Reklama

OUMUAMUA

Ishte vjeshtë e vitit 2017, kur një astronom kanadez, Robert Weryk, zbuloi – falë teleksopit në observatorin Haleakala në Hawaii – një objekt të çuditshëm, që pastaj u pagëzua si Oumuamua, një fjalë e havajanishtes, me kuptimin “kasnec, lajmëtar, kallauz”.

Për shkak të mënyrës si zhvendosej, Oumuamua kish ardhur në sistemin diellor nga hapësira ndëryjore: dhe ishte hera e parë që njeriu zbulonte një objekt të kësaj kategorie. Njëlloj si Rama e Arthur Clarke-ut, ky hyri në sistemin diellor nga “jashtë”, duke ardhur nga drejtimi i konstelacionit të Lirës, kaloi përmes ekliptikës, dhe vazhdoi rrugën e vet enigmatike, tashmë drejt konstelacionit të Pegasusit.

Për shkak të formës së vet të pazakonshme, të zgjatuar si puro; por edhe të shpejtësisë, të trajektores dhe të karakteristikave të tjera, Oumuamua ngjalli kërshëri të madhe mes astronomëve dhe gjahtarëve të tjerë të qiellit. U konsiderua në fillim kometë, më pas u gjykua asteroid; disave iu duk edhe si anije kozmike ndëryjore, e ngjashme me atë që kish përfytyruar Clarke te Rendez-Vous with Rama.

Avi Loeb, astronom në Harvard, ka një hipotezë tjetër: Oumuamua mund të jetë produkt i një teknologjie aliene, por jo anije ndëryjore, sondë a mjet tjetër transporti. Loeb mendon se objekti ishte mbeturinë e një qytetërimi jashtëtokësor: mbetje kozmike (space junk).

Një hipotezë kjo që sakaq më kujtoi një ese timen të paradokohshme, të cilën e pata përfshirë edhe në librin Sende që nxirrte deti, ku përsiatja se kulturat që kanë diferencë të madhe mes tyre e kanë më të lehtë të komunikojnë në nivelin ekskremental, ose duke shkëmbyer plehra, mbeturina ose ekskremente (një version i kësaj eseje në italisht mund të lexohet akoma këtu).

Duke qenë plehrat më pak të koduara (ose më shumë entropike) e kanë më të lehtë t’i kapërcejnë barrierat. Për shembull, një kulturë që nuk përdor pije elektrolitike për atletët, mund të mos e kuptojë se çfarë është tamam Gatorade, por shishen plastike të kësaj pijeje mund ta adoptojë për të mbajtur ujë në frigorifer ose vaj në qilar.

Dhe, meqë jemi në temë shishesh, kur po përgatitesha për prezantimin e Sendeve të përkthyer në italisht, u kujtova për një film jug-afrikan shumë popullor të viteve 1980, The Gods Must Be Crazy, i cili u shfaq edhe në Shqipëri. Një nga linjat e filmit organizohet rreth një shisheje Coca-Cola që bie nga një aeroplan i vogël mu në këmbët e një bushman-i, në shkretëtirën e Kalaharit. Kultura e bushmanëve, që sot i quajnë zakonisht San people, nuk ka shumë kontakte me teknologjinë moderne; në fakt, ata nuk e kuptojnë dot se ç’është ky objekt kaq unik që ra nga qielli dhe fillojnë ta përdorin për punë të ndryshme. E konsiderojnë si dhuratë nga Perënditë, por më pas e refuzojnë, si shkak konfliktesh dhe sherresh, dhe vendosin ta kthejnë andej nga ka ardhur.

Për pilotin që e flaku nga dritarja e avionit, shishja ishte thjesht trash, materje e zbrazur nga funksioni dhe qëllimi i vet; për bushmanin Xi dhe fisin e tij në shkretëtirë, i njëjti objekt fitoi një numër atributesh mistike. Duke e hedhur shishen tutje, piloti nuk është se po kërkonte të komunikonte gjë; për të shkretëtira poshtë ishte depozitë për entropinë. Por komunikimi megjithatë ndodhi.

Edhe në rastin e Oumuamua-s, që hyri dhe doli në sistemin tonë si ndonjë super-mizë, përmes dritareve të hapura të dhomave kundruall, nuk do ta dimë kurrë se çfarë ishte pikërisht. Kanë mbetur një numër fotografish dhe matjesh të tjera, të cilat flasin për veti të pashpjegueshme – çfarë e mundëson edhe hipotezën e space junk; që e sheh atë objekt si mbeturinë të një teknologjie të largët. Aq më tepër që, për moshën që ka universi sot, duhet të ketë një numër të madh qytetërimesh aliene, shumë më të avancuara se yni; dhe nëse është kështu, atëherë edhe çdo përpjekje për të dalluar çfarë është natyrë dhe çfarë është teknologji, vjen dhe bëhet e kotë.

Në kuptimin që, kur ngre sytë dhe sheh qiellin me yje, çfarë të pengon të mendosh se pamja mund të jetë fotogramë a fishekzjarr i ngrirë i një mega-beteje ndërgalaktike?

Te Sende që nxirrte deti, kam përmendur edhe romanin Piknik buzë rrugës, të vëllezërve Strugackij, që pastaj Tarkovskij e përshtati për një film të famshëm, Stalker. Në roman rrëfehet për disa zona, të shpërndara anembanë globit, ku ndodhin gjëra të pashpjegueshme dhe janë shfaqur sende njëlloj të pashpjegueshme. Një shpjegim është se në ato zona kanë zbritur turistë jashtëtokësorë, për një piknik të shkurtër; duke lënë mbrapa gjithfarë mbeturinash. Por mbeturinat e tyre, junk-u i alienëve, është për ne i pazbërthyeshëm, sepse teknologjia e tyre është shumë më e avancuar se jona. Një personazh i romanit thotë se, me gjasë, këta vizitorë as që e vunë re se Toka ishte e qytetëruar; pa çka se “pikniku” i tyre e transformoi historinë dhe vetë qytetërimin në planet.

Kur Oumuamua u pikas në sistemin tonë, pati nga ata që dyshuan se mund të ishte ajo vetë anije kozmike, për shkak të formës së jashtëzakonshme. Por kjo do të ishte një anije kozmike e heshtur, e vdekur, që ndoshta shëtiste në kozmos kuturu që prej miliona vjetësh, me ekipazhin tashmë të zhdukur a të humbur. Anije fantazmë, ose Holandez fluturues – imazh arketipal, që shfaqet herë pas here në fantashkencë, i huazuar nga epika dhe folklori i aventurave në det. Gjithsesi, një anije tashmë e vdekur, është edhe ajo junk, objekt që e ka humbur “toruan”, hije e së kaluarës së vet.

Mund të spekulohet rreth çfarë do të ndodhte, sikur njeriu – njerëzimi – të hidhte në dorë një teknologji aliene; qoftë edhe vetëm duke u mbështetur në eksperiencën e atyre shteteve ose kompanive që përpiqen të kundër-inxhinierojnë teknologji sekrete të një shteti a kompanie tjetër, të cilën e kanë siguruar me spiunazh.

Ka gjithfarë teorish, për pjesëmarrjen e teknologjive të “rikuperuara” nga UFO-t (si ajo e Roswell-it ose si ca artifakte që “ruhen” në Area 61), në progresin industrial të shekullit XX, p.sh. transistori, sa për të sjellë ndonjë shembull të njohur; këto teori nuk duken të kenë ndonjë bazë faktike, por të paktën konfirmojnë mitin e “dhuratës” nga qielli, që e gjen praktikisht në çdo kulturë dhe që u referohet, njëfarësoj, shkëmbimeve ndërkulturore.

Stanislaw Lem ka eksploruar – në mënyrë karakteristike, por edhe ngjashëm me vëllezërit Strugackij – pamundësinë e njeriut për të kuptuar si funksionon teknologjia aliene. Te His Master’s Voice mendjet më të ndritura të njerëzimit përpiqen të deshifrojnë një mesazh ndëryjor, por me rezultate të dyshimta. Por çfarë e shquan qasjen e Lem-it, është ideja se vetë përpjekjet për deshifrim sjellin zhvillim teknologjik të habitshëm; pra nuk është zgjidhja e enigmës, që çon në progres, por përpjekjet për të gjetur zgjidhjen (mjaft ta krahasosh këtë me progresin në drejtime të papritura që sollën, në gjeometri, orvatjet për të “provuar” postulatin e pestë të Euklid-it; në algjebër orvatjet për të vërtetuar teoremën e Fermat-it; në fizikë, orvatjet për të matur me saktësi shpejtësinë e dritës në “eter”; nga të parat, lindën gjeometritë jo-euklidiane, nga të dytat teoria e relativitetit).

Avi Loeb, i Harvard-it, autori i hipotezës për Oumuamua-n si mbeturinë e një teknologjie jashtëtokësore, ka shpjeguar se ky objekt, kaq i pazakontë nga forma dhe nga mënyra si ndërvepronte me gravitetin, mund të ketë qenë edhe një fragment i një vele ndëryjore, ose pjesë e një sistemi propulsiv që përdor rrezatimin elektromagnetik (p.sh. dritën) siç përdor anija me vela erën. Në vështrim të parë, ky shpjegim – po aq i vlefshëm sa edhe të tjerë – duket sikur ndjek normalisht rrugën nga e njohura tek e panjohura; meqë vetë koncepti i velës ndëryjore është transpozim i teknologjisë së lashtë të velës në det. Megjithatë, sikur një velë e tillë – qoftë edhe e supozuar – të binte në duart e studiuesve, kjo do të sillte revolucion në teknologjinë e materialeve.

Por ideja e Lem-it, në thelb, ekzalton potencialin krijues të mosdijes; sepse është mosdija, ose mosnjohja e funksionit të një teknologjie, që nxit krijimtarinë përshtatëse. Te Gods Must Be Crazy, bushmenët gjetën një shishe të rëndomtë, të tillë siç ka me dhjetëra në çdo shtëpi dhe dyqan të botës industriale të shekullit XX; por ajo kulturë nuk e merrte dot me mend çfarë funksioni real kishte shishja e Coca-Cola-s, prandaj edhe e adaptoi në gjithfarë funksionesh të çuditshme, në bazë të vetive të saj dytësore – p.sh. tejdukshmërisë së qelqit, ose fortësisë së sipërfaqes, ose rrumbullakësisë…

Një vegël, e ndarë konceptualisht nga funksioni origjinal, kthehet në burim pjellor idesh të reja (për të njëjtën arsye, shumë arkeologë i cilësojnë artifaktet e pashpjegueshme që gjejnë si “objekte kulti”). Këtu, pa gërmuar shumë thellë, po mjaftohem të kujtoj karrocat me kushineta të fëmijërisë sime: shumë prej nesh nuk e kuptonin mirë se për çfarë përdoreshin kushinetat, por vetë ekzistenca e tyre, si sende pothuajse të përsosura edhe pse enigmatike, ftonte për përdorime krijuese.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: