TETË TREGIME

nga Mimoza Ahmeti


Termi

Ai ishte dyqani më i hershëm i kryeqytetit. Quhej TERMI.

Aty shkoja thuajse përditë të blija terma, në moshën e adoleshencës, me

të cilat vishja shpirtin, dhe pastaj dilja.

Kisha kohë pa vajtur atje, nga rutina e ditëve.

Arrita. Isha ngritur majë një palë takave të kuqe, të cilat, siç thotë fjalori i ëndrrave, simbolizojnë arritjen e qëllimit.

Shitësi dukej i përhitur, e kishte përthithur gjithë kohën.

– Më jepni një term, ju lutem!

– Ekstravagancë, – tha ai.

– Më bie i gjerë, një tjetër, – i thashë.

– Strikt, – tha ai.

– Më bie i ngushtë, – i thashë e pakënaqur.

– Zgjidhni vetë, – tha ai.

I pashë termat e varura në kremastaret e nocioneve. Një nga një! Nuk më pëlqeu asnjëri.

– Nuk keni marrë furnizim të ri?

– I ri është, – tha ai, – para një jave erdhi.

– Po ky T-shirt metalik? – pyeta e çuditur!

– Është një këmishë lufte e kohës së Skënderbeut, për dekor, nuk shitet.

– Kuptoj, – ia bëra. Gjithë ky mall më duket kaq i shëmtuar!

– Normal, zonjë, që kur rrobaqepësitë e Europës u transferuan të gjitha në Azi, mos prisni më terma të prerjeve të përsosura, domethënë klasike. Thjesht mbulojeni shpirtin me diçka!

– Talleni? – ia bëra e indinjuar dhe dola nga dyqani.

Të nesërmen vendosa të kthehem e të marr ndonjë term çfarëdo, sa për t’ia hedhur shpirtit përsipër, pasi edhe koha po ftohej…

Por kur arrita te TERMI, qepeni ishte ulur, mbi të qe shkruar me kapitale:

JEPET ME QIRA!


Ura

Pa një urë që po ecte. Kjo i ndodhi para gjumit.

Ajo dukej si një dinosaur pa krye, me qafën e shqepur nga autostrada dhe bishtin pendë.

Kapi pikërisht momentin kur ajo po putronte në det.

Deti gri, ura gri dhe një ton i fshehtë kobalti që i përqafonte të dyja, madhështonin pamjen.

Këmbët e saj të drejta, tani trapezoide nga hapat e rëndë, e mahnitën!

“Ku shkonte ajo urë? Po ecin urat?” – mendoi në atë vegim tronditës.

Ajo ishte një urë që po endej në tokë e në det për të kërkuar njerëz!


E padurueshmja

Ajo ishte gruaja e padurueshme e një bashkëshorti.

Ai e gjente atë gjithmonë të veshur për të dalë brenda krevatit.

E shumta që ajo mund të toleronte, ishte të vishej bukur vetëm brenda në shtëpi. Dhe në orët e mbrëmjes. Para gjumit.

Ajo lyhej me të kuq, hidhte fustanin më të shtrenjtë në trup, çizmet deri në gju dhe, ashtu si një yll i bukur, futej në krevat!

Ai nuk e kuptonte atë. Ajo sillej jashtë çdo kodi! Bota nuk e përshtypte.

Qysh prej lindjes, nën lëkurën e saj zhvillohej një dritë fenomeni, të cilin ajo nuk e gjeti dot në njerëz e libra.

Vishej përsosmërisht bukur e shtrenjtë para gjumit, sepse vetëm aty mund të rrokej me të.


Pylli

Ai ishte çifti më i duruar i dashurisë së parë.

Të tjerë nuk i kishin duruar aq gjatë dashuritë. Aq më pak të parat!

– Më jep një mërzi të re, – i tha ai asaj.

– Derr, – ia ktheu ajo.

– Qenkam shpëlarë krejt në sytë e tu, – i tha ai. – Dikur më thoshe Hajvan!

– Përse m’i nxit nervat, përse m’i kërkon sharjet? – iu shfry ajo.

– Vetëm nga ato kuptoj sa të kam lënduar, dhe prej lëndimit dëgjoj sa më do akoma.

– Je i çmendur, – i tha ajo me indiferencë.

– Ti nuk më do, – ia ktheu ai.

– Ti je një monstër që më ka thëthirë shpirtin gjithë jetës!

– Ti nuk më do më fare, – tha i mërzitur ai.

– Ti je një shtazë, një primitiv, kafsha më primitive që ndonjëherë kam parë. Ti je Pylli!

– Ti më do, – i tha ai dhe e rroku zemër e krahë.


Suksesi

Fatkeqësia e tij qe vulosur te suksesi. Ai asnjë moment nuk u nda prej tij!

Principit iu nda, por suksesit jo! Derisa fitoi atë fuqi të pakontrollueshme që quhet MJESHTËR.

Bëri shumë dëme në jetët reflektuese, por dëmin kryesor e pësoi vetë:

Nuk i kishte mbetur as edhe një vlerë e rreme që ta përpunonte.

E rreme ishte prapë njësoj si e vërtetë, nëse njerëzit e besonin.

Por ata nuk i afronin asnjë pistë dobësie, ku ai të hidhte një çap, qoftë edhe pak rremësi besimi, e një ideje çfarëdo, me të cilën të mund të ngrinte një miriadë iluzioni.

Ç’ishte ky ekzekutim i paqtë?!

Dinakëria e udhëhiqte në dëme të reja, por të tjerët i prisnin natyrshëm ato, të terrorizuar nga mizoria e suksesit të tij mjeshtëror!

Bota i dukej padrejtësia më e madhe! Dhe ashtu ishte. Pa të, ai nuk do të qe bërë aq i tmerrshëm, nuk do të kishte mbërritur në atë pikë pa dalje, suksesi.

Gjendej lakuriq midis mosbesimit njerëzor, me një nudizëm të dhunshëm përballë egos!


Fronti

Ai hynte në disko. Ata ishin aty.

Ai donte të penetronte më thellë. Nuk e linin.

Një tjetër natë, ai nisej përsëri me idenë se do të mund të futej pak më thellë. Do të mund ta çante atë mur njerëzish dhe të shikonte çfarë ndodh brenda.

Por ata ishin aty, bllok, të pakalueshëm, të palëvizshëm, mur-mish-njeriu.

Ai zgjaste kryet, pikërisht të shikonte aty ku rreh më fort muzika, ku intensiteti është i çmendur, ku ndodh ngjarja.

Gjithmonë ata ishin aty. Pengues!

Nuk gjeti dot as edhe një herë, as edhe një moment, as edhe një të çarë të vogël për t’u futur dhe parë.

Ata ishin Front!


Ata më njohin më mirë
(They know me better)

Ajo ishte aq kurioze të dinte për të.

Por ai nuk e ndihmonte.

Pothuajse asnjëherë nuk do të ndodhte që ai t’i fliste asaj apo dikujt për veten.

Pas disa muajsh që jetonin bashkë, ajo filloi t’i përshkruante atij disa tipare që ai i kishte, që asaj mund t’i pëlqenin, por edhe mund të mos i pëlqenin.

Ai në të dyja rastet vetëm duronte dhe nuk reagonte.

Me në fund ia ktheu vrazhdë:

– Je bërë si ata!

Ajo e pyeti e çuditur:

– Si kush ata?

– Ata si puna jote, – ia ktheu. – Më kanë parë diku, ju ngjaj me dikë, jam si dikushi që ata e njohin por unë jo, dinë çfarë tipi jam! Ata më njohin më mirë!


Rrugët e vogla

Ideja se rrugët e mëdha ishin të paekzistueshme (dmth të pajetueshme), i përshkoi trupin në mes të gjumit.

U zgjua! Çfarë të qe kjo ide?

Rrugët e mëdha janë thjesht drejtime. Njëlloj si vdekja. Hap sytë. Ke mbërritur. Nuk ke parë gjë rrugës.

Dobia e rrugëve të mëdha është se të çojnë në botë tjetër. Njësoj si ndrrojeta!

Këto piknin në trurin e saj, pikërisht pas një shëtitje në rrugët e gjelbra të vogla e të lëkundshme me veturë, nëpër pyjet dhe vreshtat e mitura, buzë liqenit Senagou.

– Oh, perceptimi! – ia bëri ajo.

Shpëlahej mëndja nëpërmjet shikimit.

Ishte një tronditje riprurimi në jetë.

Sytë nuk kishin të ngopur, buzët gjallëronin në ajrin e luginës. Lëkura pahitej në lëngun e padukshëm të rëshirit qiellor në natyrë.

Në mendjen e saj diç përparonte këtë mbrëmje, si në çdo mendje të thurur me shtizat dhe modelet e kohës:

Gjithë lufta ndodh midis drejtimit dhe perceptimit, midis rrugëve të mëdha dhe rrugëve të vogla…

Mbetej gjallë nga pasioni i saj për rrugët e vogla.


 

Marrë me lejen e autores nga vëllimi Tregimet e civilizimit, Albas, 2019. Ilustrimi në kopertinë, Mimoza Ahmeti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin