembull, që disa i thonë gjuha kineze, disa kinezishte e disa të tjerë e kanë si më mbarë të thonë kinishte, u bë shumë e njohur për botën fjala mao, çuditërisht shumë e përdorshme atje si emër familjeje. Fjala do të thotë në kinezçe thjesht “lesh”. Pra, fjala përkthehet në gjuhën shqipe dhe kjo do të mjaftonte për të gjetur rrënjët e saj, rrënjët universale, njësoj si fjala ortodoks, që do të përkthehej në gjuhën shqipe “udha e drejtë”, dhe detyrimisht që është me origjinë shqipe…

Po le të shkojmë sërish te fjala më e largët, pra, mao = lesh, …lesh, mao, lesh! Është shumë e qartë, por duhet ta përtypësh pak…, ta mbash pak në gojë… dhe: lesh, mjau, lesh do të dalë se është… lesh maceje. Nejse…

Është normale që pellazgologët më të shquar të kërkohen në Shqipëri, por pellazgologë ka edhe në Itali, në Francë e gjetkë. Bëhet fjalë për një dije ndërkombëtare…

Një pellazgolog i shquar shqiptar ka zbuluar kohët e fundit se të gjitha fjalët e botës mund të shpjegohen me fjalën shqipe ryn (hyn). Bota gati u shastis. Si do të mund të shpjegohej folja del!? “Një gjë që hyn, del” kështu thonë ustallarët: marangozët, mekanikët …gjinekologët… Por pellazgologut tonë nuk i kishte shpëtuar asgjë. Ai mund të shpjegonte se dielli nuk del, por ryn, …ryn dielli çdo mëngjes në botën tonë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse na tregon që, kur lind, edhe bebi ryn në botën tonë e nuk ka kuptim të thuash se del nga…, se… disa të trembur menduan se për pak do të na shuhej popullsia. Le të jetë e qartë për të gjithë: një gjë që ryn…, ryn përsëri!

Se jo të gjithë njerëzit janë në gjendje t’i kuptojnë këto punë. Ishte njëri, për shembull, që nuk e besonte pellazgologun që thoshte se fjala lemzë është e përbërë nga dy folje të gjuhës shqipe më le e më zë. Si qenka kjo punë! Të lë, pastaj të zë!? E çuditshme, normalisht duhet të më zërë njëherë e pastaj të më lërë, pra, duhet të ishte më ze e më lë, e kështu na vjen zemlë, siç do ta mendonte edhe profani.

Pellazgologu i tregon në çast profanit se ashtu shpjegohet fjala tjetër, zemër, ajo të zë e të lë…

Seç përzihet edhe një malësor i vjetër, që s’duhet të kishte ndonjë gramë shkollë, se kot foli: pasha zotin, he burr, a s’m’thu, at’ llafn e parë e kena me le  apo me lanë, se po t’ish me le, je t’uj fol marre, hej t’rujt zoti, e po na shpi n’ven t’keq, se na me le e kena nryshe e pri asaj kena lem, pri knejna e kemi lemzë e na lemzë i thojna asaj, hej t’prift e mara, …si po i thojn tash… asaj gjas s’grus…, qi s’ma zen goja.

Nejse. Çfarë mund të dijë malësori atje në majë të malit…

Edhe profesorët në Tiranë përgjigjen ftohtë…, shmangen…, largohen… rrallë ndodh që ndonjëri të kthejë përgjigje… Po të gjithë thonë vetëm një gjë: Mundet, mundet, por nuk besoj se…

Të gjithë kështu, madje edhe për raste shumë të qarta…, si fjala filozofi, për shembull, që do të thotë fill za fia, pra, është shqipe e pastër: fill zë fija, veçse jo fija e flokut, por fija e dijes, se vërtet dija mbin aty ku mbin leshi, …por nuk është e njëjtë me të.

Pellazgologët, sidomos ndërkombëtarët, kanë vërtetuar se të gjitha qytetërimet e kësaj bote e kanë gjetur bazën te qytetërimi i lashtë shqiptar. Ne i kemi dhënë botës të gjitha llojet e shkrimeve dhe janë pikërisht ato që identifikojnë qytetërimet e ndryshme. Ne ia kemi vënë emrin Nilit, ne e kemi emërtuar edhe deltën e tij, ne e kemi shpikur edhe shkronjën D, që grekët gjoja e morën nga asirët. Pyetni ku të doni, në fillim D ka pasur formën e derës. Dihet që grafikisht linja e shkronjës është mbështetur te një hieroglifi ynë i stërlashtë që, me siguri, buron nga ndonjë ideogramë me formën e derës. Të tjerët i kanë thënë e i thonë edhe sot dal, dalat, delet, del, delta etj. Është e thjeshtë, fjalë për fjalë delta mund ta shpjegojmë vetëm në gjuhën shqipe, del të ha, thjesht, del lumi të hajë tokë, ashtu siç ndodhte me Nilin tonë të lashtë.

Egjiptianëve ne u dhamë edhe hyjnitë e qiellit dhe kjo nuk do as mend e as kalem. Në vizatimet e tyre ata e paraqesin diellin si një disk, si një rreth, që do të thotë se e kanë njësoj si ne, pra, është shqip. Edhe Thoti, lajmëtar i perëndive, flet vetë. Më qartë se të tjerët, ai thotë me emrin e tij se është “ai që thotë”. Faraonët janë “fara jonë”, pavarësisht se janë pak më të zinj, por ne mund ta ngjyrosim farën tonë si të duam.

Le të zbresim në tokë. Jo lajmëtari i perëndive, por në këtë botë edhe sendet e thonë vetë emrin e tyre, sepse dinë shqip…

Edhe shumerët e kanë prejardhjen nga shqiptarët. Emri i tyre shumerë do të thotë “shumë erë”. Erë e dimë të gjithë se çfarë është, por edhe shumë është me origjinë nga pellazgoshqipja, s’hum, domethënë “nuk humbet”, “është aty”, “ka plot”… vetëm se ka rënë… apostrofi… Le që ku kishte apostrof atëherë, ne e kemi shpikur vetëm para pak vjetësh…

Të gjithë emrat, kudo që ndodhen, e kanë bazën te shqipja: nuk ka dyshim se Amerika është “ha, merr dhe ik”, Gjibraltar “gji bërryl tharë”, Kamerun “kam erë unë”, Salvador “Sala vë dorë” etj., etj.

Qytetërimi grek e ka burimin te qytetërimi shqiptar. Madje edhe vetë grekët si popull janë të rrjedhur prej nesh. Ne ia huazuam hyjnitë, ne mund të lidhim Zeus me e Athina me e thëna. Po Afërdita! A nuk janë grekët produkt i njërit prej veprimeve më të stërlashta, të cilin ne ia mësuam gjithë botës? Nuk është e rastit që u mbarojnë emrat e të vegjëlve me të njëjtën prapashtesë, –qi: Petraqi, Stavraqi, Kristaqi, Mihallaqi etj. Edhe emri Greqi e dëshmon më së miri këtë. Forma jonë popullore Gërqi na tregon qartë se forma më e vjetër ka qenë një *Garqi dhe nuk ka të dyshuar se kjo vjen nga forma e parë *Graqi, për të mos bërë analiza të mëtejshme… Ne ia paskemi mësuar sllavëve metatezën e likuideve…

Afërdita është perëndesha e bukurisë, e dashurisë dhe e pjellorisë. Është shqip: afër dita, “në mëngjes herët”, dhe thonë se është koha më e mirë për të bërë dashuri, se je i çlodhur dhe… fëmijët i ka mundur gjumi. Veçse nuk do harruar edhe diçka tjetër. Atë vakt para mëngjesi populli e quan “me të ngrefmen e shurrës”! Jo më kot Afërditën e nderojnë gjithandej në vende ku ka ujë, pranë lumenjve e nëpër liqene. Uji ndjell ujë. Pse Floçkat dilnin gjysmëlakuriqe në mes të liqenit e kriheshin që në pikë të mëngjesit? Sepse në atë orë dilnin edhe barinjtë për të kullotur bagëtinë dhe mund të qëllonte që ndonjë prej tyre të dilte i pashurrosur.

Vetëm në gjuhën shqipe e përkëdhelim ditën. Ne themi një ditëz, prej këndej njëditëzaj apo, më shkurt, njëdizaj. Ja ku e ka burimin fjala e mençur afrodiziak, nga afër dizaj. Thonë se edhe viagrën e ka shpikur një shqiptar. Duhet të ketë qenë me prejardhje baritore dhe nga ndonjë fshat ku ka pasur shumë Floçka.

Ne ia kemi mësuar botës edhe shkencat, megjithëse gjuhën tonë e shkruam aq vonë e mund të mos kemi ditur për vete as shkrim e këndim. Po shkenca jonë ishte gojore… Nuk do të priste shkenca jonë sa të lindte Gjon Buzuku!

Pitagora po që ishte pellazgoshqiptar. Emri i tij duhet të shkruhet Pithagora dhe mund të shpjegohet vetëm me pellazgoshqipen bythë gjerë. Në këtë shpjegim, përveç operacioneve gjuhësore skrupuloze dhe të padyshimta, pellazgologjisë mund t’i vijë në ndihmë edhe një fakt i rëndësishëm i natyrës antropologjike: Pithagora duhet të ketë qenë mashkull, kështu që pjesa e parë e emrit të tij nuk mund të ketë pasur vetëm se kuptimin “bythë”. Edhe teorema e tij, që në pellazgjishte duhet të ketë qenë shqiptuar theorema, është një e thënë e re, domethënë se nuk e ka thënë njeri më parë. Bjeri, bjeri… asaj…, si i thonë…

Është për t’u theksuar se të dhënat e antropologjisë, sidomos të antropologjisë kulturore, janë shumë të rëndësishme për pellazgologjinë. Në shpjegimin e fjalës pallamidh, për shembull, fakti antropologjik është shumë frutdhënës. Pallamidh, sipas pellazgologjisë ndërkombëtare, do të thotë “pallë e madhe” ose “pallë në mill”, por këtu duhet sqaruar më parë se ç’kuptim ka fjala pallë. Dhe zgjidhja bëhet e lehtë për një çast: po të kemi parasysh figurën e luftëtarit të së shkuarës, mendja na shkon menjëherë te shpata, pra, pallamidh do të thoshte “shpatë e madhe a në mill”; por, po të jemi në kohë paqeje dhe qetësie, fjala pallë do të kishte krejt tjetër kuptim, aq më keq po të jemi në një çast dashurie e të kemi parasysh ndonjë gjë të…

Le të shohim, për më tepër, edhe një shembull që tregon qartë se si evoluon mendimi pellazgologjik kur në lojë futen të dhëna të tilla. Një pellazgolog i famshëm i traditës pat shprehur mendimin se emri i të famshmes Penelopë shpjegohej me anë të pellazgoshqipes penë e lypi (perin, fillin e lypi). Duhet ta ketë tërhequr në grackë forma e sotme e shqiptimit grek Penelopi. Jo! Ndjekësit e tij neopellazgologë e kuptuan se duhet të niseshin nga një bazë tjetër, nga trajta pellazge Penelope, dhe gjithçka bëhet e qartë: emri vjen nga shqipja penë e lo pe (perin e lë pe) që do me thënë se ajo nuk e endte perin. A nuk e njohim ne faktin e rëndësishëm se mbretëresha Penelopë thurte ditën dhe… shqepej natën nga rivalët!? A nuk të kujton kjo legjendën pellazgjike të murit që ngrihej ditën dhe shembej natën!? Përtej kësaj, ne duhet të kuptojmë nga “penë e lo pe” që edhe Penelopa duhet të ketë qenë nga Tirona, ose, të paktën, e martuar apo e emëruar në Tironë.

Ka nga ata që thonë se muret e legjendave nuk prisheshin vetë dhe as që ka lidhje kjo punë me sakrifikimin. Ato i kanë prishur natën pronarët e tokës. Gjoja se kalatë dhe manastiret ndërtoheshin në terrene që u rrëmbeheshin fshatarëve nga sunduesit apo nga kleri dhe fshatarët e pambrojtur e të irrituar çoheshin natën si kukudhi e i prishnin muret.

Çudi si nuk u treguan legjenda të tilla, me të shembura e me të ngritura, edhe për tempuj të  tjerë, se kështu që do të na dilnin, me siguri, pronarë shqiptarë, si trashëgimtarë të ligjshëm gjithandej…

Eee, kemi shumë mure për të mbrojtur…!

Po muret e larta të pellazgologjisë nuk do të mundet kush t’i shembë kurrë…, se ato ngrihen… në trojet e veta!

(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin