DOKTOR I GJUHËS, SKLLAV I SHKENCËS

– Leksikografi Samuel Johnson dhe fjalori i anglishtes

nga Enit Karafili Steiner

Andej nga mesi i shekullit të XVIII, shkrimtari dhe përkthyesi anglez Samuel Johnson ndërmori sfidën të përpilonte fjalorin e parë të gjuhës angleze. Kaq jeh bëri ky fjalor, sa pas botimit në 1755, shumëkush i referohet autorit me emrin Johnson-i i Fjalorit, shumëkush me titullin honorifik: Dr. Johnson, titull që asokohe dominohej prej profesionit mjekësor. Në pamjen e parë titull aq më pak i pajustifikuar, sepse shtrëngesat financiare s’e lejuan Johnson-in t’i kryente studimet e nisura në Oxford. Asgjëmangut, ai është doktori anglez më i njohur i shekullit të XVIII dhe XIX, doktor i shkencave filozofike. Vetë fjalori është përcjellë brez pas brezi si Fjalori i Johnson-it (Johnson’s Dictionary), çka kontraston, fjala bie, me fjalorin e parë të frëngjishtes, i cili mban emrin e një institucioni të madhërishëm, garant e gardian i traditës së letrave frënge: Le Dictionnaire de l’Académie Française (1694).

Ky fjalor është pikërisht rivali që duhet të ballafaqojnë Johnson-i e cilido ushqen ambiciet leksikografike që imponon përpilimi i një fjalori gjuhësor. Në fakt, mungesa e fjalorit të anglishtes, ndërkohë që ai i gjuhës frënge ekziston që prej gjysmë shekulli përtej kanalit të La Manche-it, çukit sedrën kombëtare. Sa kohë anglezët janë pa fjalor, mungesa ndjehet si plagë kombëtare. Me të drejtë publiku britanik pyet kur do gjenden në mbretërinë e tyre dyzet koka për të rivalizuar dyzet të diturit që krijuan fjalorin e Akademisë frënge.  Në këtë skenë plage hyn Johnson. Dhe ky është një nga rrafshet që legjitimon titullin Dr.

Johnson hyn në skenë me një projekt kundërvënës ndaj traditës frënge. Nëse në Francë u deshën dyzet vetë të debatonin vendimet normative tek analizonin gjarpërimet leksikografike ndërshekullore, Johnson e ndërmerr aventurën vetë i parë. Dikur angazhon gjashtë ndihmës, jo në kapacitetin e bashkautorëve, por të asistentëve, të cilët rreken të organizojnë masën e materialit të rrëmuar prej guvave të dijes. Për disa vite materiali organizohet në fletore, mandej në fletë të paqepura, çka nuk e parandalon kaosin, përkundrazi. Aventurë me dështim të programuar, do të thoshte kush ka parasysh se fjalori frëng lypi 56 vjet punë prej 40 mendimtarëve. Johnson-it nuk do t’i dilte as mosha e patriarkëve biblik – si për shembull e Noes që jetoi aty te 950 vjet – për të kryer detyrën herkuliane që ka marrë përsipër. Probabiliteti matematikor i kundërvihet suksesit sa fjalori anglez, aq i dëshiruar, duket se ka rënë në dorën e një gjuhëtari don-kishotesk. Këto fakte, të gjitha të njohura për Johnson-in, duhen përmendur për të përkapur përmasën e suksesit, habisë e admirimit që zgjoi botimi i fjalorit pas vetëm tetë vjet punë! 40.000 fjalë radhit fjalori i Johnson-it, ndërkohë që fjalor i parë Akademisë frënge (1694) arrin te 18.000. Në duelin me gjiganden Académie Française, Johnson del ngadhënjimtar befasues si Davidi kundër Goliatit.

Johnson-i është i vetëdijshëm se puna me fjalorin ka vlera të pamatshme për mbrujtjen e identitetit kombëtar, identitet i brishtë në një territor të bashkuar kryesisht për arsye politike pak vite më parë (Skocia bashkohet me Anglinë në 1707, Irlanda iu bashkëngjitet në 1801). Mbase kjo vetëdije e bën marrok vendimin që do ta katapultojë fjalorin e tij nga statusi i një arritje mbresëlënëse në statusin e një monumenti kombëtar. Ndryshe prej fjalorit të Akademisë frënge, i cili mjaftohet të shpjegojë kuptimin e fjalëve, Johnson i shoqëron shpjegimet me citate të nxjerra nga veprat më të mira të gjuhës e kulturës angleze, duke shënuar veprën e emrin e autorit poshtë citateve. Pra, fillimisht ai jep shpjegimin e fjalës, të vijuar prej citatit që e përplotëson kuptimin, dhe në fund emri i veprës dhe autorit të cituar. Për ta ilustruar risinë e Johnson-it me shembuj shqip, sjell këtu tre fjalë:

arbërésh,-i m. sh. -ë(t) 1. shqiptar i popullsisë së ardhur që në mesjetë në Italinë e Jugut, në Greqi a në Dalmaci.

Pavarësisht nga bjerrjet e ndikimet që ka pësuar në rrjedhë të shekujve në mjedisin italian, gjuha shqipe tek arbëreshët e Italisë vijon të jetë edhe sot “gjuhë e zemrës” (lingua del cuore), ndërsa italishtja “gjuhë e bukës” (lingua del pane). – Gj. Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe

ose

dashurí,-a f. 1. ndjenjë e fuqishme dhe e thellë pëlqimi, dashamirësie e adhurimi për dikë a për diçka, që na lidh ngushtë me të; ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër për një njeri të seksit tjetër; miqësi e thellë dhe e çiltër

Dashuria është ndjenjë e përgjithshme, cilësore më parë për gjithësinë, me të cilën është mbrujtur jeta që në zanafillë. – R. Qosja, Porosia e madhe

ose

ligjër/ójI jokal., -óva, -úar 1. flas; flas bukur

Koka ra dhe ligjëronte,
Nuk i kishte sosur fjalët,
Trup’i tij dhe po qëndronte,
Sikundër ishte mbi kalët.

– N. Frashëri, Istori e Skënderbeut

Shembujt shqip na ndihmojnë të peshojmë forcën intelektuale e afektive të një fjalori, i cili i ekspozon lexuesit jo vetëm ndaj fjalëve, por edhe ndaj arkivit letrar të akumuluar ndër breza. Dhe janë këto shkëndija të arkivit që kanë tërhequr shkrimtarë si Robert Browning ta lexojnë fjalorin e Johnson-it nga faqja e parë tek e fundit sikur të ishte roman a antologji.

Metoda e Johnson-it dëshmon sigurisht për gjenialitetin e leksikografit si erudit i pashoq, por duke qenë veç dirigjent në orkestrën e autorëve e veprave që mbushin faqet e fjalorit, ky shpalos edhe gjenialitetin e etnive të bashkuara prej përdorimit të gjuhës angleze, gjenialitetin e kombit që njihet me emrin Britani e Madhe. E parë në këtë rrafsh, Dr. Johnson është kurues i madhërisë kombëtare përtej pritmërive.

Mund të lind përshtypja nga sa thashë, se çështja kombëtare qe shtysa kryesore pas ilustrimit të fjalëve nëpërmjet citateve. Nuk është kështu. Shtysa lind në qëndrimin që Johnson merr kundruall gjuhës dhe përgjegjësisë së gjuhëtarit ndaj saj. Në fakt, Johnson gjen në punën e leksikografit tipare don-kishoteske. Sikundër heroi i Cervantes-it lufton me kalorës imagjinarë, ashtu edhe leksikografi përballet me (sh)përdorues imagjinarë të gjuhës e me vetë gjuhën, e cila – Johnson e kupton këtë fare mirë – është amebë njerëzore, lëndë e lëvizshme që i shpëton kaçavidës normative aq herë sa flitet e shkruhet. Kaçavidës që fikson kuptimin, shqiptimin, ortografinë. Por pikërisht, në një strukturë si kombi-shtet, normat duhen për ta fuqizuar e kthyer gjuhën në të mirën identitare të atyre që e flasin. Kështu publiku pret ndërhyrjen e leksikografit për të fiksuar, pastruar gjuhën, eliminuar gërdhamet, diktuar korrupsionet që vijnë nga injoranca apo zelli për të renë. Ama, vështirësia fle te natyra e gjuhës, e cila nuk është ambient i kufizuar, të themi një punishte, ku mjafton të kryhet pastrimi i veglave, sistemimi i materialeve, heqja e plehrave të hapërdara gjatë ditës për të rivendosur rregull e pastërti, a si një plagë që mbyllet duke e dezinfektuar e qepur. Gjuha nuk është sistem i mbyllur, por trup poroz, nëse mund ta quajmë trup. Ky është problemi. Kjo bukuria.

Johnson pranon se nuk mundi të përftojë një test pastërtie të cilit t’ia nënshtronte gjuhës. Në fakt, gjuha duke qenë lënda më subjektive e kolektive njëherazi është e panënshtrueshme. Përveç një gjuhe të përbashkët kombëtare e krahinore çdonjëri prej nesh flet një idiolekt të tijin, në rrethana gjithnjë në ndryshim e sipër. Johnson përqafon një pikëpamje linguistike progresive, sipas së cilës kontaktet ndër-etnike e ndër-gjuhësore janë mushkëritë e gjuhës. Ai ngre hipotezën se gjuha që nuk përjeton ndryshim është gjuha e një bashkësie njerëzore thuajse barbare, e tërhequr larg të huajve dhe e preokupuar me hallet më bazale të mbijetesës. Çka nënkupton se gjuha, kur nuk ndryshon, atrofizohet. Prandaj primitivizmi, kthimi prapa, apo izolimi nuk janë zgjidhje. E aq më pak nënshtrimi.

Megjithatë, aty ku nuk ka nënshtrim të gjuhës, mund, duhet të ketë mbarështim. Kjo është pak a shumë filozofia e Johnson-it. Mijëra citatet e shkrimtarëve që ai veçon për të ilustruar fjalët në fjalor janë metri mbarështues i leksikografit, këmbëza stabilizuese, shpeshherë më efikase se metoda etimologjike (e cila e nxjerr kuptimin prej prejardhjes së fjalës), ngase kapërcimet kuptimore nga koha në kohë e nga gjuha në gjuhë e largojnë fjalën prej kuptimit që mbarte në zanafillë. E meqë ra fjala, a ka koncept më të pazbardhshëm se zanafilla? Kështu, tek u referohet shkrimtarëve, Johnson-i punon me gjuhën në veprim, jo të balsamosurën, me atë të shkrimtarëve e cila ndërton një urë mes bregut linguistik e letrar, fjalës dhe ligjërimit. Kjo duhet të ketë qenë strategjia e tij për të mos u bërë “skllav i shkencës”, tundim i madh në leksikografi, sipas Johnson-it. Atëherë ai pranon pjesë-pjesë ndryshueshmëritë e parregullsitë gjuhësore të sanksionuara prej kohës e përdorimit, si edhe ngjyrimet kontekstuale, e hera-herës vetjake, të shkrimtarëve. Në këtë pikëpamje nuk çudit fakti që Shekspiri është shkrimtari që Johnson-i citon më shpesh, pikërisht Shekspiri, i cili kur fjala i mungonte, atëherë e shpikte atë. Jo më pak se 1700 fjalë në anglisht janë sendërgjime shekspiriane.

Duke u mbështetur tek autoriteti i shkrimtarëve më të mirë, Johnson përveçon ata që i ngjajnë atij më të mirët, pra, elementi subjektiv pajtohet me dëshirën për objektivitet shkencor. Kufizimet subjektive e depërtojnë lexuesin edhe kur Johnson shkruan, se iu desh ta përfundonte fjalorin pa pretenduar se e kreu detyrën që mori përsipër. E thotë këtë jo në emër të një modestie formale. Për hir të së vërtetës, përkundrazi, e quan veprën e tij  jo të plotë (not completed), sepse asnjë leksikograf e as dyzet nuk mund t’ia nxjerrin fundin gjuhës.

Rupperswil, 10.03.2021

(c) 2021, Enit K. Steiner. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

E. K. Steiner mban një Master në gjuhë-letërsi frënge dhe një PhD në anglistikë nga Universiteti i Zyrihut; është asistent profesore në Universitetin e Lozanës dhe autore e disa librave e artikujve akademikë si edhe e romanit Tokëmjalta.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin